INTERVISTA/Flet Neil Rees, historiani që po shkruan një libër
"Ju tregoj 6 vitet e Zogut në kështjellën angleze"
Blendina Cara
"Tirana Observer"
Sa herë që dikush zhytet në historinë e Ahmet
Zogut zbulon diçka të re. Të mistershme e të papërsëritshme. Të rëndësishme dhe historike njëkohësisht. Kështu bëri shkrimtarja franceze Zhozefinë Dedet një dekadë më parë teksa na dhuroi një libër me jetën e këtij mbreti simpatik e të çuditshëm sipas saj. Udhëtoi deri në Johanesburgun e largët dhe atje si një gazetare investigative grumbulloi aq fakte e copëza historie që na la pa mend edhe ne shqiptarëve që e kishim mbret për nja 15 vjet, por që nuk ia dinim historinë. Por duket se misteri dhe të fshehtat e kanë ndjekur këmba-këmbës këtë njeri. Neil Rees, një historian i apasionuar pas Ballkanit, duket se ka shënuar bingo. Ka hulumtuar prej vitesh në arkiva dhe gjetur aq rrëfime e dëshmi sa të na sjellë një pjesë jo pak të rëndësishme të Ahmet Zogut. Dhe, është gati të nxjerrë një libër për këtë. Jeta e Zogut në kështjellën Buckinghamshire, një zonë rurale pranë Londrës. Aktiviteti i tij, jeta private, bashkëshortja Geraldinë e deri tek 8 badigardë. E pra, i pari i mbretërisë më të vogël në Evropë jetoi për gjashtë vjet në mbretërinë më të madhe në Evropë. Të gjitha këto Ris na i sjell duke na shtuar kërshërinë e një periudhë kaq të largët, por të rëndësishme. Në një intervistë ekskluzive për gazetën "Tirana Observer", Ris na zbulon një pjesë të librit të tij duke e shoqëruar edhe me disa foto ekskluzive. Kontaktet e Zogut me personalitet në Londër dhe përse Anglia nuk e ndihmoi ta risillte në pushtet. Po edhe pjesë jetësore të asaj që u quajt ekzili i parë një monarkut shqiptar.
Ju keni në plan të shkruani një libër për periudhën e qëndrimit të mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogu, në Angli. Pse e konsideroni të rëndësishme që një anglez të shkruajë një libër për një mbret shqiptar?
Mua gjithnjë më ka interesuar historia. Interesi im në Ballkan i ka rrënjët në një vizitë në Republikën Jugosllave të Maqedonisë në vitin 1988. Në Maqedoni për herë të parë kam takuar shqiptarë etnikë, por në atë kohë ata nuk lejoheshin që të shkelnin në Shqipëri. I ndjeri president i Maqedonisë, Boris Trajkovski, ka qenë një miku im i mirë dhe zakonisht takoheshim sa herë që ai vinte në Londër. Shkak që unë të interesohesha të mësoja se mbreti i Shqipërisë kishte jetuar aty pranë ku unë jetoj në Angli, ishte interesi që kisha për Ballkanin, ndaj vendosa të bëj disa investigime për këtë gjë.
Fillimisht unë planifikoja të shkruaja një libër historik-lokal rreth Mbretit Zog, çka mund të përkufizohet si një libër për njerëzit e zonës sime në Angli, duke qenë se Mbreti Zog ishte një karakter shumë interesant në atë lokalitet. Shkollat në Angli supozohet që të kenë në planin mësimor historinë e zonës së tyre dhe njerëzit e rinj që jetojnë në atë zonë janë të interesuar të mësojnë se një mbret ka jetuar aty. Megjithatë, duke takuar dhe biseduar me shqiptarë të këtij komuniteti këtu në Angli, unë tashmë kam mësuar se ata janë shumë të interesuar për të mësuar rreth ekzilit të Mbretit Zog në Angli. Dhe, në fakt shumë pak shqiptarë që jetojnë në Angli e dinë se ku ka jetuar ai saktësisht. Edhe një stërnip i Mbretit Zog që kam takuar, i cili jeton diku këtu afër, nuk dinte shumë gjëra rreth këtij fakti.
Në fakt, në Shqipëri pak dihet se çfarë ka bërë Mbreti Zog në Angli gjatë periudhës së qëndrimit të tij në Angli. Ju keni në plan të sillni nëpërmjet librit tuaj vetëm aktivitetin e tij politik e diplomatik apo dhe fakte nga jeta e tij e përditshme e intime?
Edhe në Angli nuk ka shumë informacion për periudhën e azilit të Mbretit Zog, pavarësisht se përmendet shkurtimisht në disa libra. Këto kohë unë kam intervistuar disa njerëz në fshatin ku ai jetonte dhe kam mbledhur disa histori. Janë disa njerëz të vjetër në këtë zonë, të cilët i mbajnë mend shqiptarët, në nivel social. Për momentin, unë nuk di shumë rreth aktivitetit të tij politik dhe diplomatik të asaj kohe, duke qenë se unë jam interesuar më tepër për jetën sociale të mbretit dhe oborrtarëve të tij dhe efektet që kjo jetë sociale ka pasur tek banorët lokalë. Unë do të përmend edhe një pjesë të aktivitetit të tij politik dhe diplomatik, por qëllimi im nuk është të shkruaj një libër politik. Unë jam i interesuar për të dhëna historike të atyre ç'kanë ndodhur, kështu që ajo që do shkruaj varet dhe nga faktet e reja që do të mësoj.
Në aspektin historik, akoma ka mbetur pa përgjigje pyetja se, pse Anglia nuk e ndihmoi Mbretin Zog që të kthehej në pushtet pas përfundimit të luftës?
Problemi është se nuk ka një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë dhe kjo çështje duhet të shihet në një kontekst të paralelizuar me atë të liderëve të tjerë të mërguar në Britani.
1. Mua më duket se Mbreti Zog ishte në një pozicion shumë ndryshe nga ai liderëve të vendeve të tjera që kërkuan azil në Angli. Nga gjithë kërkimet lokale që kam bërë unë, e di se pranë Mbretit Zog jetonin edhe Mbretëresha Vilhemina e Holandës, Gjeneral Sikroski i Polonisë, Presidenti Benes i Çekosllovakisë dhe Sharl de Gol i Francës së Lirë. Por të gjithë këta udhëheqës kishin formuar ushtri të tëra në mërgim, kështu që ata konsideroheshin si kontribuues pozitivë në arritjet e luftës, ndaj dhe kishin në dorë më shumë forcë diplomatike. Në Angli në atë kohë ishin 200 mijë polakë dhe rreth 20 mijë çekosllovakë, ndërsa për sa u përket shqiptarëve, numri i tyre kufizohej në anëtarët Oborrit Mbretëror, tetë badigardët e Mbretit dhe shqiptarët e Anëtarësisë Diplomatike në Londër, kështu që numri i tyre arrinte maksimumi në 40. Mbreti Zog ishte një mbështetës i madh i Çurçillit, por ai nuk mund të kontribuonte në njerëz si pilotë për Betejën e Britanisë apo për njerëz që stërviteshin si parashutistë të maskuar ashtu siç mund të kontribuonin udhëheqësit e vendeve të tjera.
2. Duhet sjellë në kujtesë fakti se, Mbreti Zog nuk ishte i vetmi që s'u kthye në pushtet pas luftës. Britania i deklaroi luftë Gjermanisë kur pushtoi Poloninë, në mënyrë që të çlironte këtë vend, por në fakt udhëheqësit e polakëve në Londër nuk u kthyen kurrë në vendin e tyre, sepse komunistët e mbështetur nga sovjetikët kishin marrë tashmë pushtetin në fund të luftës. Pothuajse asnjë nga polakët në Angli s'u kthye në Poloni dhe familjet e tyre jetojnë akoma e kësaj dite në Angli. Gjithashtu edhe Mbreti Pjetri II i Jugosllavisë e humbi fronin, pasi udhëheqjen e vendit e mori në dorë Josip Broz (Tito) dhe partizanët, duke kërkuar azil në SHBA, ku dhe vdiq. Kështu që Mbreti Zog nuk ishte i vetmi që nuk rimori pushtetin pas luftës dhe ai gjithashtu nuk ishte i vetmi mbret që humbi fronin. Në realitet, qeveria britanike do të kishte preferuar rikthimin e udhëheqësve të Polonisë, Jugosllavisë dhe Polonisë të para luftës, por pas disfatës së nazistëve shumë pak njerëz në Britani kishin dëshirë të hynin në një luftë tjetër dhe kështu qeveria britanike njohu regjimet e reja de-facto komuniste.
3. Në realitet qeveria britanike do të kishte preferuar më mirë Mbretin Zog sesa Enver Hoxhën. Gjatë luftës Anglia e mbështeti rezistencën pro-zogiste dhe pas luftës Anglia u përpoq të përmbyste pushtetin e Hoxhës. Megjithatë në shërbimet sekrete britanike bënte pjesë një agjent i dyfishtë pro-sovjetik i quajtur Kim Filbi, i cili i informonte komunistët përpara çdo misioni të tillë, ndaj ato të gjitha dështonin.
Sipas kërkimeve tuaja mbi këtë figurë, cilët janë personalitetet e larta angleze që janë takuar me Mbretin Zog gjatë qëndrimit të tij në Angli?
Unë sapo e kam filluar kërkimin për këtë ndaj dhe s'mund t'i përgjigjem plotësisht kësaj pyetjeje. Unë di që presidenti Benes i Çekosllovakisë i bënte shpeshherë vizita Mbretit Zog në Buckinghamshire. Mbreti Zog gjithashtu i shkruante Uinston Çurçillit, por unë s'besoj të jenë takuar ndonjëherë.
Cili është, sipas jush, fakti më i fortë dhe më i interesant që keni zbuluar rreth periudhës gjatë së cilës Mbreti Zog qëndronte në Angli?
Shumë shqiptarë në Angli besojnë se Mbreti Zog ka jetuar gjatë gjithë periudhës së luftës në Londër. Kur u them atyre se për pesë vjet ai ka jetuar në Parmoor House, në një komunitet të vogël rural në Buckinghamshire në Angli, shumë prej tyre habiten. Shtëpia ku ai ka jetuar është akoma e pandryshuar. Unë kam fotografi të Mbretit Zog që janë bërë në shtëpinë ku ai ka jetuar dhe mund të identifikoj me saktësi se ku janë bërë këto foto, duke qenë se shtëpia duket ekzaktësisht e njëjta dhe një pjesë e mobilieve që Mbreti Zog ka përdorur janë akoma aty. Madje dhe librat që gjenden në rafte, aty janë të njëjtët libra që ishin kur Zogu jetonte aty.
Sipas të dhënave, Mbreti Zog përdorte në Londër një automobil tip "Mercedes Benz", i cili ishte dhuratë nga Adolf Hitleri, një makinë e cila mendohet se u shkatërrua gjatë bombardimeve të gjermanëve. Ju keni njohuri se cili mund të jetë fati i vërtetë i kësaj makine?
Po, Mbreti Zog ka marrë një makinë "Mercedes Benz" kabriole nga Hitleri, si dhuratë me rastin e martesës së tij me Mbretëreshën Geraldinë, në vitin 1938, por unë nuk besoj se ajo u shkatërrua nga bombardimet gjermane. Ai e ka përdorur atë makinën në Londër. Kur ai u zhvendos në Buckinghamshire, ky automobil ishte një prej atyre që Mbreti Zog përdorte dhe njerëzit e zonës e mbajnë mend atë. Me sa kam kuptuar unë, ai ia ka dhënë atë nipit të tij, Princ Tatit. Princ Tati ia shiti atë një banori të zonës, i cili e shiti sërish. Unë po mundohem të zbuloj se çfarë ndodhi me makinën, por kam besim se ajo i ka mbijetuar luftës.
Në artikullin e publikuar nga "Bucks Free Press" ju përmendni faktin se, disa prej badigardëve të Mbretit Zog mund të jenë martuar dhe të kenë krijuar familje në Frieth (lokalitet afër vendit ku jetonte Mbreti Zog). A keni informacione konkrete në lidhje me pasojat e këtyre bashkimeve?
Aktualisht kjo nuk është çfarë thotë artikulli, por unë s'kam dashur të them këtë. Asnjë prej njerëzve të mbretit nuk u martua me vajzat e zonës apo krijoi familje në Frieth, por shumë prej tyre kanë njohur vajza kur ishin Londër, ata madje mund të kenë njohur vajza nga High Wycombe dhe Henley-on-Thames gjatë kohës që jetonin në Frieth. Gjithë badigardët që jetonin me Mbretin Zog vajtën në Egjipt me të në vitin 1946. Shumë prej tyre kishin familje në Shqipëri. Në vitin 1952 ata shkuan në Francë me Mbretin Zog, kur ai u largua nga Egjipti. Kur Mbreti Zog vdiq në vitin 1961, badigardët u vendosën në Francë apo Angli. Unë isha i interesuar të dija nëse ndonjë prej tyre u kthye në Angli për t'u vendosur aty ku kishin qenë më përpara. Unë di që një prej tyre ka jetuar dhe vdekur në veri të Anglisë për shembull, por mua do të më pëlqente të dija se çfarë ka ndodhur me të tjerët.
A i dini arsyet pse Mbreti Zog la Anglinë për të shkuar në Egjipt?
Fillimisht Mbreti Zog mori me qira "Parmoor House" nga familja angleze Cripps. Ai e mori atë me qira për pesë vjet dhe në fund të qerasë, në vitin 1946 familja shpresonte ta shiste shtëpinë. Sipas artikujve të gazetave në atë kohë, Mbreti Zog kishte marrë në konsideratë faktin për të blerë një shtëpi në Londër, por në atë kohë Britania e Madhe e kishte njohur Republikën e re komuniste të Shqipërisë, ndaj Zogu vendosi se kishte nevojë për një bazë të re me liderë më mbështetës ndaj dëshirës së tij për t'u kthyer në Shqipëri. Mbreti Faruk i Egjiptit ishte mik i tij dhe i përkiste një dinastie me origjinë shqiptare. Egjipti ishte gjithashtu më afër Shqipërisë gjeografikisht dhe Zogu shpresonte të merrte ndihmë nga familjet mbretërore myslimane. Kështu që në atë kohë Egjipti ishte një zgjedhje më se e arsyeshme. Fatkeqësisht kur Mbreti Faruk u përmbys nga froni prej Nasser-it dhe në vitin 1952 Mbretit Zog iu desh të ndërronte sërish vend.
Krijoni Kontakt