Ka qenë një nga ato sondazhet e përvitshme që qeveritë studentore bëjnë me bashkëmoshatarët e tyre, për t’u njohur me problematikën që i shqetëson ata

Një sondazh i qeverisë studentore të Universitetit Bujqësor në Kamëz, ka zbuluar një realitet të frikshëm në ambientet e kësaj shkolle të lartë. 40 pedagogë të këtij universiteti, të gjithë me emra konkretë, akuzohen për mitmarrje dhe abuzime seksuale. Skandali, që tashmë ka dalë jashtë sekreteve të formularëve të plotësuar nga rreth 700 studentë të Bujqësorit, ka krijuar një gjendje jo të zakonshme në këtë universitet, duke tensionuar marrëdhëniet midis studentëve dhe pedagogëve. Në formularë janë zbardhur edhe mjaft detaje të tjera për korrupsionin që përfshin herë pas here ambientet akademike, duke cituar edhe shumën konkrete që ata kanë paguar për të marrë një lëndë të caktuar. Një kopje e rezultateve të këtij sondazhi i është dorëzuar edhe rektorit, i cili ka kërkuar që secili departament të diskutojë problematikën, sidomos mitmarrjen dhe ngacmimet seksuale, duke u dhënë fund sjelljeve të tilla.

Të dhënat

Jo pak, por plot 40 profesorë të Universitetit Bujqësor të Kamzës, janë akuzuar në mënyrë të qartë nga studentët për mitmarrje dhe ngacmime seksuale. Madje, të rinjtë nuk kanë ngujuar të japin edhe detaje, duke e plotësuar tablonë e korrupsionit dhe të abuzimeve me emra konkretë. Dhe jo vetëm kaq. Ata kanë shkuar më tej, duke dhënë edhe shifrat e sakta të parave që i kanë dhënë një x pedagogu për të marrë lëndën apo lëndët që ai jep. Gjithashtu po kaq të detajuara janë edhe të dhënat e shënuara në këto pyetësorë edhe për ngacmimet seksuale. Duke përfituar nga anonimati dhe nga fakti se sondazhin e organizon qeveria studentore, vajzat kanë shënuar emrat e profesorëve që i ngacmojnë seksualisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë. Ka pasur raste kur emri i një profesori është përmendur në më shumë se dy pyetësorë të ndryshëm, ashtu siç ka pasur raste të tjera që emri i një profesori figuron në ‘listën e zezë’ edhe në sondazhet e organizuara gjatë viteve të mëparshme. Në fakt, sondazhi nuk ka pasur vetëm këto dy probleme, por kanë qenë këto të dyja që kanë marrë më tepër rëndësi pas përpunimit të të dhënave. Në pyetësorë, studentët kanë informuar qeverinë e tyre edhe për mënyrën se si zhvillohet mësimi, sezoni i provimeve apo edhe problematika të tjera. Sondazhi ka nisur gjatë muajit prill, pas përfundimit të sezonit të parë të provimeve dhe të dhënat përfundimtare janë zbardhur vetëm një javë më parë.

Sondazhi

Në fakt ka qenë një nga ato sondazhet e përvitshme që qeveritë studentore bëjnë me bashkëmoshatarët e tyre, për t’u njohur me problematikën që i shqetëson ata dhe ecurinë e reformës në sistemin universitar. Sondazhin e kanë plotësuar 1 në 10 studentë (ky universitetet ka rreth 7 mijë studentë), në të gjitha degët e këtij universiteti, duke u ruajtur plotësisht anonimati. Para se të nisë praktika e zakonshme, përfaqësuesit e qeverisë studentore kanë vënë në dijeni edhe rektoratin, ashtu siç ka ndodhur kur ka mbaruar ky sondazh, një kopje e të cilit është dorëzuar po në rektorat. Në fakt deri këtu gjithçka ka qenë në rregull, por problemet kanë lindur në momentin që është shpallur rezultati i këtij sondazhi, duke tensionuar marrëdhëniet jo vetëm midis pedagogëve dhe studentëve, por edhe midis atyre që janë në këtë listë të zezë me rektorin.

Esmeralda Keta