http://www.youtube.com/watch?v=qIM0llwvdZU

Angli, 40 deputetë britanikë mbështesin nismën "Nga të panjohur në nënshtetas"

Emigrantët në Londër: Na legalizoni

Protestuesit kanë marshuar nëpër kryeqytet duke kërkuar një tjetër shans

Nga Londra
Muhamed Veliu

Mijëra emigrantë pa leje qëndrimi në Angli, të mbështetur nga udhëheqësit fetarë, kanë marshuar dy ditë më parë në qendër të Londrës, duke i kërkuar qeverisë angleze t‘u japë shansin për t‘u kthyer në qytetarë normalë. Pavarësisht nga shiu i dendur, më shumë se 5 mijë veta, duke valëvitur flamuj të nacionaliteteve të ndryshme, përfshirë dhe atë shqiptar, mbushën sheshin ‘Trafalgar‘, duke përkrahur nismën e "Fondacionit për Qytetari" me moton "Nga të panjohur në nënshtetas".

Përmes kësaj iniciative, përkrahur nga 40 deputetë britanikë, i kërkohet qeverisë angleze dhënia e lejes dyvjeçare të punës për të gjithë ata emigrantë që kanë katër vjet qëndrimi në Angli.

Në fund të kësaj, në bazë të referencave lëshuar nga punëdhënësi, lejeve duhet t‘u jepet qëndrimi i përhershëm. "Është koha që propozimet tuja të kthehen në ligj nga ne politikanët. Emigrantët janë të dobishëm për shoqërinë tonë. Dëbimi i 500 mijë emigrantëve ilegale nuk do të arrihet kurrë, pasi ka një kosto prej 5,5 miliardë paund", tha deputeti laburist, Xhon Kruddas. Por ministri i Emigracionit, Liam Byrne, ka ngritur shqetësimin, pasi sipas tij, një ndryshim i tillë në ligj, do t‘i hapë dritën jeshile emigracionit ilegal në një shkallë të papërballueshme.

Fushata sensibilizuese "Nga të panjohur në nënshtetas" konsiderohet si e vetmja zgjidhje e realizueshme dhe me shumë interes për ekonominë dhe aspekte tjera të shoqërisë britanike. Megjithëse me një pjesëmarrje modeste, një grup emigrantësh shqiptarë nga organizata "Shpresa Program" ishin pjesë e këtij aktiviteti.

Ata kanë mbështetur iniciativën më të re, që nëse do të përkrahet nga qeveria angleze do të bëjë të lumtur mijëra shqiptarë, që jetojnë ilegalisht në Angli. Numri i emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe erdhi në rritje, sidomos pas vitit 1998.

Shqipraret janë përqendruar kryesisht në Londër, sepse mundësitë për t‘u punësuar janë më të mëdha se në zonat e tjera. Rreth 100 mijë mund të jetë numri shqiptarëve që jetojnë në Angli deri në vitin 2005. Ndërkaq, 36% e tyre jetojnë në Londër, 40% e të emigruarve me leje të rregullta qëndrimi janë familje, pas amnistisë së vitit 2003. Deri tani, 7500 shqiptarë janë dëbuar nga autoritet e emigracionit. Ndërsa në Irlandë numri i emigrantëve shqiptarë arrin në 2000.