Moisiu dhe Berisha, 157 ditë mëri
Altin sinani
Për 157 ditë marrëdhënia mes Presidentit Alfred Moisiu dhe kryeministrit Sali Berisha i ka ngjarë një lufte të ftohtë që nisi me deklarata, me ironi, me “ngritje antenash” dhe betejash të brendshme. Takimi i fundit që kreu i shtetit, Moisiu dhe kreu i ekzekutivit, Berisha, ka qenë plot para 157 ditësh. Që nga ajo ditë kemi parë ironi, mëri, akuza. Por dje, duket se “qielli” mes tyre u hap sërish. Ishte Presidenti Moisiu ai i cili i shtriu dorën i pari kryeministrit Berisha. Duket se gjaku i dëshmorëve bëri që Moisiu dhe Berisha ta harronin konfliktin midis tyre. Takimi i fundit zyrtar midis tyre ishte pikërisht më 28 Nëntor të vitit të kaluar, pra në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte një datë tjetër historike që bashkoi sërish Moisiun me Berishën. Presidenti Moisiu, kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli kanë parakaluar së bashku në nderim të Dëshmorëve të Atdheut. Ata kanë zgjedhur mesa duket pikërisht 5 Majin për t’u paraqitur së bashku, ndërsa në mjaft raste kanë shmangur ceremoni të ndryshme pikërisht për këtë fakt, për të mos qenë së bashku, gjë që erdhi pas disa akuzave dhe sulmeve që kryeministri, por edhe kryeparlamentarja ndërmorën ndaj Presidentit Moisiu dhe pas disa vendimeve të qeverisë të kthyera mbrapsht prej kreut të shtetit.
Homazhet
Dita e Dëshmorëve ka bashkuar dje krerët e lartë të shtetit, mes të cilëve prej kohësh ka pasur mungesë komunikimi. Presidenti Alfred Moisiu, në nderim të kujtimit të Dëshmorëve të Atdheut bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”. Në ceremoninë solemne me këtë rast ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministri Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Luan Hoxha. Kryetari i shtetit, pasi u përshëndet nga afër dhe uroi përzemërsisht veteranët të luftës dhe familjarë të dëshmorëve të mbledhur në këtë ditë të shënuar, shprehu respektin për të gjithë ata që dhanë jetën për kombin shqiptar, çlirimin e vendit, për ndërtimin e demokracisë, ruajtjen e rendit dhe për zhvillimin e Shqipërisë.
Deklarata
“Në këtë ditë përkujtimore, ne i bëjmë homazh sakrificës së këtyre njerëzve, gjakut që ata kanë derdhur dhe e kanë bërë këtë thjesht dhe vetëm për t’i shërbyer Shqipërisë”, tha Presidenti. Më tej, Moisiu u shpreh se, “kjo sakrificë duhet të na shërbejë dhe të na vlejë të gjithëve, sidomos brezit të ri, edhe si një mesazh për të punuar e kontribuar për zhvillimin e vendit”.
Opozita bën homazhe e ndarë nga mazhoranca
E ndarë në ceremoni ka marrë pjesë opozita. Pasi kanë mbaruar homazhet kryeministri dhe Presidenti, në Varrezat e Dëshmorëve kanë mbërritur krerët e opozitës. Në një prononcim për mediat, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh se, “kjo ditë është një festë për t’u thënë të gjithëve se liria dhe e ardhmja jonë evropiane e ka në këtë faqe të lavdishme të historisë sonë një nga pikat e referimit”. Ndërkaq, kreu i PS-së, ka bërë edhe një koment politik. “Koha e ndarjes nga politika e vjetër po afron me shpejtësi”, tha Rama. Në respekt të të rënëve në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, vendosën një kurorë me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Në një prononcim për mediat, Meta u shpreh se, “në këtë ditë të rëndësishme për vendin dhe për popullin shqiptar, në emër të LSI-së dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare”.
Tirana Observer
Krijoni Kontakt