Qeveria përgjysmon taksat për punonjësit me paga të ulëta
Derguar me: 16/05/2007
• Sipas këtij vendimi, tatimi për këto rroga do të fillojë në mbi 100 mijë lekë (të vjetra), pra, 100 mijë lekët e para të rrogës nuk tatohen
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tha se po përgatitet një vendim që ka për qëllim të ndihmojë biznesin dhe të krijojë një mbështetje të veçantë për punonjësit me rroga të ulëta. Sipas këtij vendimi, tatimi për këto rroga do të fillojë në mbi 100 mijë lekë (të vjetra), pra, 100 mijë lekët e para të rrogës nuk tatohen.
“Në këtë mënyrë përgjysmohet barra fiskale mbi ta dhe kjo do të jetë e vlefshme për të gjitha rrogat deri në 300 mijë lekë (të vjetra)”, tha Kryeministri. Kryeministri vlerësoi gjithashtu se vendosja e taksës së sheshtë me 10 për qind për të ardhurat personale përbën lehtësimin më të madh të barrës fiskale që mund të vendoset mbi këto të ardhura. Në këtë mënyrë, biznesi shqiptar do të jetë biznesi me barrën më të ulët fiskale në Europë dhe më gjerë. “Rezultatet e këtij revolucioni fiskal dhe të përpjekjes sonë për të lehtësuar dhe thjeshtuar barrën burokratike mbi biznesin kanë sjellë frytet e para shumë pozitive”, u shpreh Kryeministri.
Balkanweb
Krijoni Kontakt