Londër, valë protestash në Qendrën e Dëbimeve
Pas raportit për keqtrajtim, revoltohen azilantët, shumë prej të cilëve shqiptarë në prag të dëbimit
Nga Londra
Muhamed Veliu
Kushtet e këqija, përfshirë trajtimin e keq nga personeli, shkaktuan revolta të dhunshme në një nga qendrat më të mëdha të grumbullimit të azilantëve, përpara dëbimit nga Anglia. 482 azilantë, mes tyre edhe shqiptarë që mbahen të mbyllur në një qendër detencioni në perëndim të Londrës, kanë protestuar dje, duke kërkuar lirimin nga kjo qendër. Shkak i revoltës në qendrën "Harmondsworth" pranë aeroportit "Hithrow" ishte publikimi i një raporti nga Drejtoria e Burgjeve. Në të thuhet se, kushtet e jetesës në këtë qendër janë të këqija, duke ngritur njëkohësisht shqetësimin mbi marrëdhëniet aspak të mira midis personelit dhe azilantëve, në pritje të shqyrtimit të kërkesave për azil apo për t‘u dëbuar.
Kryeinspektorja e burgjeve britanike, Anne Owers, e cila kreu inspektimin e qendrës, tha se raporti i hartuar ishte më i dobëti në të gjithë karrierën e saj. Kaq ka mjaftuar që azilantët të ngrihen në një revoltë të dhunshme, duke shkatërruar qendrën. "Jemi të pashpresë. Duam të dalim që këtu. Jemi të frikësuar", tha për "Sky News" Solomon Gordon, një nga të mbyllurit në këtë qendër. Tim Pinch i Këshillit të Azilantëve në Londër e ka cilësuar qendrën si një burg ku mbahen njerëz që nuk kanë kryer ndonjë krim. "Personat që mbyllen në këtë qendër pësojnë një demoralizim njerëzor", tha ai. Një burim nga Drejtoria e Emigracionit pranë Ministrisë së Brendshme tha se në qendrën "Harmondsworth" ndodhet një grup i konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët presin riatdhesimin.
Ndërkohë, zyra e shtypit pranë "Home Office", e kontaktuar përmes telefonit, tha se nuk mund të jepte numrin e saktë të shtetasve shqiptarë në këtë qendër, pasi ndryshon nga dita në ditë. Zyra e shtypit nuk e mohoi prezencën e shqiptarëve të përfshirë në revoltë. Numri i shqiptarëve, me azile të refuzuara dhe që dëbohen nga Anglia është gjithnjë në rritje. Në tremujorin e tretë të këtij viti, autoritetet e emigracionit kanë dëbuar 545 shqiptarë.
Krijoni Kontakt