Si u organizua mbrojtja e qeverisë së Sulejman Delvinës
Historia e besëlidhjes së Shëngjergjit
Fiqri Shtepani
Nga parashtrimi i fakteve dhe analizave të rëndësishme për rolin e krahinës së Shëngjergjit argumentohet se Kongresi i Lushnjës dhe politika kombëtare e Qeverisë së Sulejman Delvinës nuk ishte vepër e një grupi idealistësh. Ajo ishte rrjedhojë e një lëvizje të gjerë kombëtare e shtrirë në tërë krahinat e vendit në Veri, Jug dhe në Shqipërinë e Mesme.
Veprimtaria e krahinës së Shëngjergjit dëshmoi aftësitë vetëvepruese dhe vetëqeverisëse të komunitetit
Mbas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris u mblodh Kongresi i Paqes më 18 janar 1919. Në këtë periudhë territore të tëra shqiptare qenë pushtuar nga trupat italiane, serbe e greke.
Qeveria e Durrësit, megjithëse ishte formuar në dhjetor të vitit 1918 (e dalë nga Kongresi i Durrësit), jepte shenja të qarta fatale të nënshtrimit ndaj Italisë e lakmive të paskrupullta të Serbisë dhe Greqisë ndaj territoreve të vendit tonë. Në një situatë të tillë kërcënuese për vendin, anëtarët e klubit "Dituria" në Tiranë më 20 prill 1919 proklamuan rrëzimin e qeverisë tradhtare të Durrësit, kryesuar nga Esat Pashë Toptani.
Kjo ishte koha që në Tiranë ishin grumbulluar jo rastësisht një masë e rëndësishme banorësh nga treva të ndryshme të vendit si nga Kosova dhe Dibra, ku shquheshin përveç atdhetarëve si Abdi Toptani dhe patriotë të tjerë si: Sotir Peci, Hasan Prishtina, Hoxhë Kadria dhe anëtarë të tjerë të Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës. Klubi "Dituria bëri thirrje për mbledhjen e një Kongresi Kombëtar në Tiranë më 5 maj 1919. Kjo tentativë dështoi, por jehona e saj qe e madhe. Italia që në nëntor të vitit 1918 kishte filluar një politikë brutaliteti kundër Shqipërisë. Ajo nxiste terrorizëm, përçarje politike, fetare e krahinore.
Në vend sundonte pasiguria sidomos në fshatra ku administrata dhe Qeveria e Durrësit u treguan të paafta, të shthurura dhe me një qëndrim kapitullues. Vendi duhej mbrojtur. Si rezultat i një situate të tillë të rrezikshme për fatet e vendit, filluan manifestimet e protestat popullore. Në përgjigje të atmosferës së elektrizuar, patriotët vendas vendosën të krijonin një Komision Nismëtar për thirrjen e një Kongresi në Lushnje më 12 janar të vitit 1920. Populli i Tiranës e priti me gëzim këtë iniciativë. Në "Zyrën e Katundarisë së Tiranës" drejtuar nga Ismail Ndroqi u vendos që Tirana do të merrte pjesë në Kongres e do të dërgonte delegatë të zgjedhur. Kjo klimë atdhedashurie rrezatonte edhe në Shëngjergj të Tiranës me tradita të pasura atdhedashurie edhe në përkrahje pa rezerva ashtu siç bëri edhe ndaj Qeverisë së Vlorës në vitin 1912 etj. Shëngjergji në këtë periudhë u përfshi pa rezerva në lëvizjen e madhe kombëtare për thirrjen e "Kongresit të Lushnjës" të Qeverisë së Sulejman Delvinës, që u formua në atë kongres, e cila hodhi poshtë vendimet e Konferencës së Paqes në Paris. Kjo qeveri u shpreh kundër copëtimit të mëtejshëm të vendit. Qeveria e Lushnjës ndodhej përpara problemeve të shumta të brendshme e të jashtme, ajo veproi me efikasitet për të shtrirë autoritetin e saj në të gjithë vendin. Pikërisht në këtë periudhë, Kryeministri Sulejman Delvina në vitin 1920 emëroi z. Islam Shtëpani nga Shëngjergji komandant të Xhandarmërisë së Shëngjergjit e të batalionit të forcave vullnetare ushtarake të krahinës.
Për të përmbushur sa më mirë detyrat ndaj qeverisë e fateve të vendit komandanti i xhandarmërisë i bëri thirrje popullit të krahinës së Shëngjergjit për t'u mbledhur dhe për të vendosur për këtë problem madhor. Mbledhja u bë tek dyqani i Domit në luginën e lumit Erzen prapa Dajtit. Në të morën pjesë banorë të 22 fshatrave të krahinës së Shëngjergjit, paritë e fshatrave, kryepleqtë dhe udhëheqësit fetarë. Konkretisht në procesverbalin përfundimtar të mbledhjes shënohen emrat e fshatrave: Shëngjergji, Ura, Selba, Korra, Domja e Malit, Shkalla, Murthi, Qafmolla, Façeshi, Dërsheni, Shëngjini i Madh, Prapunj, Kllojka, Derja, Vakumona dhe 7 fshatra të tjerë që nuk u lexohen dot emrat dhe vulat përkatëse. Si përfaqësues të tjerë në këtë mbledhje vendimore morën pjesë, u solidarizuan dhe u betuan për të shërbyer deri në vdekje edhe këta udhëheqës fetarë si: z. Jonuz Toqi, z. Hafiz Ragib Disha, z. Hafiz Beqiri Naibi, z. Alush Duka, z. Mehmet Kacerri, z. Zenel Pema.
Në pikat kryesore të "Lidhjes së Besës" pro qeverisë së Lushnjës ishin:
-Të jemi të gatshëm dhe të ndihmojmë qeverinë e Lushnjës e të bëhemi therrorë për shpëtimin kombëtar.
-Të ndalohen në mënyrë kategorike vrasjet, vjedhjet e çdo armiqësi me njëri- tjetrin.
-Ata që shkelin këtë marrëveshje, xhandarmëria t'i kapë e t'ia dorëzoi qeverisë.
-Njerëzit që ruajnë dhe mbrojnë njerëzit e ligj do të dënohen si prishës së besës.
-Njerëzit kundërshtarë të Qeverisë së Lushnjës të mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm.
-Përveç çka u tha më sipër, ata që nuk iu nënshtrohen këtyre rekomandimeve do t'u digjen edhe shtëpitë.
Për t'u zbatuar kjo besë e marrë u ngrit një komision me kryetar Ali Shtëpanin e me anëtarë Haxhi Bitri, Dul Mema, Muharrem Lorja, Shaban Koçi, Kalem Durrësi, Jonuz Hidërmuça, Abdulla Luzi, Aziz Bitri, Osman e Idriz Stafa.
Sipas një shkrese të firmosur nga nënprefekti i Tiranës, z. Gostivari drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme më 1 shkurt të vitit 1920 thuhet se përpara kësaj mbledhje në krahinën e Shëngjergjit pro Qeverisë së Lushnjës është zhvilluar një mbledhje tjetër, por që ne nuk i disponojmë ato materiale. Ndër të tjera, nënprefekti Gostivari nënvizon se "batalion -komanda e xhandarmërisë lajmëron se popullsia e krahinës së Shëngjergjit ka lidhur një besë të re më të pëlqyeshme se e para e i është betuar Komandantit (z. Islam Shtëpani F.SH) se do të zbatojnë urdhrat e qeverisë e do të venë në veprim masa vendore të rrepta për ata që janë kundër qeverisë së Sulejman Delvinës".
Mbështetje pa rezerva ndaj qeverisë e popullsisë së krahinës së Shëngjergjit ka patur një rëndësi shumë të madhe për këto arsye:
-Sepse krahina e Shëngjergjit ndodhej në lindje të Tiranës dhe se forcat qeveritare reaksionare jugosllave do të dëshironin ta zhduknin në lindje qeverinë e re antijugosllave.
-Shëngjergji duke qenë një ndër krahinat më të mëdha të vendit me mbi 400 shtëpi në atë kohë, dhe më pas dhe si krahinë më 22 fshatra, përbënte një garanci dhe mbështetje kryesore për qeverinë.
-Krahina e Shëngjergjit me një sipërfaqe prej rreth 400 kilometra katrore dhe me një varg malesh si: Mali i Dajtit, Mali me Gropa e me malet Linosi, Brrojshi, Bërdheta, Sanoi i Madh, Sanoi i Vogël, Kollagjeshi, Mollagjeshi, Mali i Shëngjinit, Kërraba e Mali i Korrës dhe fshatrat të shtrira në dy anët e luginës së Erzenit, gjeografikisht përbënin krahë të ngrohtë për qeverinë etj. Kjo u vërtetua më vonë në luftërat e zhvilluara kundër forcave ushtarake jugosllave, ku krahas forcave qeveritare, luftuan me trimëri dhe forcat e krahinës së Shëngjergjit dhe dolën të fituara. Në këtë kohë u kapën në Shëngjergj nga xhandarmëria mjaft agjentë të ardhur nga Dibra, të cilëve iu sekuestruan dokumentet e iu dhanë organeve qeveritare dhe vetë ata u dënuan.
Sipas materialeve dhe fakteve të mbledhura, agjentët kishin si qëllim ndërlidhjen për rrëzimin e qeverisë. Në shtator të vitit 1920 qeveria reaksionare jugosllave në bashkëpunim me tradhtarin Esat Pashë Toptanin e bashkëpunëtorët e tij sulmuan vendin tonë nga Kaptina e Martaneshit, duke hyrë thellë në Bizë, në Mashnat e Epërme e Kodra e Rroshit. Këtu Islam Shtëpani në krye të forcave të krahinës e në bashkëpunim me forcat qeveritare i theu forcat jugosllave dhe Esadiste duke i dëbuar jashtë zonës. Ndërsa nga krahina e Peshkopisë reparte të kamufluara të ushtrisë jugosllave u dëbuan nga krahina në fjalë, duke i nxjerrë jashtë vijës strategjike. Qeveria e Sulejman Delvinës iu drejtua fuqive të mëdha me një "notë", ku kërkohej që qeveria jugosllave të njihte tërësinë tokësore të Shqipërisë. Dëbimi i ushtrisë jugosllave e esadistëve jashtë kufijve strategjikë (nën udhëheqjen edhe të z. Islam Shtëpani) dhe çlirimi i Vlorës më 17 gusht të vitit 1920 (nën udhëheqjen e Selam Musait e Zigur Lelos) ishin fitore të mëdha të Qeverisë së Lushnjës.
Problemet e shumta të brendshme të qeverisë së Sulejman Delvinës u bënë shkak për diferencim në radhët e qeverisë, ku predominonte më shumë tendenca për të mos qenë pro politikës së pavarur të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Kompleksi i faktorëve e detyroi qeverinë e Sulejman Delvinës të japë dorëheqjen më 14 nëntor 1920. Më 19 nëntor 1920 u formua qeveria e re e kryesuar nga Iliaz Bej Vlora. Për qeverinë e re dilnin detyra të mëdha të bëheshin zgjedhjet për Këshillin Kombëtar (deputetë) dhe për forcimin e pozitave të shtetit shqiptar në "Lidhjen e Kombeve". Për pranimin e Shqipërisë në lidhjen e kombeve pengesë kryesore u bënë: Jugosllavia, Greqia dhe Franca. Por, influencë shumë të madhe për realizimin e kërkesës së Shqipërisë në lidhjen e kombeve kishte Anglia. Ajo ia arriti qëllimit që me anë të lordit Robert Sesil, Asambleja e Përgjithshme ta pranojë Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920. Por, armiqtë nuk qëndruan duarkryq, ata organizuan turbullira të reja. Me luftë, vendosmëri dhe përkushtim do të arrihej fitorja. Kështu Shëngjergji e krahina përkatëse u bë mbështetja kryesore e qeverisë së Lushnjës e më vonë të Tiranës në vijën e parë të frontit të luftës e në shumë aspekte të tjera. Në sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore, si të qeverisë edhe të Këshillit të Lartë. Sipas kërkesës së bërë nga Qeveria, Shëngjergjit iu kërkua të formonte një "gardë" në mbrojtje të anëtarëve të qeverisë e të personaliteteve të tjera si Abdi Toptani, Aqif Pashë Elbasani e kështu me radhë. Nga parashtrimi i fakteve e analizave për rolin e krahinës së Shëngjergjit në mbështetje të Kongresit të Lushnjës, qeverisë së dalë prej tij, argumentohet se Kongresi i Lushnjës dhe politika kombëtare e qeverisë së Sulejman Delvinës nuk ishte vepër e një grupi idealistësh. Ajo ishte rrjedhojë e një lëvizje të gjerë kombëtare e shtrirë në tërë krahinat e vendit në veri, jug dhe në Shqipërinë e mesme. Kjo tregoi pjekurinë nacionale të popullit tonë në atë periudhë. Veprimtaria e krahinës së Shëngjergjit dëshmoi aftësitë vetëvepruese dhe vetëqeverisëse të komunitetit. Bashkëpunimi dhe bashkëveprimi mundësoi organizimin e njësive mbrojtëse popullore në "Besëlidhjen e Shëngjergjit", në organizimin e "Krahinësisë" e të bashkëpunimit të kësaj të fundit me xhandarmërinë. Nga parashtrimi i fenomeneve të mësipërme të krahinës, rezulton se në kuadrin e luftës për krijimin e shtetit ligjor e të centralizuar në kundërshtim me tentativat lokaliste, seperatiste dhe përçarëse, dominuan tendencat njerëzore e nacionaliste në kuptimin patriotik të fjalës. Edhe në zonën e Shëngjergjit, ku pati të implikuar dhe të paqartë në lëvizjen seperatiste dhe sadiste, u ravijëzua tendenca e përpjekjet për unitet krahinor e ndërfetar. Ne shëngjergjasit duhet të nxjerrim konkluzione me të dobishme nga përvoja pozitive e komunitetit tonë, me qëllim që lavdia e krahinës të shkojë më tutje. Sepse histori nuk është bërë vetëm në të kaluarën, por ajo bëhet edhe sot.
TIRANA OBSERVER
Krijoni Kontakt