Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,163
    Postimet në Bllog
    22

    Kisha kremton 70 vjetorin e dhënies së Autoqefalisë

    70 - vjetori i Autoqefalisë

    Prilli i sivjetshëm shënon 70-vjetorin e një ngjarje epokale për Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë, atë të dhënies së Autoqefalisë së Kishës sonë nga Patriarkana Ekumenike, që e futi atë si të barabartë në familjen e Kishave. Ishte kurorëzuar ëndrra e besimtarëve orthodhoksë dhe përpjekjet e filluara nga komuniteti i Amerikës dhe Imzot Theofani (Noli), për të vazhduar më pas me kongreset e viteve 1922 dhe 1929, të cilat gjetën realizimin e tyre kanonik me këtë akt tepër të rëndësishëm dhe historik.

    Më 12 prill 1937, në prani të një delegacioni nga Shqipëria, Patriku Veniamin dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës nënshkruan Tomosin Patriarkal të njohjes së Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Tomosi iu dorëzua Imzot Kristoforit, duke e caktuar atë si Kryepiskop të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

    Patriarkana Ekumenike i dërgoi mesazh edhe Mbretit Zog dhe Kryeministrit Koço Kota. Më 24 maj 1937 Kryepiskopi Kristofor me cilësinë e kryetarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë iu përgjigj me një letër falënderimi Patrikut të Konstandinopojës Veniaminit. Sinodi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhej nga: Kryehirësia e Tij Kristofori Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Agathangjel Çamçe Episkop i Beratit, Evllogj Kurilla Episkop i Korçës, Pandejleimon Kotoko Episkop i Gjirokastrës.

    Me rastin e shpalljes së Autoqefalisë në kishën katedrale të Tiranës u celebrua një Liturgji panagjirike me pjesëmarrjen e hierarkëve dhe klerikëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në këtë ceremoni qe i pranishëm edhe mbreti Zog. Nga Episkopi i Gjirokastrës Pandejleimon Kotoko u lexua përmbledhja e Tomosit Patriarkal për dhënien e Autoqefalisë Kishës sonë.

    Në 70-vjetorin e kësaj dite historike, më 15 prill 2007, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari”, në Tiranë, u mbajt një Liturgji Hyjnore Sinodike.


    Thoma Dhima
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,163
    Postimet në Bllog
    22
    Kremtimi i 70-vjetorit të dhënies së Autoqefalisë

    “Forcimi i Autoqefalisë së vërtetë dhe plotësimi i hierarkisë kishtare është pa diskutim vepër e Kryepiskopit Anastas” - tha Hirësi Joani.

    Të Dielën e Thomait, më15 prill 2007, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari”, në Tiranë, besimtarët e shumtë të mbledhur për Liturgjinë Hyjnore, njëkohësisht morën pjesë edhe në kremtimin e gëzuar për 70-vjetorin e Autoqefalisë të Kishës sonë Orthodhokse. 12 prilli i vitit 1937 shënon në mënyrë thelbësore një ngjarje shumë të rëndësishme, siç u shpreh Kryepiskopi Anastas, për vetë jetën e Kishës sonë. Ajo shënon 70-vjetorin e dhënies të Tomosit të Autoqefalisë nga Patriarkana Ekumenike.

    “…Në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë, të mbajtur më 14 prill 2007, e cila ishte një mbledhje panagjirike –iu drejtua Fortlumturia e Tij besimtarëve të pranishëm– vendosëm që sot të bëjmë Liturgji të gjithë së bashku dhe ta gëzojmë të gjithë së bashku këtë ditë…”

    Në këtë Liturgji Hyjnore festive dhe sinodike, që u krye nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, Hirësia e Tij Joani, Mitropolit i Korçës, lexoi para besimtarëve të pranishëm TOMOSIN e Patriarkanës Ekumenike për dhënien e Autoqefalisë Kishës sonë.

    “Kisha jonë mori vendin e saj në gjithë sistemin organik të Kishës Orthodhokse –tha më pas Kryepiskopi Anastas. Nëse nuk do të kishim këtë Tomos, çfarëdo që të thoshim nuk do të ishim të njohur zyrtarisht si Kishë Autoqefale, sikundër ndodh tani me kishën fqinjë me qendër në Shkup, që thonë se janë të pavarur, por deri tani nuk i njeh askush. Termin “Autoqefal”, madje nuk e kuptojnë edhe disa pseudointelektualë, që bëjnë pjesë në disa organizata të tjera, në komunitete të tjera fetare, ose që nuk janë askund, të cilët mendojnë se kjo do të thotë të pavarur nga ndonjë fuqi e jashtme.

    Por fakti është se ne jemi autoqefalë, të pavarur, nga çdo gjë që ndodhet jashtë Kishës Orthodhokse, nga çdo organ shtetëror apo nga kushdo që kërkon të ndërhyjë në punët e brendshme të Kishës. Kjo ka një rëndësi të veçantë dhe duhet ta kuptojmë, sepse shumë njerëz që nuk i kanë njohuritë përkatëse shkruajnë nëpër gazeta artikuj krejt të pavend e të pamend, ku përdorin shumë herë fjalën “Autoqefale”. Tomosi, është dokumenti që ndalon çdo ndërhyrje që mund të bëhet, madje edhe nga parlamenti apo organe të tjera në punët e brendshme të Kishës së Shqipërisë.”

    Më tej, e mori fjalën Hirësi Joani, i cili tha: “Përveç shpalljes, Autoqefalia e dhënë para 70 vjetësh nuk pati një jetë të gjatë. Madje vetëm dy vite ishin realisht me një Kishë Autoqefale, sepse më 1939 erdhi pushtimi italian dhe më pas regjimi komunist, ku Kisha ndodhej në një presion shumë të madh. Kur u rihap Kisha jonë, Patriarkana Ekumenike mori iniciativën dhe caktoi Kryepiskopin tonë të dashur për të ardhur këtu. Dhe ju të gjithë duhet të dini se një nga mbrojtësit e Autoqefalisë së Kishës sonë u tregua Kryepiskopi Anastas, sepse shumë zëra filluan të flisnin se nëse Kisha ishte shkatërruar dhe nuk ekziston, atëherë edhe Autoqefalia nuk ekziston më.

    E në këto zëra ishin edhe kanonistë të dëgjuar, njerëz të shquar të Kishave Orthodhokse, ndaj për ardhjen këtu Kryepiskopi vendosi tri kushte, një nga të cilat ishte njohja e Autoqefalisë. Dhe jo vetëm njohja e Autoqefalisë, por kërkesa duhej të vinte, siç erdhi për Tomosin, nga vetë Kisha këtu. Kështu që ishte Kisha jonë e cila i kërkoi përsëri Patriarkanës Ekumenike të themelonte e të rivendoste Sinodin dhe Kryepiskopin.

    Forcimi i Autoqefalisë së vërtetë dhe plotësimi i hierarkisë kishtare është pa diskutim vepër e Kryepiskopit Anastas. Unë besoj se disa gjëra që shkruajnë janë jo vetëm të pavërteta, por e kundërta është e vërtetë, sepse Kryepiskopi Anastas u tregua gjatë gjithë këtyre viteve mbrojtësi, konsoliduesi dhe forcuesi i kësaj Autoqefalie. Siç e përmendi Kryepiskopi, Autoqefalia nuk është vetëm thjesht i pavarur nga kishat e tjera, sepse me kishat e tjera orthodhokse ne jemi të lidhur në mënyrë dogmatike, por Autoqefali do të thotë e pavarur nga çdo grupim që ndodhet jashtë apo brenda vendit, siç theksohet edhe te Tomosi, për të cilin Shteti Shqiptar i asaj kohe i dha garanci Patriarkanës, që nuk do të ndërhynte në çështjet e brendshme të Kishës. Pikërisht kjo ishte edhe një nga arsyet që Patriarkana dha Autoqefalinë. Kjo Autoqefali është e njëjta edhe sot, që shteti duhet të garantojë pavarësinë e brendshme të Kishës sonë Orthodhokse.

    Unë, meqenëse kam sot rastin, do të shpreh falënderimin për Kryepiskopin, për veprën e tij të madhe jo vetëm në rindërtimin e Kishës, që është gjëja themelore, por edhe në forcimin dhe konsolidimin e kësaj Autoqefalie. Perëndia t’i japë jetë të gjatë, t’i japë fuqi për të mirën tonë dhe të mirën e Krishterimit kudo në botë.

    Gjatë kësaj Liturgjie Hyjnore u bë dorëzimi në dhjak i z. Spiro Kostoli, i cili ka mbaruar studimet në Akademinë tonë Teologjike dhe më pas ka studiuar jashtë për Muzikë Bizantine, lëndë të cilën e jep si pedagog në Akademinë tonë Teologjike në Shën Vlash, duke qenë shumë aktiv edhe në koret e Kishës. Gjithashtu, ai vjen nga një familje orthodhokse me tradita dhe ka edhe një motër murgeshë.


    Luljeta Pjetri
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,163
    Postimet në Bllog
    22
    TOMOSI PATRIKANOR DHE SINODIK
    MBI BEKIMIN E AUTOQEFALISË SË KISHËS
    ORTHODHOKSE NË SHQIPËRI

    VENIAMINI, me mëshirë të Perëndisë,
    Kryepiskop i Konstandinopojës, Romës së Re
    dhe Patrik Ekumenik

    Nr. 609 i prot.

    Kisha e Shenjtë e Krishtit, si një nënë e dhembshur, duke shfaqur hapur përkujdesjen dhe interesimin saj të pandërprerë kundrejt popullit të shpresëtarëve, nuk rresht së zbatuari detyrën e kujdesimit të shenjtë çdo herë me mënyrën e përshtatshme sipas kohës dhe vendit. Kur është e nevojshme, blaton dhuratat e saj më të begata për plotësimin e nevojave që dalin, në mënyrë që adminstrimi i punëve kishtare të bëhet për ta pa pengesa dhe frytshmëria më Zotin, e cila është padyshim qëllimi i kujdesimit dhe i drejtimit kishtar, të jetë më e madhe. Kështu pra edhe tani, meqenëse të krishterët shpresëtarë orthodhoksë të të bekuarit prej Perëndisë Shtet të ri Shqiptar iu drejtuan Fronit tonë të Shenjtë Apostolik Patrikanor dhe Ekumenik, nën strehën e fuqishme të të cilit, si trashëgimi e vyer, prej shekujsh kanë gjetur mbrojtje e, me hirin e Krishtit, në vreshtin e Tij kanë gjetur shpëtim, morën guximin t’i drejtohen Atij, si një nëne të dhembshur, duke parashtruar nevojat e tyre të tanishme kishtare, me urimin e ngrohtë dhe kërkesën që zona e tyre kishtare të bekohet dhe të shpallet provincë kishtare më vete, e pavarur, autoqefale, përderisa në kushtet e reja të situatës së atjeshme politike vetëm ky organizim mund të ndikojë për mirë në mbarëvajtjen dhe zhvillimin e punëve kishtare dhe të jetë i mjaftë të sigurojë e të përçojë përparimin e pandërprerë të tyre në përparimin në tërësi të Shtetit të bekuar Shqiptar. Vetë Shteti i perëndimbrojtur Shqiptar, duke u kujdesur në mënyrë të besueshme për mbarëvajtjen pa pengesa e të lirë të nënshtetasve të vet, ka ofruar garanci për mëvetësinë dhe lirinë e plotë të Kishës Orthodhokse, e cila gjendet brenda kufijve të tij. Prandaj dhe modestia jonë, së bashku me fort të nderuarit dhe të shenjtët Mitropolitë dhe fort të ndershmit bashkëmeshtarë dhe vëllezër më Shpirtin e Shenjtë, duke shqyrtuar me interesim plot dashuri kërkesën e tyre birësore dhe me udhërrëfyes dispozitat e kanoneve të shenjta dhe rendin e praktikën kishtare, vendosëm të pranojmë me dashamirësi kërkesën që na drejtuan bijtë tanë shpirtërorë të Krishterë Orthodhoksë të Shqipërisë dhe të japim nga ana jonë bekimin dhe miratimin për organizimin e pavarur dhe autoqefal të punëve të tyre kishtare.

    Duke gjykuar pra edhe sinodikisht më Shpirtin e Shenjtë, urdhërojmë dhe shpallim në këto çaste të hareshme që të gjitha eparkitë dhe komunitetet orthodhokse që përfshihen në të perëndishpëtuarin Shtet Shqiptar të jenë këtej e tutje të bashkuara në një organizim të pavarur e autoqefal kishtar me emërtimin “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”. Kjo Kishë, e cila është motra jonë shpirtërore, të rregullojë e të administrojë këtej e tutje çështjet e saj kishtare në mënyrë të pavarur e autoqefale sipas rendit dhe të drejtave sovrane edhe të Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale, të ketë dhe të njohë si autoritet suprem administrativ kishtar Sinodin e Shenjtë, të përbërë prej Kryepriftërinjve orthodhoksë kanonikë të Shqipërisë, me Kryetar të tij çdo herë Fort të Hirëshmin Kryepiskopin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Për zbatimin e unitetit të shenjtë kanonik me Fronin tonë fort të Shenjtë Apostolik Patrikanor Ekumenik dhe me të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale, si dhe për ta dëshmuar këtë, Hirësia e Tij Kryepiskopi i çdohershëm i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë ka për detyrë që, sipas rendit të Kishës së Shenjtë Orthodhokse, të njoftojë për zgjedhjen dhe hipjen e tij në fron nëpërmjet Letrave fronëzuese edhe Kishën tonë të Madhe të Krishtit, edhe të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale motra. Po ashtu duhet të bëjë për këtë qëllim homologjinë dhe premtimin e parashikuar në lidhje me zbatimin e padevijueshëm të besimit dhe shpresëtarisë orthodhokse prej Kishës së Shenjtë që drejton dhe që i është besuar, dhe të gjithçkaje tjetër që Kanonet e Shenjta e Hyjnore dhe rendi i Kishës së Shenjtë Orthodhokse urdhërojnë, si dhe të kujtojë sipas rendit në diptikë emrin e Patrikut Ekumenik dhe të Patrikëve të tjerë fort të shenjtë dhe të Kryetarëve Fort të Hirshëm të Kishave të Shenjta Orthodhokse Autoqefale. Urdhërojmë gjithashtu që edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale motër e Shqipërisë të marrë Miron e Shenjtë prej Kishës sonë të Madhe të Krishtit.

    Po ashtu, rekomandojmë që, për çështje apo paqartësi të një natyre të përgjithshme kishtare, të cilat i kapërcejnë caqet e juridiksionit të Kishave Autoqefale në veçanti, Hirësia e Tij Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë t’i drejtohet Fronit tonë fort të Shenjtë Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo Episkopatë të orthodhoksëve, shpjegues të drejtë të së vërtetës, duke kërkuar në këtë mënyrë mendimin dhe opinionin e vlefshëm të Kishave motra.

    Duke gjykuar pra në këtë mënyrë, gjë që pasqyrohet edhe në ato çka vendosëm dhe miratuam në mbledhjen e rregullt sinodike të 12 prillit të këtij viti, vërtetojmë për të gjitha kohët edhe nëpërmjet këtij Tomosi Patrikanor e Sinodik të shkruar e të nënshkruar në Kodikun e Kishës sonë të Madhe të Krishtit, i cili i është lëshuar dhe dërguar njëkohësisht me përmbajtje të njëjtë e të pandryshuar edhe Hirësisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, vëllait tonë të dashur dhe bashkëmeshtartit, zotit Kristofor, Kryetar i Sinodit të Shenjtë të Kishës së Shenjtë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Urojmë që Perëndia, me hirin dhe mëshirën e të parit dhe të Madhit Kryeprift e Bariut Krisht, të mbështesë gjithmonë të themeluarën me sukses Kishë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të shtojë e të përçojë drejt saj hirin dhe bekimin e Tij për lavdi të emrit të Tij të Shenjtë e në dobi të tërësisë shpresëtare të saj, si dhe në të njëjtën kohë për ngazëllimin e të gjitha Kishave të shenjta Autoqefale motra.

    Në vitin shpëtimtar 1937, muaji prill (12), Epimenezi V.

    Shprehet Patriku i Konstandinopojës

    +VENIAMIN
    + Maksimi i Halkidhonës, + Polikarpi i Prusës,
    + Gjermanoi i Sardës dhe Pisidhisë, + Leoni i Theodhorupolit,
    + Meleti i Kristupolit, + Gjermanoi i Enit, + Ioakimi i Dherkës,
    + Thomai i Pringjiponezit, + Genadi i Iliupolit,
    + Konstandini i Irinupolit, + Dhorotheu i Laodhikisë.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,163
    Postimet në Bllog
    22
    70 vjet nga Tomosi Patrikanor që dha Autoqefalinë

    Autoqefalia e Kishës dhe ripërjetimi i saj pas rënies së diktaturës komuniste


    Prilli i sivjetshëm shënon 70-vjetorin e një ngjarjeje epokale për komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë, atë të njohjes së Autoqefalisë së Kishës sonë nga Patriarkana Ekumenike, e cila e futi si të barabartë në familjen e Kishave. U kurorëzua ëndrra e besimtarëve Orthodhoksë dhe përpjekjet e filluara nga komuniteti i Amerikës dhe Imzot Theofani (Noli), për të vazhduar më pas me kongreset e viteve 1922 dhe 1929, të cilat gjetën realizimin e tyre kanonik me këtë akt tepër të rëndësishëm dhe historik.

    Më 12 prill 1937, në prani të një delegacioni nga Shqipëria, Patriku Veniamin dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës nëshkruan Tomosin Patrikanor të njohjes së Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Tomosi iu dorëzua Imzot Kristoforit, duke e caktuar atë si Kryepiskop të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

    Patriarkana Ekumenike i dërgoi mesazh edhe Mbretit Zog dhe Kryeministrit Koço Kota. Më 24 maj 1937, Kryepiskopi Kristofor me cilësinë e kryetarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë iu përgjigj me një letër falënderimi Patrikut të Konstandinopojës, Veniaminit.

    Sinodi i Parë Kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhej nga: Kryehirësia e Tij Kristofori, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Agathangjel Çamçe, Mitropolit i Beratit, Evllogjio Kurilla, Mitropolit i Korçës, Pandeleimon Kotoko, Mitropolit i Gjirokastrës.

    Me rastin e shpalljes së Autoqefalisë në kishën katedrale të Tiranës u celebrua një Liturgji panagjirike me pjesëmarrjen e hierarkëve dhe klerikëve të Kishës. Në këtë shërbesë qe i pranishëm edhe Mbreti Zog. Nga episkopi i Gjirokastrës Pandeleimon Kotoko u lexua përmbledhja e Tomosit Patrikanor për dhënien e Autoqefalisë Kishës sonë.

    Me këtë rast, po botojmë në faqjen 5 edhe TOMOSIN e plotë të dhënies së Autoqefalisë.

    Në mesin e viteve ‘30, pas një periudhe të tejzgjatur krize kishtare, Orthodhoksët e Shqipërisë vërenin me keqardhje se pasojat e shkaktuara nga veprimet e deriatëhershme për shpalljen e autoqefalisë dëmtonin gjithnjë e më tepër historinë shumëshekullore dhe praninë e tyre në vend. Në kongresin e organizuar në Korçë, në maj të vitit 1936, ata shprehën hapur verdiktin e tyre për depolitizimin e çështjes dhe zgjidhjen e menjëhershme të saj. Kërkesa e tyre vuri në lëvizje palët e implikuara dhe shënoi zhvillime të reja, duke filluar me dhënien e dorëheqjes prej Kryepiskopit të atëhershëm Visarion Xhuvanit vetëm pak ditë më pas.

    Në shkurt të vitit 1937 qeveria shqiptare autorizoi episkopin e Sinadëve, Kristoforin, dhe avokatin Josif Kedhi të rinisnin një cikël të ri negociatash me mitropolitin e Trapezundës, Krisanthin, si përfaqësues i Patriarkanës Ekumenike. Kësaj here bisedimet u kurorëzuan me sukses dhe pak kohë më vonë, më 18 mars të po atij viti, u nënshkrua në Athinë një marrëveshje paraprake, në bazë të së cilës Patriarkana Ekumenike lëshoi më 12 prill 1937 Tomosin Patrikanor dhe Sinodik, me të cilin i jepte Kishës së Shqipërisë autoqefalinë.

    Shpresëtarët Orthodhoksë të Shqipërisë e pritën këtë ngjarje të hareshme me një ndjenjë lehtësimi, duke kremtuar në të njëjtën kohë edhe rivendosjen e kungimit kishtar me Kishën e Madhe të Krishtit dhe Kishat e tjera Orthodhokse të botës. Shpallja kanonike e Kishës së Shqipërisë në autoqefale konfirmonte edhe një herë pafuqinë e prirjeve të ndryshme jokishtare për t’u përballur me ndërgjegjen orthodhokse të anëtarëve të saj, me lidhjet e tyre të ngushta me besimin e të parëve dhe me vendosmërinë e tyre për t’ua përcjellë atë të pacënuar brezave të ardhshëm. Po ashtu, konfirmonte misionin ekumenik të Patriarkanës së Konstandinopojës në ruajtje të përbashkësisë së besimit orthodhoks, përparësia e së cilës qëndron mbi çdo lloj interesi apo tendence tjetër.

    Ndërkaq qetësia kishtare nuk zgjati shumë. Vetëm dy vjet pas shpalljes së autoqefalisë të Kishës së Shqipërisë, pushtuesit italianë u përpoqën të pengonin kryerjen e misionit të saj historik, duke kaluar ndër të tjera edhe në akte proselitizuese në dëm të besimtarëve të saj, ndërsa ardhja në pushtet e komunistëve në nëntor të vitit 1944 e vështirësoi akoma më shumë gjendjen.

    Në kuadrin e së famëkeqes “luftë e klasave” dhe të konfliktualitetit të ideologjisë marksiste me doktrinën dhe botëkuptimin fetar, regjimi komunist kufizoi në një masë të konsiderueshme jo vetëm funksionimin pa pengesa të autoqefalisë, por edhe të çdo shprehjeje të jetës orthodhokse në përgjithësi. Me persekutimet e shumta, me burgosjet dhe ekzekutimet e klerikëve dhe besimtarëve të ndryshëm, por sidomos me largimin e dhunshëm të Kristofor Kisit nga froni i kryepiskopit më 25 gusht 1949, largim i cili u pasua në nëntor të po atij viti nga ligji nr. 743 “Mbi komunitetet fetare”, propaganda komuniste u përpoq të vendoste Kishën Orthodhokse nën kontroll, për ta përdorur në vijim në interes të saj.

    Shpërthimi i fushatës ateiste më 1967 dhe intensifikimi i persekutimit fetar çoi në ndalimin e plotë të çdo shfaqjeje të dukshme fetare. Të gjithë klerikët u zhveshën, disa prej tyre u burgosën, të tjerë u internuan, ndërsa ata që mbetën u detyruan t’u nënshtroheshin punëve të rënda e të vështira për të siguruar bukën e gojës. Qindra ambiente kulti u shkatërruan apo u kthyen në stalla e depo. “Atmosfera revolucionare”, e krijuar në mënyrë artificiale, shtoi akoma më shumë frikën dhe tmerrin që mbizotëronte gjithandej. Me kalimin e kohës, sidomos kur asnjë prej episkopëve të mëparshëm nuk gjendej më në jetë, një grup klerikësh dhe laikësh orthodhoksë, midis të cilëve edhe prifti nga Vlora dhe më pas Episkopi i Apollonisë, i gjithmonëkujtuari Kozma Qirjo, teologët Theofan Popa e Dhimitër Beduli, mësuesi nga Qeparoi Petro Xhuveli, motrat Cico nga Korça e sa e sa të tjerë, me shpirt sakrifice e martirizimi, morën përsipër mbajtjen gjallë të ndërgjegjes orthodhokse të mijëra besimtarëve si dhe ruajtjen të paprekur të traditave të të parëve. Dëshira e tyre e zjarrtë ishte rehabilitimi i lirisë fetare dhe riorganizimi i Kishës Orthodhokse. Dështimi i ideologjisë komuniste dhe mbarimi i luftës së ftohtë në fund të viteve ‘80 gjeti shumë prej tyre të plakur, të tjerë i gjeti të dërrmuar, të tjerë të rraskapitur, por të gjithë duke iu lutur Perëndisë e duke pritur me durim episkopin e tyre.

    Më 8 janar 1991 Patriarkana Ekumenike caktoi si eksark të saj për Shqipërinë Episkopin e atëhershëm të Andrusës dhe profesorin e Universitetit të Athinës Anastas Janullatosin, i njohur në arenën botërore kristiane për veprimtarinë e tij hierapostolike. Misioni i tij ishte kontaktimi me pjesëtarët e bërthamës kryesore, klerikë dhe laikë, vlerësimi objektiv i gjendjes dhe riorganizimi i Kishës.

    Klika ateiste reagoi menjëherë. Gazeta e Partisë së Punës “Zëri i Popullit” botoi më 30.01.1991 një artikull, me anë të të cilit konfirmonte kundërshtimin e komunistëve ndaj përkrahjes që Patriarkana Ekumenike u ofronte Orthodhoksëve të Shqipërisë. Vetë R. Alia kishte deklaruar disa herë se ky veprim i Fanarit përbënte ndërhyrje arbitrare e të jashtëligjshme në dëm të “autoqefalisë shqiptare”, duke bërë të qartë se Eksarku i Patriarkanës ishte person i padëshiruar. Me sa duket, nuk e dinte se në atë kohë në Shqipëri, jo vetëm thjesht nga pikëpamja praktike, por edhe në kuptimin teologjik të fjalës, për shkak mungese episkopi, nuk ekzistonte fare Kishë, aq më tepër autoqefale.

    Ripolitizimi i çështjes së autoqefalisë, i cili është një term thellësisht kishtar, që nuk shpreh veçse një realitet të caktuar kishtar në një territor të caktuar kishtar, episkopët e të cilit, në bazë të kanoneve dhe traditave të shenjta të Kishës Orthodhokse Lindore, fitojnë të drejtën për të administruar sinodikisht pushtetin që Zoti ynë Jisu Krisht u dorëzoi nxënësve të Vet, krijoi në vazhdim një tension të madh. Argumentet e R. Alisë u dëgjuan dhe u ricikluan pambarim edhe pas zgjedhjes (24.06.1992) dhe fronëzimit (02.08.1992) të Eksarkut të Patriarkanës Kryepiskop të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Madje u ngrit edhe një komitet “për mbrojtjen e autoqefalisë” nga njerëz që s’kishin kurrfarë lidhjeje me Kishën Orthodhokse! U identifikuan shpesh herë si qarqe joorthodhokse, por në të vërtetë përfaqësonin një sistem të tërë, platforma politike e të cilit funksiononte si zgjatim i ideve të fushatës ateiste të vitit 1967, e përshtatur në një mjedis të ri propagandistik. Qëllimi i tyre imediat ishte të pengonin dhe të goditnin rehabilitimin e institucionit të fesë dhe, për pasojë, instalimin e demokracisë së vërtetë dhe rehabilitimin e plotë të lirisë.

    Ndërkaq, Kryepiskopi Anastas, ndryshe nga akuzuesit e tij, nuk e shikonte autoqefalinë, e cila gjithsesi ishte inekzistente, si etiketë, por si një objektiv që duhej realizuar. Brenda pak vitesh jeta kishtare njohu një lulëzim të paparë. U dorëzuan dhjetëra priftërinj dhe u përgatitën qindra kuadro, u zhvillua arsimi kishtar dhe u inkurajua vepra hierapostolike. Më 1998 u krijuan premisat që çuan në krijimin e Sinodit të Shenjtë dhe që bënë të mundur funksionimin e autoqefalisë, e cila u konsolidua akoma më shumë para disa muajsh me zgjedhjen dhe hirotonisjen e tre episkopëve të tjerë, ndërsa ekzistenca e kuadrove të tjerë në moshë të re, të aftë e të mirëpërgatitur, të cilët do të thirren në të ardhmen për t’i dhënë një shtysë akoma më të madhe veprës që po kryhet, përbëjnë garanci të plotë se Kryepiskopi Anastas është kujdesur edhe për perspektivën e saj në vitet që vijnë.

    Arritjet e mësipërme, falë të cilave Kisha jonë është sot me të vërtetë autoqefale, janë bashkëudhëtare me përpjekjet e të gjitha komuniteteve fetare për rehabilitimin dhe konsolidimin e institucionit të fesë. Njëkohësisht, janë bashkëudhëtare me përpjekjet e qytetarëve shqiptarë për demokraci dhe përparim shoqëror, prandaj dhe e radhitin protagonistin kryesor të ripërjetimit të autoqefalisë, Kryepiskopin Anastas, ndër personalitetet më të shquara të historisë së lëvizjes demokratike në Shqipëri për periudhën paskomuniste.

    Pirro Kondili


    P.S Fotoja me poshte eshte e Imzot Kristoforit, Kryepiskopit të parë KANONIK të Kishës sonë.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 03-05-2007 më 11:34

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    16-12-2006
    Postime
    25
    megjithate me erdhi shume keq qe ne litugji nuk ishte mitropoliti grek i gjirokastres. te pakten si figure duhej te ishte,perte mos kontestuar me tej personin e tij.nuk mendoj se duhet lene shkak per fjale

Tema të Ngjashme

  1. Në 131 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
    Nga biligoa në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 12-06-2009, 21:30
  2. “Radio Tirana” festoi sot 70 vjetorin e saj
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 27-11-2008, 21:39
  3. Zëri i Amerikës shënon sot 65 vjetorin
    Nga DYDRINAS në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-02-2007, 18:01
  4. Urimi për 61 vjetorin e lindje së Presidentit të Kosovës
    Nga RTP në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 06-12-2005, 09:53
  5. Vlora feston 60 vjetorin e clirimit të saj
    Nga KoTeLja_VL në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 24-10-2004, 20:09

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •