Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Erzeni Maska e Shijaksi-London
    Anëtarësuar
    10-11-2002
    Vendndodhja
    ke kodra kuqe
    Postime
    778

    Juristët britanikë: Shqiptarët të apelojnë ndaj "Home Office"

    Juristët britanikë: Shqiptarët të apelojnë ndaj "Home Office"

    Nga Londra
    Muhamed Veliu

    Fillimi i hetimeve rreth mënyrës së përdorur nga emigrantët për të marrë nënshtetësi britanike, ka shqetësuar jo pak edhe emigrantët shqiptarë në shtetin ishull, Angli. Pozicioni i Ministrisë së Brendshme britanike ‘Home Office‘ për këtë çështje mbetet i njëjtë: "Hetim ndaj atyre që kanë mashtruar për të marrë nënshtetësinë, madje hetimi do të përfshijë edhe statusin e fituar të azilantit". Por mbi ç‘fakte do të bazohet kjo procedurë? Kjo pyetje dhe shumë të tjera po komentohen gjatë mes emigrantëve shqiptarë. "Shqip" iu drejtua dy ekspertëve britanikë për çështjet e emigracionit, Stuart Kerr dhe Scott Harris.

    Z.Kerr, në disa raste ju keni përfaqësuar emigrantë shqiptarë në gjykatat britanike. Cili është opinioni juaj për ato raste që ‘Home Office‘ u ka dërguar kërkesa shqiptarëve për të dorëzuar pasaportat, së bashku me certifikatën e natyralizimit?

    Kemi të bëjmë me zhvillime tejet interesante të ndodhura gjatë këtyre ditëve. Që në fillim, dua të them se këto kërkesa janë hapa të papjekur nga ana e sekretarit të shtetit. Sepse ai duhet të kalojë disa procedura për t‘i hequr dikujt nënshtetësinë e garantuar. Ajo që ne dimë është se janë lëshuar letra, duke kërkuar informacione të mëtejshme dhe duke aluduar se nënshtetësia është fituar përmes mashtrimit apo prezantimit të rremë të fakteve. Procedura, në të tilla raste, kur aludimet janë bërë është që individi duhet të përgjigjet. Pas kësaj, sekretari i shtetit mund të lëshojë një urdhër për heqjen e nënshtetësisë. Ky vendim ka të drejtë apelimi në Gjykatën e Emigracionit dhe Azilit. Kështu që, për momentin, mund të them se janë hedhur hapa të papjekur për të kërkuar dorëzimin e certifikatave të natyralizimit me pasaportat britanike, pa stabilizuar faktet.

    Kërkesa të tilla a janë të bazuara në ligjin britanik?

    Janë disa dispozita ligjore, që i japin të drejtë sekretarit të shtetit të heqë nënshtetësinë britanike, kur ai thotë se kjo nënshtetësi është përfituar me mashtrim, prezantim fals të fakteve, por siç e thashë, ka të drejtë apelimi.

    A e keni parë personalisht ndonjë letër të tillë, që u ka ardhur klientëve tuaj dhe cili është konteksti që ato përmbajnë?

    Kam parë, por më vjen keq, nuk mund të flas për çështje individuale. Kemi dy raste, kur autoritetet e emigracionit u kanë bllokuar pasaportat shqiptarëve në aeroportet ‘Heathrow‘ dhe ‘Gatwick‘, duke u thënë: "I keni përfituar ato përmes mashtrimit".

    Një veprim i tillë a është i bazuar në ndonjë ligj?

    Siç edhe sugjerova më sipër, kemi të bëjmë me një veprim të papjekur në ndërmarrjen e këtyre hapave. Është e drejtë e sekretarit të shtetit të heqë nënshtetësinë apo të marrë dokumentet që vijnë me të. Individët kanë të drejtë apeli. Një veprimi tillë, nga ana e sekretarit të shtetit apo oficerëve të emigracionit, për mendimin tim, është i papjekur.

    Çfarë do të ndodhë me personat që, sipas kërkesës në letrat e marra nga ‘Home Office‘ dorëzojnë pasaportat?

    Nëse ata i përmbahen kërkesës në letër, krahas dorëzimit të pasaportës, duhet të japin një përgjigje në lidhje me ato fakte që pretendohen nga sekretari i shtetit. Mbase, ai është tërësisht gabim në ato fakte që ka shkruar në letër, mbase kërkesa e tij është bazuar në informacion të pasaktë dhe fals. Në të tilla raste, kur individi mendon se sekretari i shtetit ka gabuar, atëherë duhet t‘i kërkojë që ky gabim të korrigjohet, duke rikthyer pasaportën me certifikatën e nënshtetësisë. Nëse sekretari i shtetit refuzon, atëherë çështja shkon në gjykatë.

    Çfarë provash duhet të ketë sekretari i shtetit në dorë që të heqë nënshtetësinë?

    Nga përvoja jonë mund t‘ju them se ‘Home Office‘ në Angli bashkëpunon me ambasadat britanike në vende të ndryshme, duke zbuluar të dhëna për lidhje familjare të personave në vende të treta. P.sh. në rastin tonë, në Shqipëri, ku personat zbulohen se janë me origjinë nga një vend tjetër. Kur evidenca është dorëzuar në ambasadën britanike në Tiranë duket se ajo është ndarë apo i ka kaluar ‘Home Office‘. Ky është shkaku i fillimit të kësaj historie.

    A duhet të shqetësohen emigrantët që marrin këto letra dhe të tjerët në komunitetin shqiptar?

    Është shumë e thjeshtë. Nëse njerëzit kanë fituar statusin e azilantit dhe më pas shtetësinë britanike, si persona me origjinë të atij vendi nga me të vërtetë janë, atëherë nuk kanë pse të shqetësohen. Nëse pretendimet e sekretarit të shtetit janë korrekte, atëherë janë një numër çështjesh që do të marrin përgjigje në gjykatë. Një ndër çështjet që do të jetë me interes kur të paraqitet në gjykatë, për debat do të jetë pikërisht se kjo nënshtetësi ka disa vite që po shijohet nga individi pesë ose dhjetë vjet bëhet pjesë e identitetit të personit. Është pikëpamja ime që të tilla raste Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut do të përdoret për të argumentuar se privimi i nënshtetësisë mbase është i panevojshëm. Është tepër herët për të folur se cilat do të jenë argumentet që do të vihet në përdorim në gjykatë.

    Siç e përmendët, kemi të bëjmë me emigrantë që kanë 5 ose 10 vjet me nënshtetësi. Përse pikërisht ‘Home Office‘ vendosi tani të hetojë rreth këtij problemi?

    Politikat e shtetit për të vënë në zbatim këtë ligj në të shkuarën, nga sekretari i shtetit, kanë qenë në ato raste kur ka ishte e nevojshme. Për fatet e sigurisë kombëtare ose në raste shumë serioze, si ato me terroristët. Në të shkuarën, sekretari i shtetit nuk e ka përdorur këtë ligj për të hequr nënshtetësinë. Padyshim, është një zhvillim interesant. Nuk e di nëse politika e këtij ligji ka ndryshuar dhe pse.

    Sipas një kërkimi, rezulton se ky problem ka ekzistuar në raste të izoluara gjatë viteve të shkuara. Por gjatë muajit të kaluar kemi më shumë se 30 raste, kur shqiptarëve u kanë dërguar letra të tilla... Cili është opinioni juaj për këtë?

    Mbase do të më duhet të spekuloj në përgjigjen që do t‘u jap. Duket se shumë informacion inteligjent po ndahet mes agjencive të emigracionit në Evropë. Po ashtu, shumë informacione janë vënë në dispozicion të policisë angleze nga ajo shqiptare. Dyshoj se ky është një zhvillim emigracioni i krijuar nga marrëdhëniet mes dy vendeve.

    Çfarë do të ndodhë me lejen e qëndrimit e fituar nga emigrantët që janë subjekt hetimi për mashtrim në përfitimin e nënshtetësisë, sikurse shkruhet në letrat e dërguara nga ‘Home Office‘?

    Heqja e nënshtetësisë dhe ajo e lejes së qëndrimit për të qëndruar përgjithmonë në Angli janë dy çështje të ndryshme. Edhe kjo e fundit ka procedurë apeli. Jemi duke folur për individë që kanë lidhje të forta me këtë vend, kanë me vite që jetojnë këtu. Heqja e kësaj lejeje, për mendimin tim, do të jetë më shumë e vështirë për sekretarin e shtetit ta bëjë një gjë të tillë. Por pyetja është se çfarë mund të bëjë sekretari i shtetit pas heqjes të nënshtetësisë. Përgjigjja është: Gjithçka.

    Z.Harris, cili është opinioni juaj për këtë çështje?

    Jam i shqetësuar për atë që po u ndodh shqiptarëve. Kam disa raste kur klientët e mi kanë marrë letra të tilla nga ‘Home Office‘. Ne jemi duke u marrë me ato. Normalisht, nuk mund t‘u them se çfarë jemi duke u këshilluar atyre. Pasaporta është pronë e qeverisë britanike. Ata duhet ta dorëzojnë, pavarësisht se unë e shikoj këtë që po ndodh, si një akt i papjekur. Megjithatë, jo vetëm klientëve të mi, por cilitdo emigrant shqiptar që është në një situatë të tillë, i ofrojmë ndihmë ligjore të menjëhershme.

    A keni pasur më parë raste të ngjashme si këto?

    Dërgimi i këtyre letrave është një politikë e re, që po ndiqet nga ‘Home Office‘. Asnjëherë më parë nuk jam ndeshur me të tilla raste, pra që ‘Home Office‘ t‘u ketë kërkuar emigrantëve heqjen e nënshtetësisë. Vlen për t‘u parë se cilët do të jenë hapat e mëtejshëm të sekretarit të shtetit. Në muajt e ardhshëm, padyshim do të kemi zhvillime interesante. Do të jetë gjykata ajo që në fund të fundit, do të vendosë për këtë çështje.


    AVOKATI SCOTT HARRIS
    Jam i shqetësuar për atë që po u ndodh shqiptarëve

    Scott Harris është një njohës i mirë i çështjevet që kanë të bëjnë me emigrantët shqiptarë në Angi.Që në fillim të prononcimit ai shprehet i shqetësuar për atë që po ndodh. “Jam i shqetësuar për atë që po u ndodh shqiptarëve. Kam disa raste kur klientët e mi kanë marrë letra të tilla nga Home Office. Ne jemi duke u marrë me ato. Normalisht unë nuk mund tju them se cfarë jemi duke u këshilluar atyre. Pasaporta është pronë e qeverisë britanike. Ata duhet ta dorëzojnë pamvarësisht se unë e shikoj këtë që po ndodh si një akt i papjekur. Megjithatë jo vetëm klinetëve të mi por cilit do shqiptarë që është në një situatë të tillë të kërkojnë ndihmë ligjore menjëherë. Konsekuencat janë shumë serioze. Për Kerr dërgimi i këtyre letrave është një politikë e re që po ndiqet nga Home Office.Ai nuk është në gjëndje të thotë sa kohë do t’i duhet autoriteteve për të hetuar e më pas hequr qytetarinë britanike. Në karrierën e tij si avokat ai shprehet se kurrë më parë nuk është ndeshur me raste kur Home Office i ka kërkuar emigrantëve nga nacionalitet e tjera heqjen e nënshtetësisë. “Vlen për tu parë secilat do të jenë hapat e mëtejme të sekretarit të shtetit. Do të dojë të ballafaqohet në gjykatë për këtë çështje apo jo. Pra në muajt e ardhëshëm padyshim do të kemi zhvillime interesante do të jetë gjykata ajo që në fund të fundit do të vendosër për këtë çështje” përfundon Kerr duke mos i dhënë një përgjigje të drejtë përdrejtë pyetjes tonë se kush do ta fitojë këtë betejë, emigrantët shqiptarë apo sekretari i shtetit.

    REAGIMI
    Dyrmishi: Na habiti hetimi për shqiptarët

    Genti Dyrmishi, ish-studenti i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, është një ndër personazhet e njohura në komunitetin shqiptar në Angli. Falë njohjeve me avokatë britanikë dhe pas studimeve për këshilltar ligjor, ai ka bërë të lumtur shumë familje emigrantësh shqiptarë, të cilët i ka këshilluar, duke u mundësuar edhe bashkimin familjar. "Problemi është i madh dhe shqetësues", thotë Dyrmishi, duke iu referuar letrave që ‘Home Office‘ u ka dërguar disa emigrantëve shqiptarë, përmes të cilave, u kërkohet të dorëzojnë pasaportat britanike dhe të lënë nënshtetësinë. "Jemi përballë një situate se si Ministria e Brendshme britanike lexon ligjin dhe e vë atë në praktikë. Kjo është politika që ka ndjekur ‘Home Office‘ deri më tani. Kjo politikë ka ndryshuar, madje menjëherë. Më parë njerëzit ishin të qartë nga këshilltarët ligjorë se, edhe nëse kishin dhënë detaje gabim për qytetarinë e tyre, për të fituar lejen e përjetshme të qëndrimit, ky fakt do të rishikohej, gjithmonë nëse këta persona do të kryenin ndonjë akt të rrezikshëm ndaj shtetit", shton Genti Dyrmishi. Sipas tij, tani kemi të bëjmë me një ndryshim të menjëhershëm të politikës. "Është problem, pasi ka paqartësi në politikën që po ndjek Ministria e Brendshme", nënvizon ai, duke shtuar se "komuniteti shqiptar siç po duket rezulton më i prekuri në këtë rast". Për Dyrmishin, bëhet fjalë për një çështje që "na ka habitur të gjithëve".


    LETRA

    Një familje nga Librazhdi ka 8 vjet që jeton në Angli. Ata kanë tre fëmijë, të cilët kanë lindur në Britaninë e Madhe. Ndërkohë, çifti po pret fëmijën e katërt. Qëkur kanë mbërritur në shtetin ishull marrin ndihmë sociale në zonën "Elephant and Castle", në jug të Londrës, si të sëmurë nga traumat e kaluara. Po ashtu, edhe banesa e tyre paguhet nga bashkia e kësaj zone. Megjithatë, burri i kësaj shtëpie punon në të zezë. Një vit më parë, kjo familje u dërgoi një letër-garanci prindërve në Shqipëri, të cilët u pajisën me vizë nga ambasada britanike në Tiranë. Para tre muajve, kryefamiljari shqiptar i dërgoi një letër-garanci tjetër nipit. Kur ai u pajis me vizë nga ambasada britanike në Tiranë, në momentin kur iu dha pasaporta, iu dorëzua një letër, në të cilën vihej në dukje fakti se xhaxhai i tij kishte përfituar nënshtetësinë britanike përmes mashtrimit. Javën e shkuar, familjes nga Librazhdi i mbërriti një letër nga ‘Home Office‘, në të cilën kërkohej kthimi pasaportës britanike, së bashku me certifikatën e nënshtetësisë.

    PASAPORTAT

    Të paktën, në katër raste, shqiptarëve që kanë përfituar nënshtetësinë britanike, u janë bllokuar pasaportat në aeroporte. Një vajze, e cila mbërriti nga Tirana në aeroportin ‘Gatwick‘ iu bllokua pasaporta nga oficerë të agjencisë "Border and Immigration Agency". Ata i thanë asaj se do të verifikojnë procedurën e marrjes së kësaj pasaporte dhe se duhet të kthehej në këtë aeroport për një intervistë, pas dy javësh. Mësohet se shqiptarja kishte nëntë vite që jetonte në Angli. Asnjëherë, ajo nuk u kishte dërguar garanci të afërmve të saj në Shqipëri. Po në aeroportin ‘Gatwick‘, një të riu iu bllokua pasaporta po me të njëjtin motiv, si në rastin e vajzës. Ndërsa në aeroportin ‘Heathrow‘ dy familjeve shqiptare u janë bllokuar pasaportat, nën pretendimin e "kontrollit të procedurave të përfitimit të tyre".

    Gazeta Shqip

  2. #2
    Erzeni Maska e Shijaksi-London
    Anëtarësuar
    10-11-2002
    Vendndodhja
    ke kodra kuqe
    Postime
    778
    Kroniken speciale nga Londra ne te cilen ekspertet ligjor flasim per hetimin e shtetesise britanike shqiptareve, transmetuar ne Top-Channel 5 Maj 2007 mund ta ndiqni te plote ne linkun e meposhtem.

    http://www.youtube. com/watch? v=YQk_gMA98pI

    Muhamed Veliu
    Korrespondent i Top-Medias
    Londer

Tema të Ngjashme

  1. Identiteti evropian i shqiptarëve
    Nga Iliriani në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 572
    Postimi i Fundit: 02-05-2012, 15:45
  2. Esse dhe artikuj të muslimanëve
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 09-12-2010, 09:31
  3. Kuvendi që na la trashëgim ADN-në e Dushkut
    Nga Kosovari_78_Ca në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 22-05-2005, 01:24
  4. Lufta Italo-Greke dhe shqiptarët
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 20-02-2005, 20:07
  5. C'ka eshte Shqiptaria?
    Nga Eni në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 23-07-2004, 12:28

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •