Ja se cfare ndodh - Eshte 157 vjeç, por do të votoje...
Ministria e Brendshme fton të votojnë dhe shpirtëra të vdekur; 2801 shqiptarë të moshës nga 110 deri në 157 vjeç vazhdojnë të rezultojnë në listat e votuesve. Gafa të pafundme me emrat, aty ku mungojnë të dhënat personale, ato zëvendësohen me tre "X-e". Një lëmsh i pafundëm me dublikimet e emrave dhe të tjera ngatërresa qesharake në to: qytetarë që nuk ekzistojnë, por që do t´u duhet të "votojnë" dhe personazhe të tjerë që mungojnë në lista. Duke nisur që me bashkëshorten hollandeze të ministrit të jashtëm shqiptar
Shqype Hasibra, e bija e Avdiut, është votuese për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Ajo ka lindur në datën 18 qershor 1851 dhe sot është 157 vjeç. Nuk ka të dhëna që ajo është e pajisur me Kartë Identiteti apo me pasaportë jashtë shtetit. Por ajo ndodhet në listat e Ministrisë së Brendshme. Shqypja do të duhet të votojë në qëndrën e hapur në shkollën e fshatit Shkallnuer.
Vitin kur lindi Shqypja shqiptare, kompozitori italian Xhuzepe Verdi vinte për herë të parë në skenë, operan Rigoleto, në teatrin e Venecias. Në të njëjtin vit u themelua N. Y. Times dhe agjensia Reuters; atëherë vdiq dhe J. F. Cooper, shkrimtar amerikan, autor i romanit të famshëm "I fundmi i Mohikanëve".
Shqypja është e fundmja 157 vjeçare e gjallë, sipas listës së Ministrisë së Brendshme që i bie të jetë, natyrisht, edhe njeriu më i vjetër në botë. Me një diferencë të vogël atë e pasojnë dhe një ekip tjetër votuesish shqiptare me moshë një shekull e gjysëm, Sulejman Subashi, Zele Hysa, Zaim Saraçi, Hava Pepa, Therjani Golla e të tjerë, përkatësisht fëmijët e Qazimit, Veliut, Kapllanit, Hajdarit dhe Anastasit. Plot 20 vetë që kanë këtë moshë rekord, deri në 156 vjeç.
Votues të tjerë me moshë mbi 140 vjeç janë shumë më shumë. Falë Ministrisë së Brendshme dhe listave të saj, Shqipëria vërtet mund të ketë shumë probleme të tjera, por mund të krenohet me 86 votues të tjerë që janë të moshës nga 140 deri në 149 vjeç.
Dilja shqiptare dhe Vagneri
Dile Bzhetaj, e bija e Gjetos, shenja e gaforres në horoskop, ka lindur në 3 korrik 1870. Ajo do të duhet të votojë në shkollën fillore të fshatit Dobre. As për të nuk dihen shumë gjëra. E sigurtë është që ajo nuk ka aplikuar për Kartë Identiteti dhe nuk ka as pasaportë për jashtë shtetit. Listat e Ministrisë së Brendshme e kanë të shënuar dhe këtë fakt. Madje ja kanë përcjellë dhe misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it. Dilja nuk ka përfituar, kështu, as nga masat lehtësuese që qeveria ka marrë duke ulur çmimin e Kartës së Identitetit. Ajo nuk duket se i ka vënë veshin edhe ftesave të përsëritura të kryeministrit Berisha për të aplikuar.
Në të njëjtin vit që Gjetoja shqiptar bëhej me vajzën e tij Dile dhe nuk shkrepte pushkë sipas zakonit, Riçard Vagner shfaqte Valkiria-n, veprën e tij më të famshme në Mynih, Franca i deklaronte luftë Prusisë, mbahej Lidhja e Prizrenit, themelohej departamenti i drejtësisë në SHBA, amendohej Kushtetuta amerikane që lejonte votën e afroamerikanëve, niste ndërtimi i urës së Bruklinit, Roma bëhej kryeqytet i Italisë së bashkuar apo dhe ndërronte jetë Aleksandër Dyma, ati, autor i romaneve "Tre musketierët" dhe "Konti i Monte Kristos".
Megjithatë, në vitin që Dilja shqiptare erdhi në jetë e vdiste francezi Dyma, lindi Vladimir Iliç Lenini, komunisti rus që ndërtoi atdheun e sovjetëve, copa domethënëse të të cilit i gjejmë pa dyshim edhe në Shqipërinë e sotme demokratike, plot 18 vjet mbas përmbysjes së sistemit leninist.
Shpirtrat e vdekur
Eshtë më shumë se tallje. Eshtë tragjike. Ministria e Brendshme, në fakt, edhe është tallur, edhe i ka marrë shqiptarët për budallenj, edhe shpreson të detyrojë OSBE/ODIHR-in të bëjë figurë të keqe përpara publikut që beson se misioni i tyre do të garantojë standartet e ndërtuara nga kjo qeveri që po çon vendin në zgjedhje.
Rasti i Shqypes dhe Diles, të cilët u morrën si shembull, nuk janë përjashtim në listat zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Ato janë rregull. Sepse janë plot 2801 qytetarë shqiptarë me moshë nga 110 deri në 157 vjeç, që sipas Ministrisë së Brendshme duhet të votojnë në 28 qershor. Logjika të thotë se ata i kanë larë prej kohësh hesapet me këtë botë dhe se prej shumë e shumë vitesh nuk kanë më asnjë dilemë për ekzistencën apo jo të botës së përtejme. Por Ministria e Brendshme duket se beson në atë botë: ajo i fton ata të votojnë. Fillimisht duke marrë Kartë Identiteti nëse nuk kanë pasaportë. Ndryshe, vendimet e njëpasnjëshme të qeverisë Berisha, nuk do t´i lejojnë ato as të marrin pensionin, as patentën për drejtimin e makinës dhe as të kuturisin të hyjnë në ndonjë provim në universitet.
Gjithkush mund të kontrollojë listën në adresën zyrtare http://www.moi.gov.al, të klikojë në të mes të ekranit, sipër dhe djathtas fotografisë së ministrit Bujar Nishani dhe do të gjejë aty arsye edhe për të qeshur, edhe për të qarë. Ndoshta edhe për të qenë krenarë sepse si popull, i kemi të gjitha gjasat, sipas shembujve të dhënë, të krijojmë një brez qindra vjeçarësh që në mos njëherë, njëherë tjetër, do të shkojnë të votojnë për të ardhmen e tyre, të fëmijëve të tyre, të nipërve, mbesave, stërnipërve, stërmbesave, stër stër stër stër... nipërve dhe stër stër stër stër... mbesave të tyre.
Kërkim dhe në varreza
Revista MAPO konsultoi listat e votuesve në qytetin e Korçës dhe megjithë tentativat e përsëritura, dështoi në gjetjen e Llazo Qiriazit, sa për të dhënë një shembull tjetër. Zoti Llazo, i biri i Aleksit, ka lindur në datën 5 janar 1857 dhe është 152 vjeç. Në 28 qershor ai do të votojë në gjimnazin Raqi Qirinxhi. Adresa e fundit për të ka qenë Shën Triadha, emri me të cilën njihen varrezat e qytetit, por dhe atje, nuk rezultoi fizikisht varri i tij. Ministria e Brendshme, pavarësisht kërkesës së përsëritur, nuk dha asnjë konfirmim të mundshëm nëse zoti Qiriazi ndodhej në Shqipëri apo kishte emigruar jashtë apo dhe kishte migruar në ndonjë qytet tjetër brenda vendit.
Të përjashtuarit
Ata nuk ndajnë të njëjtin fat shqiptarët e kësaj liste të cituar, ndonëse mjaft më të njohur se ta, nuk gjenden në listat e votimit. Aurela Isufi (Basha) bashkëshorte e ministrit të jashtëm Lulëzim Basha, nuk ndodhet në listat e votuesve. Nuk e kanë harruar. E kanë hequr. Duke respektuar ligjin. Me dekret të ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, me numër 4117, në vitin 2004, zonja Basha ka lënë shtetësinë shqiptare, në këmbim të shtetësisë hollandeze, ku është rezidente. Nenet 15 dhe 16 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 "Për shtetësinë shqiptare", përcaktojnë se kushtet për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare për të rriturit dhe të miturit, nisin me premtimin ose dhënien e shtetësisë së re nga një shtet tjetër, rezidencën në atë vend, mungesën e ndjekjes penale dhe detyrimeve ligjore të pashlyera në Shqipëri, marrëveshjen prindërore. Neni 15 për mbarimin e shtetësisë shqiptare përcakton se: "Shtetësia shqiptare merr fund me kërkesë të personit, kur ai "... ka mbushur moshën 18 vjeç... nuk mbetet pa shtetësi si rezultat i heqjes dorë nga shtetësia shqiptare meqenëse ka shtetësi të huaj, fiton shtetësi të huaj ose garanton se do të fitojë shtetësi të huaj".
Duke qenë hollandeze, zonja Basha nuk mund të votojë më në Shqipëri. Bashkëshorti i saj shqiptar, ministri i jashtëm Basha është nën akuzë penale për shpërdorim detyre për shkak të shkeljeve financiare në segmentin Rëshen-Thirrë-Kalimash. Ai mbrohet duke thënë se kush është kundër rrugës, nuk është patriot. Ministri voton. Nuk dihet në ka Kartë Identiteti, por është e sigurt që ka pasaportë diplomatike. Eshtë në listat e Ministrisë së Brendshme.
Për të mos u larguar nga shembujt me Ministrinë e Jashtme, duhet thënë se edhe bashkëshorti i zëvendësministres së tij Edit Harxhi, ka pasaportë, shtetësi dhe kombësi turke. Zonja harxhi ka shtetësi të dyfishtë. Bashkëshortja e sekretarit të përgjithshëm të po të njëjtës ministri është me shtetësi dhe kombësi franceze. Të dy bashkëshortët e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, nuk mund të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit.
Dublikimet, gafat
Gazeta TemA, në disa numra të saj, pak kohë më parë denonconte dublikime emrash në regjistrin e zgjedhësve. Sipas politikës së saj editoriale, ajo ishte ndalur në qarkun e Kukësit, ku të afërmit e kandidatit për deputet të PD-së, e kishin emrin edhe në listat e Kukësit, edhe në rrethinat e Tiranës ku kishin migruar prej vitesh. Bëheshin 12 e kusur shpirt. Por ky është vetëm një detaj që bën përshtypje jo vetëm sepse ata janë të afërm të kandidatit demokrat, por dhe sepse kandidati në fjalë është personazh i përhershëm, në këtë gazetë. Ai është detaj sepse ka shumë më keq. Janë të paktën 5186 emra votuesish shqiptarë të cilët janë të dublikuar në regjistrin e zgjedhësve. Atyre ju "koincidojnë" të gjitha të dhënat personale: emri, mbiemri, atësia, mëmësia, data e lindjes. Ju ndryshon vetëm vendi ku do të shkojnë të votojnë.
Kushdo që ka në dispozicion një kompiuter të lidhur me internet, mund të shndërrohet në dëshmitar të gafave të tjera të Ministrisë së Brendshme. Në listat e publikuara nga ajo mund të gjenden shtetas të cilëve ju mungon emri apo mbiemri dhe janë shënuar në to me tre "X", si një personazh i famshëm i filmave amerikanë me aksion. Ka plot mungesa emrash, gabime që lidhen me gërmat e veçanta të shqipes, si "ë-ja", "ç-ja" e të tjerë.
Revista MAPO është e hapur të mirëpresë çdo sqarim zyrtar nga Ministria e Brendshme për listat, madje duke rikërkuar me ngulm pikërisht këtë sqarim. Sqarime do të mirëpriteshin dhe nga të gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë të përfshirë në procesin e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore në vend apo dhe konkurentë e arbitra të vetë procesit.
Krijoni Kontakt