Nusja 18-vjeçare dhe adoleshenti gjenden pas 4 ditësh

Aventura e nuses 18-vjeçare, Dorina Melçani, e martuar në fshatin Pojan të rrethit të Korçës dhe e 17-vjeçarit S. SH., të larguar nga shtëpia pa lejen e familjeve të tyre, ka zgjatur vetëm 4 ditë. Përgjatë këtij harku kohor, nuses dhe adoleshentit u është dashur të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, për të mbërritur në shtetin helen, përmes kalimit të paligjshëm të kufirit, por me t'u gjendur në tokën greke, janë kapur nga policia e këtij shteti.

Aventura e tyre ka përfunduar më shpejt nga sa e kishin menduar ata vetë.

Duke mos qenë të pajisur me dokumentet e emigrantit, Dorina Melçani dhe 17-vjeçari janë kthyer në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës së bashku me emigrantë të tjerë deportivë.

Ndërsa janë marrë në pyetje nga policia shqiptare, nusja dhe adoleshenti kanë deklaruar se: “Jemi thjesht miq të mirë, por jo të dashuruar. Ëndrra e përbashkët, kanë deklaruar më tej ata, për t’i dhënë fund mjerimit dhe varfërisë, na bashkoi për të emigruar drejt Greqisë”.

Kishin ëndërruar të ktheheshin të pasur, por fatkeqësisht plani i tyre ka zgjatur vetëm 4 ditë.

Arratisja

Burime pranë Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës, kanë bërë të ditur se nusja 18-vjeçare, Dorina Melçani dhe 17-vjeçari, S. SH., ishin kapur nga policia greke dhe më pas ishin kthyer në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në orën 19.00.

Pas marrjes në pyetje nga policia, dy të larguarit nga banesat e tyre pa lejen e familjarëve, kanë treguar gjithë hollësitë e arratisjes.

Sipas tyre, mes nuses dhe adoleshentit nuk kishte pasur asnjëherë ndonjë lidhje intime. Ata kishin qenë thjeshtë miq të mirë. Ajo çka i kishte bashkuar ata të dy, kishin qenë vetëm kushtet ekonomike të vështira, në të cilat jetonin dy familjet e tyre. Duke menduar se si mund të dilnin nga ky hall, kishin vendosur të emigronin në shtetin fqinj duke qëndruar atje për një kohë të gjatë deri sa të krijonin një kapital financiar. Qëllimi i tyre kishte qenë se si mund t’u vinin në ndihmë familjeve të tyre.

Kthimi

Në vijim të realizimit të ëndrrës, pas paktit që kishin vendosur, ishin larguar nga fshati Pojan rreth orës 21.00 dhe pasi kishin udhëtuar në drejtim të Korçës, kishin vazhduar me arratisjen e tyre në drejtim të rrethit Devoll me synimin për të kaluar kufirin sa më parë që të ishte e mundur.

Nusja dhe 17-vjeçari kanë treguar më tej peripecitë e tyre se si kishin mundur të kalonin kufirin, si kishin hyrë në tokën greke, duke u ndalur së pari në qytetin e Follorinës, ku aty do të kërkonin ndihmën e taksistëve për të mbërritur në thellësi të shtetit fqinj.

Gjithë udhëtimi u kishte kushtuar 3 ditë kohë duke ndihmuar njëri-tjetrin, por në Follorinë gjithçka kishte marrë fund.

Sipas burimeve policore aty ishin kapur nga policia greke, ku një ditë më pas do t’i kthenin në Kapshticë, pa mundur të realizonin ëndrrën e tyre për t’u bërë të pasur.

Mëngjesin e ditës së premte, dy banorët e Pojanit janë lënë të lirë.

Nusja, nënë e një fëmije shkon te shtëpia e prindërve

Erini bashkëshorti, s'e pranon më Dorinën

Por ndërsa adoleshenti është kthyer në shtëpinë e tij, Dorina Melçani nuk e ka pasur të mundur të rikthehet në banesën e bashkëshortit të saj, edhe pse nga jeta bashkëshortore ka pasur një fëmijë.

Bashkëshorti i saj Erin Melçani është shprehur se nuk e pranon më për grua Dorinën.

Burimet e policisë bënë të ditur se Dorina kishte pasur edhe më parë kontradikta me familjen e bashkëshortit të saj, çka e ka bërë edhe më të vështirë për të marrë një vendim për rikthim në familje.

Ndërkohë nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë bashkëshorti i saj, ndërsa ky i fundit është vënë në dijeni për kthimin e bashkëshortes nga Greqia.

Gjithsesi Dorina Melçani ka preferuar që fillimisht të ndalet në vendlindjen e saj në Rëmenj të Pogradecit, ndoshta për të pasur kohë të mësojë nëse do të mirëkuptohet ose jo përpjekja e saj, ku gjithçka kishte qenë si synim i ndryshimit të jetës ekonomike të familjes dhe jo arratisje për motive dashurie apo qëllime të tjera.

Gazeta Metropol