• Brenda dy vjetësh, Berisha ka ndryshuar krejtësisht qendrim, duke u dhënë sërish dritën jeshile gjashtë, nga shtatë projekteve madhore
Me rihapjen e proces it të negociimit lidhur me projektin e ndërtimit të një terminali naftëmbajtës në zonën e Vlorës nga kompania “La Petrolifera”, qeveria shqiptare bëri, para dy ditësh, një hap të ri “prapa ktheu”. Brenda dy vjetësh, kryeministri Berisha ka ndryshuar krejtësisht qendrim, duke u dhënë sërish dritën jeshile gjashtë, nga shtatë projekteve madhore me financime të huaja, të cilat, më parë, kishte deklaruar publikisht se do t’i anulonte, pezullonte apo rishikonte. Në rast se ai do t’i kishte refuzuar ato, Shqipëria do të kishte humbur, në total, rreth 600 milionë dollarë investime. Për më tepër, vendi ynë kishte rrezikuar gjyqe ndërkombëtare, me gjoba të rënda, që do të cënonin edhe imazhin e një qeverie, e cila ka shpallur si një nga drejtimet e saj bazë kthimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. I vetmi projekt i refuzuar përfundimisht në dhjetor të vitit 2005 është i ashtuquajturi “tren elektrik”, që do të realizonte modernizimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe do të siguronte edhe një lidhje të re me trena midis kryeqytetit dhe aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Vlera e këtij investimi do të ishte 80 milionë USD. Ndërkohë, gjashtë projekte të tjera, për të cilat Berisha ishte shprehur kundër, tashmë kanë marrë të drejtën e qytetarisë. Ndër to, mund të përmendet TEC-i i Vlorës, për të cilin vetë kryeministri aktual, gjatë fushatës elektorale, u premtoi vlonjatëve se nuk do ta ndërtonte në qytetin e tyre, me një vlerë prej 135 milionë dollarësh.
Tanimë, është nënshkruar kontrata me ndërtuesit dhe pritet fillimi i punimeve për realizimin e tij. Po kështu, pas një periudhe të gjatë, pritet që në maj turqit e “Çalik” të marrin Albtelekomin, duke paguar 120 milionë euro për buxhetin e shtetit, ose mbi 160 milionë dollarë. Nga ana tjetër, kazinoja e “Hyat Regency”, as u mbyll dhe as ndryshoi vend, për të lëvizur drejt periferisë së Tiranës. Të dy këto variante ishin propozuar nga ana e kryeministrit, por sidomos mbyllja do të ngarkonte shtetin me një faturë prej 10 milionë dollarësh, që ishte paguar nga kompania për liçencën, plus gjobat e interesat. Kuvendi miratoi këtë muaj edhe dy kreditë për ndërtimin e rrugës së re nacionale Fier-Tepelenë, që u mbajt e bllokuar pas premtimit se do të kërkohej një gjurmë e re Lushnje-Berat-Memaliaj. Vlera e këtij investimi është 70 milionë euro. Ndërkohë, synimi për t’u hequr të drejtën ekskluzive mbi fluturimet ndërkombëtare gjermanëve të kompanisë “Airport Partners”, i shprehur nga ministri Basha në dhjetor 2005, përfundoi shpejt përballë kërcënimit me një gjobë prej mbi 100 milionë eurosh.
Gazeta Shqiptare.
Krijoni Kontakt