Pasaportat, s‘ka fushatë kundër shqiptarëve në Angli
Ambasadori Robo: Për ata që kanë mashtruar, po zbatohet ligji
Nga Londra Muhamed Veliu
Përfaqësia diplomatike shqiptare në Londër është vënë në lëvizje, pas marrjes së lajmit për kërkesat e ‘Home Office‘ drejtuar shqiptarëve, ku u kërkohet dorëzimi i certifikatave të kombësisë me pasaportat britanike. Ambasadori Kastriot Robo e arsyeton problemin si vazhdë e përpjekjeve të qeverisë britanike, e cila kërkon të minimizojnë valën e emigracionit ilegal drejt Britanisë. Nga kontaktet që ai ka pasur, pohon se është siguruar nga ‘Home Office" që nuk ka përqendrim vetëm te shqiptarët.
Zoti ambasador, "Top Channel" ju vuri në dispozicion disa dokumente të dërguara nga ‘Home Office‘ dy shqiptarëve, ku u kërkohet dorëzimi i certifikatave të nënshtetësisë britanike, së bashku me kthimin e pasaportës. A ju ka shqetësuar një fakt i tillë?
Sigurisht. Që në fillim desha të sqaroj, nuk ka një operacion të veçantë apo rritje të ‘Home Office‘ të fokusuar te shqiptarët. Pas zgjerimit të BE-së, qeveria britanike, sëbashku me Ministrinë e Brendshme kanë marrë masa dhe po përpiqen të minimizojnë valën e emigracionit ilegal drejt Britanisë, duke u përqendruar në dy drejtime. Atë të azil-kërkuesve të dështuar, qoftë ndaj emigrantëve ilegalë të jashtëligjshëm. Në kuadrin e këtyre përpjekjeve janë edhe rastet e sporadike të hasura ndaj komunitetit shqiptar. Si nga përfaqësuesit e ‘Home Office‘, si dhe nga ‘Foreign Office‘ më është deklaruar që nuk ka operacion të veçantë ndaj komuniteti shqiptar, shtrëngim të masave ndaj këtij komuniteti, por janë përpjekje që bëhen në kuadrin e të gjithë përpjekje të ‘Home Office‘ në kuadrin e luftës kundër emigracionit ilegal.
Jeni shprehur në një intervistë se nuk ka asgjë për t‘u shqetësuar nga lajmi në Top-Channel. Nuk ju duket aspak shqetësues fakti që në dy ditë, në një kompani avokatore në Londër janë paraqitur 6 shqiptarë me këtë problem, ndërkohë gjatë ditës së sotme (dje-shënim i redaktorit) na rezulton se të tilla letra janë marrë edhe nga disa persona të tjerë?
Nga bisedat që kam patur me autoritet britanike, ne si ambasadë dhe qeveria shqiptare jemi përpjekur të mbështesim integrimin e komunitetit shqiptar në shoqërinë britanike. Por këtu kemi të bëjmë shtet ligjor dhe, duke qenë i tillë, patjetër që do të zbatojë masat që ata kanë marrë. Kur ka raste që ‘Home Office‘ ka lëshuar kërkesa të tilla do të zbatohen në bazë të ligjeve britanike. Në përgjithësi nuk më shqetëson si çështje, pasi nuk shikoj rritje të intensitetit për të.
Keni patur një takim me një përfaqësues të ‘Home Office‘ për çështjet e emigracionit. Çfarë u bisedua në atë takim?
Takimi me të u organizua thjesht dhe posaçërisht për njoftimet në media mbi rritjen e intensitetit të kërkesave nga ‘Home Office‘ për shqiptarët. Një gjë e tillë nuk m‘u argumentua nga ana e zëdhënësit të ‘Home Office‘, i cili më tha se nuk ka ndonjë tendencë ndaj komunitetit shqiptar.
Ai ishte në dijeni zëdhënësi rreth dërgimit të këtyre letrave nga ‘Home Office‘?
Operacionet e ‘Home Office‘ janë permanente dhe nuk kanë filluar sot apo javën e kaluar, kur ka filluar botimi i shkresave në median shqiptare. Këto janë operacione rutinë nga autoritetet. Ai ishte i mirëinformuar për situatën dhe më pohoi se komuniteti shqiptar nuk është objekt i veçantë investigimi.
E nëse zyrtari thotë që shqiptarët nuk janë objekt investigimi, mendoni se ai kërkon të fshehë diçka, pasi posedimi i këtyre letrave nga media, përfshirë dërgesën në më shumë se 20 raste pohon në të kundërtën?
Pohimi i tij është mëse absolut dhe ai u referua operacioneve rutinë, që zhvillohen kundrejt të gjitha komuniteteve të tjera etnike në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo çështje është në hapat e para. Nëse numri i personave që marrin letra të tilla do të rritet, cilat do të jenë hapat e mëtejshëm nga ana juaj?
Ne i kemi shkruar kontaktet diplomatike për këtë çështje. Do të kem një takim me autoritetet e emigracionit në ‘Home Office‘, me te cilët do të trajtojë çështjen. Qëndrimi ynë është mbështetja e shtetasve shqiptarë brenda kuadrit ligjor britanik.
Do të doja të dija mendimin tuaj si një diplomat me përvojë. Jemi përballë një rasti kur personat kanë gënjyer autoritetet britanike për marrjen e azilit dhe nënshtetësisë, gjë që ndëshkohet me burg. Si do të mund të negocioni apo bisedoni me palën britanike për këtë problem, kur kjo e fundit ka fakte qe personat kanë gënjyer në aplikimet e tyre?
Ne respektojmë ligjin britanik, të drejtën e vendit pritës. Kjo është tërësisht e drejtë dhe kompetencë e shtetit britanik për të trajtuar çështjen. Për ata, zbatimi i ligjit është prioritet.
Vazhdon dërgimi letrave nga ‘Home Office’
Emigranti: Kam kontaktuar disa avokatë, askush nuk e merr çështjen në dorë
Dërgimi letrave nga ‘Home Office’ drejtuar shqiptarëve, ku u kërkohet dorëzimi i certifikatave të kombësisë me pasaportat britanike, ka vazhduar edhe dje. “Shqip” është kontaktuar nga dy persona, të cilëve u kanë mbërritur zarfet me lajmin e keq. Njëri prej tyre kishte disa muaj që kishte sjellë bashkëshorten nga Shqipëria,
duke bërë edhe bashkim familjar. “Kam kontaktuar disa avokatë. Askush nuk ma merr në dorë çështjen”, u shpreh ai. Ndërsa në një tjetër rast, një familjar nga Kukësi kishte sjellë tri herë, si vizitorë brenda një viti, familjen e tij në Angli. Në të dyja rastet, ata kanë paraqitur në ambasadën britanike në Tiranë certifikatat familjare, që kanë rezultuar të ndryshme me dokumentacionin e dërguar nga Anglia. M.V.
Krijoni Kontakt