Vëllezërit Rexh e Roxher dhe nëna e tyre amerikane
nga Astrit Lulushi, SHBA

Komuniteti shqiptaro amerikan është hallka kryesore që i lidh
shqiptarët në Ballkan me Hemisferën Perëndimore. Por në plan personal këta dy
popuj u afruan më shume se kurrë, ndoshta falë zemrës së një gruaje, Rose
Wilder Lane, jo sepse ajo ishte një shkrimtare e njohur dhe mikeshë e
shqiptarëve, por sepse në kohë e rrethana të ndryshme ajo birësoi dy
djem; shqiptarin Rexh dhe amerikanin Roxher. Shqiptarin e birësoi, pas
luftës së parë, kur ky i shpëtoi jeten, ndërsa amerikanin menjëherë pas
luftës së dytë, kur ky kishte nevojë për nxitje në jetë.


Biri i saj shqiptar, Rexh Meta, njihet si një nga themeluesit e Lidhjes
se dytë te Prizrenit, organizatë politike-luftarake, e krijuar në vitin
1943 me synim clirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një
shtet të përbashkët. Ndërsa biri amerikan, Roger Lea MacBride, njihet
si një nga themeluesit e partisë Libertariane, e krijuar në vitin 1971,
dhe që sot shikohet si partia e tretë më e madhe politike në Shtetet e
Bashkuara. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1976, Roger Lea
MacBride, vëllai i Rexhës, ishte kandidat i partisë libertariane për postin në
Shtëpinë e Bardhë. Por ai nuk fitoi, ashtu si edhe Rexha në luftën e
tij.


Thuajse cdo amerikan i lindur pas luftës së dytë botërore i ruan të
gjalla imazhet e serialit të njohur televiziv "Little House on the
Prairie” mbështetur në një varg vellimesh të letërsisë për fëmijë, ku autorja
tregon mbi fëmijërinë e saj gjate mesit te shekullit të XIX në
perëndimin amerikan. Librat mbajnë emrin e shkrimtares Laura Ingalls Wilder,
por nga kritika është pranuar gjërësisht, se ato jane shkruar nën nxitjen
dhe kujdesin redaktues të vajzës së saj, Rose Wilder Lane.

Rose, vdiq me 1968, ne moshën 82 vjecare dhe la pas shumë vepra; libra
mbi jeten e personaliteteve si Herbert Hoover, Henry Ford, Charli
Chaplin e Xhek London; dhe një letërkëmbim të pasur e shënime udhëtimesh
vecanerisht në trojet shqiptare. Këto shënime të pa botuara, ruhen në
formë dorëshkrimesh në bibliotekën presidenciale Herbert Hoover në West
Branch të shtetit Ajova.


Gjatë luftës së parë botërore, Shqipëria u bë një vend-kalim për shumë
ushtri të huaja. Kjo ishte arsyeja që organizata të Kryqit të Kuq i
shtrinë veprimtaritë e tyre në rajon per t’u ardhur në ndihmë jo vetem
ushtarëve të plagosur, por edhe banorëve, viktima të luftës. Rose Wilder
Lane shërbeu si infermiere e Kryqit të Kuq amerikan, ekipe të të cilit
erdhën edhe në Shqipëri. Mes tyre ndodhej Rose Wilder Lane. Ky duket se
ishte edhe takimi i saj i parë me banorët dhe natyrën e këtyre trojeve.
“Kalifornia, Mizuri dhe Ballkani janë vendet e mia”, do të thoshte ajo
më pas.


Në vitin 1921, Rose, vizitoi luginën e Shalës në Shqipërinë veriore së
bashku me disa punonjës të Kryqit të Kuq me shpresë për të krijuar një
rrjet shkollash në këtë rajon të thellë malor. Mendohet se gjatë
ngjitjes në udhët e thepisura, Rose rrëshqiti dhe ndërsa ishte gati të binte
në humnerë, ajo u kap pa pritur nga duart e një djali 12 vjecar, Rexh
Meta, banor i atyre anëve, që së bashku me të atin shoqëronte vizitorët
amerikanë në këtë udhëtim. Rose nuk do t’a harronte kurrë këtë akt dhe
me pelqimin e familjes, e birësoi malësorin e vogël shaljan, i cili do
të rritej e shkollohej nën kujdesin e amerikanes së njohur. Kur Rexh
Meta përfundoi shkollën teknike të Fulzit në Tiranë më 1927, Rose Wilder
Lane, i siguroi atij një bursë studimi për në Universitetin e
Kembrixhit në Angli. Pas diplomimit, Rexha kthehet në Shqipëri, ku martohet dhe
bëhet me fëmijë, vajzë që ia vuri emrin, Bora Rose. Kur filloi lufta e
Dytë botërore, lidhjet e Rose Wilder Lane me djalin e saj të birë
suar u
ndërprenë. Në vitin 1945, kur vendi dukej se cfarë drejtimi po merrte,
Rose i kërkoi ish presidentit Herbert Hoover, që t’a ndihmonte për të
tërhequr familjen e Rexhës nga Shqipëria. Por përpjekjet e saj nuk patën
sukses.


Gjatë qëndrimit të dytë në Shqipëri, në vitin 1922, shkrimtarja
amerikane arriti të njihej nga afër edhe me Ahmet Zogun, atëhere 27 vjecar dhe
minister i Brendshëm. Thuhet se ata ranë në dashuri ose të paktën
historianët thonë se mbreti i ardhshem i shqiptarëve ra në dashuri me
shkrimtaren amerikane. Në fakt, në një letër që Rose i shkruante nënës së saj
në Amerikë, ajo thotë se Zogu i kishte propozuar të martoheshin. Por në
vitin 1922, Rose largohet nga Shqipëria për shkak të trazirave që
kishin filluar në mars të atij viti.


Në vitin 1928, Rose Wilder Lane niset përsëri drejt Shqipërisë. Këtë
here, ndoshta e ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të
Zogut të Parë si Mbret i Shqiptarëve. Në fund të po atij viti, Rose
kthehet në Amerike dhe shënimet e këtij udhëtimi të tretë dhe fundit në
Shqipëri, ajo i përmblodhi në librin “Travels With Zenobia: Paris to Albania
by Model T Ford”.