
Postuar më parë nga
Stefan07
Kjo javë mund të jetë vendimtare nëse rezoluta e re e KS për Kosovën do të miratohet, apo do të shtyhet
Kjo javë mund të qartësojë shumëçka lidhur me miratimin, apo shtyrjen e rezolutës së re të KS për Kosovën. Ditëve të shkuara mbizotëruan deklarata e paralajmërime të zëshme se rezoluta e re do të gjendet para KS, gjatë kësaj jave. Kjo u tha nga ministri i Jashtëm italian, D’Alema, për t’u pasuar nga zëdhënësja e OKB, Montas dhe personalitete tjera. Mirëpo, eksperti për Ballkanin, Tim Judaha tha se është çështje kohe kur diplomatët do të pranojnë se zgjidhja për Kosovën duhet të shtyhet.
Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu i ka deklaruar gazetës spanjolle “EL Pais” se shqiptarët janë të vetëdijshëm se shumë shpejtë do të arrihet marrëveshja lidhur me statusin e Kosovës, madje edhe me pëlqimin e Rusisë. Duke komentuar zërat lidhur me mundësinë e shtyrjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës, madje edhe deri më 28 Nëntor – Ditën e Flamurit Shqiptar, presidenti Sejdiu është kundërpërgjigjur se zgjidhja e problemit të Kosovës është çështje javësh, e jo muajsh.
Ministri i Jashtëm italian Masimo Dalema, ditë më parë ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave në Këshillin e Sigurimit do të miratohet rezoluta e re për Kosovën. Duke iu drejtuar gazetarëve nё qytetin italian Bari, D’Alema pat ka thёnё se takimi i ministrave tё jashtëm tё shteteve anëtare tё G8-shit, qё do mbahet mё 30 maj nё Postdam tё Gjermanisë, do jetë i rёndёsishёm pёr Kosovёn.
Edhe zyrtarë të lartë amerikanë kanë ritheksuar në deklaratat e tyre gjatë dy ditëve të fundit domosdoshmërinë e miratimit të rezolutës mbi Kosovën në Këshillin e Sigurimit duke i dhënë kështu shtytjen e fundit përmes medias, por duke zgjedhur ato media të cilat komunikojnë me atë pjesë të Ballkanit e cila është më e interesuara në procesin e mëtejmë të përmbylljes së statusit të Kosovës.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për statusin, Frenk Uizner ka shprehur sërish angazhimin e Uashingtonit për zbatimin e planit të kryenegociatorit Ahtisaari. SHBA-ja kërkon zbatimin e këtij plani, që propozon pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, ka pohuar Uizner, i cili ka refuzuar të bëjë parashikime për procesin e votimit në Këshillin e Sigurimit.
Uisner ka thënë po ashtu se pavarësia e Kosovës është në interes të rajonit të Ballkanit, por edhe për Evropën dhe SHBA-në dhe ka shfaqur shpresën se rezoluta e re për Kosovën të jetë e qartë dhe se do të kalojë shpejt në Këshillin e Sigurimit.
Uisner është shprehur skeptik për ndryshimin e qëndrimit serb ndaj Kosovës, por ka theksuar se SHBA-ja dëshiron ta shohë Serbinë të ketë hyrë në familjen perëndimore.
Po ashtu, duke bërë të qartë përgjigjen e OKB ndaj kërkesës së Beogradit për bisedime të reja për Kosovën, zëdhënësja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Michele Montas, ka thënë se çështja e statusit të Kosovës tanimë është para Këshillit të Sigurimit.
Ndërkohë, zëdhënësja e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Christina Gallak, i deklaroi BBC se Bashkimi Evropian do një rezultat të qartë në procesin aktual të përcaktimit të statusit të Kosovës dhe po angazhohet që të arrihet një pajtueshmëri rreth një Rezolute të re për Kosovën.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë Jan Kubish, vend ky që ka pasur disa dilema lidhur me rezolutën e re, ka thënë se negociatat e reja për Kosovën janë të kota dhe plani i krynegociatorit Martti Ahtisaari është baza e vetme për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Për agjencinë sllovake të lajmeve SITA, ai paralajmëroi se Sllovakia në Këshillin e Sigurimit do të votojë "njësoj si vendet tjera të Bashkimit Evropian".
Edhe shefi i Zyrës britanike në Prishtinë, David Blunt, gjatë një debati në Qendrën Mediale në Çagllavicë, pat thënë se “Status kuoja nuk është më situatë e qëndrueshme në Kosovë, ndërsa nuk ka plan tjetër përveç atij të Ahtisaarit që e përmirëson këtë gjendje.
Ndërkaq zv/kryeministri Lutfi Haziri nuk e përjashtoi mundësinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në mënyrë të njëanshme, në rast se dështon miratimi i Rezolutës në Këshillin e Sigurimit.
Mirëpo, eksperti për Ballkanin, Tim Xhuda, thotë se është çështje kohe kur diplomatët do të pranojnë se zgjidhja për Kosovën duhet të shtyhet.
Xhuda thotë se ky konkludim vjen nga mossuksesi në bisedimet e mëhershme të sekretares amerikane të shtetit, Kondoliza Rajs, me zyrtarët rusë në Moskë dhe samiti Rusi-BE në Samara.
Xhuda thekson se disa shpresojnë se në samitin e qershorit të G-8-tës mund të arrihet marrëveshja për Kosovën.
Mbetet të presim dhe të shohim !
Krijoni Kontakt