Letër e Hapur Presidentit Bush
KJO BOTË INTERESASH, KUR DO TË BËHET TAMAM NJË BOTË TË DREJTASH DHE VLERASH NJERËZORE?!
Shkruan: Prof. Dr. Hulusi HAKO (0692074814),
Zv.Kryetar i KESHILLIT ORGANIZATIV TE KUVENDIT MBARESHQIPTAR
Tiranë, 17 maj 2007
Zemra më thotë se do të hyjmë në një epokë të tillë. Të uroj dhe mirseardhjen në Tiranë. Ja, nga kjo vizitë prestigjioze mora shkas për të hedhur në letër disa mendime.
Është vizitë e parë e këtij rangu në historinë e shqiptarëve kjo ardhja jote në Tiranë më 10 qershor 2007, i nderuar President, po a do të bëhet vërtetë historike dhe të hyjë në historinë tonë me tërë madhështinë që i takon?! Kjo është çështja! U pronocua edhe Kuvendi i Shqipërisë me një deklaratë paraprake, ku vizitën e cilësoi tekstualisht "historike". Po me ç'motivim e bindje e bëri Kuvendi ynë këtë Deklaratë? Për të arritur në këto vlerësime e konsiderata maksimale e madhore (ashtu siç e do lëndën vetë historia), duhen ditur e njohur përmbajtja, axhenta dhe piketa zgjidhjesh të nyjeve gordiane, që kjo vizitë të marrë vërtetë këto dimensione. Askush nuk i ka të dhënat e premisat e duhura për të bërë parashikime e prognoza për çdo të ndodhë. Historia nuk para shkruhet, ajo vjen pas. Më e shumta ç'mund të themi paraprakisht është se "ajo mund të jetë një vizitë shpresëdhënëse", por si e sa, kjo i mbetet kohës. Pas shpalljes së datës, nga shqiptari i thjeshtë, te analisti, komentatori i thekur e shtetari, secili shpreson, uron e mediton sipas mendjes e mënyrës së vet; po bëhen hamendësime se sa me interes e interesante do të rezultojë kjo vizita jote. Ja, midis kësaj morije hamendjesh, po hedhim edhe këtë variant: "Mirardhç në Tiranë, o President i vendit e kombit të madh, me ndonjë ogur edhe për perspektivën e kombit shqiptar.
Presidenti Bush
A do të zotohesh, vallë, të insistosh edhe në koregjimin e padrejtësive të mëdha historike që janë bërë në shpinën dhe shpirtin e këtij kombi të lashtë në Ballkanin Perëndimor?" Ndërkohë janë të njohura, të ditura e të plota edhe motivet që kjo vizitë të precipitojë e tillë, dhe pikërisht, së pari, duke i hyrë më thellë fateve historike dhe të drejtës së shqiptarëve, dhe, së dyti, duke treguar vullnetin politik për të zbatuar me konseguencë misionin e vokacionin historik botëror të Kombit amerikan që Ti përfaqëson!
Do të ndalem pak tek këto dy motive, i nderuar President, dhe po të drejtohem me "Ti", se kështu e kemi më intime ne, afërsisht të moshës së katërt! Së pari, në kujtesën e historisë, që mbetet përherë e gjallë, 10 qershori 1878, shënon për kombin tonë krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atë shpërthim më të organizuar e kombëtarisht të ndërgjegjësuar të përpjekjeve dhe luftrave të drejta për t'u çliruar nga Perandoria otomane dhe lakmite shoviniste të fqinjëve, për ti bashkuar në një shtet të vetëm kombëtar të katër vilajetet që kishin krijuar otomanët prej trojeve shqiptare në administratën e tyre pushtuese.. Por përpjekjet e shqiptarëve për krijimin e shtetit-komb të tyre u penguan nga ish Fuqitë e Mëdha të Evropës dhe lakmitë e fqinjëve të mbështetur prej tyre.
Odisea e kombit shqiptar, i copëtuar dhe i shpërndarë në 6 shtete të Ballkanit Perëndimor, është në Evropë, si ajo e kurdëve në Azi, në mos dhe më keq! Nuk janë më profeci fjalët e udhëheqësit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, por një realitet i vërtetuar tanimë katërcipërisht se "Pa zgjidhur drejt çështjen shqiptare, nuk do të ketë qetësi në Ballkan". Vërtetë, në këtë Letër, po arsyetoj me mënyrën e asociimit të ideve; sikurse edhe ardhja jote, Mister Bush, në Tiranë, bash më 10 qershor, në 129 vjetorin e evenimentit tonë historik, është thjesht një koincidencë, një rastësi me ditën e madhe të historisë së kombit shqiptar, po një rastësi që ne do të dëshironim të hynte në kategorinë e "mbretërve të botës". Megjithatë, me apo pa asociim idesh e efekt rastësish, i pakontestueshëm mbetet fakti se ne shqiptarëve "na shkon gjuha, ku dhëmb dhëmbi"!
Në këtë "Ne", Zoti President, përfshijmë atë pjesë të konsiderueshme të qytetarëve dhe intelektualëve të shoqërisë civile që bashkimin kombëtar të shqiptarëve, krijimin e shtetit-komb të tyre, e quajnë një imperativ historik dhe jetik; të gjithë ata që i japin përparësi integrimit kombëtar, pa e injoruar edhe atë evropian, gjithënjë sipas statusit e në frymën e parimeve të tij. Por mos e prit fare këtë opsion nga goja e politikanëve aktualë të hapësirave shqiptare, sepse ata janë pushtuar nga ethet e globaizmit e të integrimit, procese ku ata e mbysin vetë imperativin, të shumëdëshiruarin integrim kombëtar. Ndodh kështu sepse politikanët tanë janë zhytur thellë në konfliktin e interesave midis pushtetit që e synojnë me çdo çmim dhe gjeopolitikave e proceseve globaliste e integruese, ndaj të cilave duhet të konformohen me disa "lëmosha evropiane" ndaj asaj padrejtësie të madhe që i ka bërë dhe atij borxhi të madh që i ka kombit shqiptar Kontinenti i vet! Fare kot është futur e ka mbetur në Preambolën e Kushtetutës së Tiranës fraza mbi aspiratën e "identitetit dhe bashkimit kombëtar"! Këta të Tiranës s'po realizojnë dot një reformë zgjedhore,- një premisë dhe levë të dremokracisë, - pale më të merren me probleme të tjera, më jetike! Tjetër.
Parlamenti i Beogradit e ka dhe Komisionin për çështjen e Kosovës, deri edhe Ministri të posaçme,(se i intreson shumë menaxhimi i një kolonie mu midis Evropës), kurse Tiranës as i bie ndër mend të ketë në strukturën e vet parlamentare edhe Komisionin e Përhershëm të Çështjes Kombëtare, të cilën e ka plagë të madhe, kronike dhe për shërimin e së cilës është investuar pa hesap gjatë shekujve në këto troje! Ndërkohë, nuk na mungon, psh. Komiteti i Kulteve, ai kujdes i veçantë shtetëror për faltoret, të cilat janë vatra vetëm periodike të jetës personale të disa mijra besimtarëve, kurse zgjidhja e çështjes kombëtare ka mbetur ëndrra, aspirata dhe vokacioni jetik i miliona shqiptarëve në breza, i të gjithë bashkëkombasve, kudo që janë në hapësirat etnike e nëpër botë, pa dallim e përjashtim! Po nuk del dot asnjeri nga politikanët e dipllomatët shqiptarë aktualë që t'i thotë Kontinentit-mëmë : "E nderuar Evropë, shqiptarët duan shumë të jenë në gjirin tënd, por si një komb i vetëm, me identitet të përcaktuar, duan të jenë pjestarë të barabartë në familjen e kombeve"! Pse duhet të hyjmë veç e veç, e tufa-tufa?! Se edhe procesi i integrimit që po marshon prej më se 5o vjetësh nëpër Evropë, në substancë, nuk e përjashton, por e presupozon të drejtën e madhe të popujve të kenë shtetin e tyre kombëtar.
Ne kërkojmë t'u jepet fund eksperimenteve me kombin shqiptar, të sendërtohet edhe për shqiptarët ajo që ka thënë ish kryeministri italian Alçide de Gasperi, njeri prej pionierëve e ideatorëve të Evropës së Bashkuar, se: "Bashkimi duhet të mbështetet në bashkimin e kombeve, jo në shpërbërjen e tyre, duke ruajtur pavarësinë e çdo gjëje që është në bazë të jetës shpirtërore, kulturore dhe politike të çdo kombi". Ja sa larg jemi : Amerika fare lirshëm bën komb me kontigjente popujsh të të gjithë botës, shqiptarët janë një popull dhe pengohen dhunshëm të jetojnë si një komb i lirë! Politikanët tanë nuk janë kthyer fare këtej. Ata shpallin se nuk e synojnë, madje, as bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ëndërrën e integrimit kombëtar, ata e kanë zëvëndësuar me atë të integrimit evropian.
Po sovrani popull ç'thotë vallë?! Kuptohet, i nderuar President, nuk do të bëni çudira, por sikur t'i thoshit edhe dy fjalë në vesh këtyre tanëve: "Ju, politikanë shqiptarë, pse s'deputoni si mbarëkombëtarë!?" Kaq duan ata dhe më tej e din vetë si e vërtisin! Aspirata kombëtare e parealizuar e shqiptarëve ka mbetur e gjallë në memorjen historike dhe është sistematikisht e gjallë e vepruese në jetë, është sanksionuar në sa e sa Referendume e Rezoluta, sepse sistematikisht na janë mohuar e vazhdojnë të na mohohen të drejtat njerëzore më themelore, sepse morali dhe sjellja politike zyrtare e fqinjëve tanë ndaj miliona shqiptarëve, shtetas të tyre, kanë synuar, ose në shfarrosje e asimilim, ose në trajtimin si njerëz të kategorisë se dytë e të tretë. Shqiptarët janë përpjekur si e si vetëm për të mbijetuar, me sakrifica të papërshkrueshme!
Prandaj dhe kauza e bashkimit tonë kombëtar, që anashkalohet padenjësisht e padrejtësisht nga politikanët tanë, është me rrënjë të thella në ndërgjegjen mbarëpopullore e vepruese, prandaj dhe nga thellësia e shpirtit të popullit del fuqishëm thirrja : "Na ndihmoni të divorcohemi me politikat barabare të fqinjëve tanë; të cilët nuk po japin shenja humanizimi e demokratizimi! Mjafton të jenë të lirë e të barabartë shqiptarët, se e kanë në gen trashëgimin e vyer të bashkëjetesës shembullore ndëretnike dhe ndërfetare! Ata do të bëhen vërtetë faktor stabiliteti në Ballkan!" Kush nuk e ka njohur dhe nuk e vlerëson ketë virtyt e mesazh të shqiptarëve, është krejtësisht abstrakt dhe gjykon i mbërthyer prej interesash të ngushta, skenaresh e insinuatash të paskrupullta! Është, së dyti, edhe motivimi tjetër madhor që na frymëzon për të fokusuar këtë "problem të problemeve shqiptare" në shportën e hamendjeve rreth vizites së këtij niveli. Ai lidhet drejtpërdrejt me Prestigjin, Autoritetin, Misionin dhe Vokacionin human e demokratik të Kombit amerikan që po e përfaqëson e personifikon, Zoti President!
Të rikthesh në jetë një njeri, është kryevepër; të ringjallësh një komb të vogël, kjo është madhështore, shumëfish hyjnore! Pas shpërbërjes së ish Jugosllavlsë dhe aktit sublim të Amerikës dhe Evropës me bombardimet e vitit 1999 për të ndalur gjenocodin e egër serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, statusi i ish Krahinës Autonome të Federatës nuk kish pse të futej në labirinthet politiko-juridike, thua se vetëm shqiptarët duhet të përgjigjen për të gjitha mallkimet e "mëkatit të parë"! Odisea e statusit të Kosovës tonë shqiptare, që mbart një të vërtetë dhe të drejtë kaq evidente, dëshmon se me sa vështirësi vihet në vend ajo që u bë shtrembër një herë. Po merren kaq shumë në konsideratë pretendimet serbe për disa kisha e manastire në trojet kosovare, sikur ato të kenë zbritur drejtpërdrejt nga Qielli me idenë e adresën "Në shërbim sekret të Serbisë", qëndrim ky, krejt në kundërshtim me idenë brilante të ish diplomatit amerikan, Henri Kissinger, se "Kërkesat fetare, në fakt, kanë qenë dhe mbeten vetëm pretekste për qëllime politike dhe strategjike" (Dipllomacia, f. 93, botim shqip), ide kaq sinjifikative në kontekstin tonë ballkanik, ku fondamentalizmi politiko-ortodoks sllavo-grek është kaq virulent, i mbështetur anakronikisht edhe nga Moska! Që në det është e pashmagshme ngrënia e peshqëve të vegjël nga të mëdhenjtë, kjo dihet e nuk ndryshohet, por, kur do të pushojë së vepruari ky refleks biologjik në jetën e shoqërisë njerëzore?! Një Zot e di ç'do të mendojnë brezat për kohën tonë!
Po si nuk doli një politikan shqiptar që t'u thoshte serbëve në Vienë: "Na takon Kosova e plotë, natyrale, historike, me tërë ato krahina shqiptare që ish Federata, i coptoi më tej, sipas interesave dhe komoditetit të vet, në favor të ish republikave të Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë" !? T'u thoshte se "faltoret janë të garantuara, të besuarit është një zgjedhje e dëshirë personale dhe jo vegël e institucionalizuar dhe e instrumentalizuar politikisht" etj. etj. Po Evropa? "Shumica e Bashkimit Evropian, kërkon ta mbyllë, jo ta zgjidhë dosjen shqiptare,- konkludon natyrshëm analisti ynë brilant Danaj. Zgjidhje do të thotë Shqipëri Natyrale. Mbyllje do të thotë Shqipëri Artificiale".
Le të urojmë e shpresojmë që Amerika të mendojë ndryshe! Mesazhet që na vinë prej saj, janë gjithënjë e më shpresëdhënëse; ato janë të fuqishme, sepse përshkohen nga e vërteta dhe e drejta! E vërteta dhe e drejta shqiptare qëndron si Everest para tërë lakmive meskine e interesave antihumane e antidemokratike! Kombi shqiptar është në një udhëkryq të madh. Ai kërkon vetëm të marrë frymë lirisht dhe për këtë është i domosdoshëm bonsensi dhe konsensusi ndërkombëtar. Parimi i madh demokratik i vetëvendosjes së popujve, legjitimiteti i sovranit, parim ky themelor dhe jetik, me atdhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me autor Presidentin Willson, që është në fuqi në botën demokratike, është një e drejtë që, në fund të fundit, duhet t'u njihet edhe shqiptarëve. Ne shqiptarët sot, më shumë se kushdo dhe më shumë se kurrë, na takon ti referohemi mesazheve të kulturës, përvojës dhe traditës amerikane, t'i drejtohemi Kombit amerikan, të shpresojmë shumë nga mbështetja dhe përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa e bërë fare xheloze Evropën tonë, që, vërtetë na do dhe përpiqet shumë të na integrojë, por nuk po e kap mirë demin për brirësh!.
Në kontekstin e fateve historike të kombit shqiptar, na tingëllojnë me domethënien më të drejtpërdrejt edhe fjalët e një presidenti amerikan, Klivlend (1895), se : "Nënshtrimi i vetvetishëm përkundrejt kushtëzimeve të padrejta, e zvetënon respektin për vetveten dhe atë nder të kombit që është themeli i sigurisë dhe madhështisë së tij". Edhe vetëm kjo ide-formulë na shkel në kallo, vë gjishtin në plagët tona, na nxjerr zbuluar përsa i përket gjendjes aktuale, statusit, identitetit dhe dinjitetit njerëzor e kombëtar. "Të drejtat e njeriut", për tokë, ato kombëtare, të injoruara; atëhere përse jetojmë?! Kjo botë interesash, kur do të bëhet, vallë, tamam një botë të drejtash e vlerash njerëzore?! Se tabloja e botës, dihet, ende lë më shumë për të dëshiruar, se për t'u lavdëruar! Ne shqiptarët u falemi mesazheve amerikane, si besimtarët Biblës e Kuranit; i falemi, sidomos konceptit willsonian të Vetëvendosjes, që hedh dritë dhe ngjall shpresa të mëdha për popujt e vegjël. Presidenti Willson hyri denjësisht në histori, përveç të tjerash, si njohës i mirë i politikës evropiane, i çështjes ballkanike, plotësisht i vetëdijshëm dhe real për institucionalizimin e lirisë së popujve të vegjël, me vizion të përbotshëm e kulturë diplomatike dhe me angazhimin më progresiv.
Ne shqiptarët dëshirëjmë e urojmë që trashëgimia idealiste dhe mesazhet willsoniane të jenë vazhdimisht të gjalla, që të mos mbetemi në pritje të një Willsoni tjetër! Pas Autoritetit të Amerikës, shqiptarëve u mbetet vetëm t'i drejtohen Zotit në Qiell, por Ai, me siguri, do t'u thotë: "Ju kam dhënë boll mënd, i përdorni ato me vend, që të mos më turpëroni dhe mua!" President i dashur, duke i hodhur në letër këto mendime, e qetësova disi ndërgjegjen time. Do të bëhet ç'të bëhet, kur dhe si, e drejta dhe e vërteta e shqiptarëve, me forcën e llogjikës së hekurt dhe argumentet e pakontestueshme, do ta gjejnë një ditë rrugën dhe mënyrën e realizimit të vet. Gjithsesi, duhet shmangur pika kritike e durimit popullor! Lum kush bëhet katalizator, mbrojtës dhe përkrahës në shpëtimin dhe ringjalljen e një kombi, i cili ka proamerikanizëm legjitim dhe ndjenjë mirënjohjeje të spikatur! Dëshirojmë e urojmë me shpirt që në shekullin tonë, të 21, në këtë botë të interesave gërryese e konfrontuese, të shpaloset plotësisht, një ditë, flamuri i botës së të drejtave dhe vlerave njerëzore! Kush do ta gjenerojë këtë, Washingtoni, Pekini, Brukseli, Delhi, Moska, Londra, Berlini a kushdo tjetër me potencë, ai do të bëj më tej dhe historinë!
Tiranë, 17 maj 2007
Krijoni Kontakt