Close
Faqja 3 prej 54 FillimFillim 123451353 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 30 prej 533
  1. #21
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-03-2003
    Postime
    10,240
    Bush ne Tirane per tre arsye!

    Shtepia e Bardhe ka njoftuar zyrtarisht dje ne mbremje, sipas ores shqiptare, viziten e Presidentit Amerikan Xhorxh W.Bush ne Shqiperi. Ne nje tur europian, Presidenti Amerikan ka vendosur te kaloje kufijte e vendit dikur me hermetik ne Bote, njerit prej shteteve ku amerikanet nuk qene te mirepritur, duke u bere keshtu i pari drejtues politik i vendit me te fuqishem te botes qe viziton Shqiperine. Jashte euforise normale te nje vizite si kjo, padyshim e rendesishme politikisht per cdo vend te botes, jashte frazave standard qe shkruhen ne nje rast te tille, nuk ka se si te mos theksohen se paku disa gjera.

    E para, vizita e Presidentit Bush duhet lexuar si nje vizite kortezie e Presidentit Amerikan ne nje vend i cili me shume se sa nje here ka deshmuar ndjenjat e tij proamerikane. Duhet lexuar si vizita ne nje vend ish-komunist ku propaganda antiamerikane e kohes ne asnje rast nuk e zbehu pasionin e popullit per demokracine me te madhe dhe me te vjeter te botes moderne. Qe nga 12 qershori i vitit 1991, kur gjate vizites se Sekretarit Amerikan te Shtetit Bejker Shqiperia demostroi nje pritje madheshtore, ndjenjat proamerikane kane mbetur te patjetersuara. Madje, duke e renditur Shqiperine ne te gjitha sondazhet si vendin me proamerikan te kontinentit.

    E dyta, vizita e Presidentit Amerikan duhet pare si nje falenderim per rolin e Shqiperise ne luften kunder terrorizmit, per angazhimin e saj ne Irak e Afganistan dhe per pozicionin e palekundur qe ajo ka mbajtur ne kete drejtim, pavaresisht ngjyrimit politik te mazhorancave. Madje, ne keto vite, qendrimi ndaj luftes kunder terrorizmit, rezulton konsensusi i vetem i pakontestuar i forcave politike shqiptare. Ajo duhet pare njeherazi, si nje falenderim i perseritur, tashme ne vend, per qendrimin e Shqiperise ndaj luftes se Kosoves dhe gjithcka ndodhi ne vitin 1999.

    Ne kete kendveshtrim, vizita e Presidentit amerikan duhet pare edhe si nje kontribut i plote i gjithe politikes shqiptare dhe ajo padyshim qe duhet ta pershendese e gjitha bashke.

    Se treti, vizita e Presidentit Bush, duhet pare edhe si vizita e drejtuesit te nje vendi, i cili gjate historise sone shpesh tragjike, ka luajtur nje rol jetik. Duke nisur qe nga qendrimi i Presidentit Uillson ne Konferencen e Paqes ne Paris, i cili kundershtoi hapur copetimin dhe zhdukjen e Shqiperise nga harta e Ballkanit, tek Presidenti Bush (Babai) qe deklaroi se vijen e kuqe te mosprekjes se Kosoves ne krishtlindjet e vitit 1992 e deri tek ndihma madhore qe SHBA dha ne krye te nje koalicioni te perbotshem per parandalimin e tragjedise kosovare dhe shndrimin e saj ne nje vend te lire dhe padyshim me te drejte vetvendosje.

    Vizita e Presidentit Bush eshte vizita e munguar ose e pritur, e nje personaliteti boteror, po aq sa vizita e nje modeli politik, qe shqiptaret edhe pse nuk e kane realizuar dot kurre, e kane admiruar dhe enderruar gjithmone. E modelit te nje demokracie te thelle, e ardhmja e vetme e nje populli qe kaq shume ka vuajtur nga mungesa e saj.
    #VamosArgentina

  2. #22
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-03-2003
    Postime
    10,240
    Vizitë e mirëpritur e Presidentit Bush

    Data e Publikimit: 27/04/2007

    Autori i Lajmit:
    Hamdi Jupe
    Vizita zyrtare e Presi
    dentit amerikan
    Xhorxh Bush në fillim të Qershorit në Shqipëri, është një ngjarje e shënuar për popullin shqiptar. Kjo është vizita e parë e një presidenti amerikan gjatë gjithë historisë së vendit tone, që pas shpalljes së pavarësisë. Për këtë arsye, ajo mbart me vete një rendësi të veçantë. Por ajo është e mbushur njëkohësisht me mesazhe shprese dhe optimizmi për të ardhmen për shqiptarët në të gjithë rajonin. Prandaj është një vizitë e mirëpritur.
    Vizita e zotit Bush në vendin tone bëhet në kuadrin e një turi vizitash zyrtare që ai do të kryejë në vende të ndryshme të Europës. Futja në listën e këtyre vendeve edhe e emrit të Shqipërisë, natyrisht që është një privilegj për shqiptarët. Ata e kanë dëshiruar një gjë të tillë edhe më pare dhe tani kjo dëshirë e tyre po bëhet realitet.
    Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një fuqi e madhe botërore, ekonomike, politike, ushtarake etj. Nuk ka ngjarje te rendësishme në botë që të mos ndihet roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Herë me diplomacinë e tyre aktive e here me përdorimin e forces, ato kanë rol përcaktues në vendimmarrjen në shkallë botërore.
    Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe një fuqi e madhe ekonomike në botë. Ato kanë rol vendimtar jo vetëm në tregun global, por edhe në organizatat ekonomike ndërkombëtare, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Ekonomia Botërore nuk mund të kuptohet pa ekonominë amerikane.
    Shqiptarët e kanë patur gjithmonë endërr Amerikën dhe jetën në këtë kontinent të shpresës. Qysh gati një shekull më pare, shqiptarët filluan ta vizitojnë Amerikën në formën e emigracionit ekonomik dhe të vendosjes për të jetuar përgjithmonë atje.
    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur rol vendimtar në ruajten e sovranitetit dhe të tërësisë tokësore të Shqipërisë, pas shpalljes prej saj të pavarësisë në vitin 1912. Kur Shqipëria ishte ende e dobët dhe e paaftë të mbrohej nga lakmitë shoviniste të vendeve fqinje, SHBA i janë ndodhur afër dhe e kanë mbrojtur atë në forumet ndërkombëtare. Ky qëndrim pro Shqipërisë në çaste të vështira, ka qenë guri i themelit i simpatisë dhe i dashurisë së shqiptarëve për SHBA-në.
    Në vitet e komunizmit, politika e mbylljes së vendit ndaj perëndimit dhe prirja paranojake për të shkall armiq të gjithë të huajt nga ana e diktaturës komuniste, bëri që për gati 40 vjet marrëdhëniet midis dy vendeve të ishin të ndërprera. Por u desh shumë pak kohë pas instalimit të pluralizmit politik në vendin tonë, që këto marrëdhënie të merrnin zhvillim të madh dhe të hapnin një epokë të re të zhvillimit të tyre.
    Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndihmuan dhe po e ndihmojnë vendin tone gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, duke nxitur dhe inkurajuar zhvillimin e një shoqërie të hapur demokratike e të tregut të lirë. Një numur i madh shqiptarësh paten mundësi gjatë kësaj kohe të rivendosnin lidhjet me të afërmit e tyre në Amerikë, të mbetur të ndarë për gati gjysmë shekulli. Nga ana tjerër, me dhjetra mijëra janë emigrantët e rinj shqiptarë të vendosur në Amerikë, sipas ligjeve të shtetit amerikan për emigrantët. Shqiptarët e Shqipërisë i janë mirënjohës SHBA-së për ndihmën e dhënë për zhvillimin e vendit, si dhe për pranimin e mijëra emigrantëve të rinj të rregullt atje.
    Shqiptarët asnjëherë nuk kanë patur ndjenja antiamerikane. Edhe atëhere kur marrëdhëniet zyrtare midis dy vendeve nuk egzistonin, Amerika ishte një ëndërr e pashuar për ta. Tek ne nuk njihen raste të disponimit antiamerikan dhe aq më pak, revolta antiametikane, siç ndodh jo rrallë në vendet tona fqinje.
    Aktualisht SHBA janë një "avokat" i rendësishëm ndërkombëtar i integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në BE. Kjo është një tjetër arsye për mirënjohje ndaj tyre nga ana e popullit shqiptar.
    Pas vitit 1999 lidhjet midis Shqipërisë dhe SHBA-së morën një dimension të ri dhe të veçantë. Kjo ndodhi për arsye të rolit të SHBA-së në luftën çlirimtare në Kosovë dhe për vendosjen e demokracisë atje. SHBA ishin autoriteti botëror që udhëhoqi ofensivën e gjerë diplomatike për të bindur Këshillin e Sigurimit, mbi nevojën e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, për të ndaluar masakrat e Milosheviçit atje.
    Lufta tremujore e forcave të NATO-s me në krye SHBA-në, ishte vendimtare për çlirimin e Kosovës nga ushtria sërbe. Po kështu, SHBA prej tetë vjetësh është e pranishme ushtarakisht në Kosovë, në ruajtje e paqes atje. Ajo është shumë aktive aktualisht, në përpjekjet për zgjidhjen e statusit përfundimtar të saj dhe është shprehur qartazi për pavarësinë e Kosovës.
    Në këto rrethana populli shqiptar, qoftë ai që jeton në Republikën e Shqipërisë, qoftë ai që jeton në Kosovë, i janë mirënjohës në mënyrë të shumëfishtë SHBA-së për atë që kanë bërë e po bëjnë në favor të tyre. Jo vetëm kaq, por ata po japin kontributin e tyre për ruajtien e stabilitetit të rajonin tone dhe në rajone të tjera të botës. Paqeruajtësit shqiptarë janë sot kudo ku janë paqeruajtësit amerikanë si në Bosnje, Irak, Avganistan etj. Në këtë mënyrë, ndonëse një vend i vogël dhe duke bërë sakrifica të karakterit financiar, për gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë, djemtë e tij po japin një kontribut të rendësishëm në ruajtjen e paqes në botë. Është edhe kjo një nga arsyet e vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri.
    Vizita e Presidentit amerikan Xhorxh Bush në qershor është edhe një shërbim i shkëlqyer që i bëhet përmirësimit të imazhit të vendit tone në botë. Dihet se ky imazh ka marrë goditje të rënda disa here gjatë krizave të viteve të fundit. Vizita e Bushit më së paku krijon tek të huajt mendimin se vendi ynë është një vend serioz, me stabilitet të mjaftueshëm politik, me rend e qetësi normale, partner i Shteteve të Bashkuara etj. Në këto rrethana, kjo vizitë ka pra vlera të shumta për vendin tonë.
    Politika shqiptare e ka mirëpritur vizitën e zotit Bush në Shqipëri. Ajo e ka përshendetur vizitën dhe e ka vlerësuar atë për rëndësinë e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe Kosovën. Natyrisht, në vendin tone do të ketë edhe politikanë meskinë, që do të përpiqen ta përdorin vizitën e Bushit si një rast për kapital politik personal. Këto janë gjëra të pashmangshme në raste të tilla.
    Por vizita e zotit Bush është e një përmase dhe rendësie të tillë, që do të bëjë të sfumohen të gjitha përpjekjet mjerane për ta akaparuar atë për kapital politik personal, aq më tepër për të bërë më vonë marrëzira politike, të cilat mund të destabilizonin vendin. Kjo është e rendësishme të kuptohet, sepse vendi është në prag të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës ose të zgjedhjeve të parakohshme, të cilat gjithmonë shoqërohen me probleme në Shqipëri.
    #VamosArgentina

  3. #23
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Sekretarja amerikane e Shtetit shpreh mbështetjen e administratës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO


    Rice: Vlerësojmë reformat e qeverisë "Berisha"


    Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, deklaroi dje, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, mbështetjen e administratës amerikane për reformat e ndërmarra nga qeveria "Berisha" në luftën ndaj korrupsionit dhe premtoi përkrahje për anëtarësimin e vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. "Rice vlerësoi thellësisht reformat si dhe arritjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, shprehu mbështetjen e administratës amerikane për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe gjeti rastin të falenderoj përzemërsisht ministrin Basha për mbështetjen e qeverisë shqiptare në koalicionin global antiterror, të udhëhequr nga SHBA", thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme. Ministri Basha bëri një prezantim të detajuar të punës dhe progresit të qeverisë në zbatim të reformave dhe arritjeve, jo vetëm në fushën ushtarake, por dhe ato në planin ekonomik. Nga ana e saj, zonja Rice vlerësoi Shqipërinë për rolin e saj moderator në rajon, në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Gjithashtu, ajo e konsideroi shumë të rëndësishëm rolin e qeverisë shqiptare ndaj faktorit politik në Kosovë, në këtë fazë të rëndësishme dhe përfundimtare të zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe kërkoi angazhimin e mëtejshëm të Shqipërisë në këtë drejtim. Bashkëbiseduesit mbështetën propozimin e Presidentit Ahtisaari për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë ndanë mendimin që zgjidhja e statusit të Kosovës nuk duhet të zgjatet. Ministri Basha dhe Sekretarja Rice e konsideruan vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri si një ngjarje historike dhe mesazh i qartë i mbështetjes së Administratës së SHBA për rolin e Shqipërisë në rajon, inkurajim dhe vlerësim për reformat e ndërmarra, i përpjekjeve në këtë kontekst, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në përfundim të takimit, Sekretarja Rice pranoi me kënaqësi ftesën e ministrit Basha për të vizituar Shqipërinë, pas vizitës së Presidentit Bush, në datën 10 qershor 2007.



    RD

  4. #24
    Vlonjat sa te jete jeta Maska e Igli_Vlonjati
    Anëtarësuar
    24-03-2006
    Vendndodhja
    Vlore/Tirane
    Postime
    439
    Eshte nje nder i madh per ne!!! Por se sa i mirepritur do te jete, kete le ta zbulojme nga perfaqesuesit e shtetit tone.
    Ne Jete Duhet Te Udhehiqemi Nga Arsyeja Dhe Jo Nga Pasioni

  5. #25
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    3 pyetje 3 përgjigje

    1. Cilësohet historike vizita që presidenti amerikan Xhorxh Bush pritet të bëjë në 10 qershor në Tiranë. Si e përcaktoni ju këtë vizitë, përveç faktit që është hera e parë që një President amerikan vjen në Shqipëri?

    2. Cili është sipas jush qëllimi i vërtetë i vizitës së shefit të Shtëpisë së Bardhë në Tiranë? A lidhet thjesht me një takim rutinë në kuadër të Samitit, apo të një politike që SHBA-ja është duke ndjekur në Evropë dhe më konkretisht akoma në Ballkan?

    3. Cilat janë arsyet sipas jush që populli shqiptar ka afeksione të veçanta për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe renditet populli më proamerikan në botë? A lidhen këto me fatet historike të vendit tonë ku SHBA-ja është renditur gjithnjë në favorin tonë, apo thjesht lidhet me afeksionin ndaj një vendi të zhvilluar, të fuqishëm dhe model të lirisë dhe demokracisë?

    .............................

    Alfred Peza
    Drejtor i tv "Ora News"


    1. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë superfuqia e shekullit të 20-të dhe e këtij fillim shekulli të ri. Një fuqi ekonomiko-politike dhe ushtarake që ka qenë përcaktuese në të gjitha sfidat, balancat dhe fatet e botës për më shumë se 100 vjet me radhë, ndaj ardhja për herë të parë e Presidentit të saj në një vend historikisht të varfër, të vogël dhe jo të rëndësishëm nga pikëpamja globale, sigurisht që përbën një ngjarje historike për ne. Kjo është njëra anë. Ana tjetër lidhet me dy aspekte tejet të rëndësishme për shqiptarët në rajon. E para lidhet me përcaktimin e statusit të Kosovës, ku SHBA-ja sigurisht ka një rol të paçmuar dhe të rëndësishëm në përpjekjen për korrigjimin e një padrejtësie 95-vjeçare historike, siç është ndarja dhe copëzimi i trojeve shqiptare. Dhe së dyti, kjo vizitë është e rëndësishme për stadin në të cilin ndodhen proceset integruese të Shqipërisë, sidomos për anëtarësimin tonë në NATO, një hap ky që do të përshpejtonte në mënyrë të pakthyeshme, edhe hyrjen tonë në Bashkimin Evropian. Nga pikëpamja formale, sigurisht që nga një vizitë disaorëshe e Presidentit të SHBA-së në Tiranë, nuk mund të pritet të ndodhë ndonjë mrekulli nga ato që besojmë se mund të ndodhin me ardhjen e Zotit në tokë. Por, është e sigurt që Shqipëria pas vizitës së Presidentit amerikan, nuk do të jetë më, si Shqipëria para se të ndodhte kjo vizitë. E rëndësishme është, që të dimë të përfitojmë maksimalisht nga momente të tilla, për të cilat ndoshta do të duhen shumë e shumë vite të tjera, që të përsëriten me Shqipërinë.

    2. Kam idenë se nëse do të kishim mundësi që ta pyesnim sot Presidentin amerikan, Bush, është gati e sigurt se ai nuk do të dijë të thotë ndonjë gjë specifike për vizitën e tij në Tiranë, përpos fjalëve të përgjithshme që mund të artikulojë çdo politikan i kësaj bote. Madje, unë personalisht, nuk jam i sigurt nëse Presidenti i SHBA-së e di se ku bie Shqipëria në hartë. Por, as kjo nuk do të thotë asgjë. Sepse në fund të fundit, përse i duhet Bushit që ta dijë doemos këtë gjë. Po të pyesësh ata që kanë përvojë në këtë fushë, pra në mënyrën sesi realizohet një vizitë e nivelit të tillë kaq të lartë për një vend si Shqipëria, të japin shpjegime nga më të ndryshme. Por, ajo që kuptohet më së miri, është se ardhja në Tiranë e një Presidenti amerikan lidhet me shfrytëzimin e shansit që krijohet për shkak të ardhjes së tij në këtë pjesë të Evropës, në mënyrë që të realizohen brenda pak orësh, sa më shumë qëllime të politikës dhe diplomacisë amerikane në rajon. Me këtë lidhet edhe ajo pjesë e programit të vizitës në Tiranë që ka të bëjë me takimin e tre kryeministrave të vendeve të Kartës së Adriatikut (Shqipëri, Maqedoni, Kroaci) që pritet të realizohet atë ditë në Tiranë, pasi të tre vendet tona pritet të anëtarësohen njëkohësisht në NATO, ndoshta sëbashku edhe me Ukrainën. Kjo është njëra anë dhe mesazhi tjetër i politikës së jashtme amerikane në rajonin tonë, sigurisht që lidhet me mbështetjen për Shqipërinë dhe me siguri që bëhet pse jo, edhe në kundërpeshë të mesazhit të vizitës së pritshme të Presidentit rus Putin, e konfirmuar për në gjysmën e parë të korrikut në Serbi. Ndërsa përsa i përket çështjeve të tjera, mesazhet e vizitës janë të nënkuptuara, sigurisht.

    3. Pa dashur të hyj në detaje të stërthëna tashmë të ndikimit nëpër historinë e fillimshekullit të XX-të e deri më sot të udhëheqësve dhe institucioneve amerikane në favor të fateve të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan, gjykoj se afeksioni ynë për SHBA-të meriton një analizë të gjatë frojdiste. Por, shkurt mund të them se një nga arsyet, mund të lidhet me faktin se shqiptarët si komb, padrejtësitë e tyre historike i kanë shpjeguar (ç'ka në masën më të madhe është edhe e vërtetë) me sjelljet, veprimet dhe vendimet e fqinjëve dhe Evropës, në kurriz të tyre. Madje, duke i quajtur ata, edhe si shkaktarët e fatkeqësive të tyre si pushtimet, copëzimi i trojeve, varfëria, mungesa permanente e mbështetjes, etj. Aq thellë është ngulitur kjo në psikozën tonë popullore, saqë në folklorin shqiptar mund të gjenden krijime edhe si ato që e cilësojnë Evropën kurvë dhe epitete të tjera të këtij lloji. Kështu që është normale për një popull të varfër, të pambrojtur dhe pa përkrahje, që të hedhë sytë diku gjetkë për të kërkuar engjëllin e tij mbrojtës. Kështu që ky engjëll, me kalimin e viteve, s'ka qenë e vështirë që të gjendej megjithëse shumë larg gjeografikisht, në dhe tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga ana tjetër, vetë SHBA-ja ka qenë një simbol i realizimit të ëndrrës së të gjithë qytetarëve të botës për t'u pasuruar dhe për të qenë njerëz të lirë, ku suksesi nuk varej nga vendi i origjinës apo gjuha që fliste emigranti, por nga aftësia e tij për t'u ngjitur në piramidën e sistemit amerikan. Me këtë shpjegohet se përse në SHBA dhe në asnjë vend tjetër të botës edhe shqiptarët nxorën milionerët e parë, apo aktorët dhe regjisorët e famshëm të Hollivudit e deri tek nobelistët, siç është rasti i Ferid Muratit, shqiptarit që shpiku viagrën, kokrrën çudibërëse për seksualitetin. Në kaq rreshta, besoj se kaq mjafton për të shpjeguar afeksionin e veçantë të shqiptarëve për SHBA-në, e cila na bën të denjë për thënien: Duajeni atdheun, si Shqipëria Amerikën. Apo, që na ka bërë gati të gjithëve të besojmë deri vonë, se një protektorat politik i SHBA-së, do të ishte shpëtimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkan.

    .............................

    SkEnder Minxhozi
    Drejtor i revistEs "Mapo"


    1. Kjo vizitë e meriton vërtet cilësorin "historike", pasi është e para e një kreu shteti të SHBA-së në vendin tonë. I tillë duket edhe konteksti në të cilin zhvillohet vizita e Presidentit amerikan, kur Kosova po përgatitet të marrë në dorë fatin e saj si vend praktikisht i pavarur. Në këtë kuadër, një ardhje e shefit të Shtëpisë së Bardhë në Tiranë përbën një finalizim të një bashkëpunimi të ngushtë mes Tiranës dhe Uashingtonit në vite, i cili kulmoi gjatë krizës së vitit 1999, në Kosovë.

    2. Besoj se një President amerikan ka arsye të vijë në Shqipëri. Faktori shqiptar në Ballkan është në thuajse totalitetin e tij, proamerikan. Ndoshta është elementi etnik më proamerikan në Evropë në momentin aktual. Së dyti, rreth Ballkanit po fillon të luhet një lojë e madhe gjeostrategjike. Rajoni ynë është një pikë takimi mes Lindjes dhe Perëndimit dhe si i tillë ai ka tërhequr tashmë vëmendjen e aktorëve globalë. Loja energjitike që po luhet mes Moskës dhe Uashingtonit është vetëm njëri ndër aspektet e një rivaliteti të ri botëror që po lind rreth Ballkanit, si pikë kyçe në ekuilibrat globalë.

    3. Arsyet janë historike, politike dhe më pak ekonomike. Dihet roli i Presidencës Uillson në fillim të shekullit të shkuar për afirmimin e kërkesave të shqiptarëve si komb. Dihet shumë më mirë ndërkaq, roli i pazëvendësueshëm i SHBA-së për zgjidhjen e krizës kosovare. Një borxh që nuk dihet nëse do t'ua shlyejmë ndonjëherë Shteteve të Bashkuara dhe ish-presidentit Klinton, të cilët bënë të mundur atë që sot Kosova po përgatitet të festojë - pavarësinë e saj nga Serbia. Besoj se këto janë motive që justifikojnë në një masë të konsiderueshme qëndrimin tonë proamerikan, për të mos harruar faktin se miqësinë me SHBA-në shqiptarët e kanë parë kurdoherë si një pikë mbështetjeje për të kompensuar sadopak armiqësitë historike që ata kanë pasur me fqinjët në veri dhe në jug.

    .............................

    Ilva Tare
    Analiste

    1. Ardhja për herë të parë e një Presidenti amerikan është padyshim një ditë për t'u shënuar në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme të një vendi të vogël sikundër është Shqipëria. Domethëniet e vizitës së atij që konsiderohet si njeriu më i pushtetshëm i planetit mund të lexohen në disa mënyra. Madje është i pashmangshëm edhe abuzimi me arsyet e një ndalese të Shefit të Shtëpisë së Bardhë në Tiranë. Abuzim ky, që si gjithmonë mban firmën e politikanëve të cilët nuk ngurrojnë t'i japin vetes medalje ari për motivet e ardhjes së Bushit në Shqipëri. Megjithatë, pavarësisht se PD-ja e sotme apo sikur të kishte ndodhur edhe në PS-në e djeshme në pushtet, rrahjet e gjokseve partiake janë një fluskë sapuni përpara rëndësisë që ka vendosja e Shqipërisë në axhendën e Presidentit amerikan. Nga pikëpamja e marrëdhënieve publike, vendi ynë fiton automatikisht pikë në bursë duke dhënë qartë garanci për sigurinë e tij, por edhe për mbështetjen që merr nga Uashingtoni. Kursi proamerikan i shqiptarëve ka dhënë prova të qarta në këto vite tranzicion se populli shqiptar nuk njeh kufij në mbështetjen ndaj Amerikës dhe politikave të saj.

    2. Xhorxh Bushi vjen në Tiranë për arsye që vetëm administrata amerikane i di saktësisht. Porse ajo që mund të kuptohet nga kjo vizitë është dëshira për t'i thënë shqiptarëve: Faleminderit. Faleminderit për dërgimin e trupave në Afganistan, e më pas në Irak. Për të qenë të sinqertë nuk është se amerikanët nuk kishin aftësi t'i bënin këto luftëra pa trupat paqeruajtësë shqiptare. Por mesazhi, simbolika e pjesëmarrjes së Shqipërisë në koalicionin antiterror çmohet nga pala amerikane, e cila ka bërë gjithmonë deklarata të ngrohta në lidhje me anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se presidenti Bush sapo është gjendur përpara një vote të Senatit që i kërkon kthimin mbrapsht të trupave amerikane nga Iraku. Udhëheqësi amerikan pritet t'i kundërvihet këtij vendimi dhe pamjet nga Tirana, si një vend pjesëmarrës i axhendës së tij ushtarake, do t'i jepte Bush-it përpara qytetarëve amerikanë të drejtën për të ilustruar vendimin e mos tërheqjes së trupave.
    Pa asnjë dyshim, me vizitën e Bushit në kryeqendrën e shqiptarëve mund të lexohet si një mbështetje për çështjet e shqiptarëve dhe këtu më kryesorja është Kosova me pavarësinë e saj.
    Gjithmonë Shqipëria ka marrë nota vlerësuese për rolin që ka luajtur në rajon dhe zbritja e Bushit në Rinas është mirënjohja më konkrete që merr vendi ynë. Për të gjithë ata që i kundërvihen tezës së mbështetjes së shqiptareve nga ardhja e Presidentit amerikan në Tiranë, mjafton t'ju bëjmë me dije se po të ishte ndryshe Bushi mund të kishte zgjedhur të ndalonte në Beograd. Por, zgjodhi kryeqytetin e Shqipërisë dhe shqiptarët për të shtrënguar duart dhe për të përcjellë mesazhet e miqësisë që lidhin SHBA-në me vendin e vogël të shqiponjave. Personalisht mendoj se më shumë rëndësi se ç'do thotë Bush në Tiranë, kanë fotot dhe pamjet që do të bëjnë xhiron e botës. Ka pak vlerë të hetojmë në labirinthe konspirative pse presidenti Bush do të ndalet në Tiranë, me rëndësi është që ai vjen në tokën shqiptare.

    3. Shqiptarët, veçanërisht pas daljes nga tuneli i errët i komunizmit të Hoxhës, e kanë parë gjithmonë Amerikën me sytë e ëndrrës së lirisë. SHBA-ja është konsideruar nga shqiptarët si toka e premtuar, ku liria dhe individi kanë një marrëdhënie të shkëlqyer. Ndërsa proamerikanizmin masiv mund ta vlerësoja si një dëshirë të shqiptarëve për të pasur mbështetjen morale, por sidomos financiare të shtetit gjigand. Vend të posaçëm në pjesën e arsyeshme të admirimit, zë sidomos roli i SHBA-së në çlirimin e Kosovës, një veprim për të cilin shqiptarët provojnë mirënjohje të thellë.

    .............................

    Edlira Gjoni
    Analiste


    1. Në debatin e këndshëm të një grupi të rinjsh studentë që jetojnë jashtë Shqipërisë, në vazhdën e humorit të qëndrueshëm dhe konstruktiv, njëri syresh thotë: "E përse të mos vijë Bush në Shqipëri? Ai karizmatik është, simpatik për moshën që ka po, i qeshur është, i shoqërueshëm po se po. E pse të mos vijë atëherë? Ç'punë prish po erdhi?" Pavarësisht toneve të këtij qëndrimi, pjesa publike e kësaj vizite do të përmblidhet pikërisht këtu. Arsyeja e vërtetë do të ngelet në ambientin e takimit, kurse arsyeja zyrtare do të jetë e mërzitshme dhe jo interesante për ta besuar.
    Bush vjen në Shqipëri si presidenti i SHBA-së dhe është hera e parë që Shtëpia e Bardhë i ofron kaq shumë publicitet Shqipërisë. Në një farë mënyre, kjo është e mjaftueshme për t'i shprehur mirënjohjen këtij rasti, pa u thelluar në interesat e presupozuara që paska Amerika në qoshkun e vogël me emrin Shqipëri.

    2. Cilido të jetë qëllimi apo qëllimet, e rëndësishme është që vizita e Bushit, edhe nëse nuk ndreq gjë për Shqipërinë apo Kosovën, të paktën as të mos prishë. Rutina do të ishte luks i madh dhe e pakapshme në radarin amerikan për t'i kushtuar vëmendje aq të madhe sa t'i kushtonin rëndësi edhe harxhimit të disa orëve të tjera në një vend që ndoshta as emrin nuk i dinë mirë. Sa për ta emërtuar vizitën në Shqipëri si mishërim të politikës që ndjek SHBA-ja në Evropë, do të ishte optimizëm i çartur. Kurse lidhja e saj me qëndrimin amerikan në Ballkan, mund të bëhej më e besueshme po të kihen parasysh tendencat ruse dhe amerikane në Këshillin e Sigurisë për Kosovën. Prekja e terrenit shqiptar nga Bushi, e atribuon atë si qëndrimin e vetëm që ka Amerika ndaj planit të Ahtisarit. Po pse në Shqipëri dhe jo në Kosovë? Po ja, se në Shqipëri do vijë edhe të përshëndesë reformat demokratike të qeverisë Berisha dhe do flasin për pasionin e përbashkët: Lirinë. Bush për kuptimin tërësor të saj, kurse Berisha për dashurinë e tij me lirinë ndaj medias. Ah, po, përveç kësaj, Bush viziton vetëm shtete të afirmuara ku mund ta presin homologë prej vërteti. Kosova nuk është akoma në këtë pikë. Mbase vjen rasti të kalojë edhe ajo në shëtitjen e çuditshme të Bushit, së bashku me idetë e supozuara të interesave amerikane në Shqipëri.

    3. Vërtet e vështirë të gjenden raste referimi kur shqiptarët si popull të kenë treguar afeksion për modele lirie dhe demokracie. Si shtet mbase po, por si popull, modelet nuk kanë lënë shumë gjurmë në ëndrrat e shastisura shqiptare. Në këto mendësi, Amerika ka marrë statusin e ëndrrës që kapet me dorë. Që nga fillimi i shekullit të kaluar, imazhi i lirisë që aplikohej atje është përcjellë i vërtetë po aq sa edhe i hiperbolizuar, për shkak të dëshirës së madhe për ta pasur edhe vetë atë. Por, nuk mund të barazohet me lehtësi adhurimi shqiptar për Amerikën me mbështetjen që mund të ketë dhënë ajo gjatë historisë së shkurtër "në favor" të shqiptarëve. Përzemërsia ndaj Amerikës mund të përkthehet edhe "dëshirë për të arritur shpejt të panjohurën e përfolur, të ëndërruar dhe të shumëdëshiruar...deri sa preket dhe kuptohet se përkitja duhet merituar". Përderisa rruga shqiptare deri atje është e gjatë, s'na ngelet veç të adhurojmë ata që i janë afruar asaj më shumë.
    gjedlira@yahoo.co.uk

    .............................

    Mimoza Dervishi
    Analiste


    1. Është një vizitë historike dhe më tepër se kaq, më në fund po futemi në listën e njerëzve dhe kombeve të përfillshëm. Presidentët amerikanë i kanë ardhur rrotull Shqipërisë, por asnjëherë më parë nuk kanë zbritur në Rinas. Mendoj madje që është vizitë e vonuar. Që në momentin që Shqipëria është rreshtuar nga të parat fare si aleate e SHBA-së në luftën kundër terrorizmit, dhe kjo jo thjesht për arsye alfabetike, mendoj se Presidenti amerikan duhet të kishte bërë një falënderim fizik përmes një vizite të tillë personale. Tani mesa duket erdhi ky moment që sigurisht lidhet dhe me të tjera momente rrotull nesh. Është një vizitë e vlefshme dhe e një rëndësie të veçantë, qoftë dhe për faktin se ndodh për herë të parë.

    2. Nuk mendoj se është thjesht rutina e një Samiti, rutina të tilla ka pasur plot në këto 6 vjet të presidentit Bush por dhe më parë të presidentit Klinton apo dhe ish-zonjës së parë Hillary. Kanë qenë fare pranë Tiranës, po kurrë nuk u shtynë deri në Rinas. Është një vizitë përtej rutinës, të paktën kështu duhet ta shohim ne shqiptarët. Mendoj, siç thashë më lart, që SHBA-ja na e ka "borxh" një falënderim të nivelit të lartë për të qenurit aleatë të devotshëm në luftën kundër terrorizmit, kur mjaft shtete të Evropës kanë qenë kundra ose janë tërhequr rrugës.
    Sigurisht që kjo vizitë lidhet fuqimisht me Kosovën dhe politikën mbështetëse që amerikanët kanë për pavarësinë e saj. Më në fund po na shohin si një faktor i rëndësishëm në mbarëvajtjen e çështjes së Kosovës, gjë që me thënë të drejtën nuk ka ndodhur më parë dhe na kanë trajtuar si periferikë e pa ndonjë fuqi apo ndikim të madh në të ardhmen e gjysmës sonë martire.
    Duhet të kuptojmë gjithashtu se asnjëherë një vizitë e nivelit të tillë, nuk ka vetëm një qëllim të caktuar, por një kompleks qëllimesh, që lidhen sigurisht me politikën e jashtme amerikane, me interesat dhe të ardhmen tonë dhe që kurrsesi nuk mund ta përcaktosh saktë që bëhet vetëm për këtë apo atë qëllim. Për çfarëdo arsyesh të bëhet, është një vlerësim dhe një vëmendje që ne kemi kohë që lutemi të na vijë. Mendoj që 10 qershori është një ditë e mbarë për Shqipërinë dhe mezi po pres të shikoj CNN-in kur avioni presidencial i Shteteve të Bashkuara të mbërrijë në aeroportin "Nënë Tereza". Mendoj që bashkëkombësit e mi do dinë si ta presin Xhorxh Bushin dhe pavarësisht se ka dhe zëra që thonë se ky është Presidenti që kreditet po i bien brenda territorit të SHBA-së, neve s'ka ç'na duhet kjo. Ai është Presidenti i zgjedhur nga shumica e amerikanëve, të cilët lirinë e fjalës dhe të shprehjes e kanë të shenjtë, prandaj dhe ne dimë kaq shumë për kreditet e tij. Për më tepër është koha nesër që do ta gjykojë sa mirë apo keq ka vepruar. Po ju kujtoj një fakt domethënës, tani që është hapur gara për Presidentin e ri në Amerikë, të gjithë kandidatët, majtas e djathtas kanë një afeksion të veçantë për ish-presidentin Harry Truman, i cili kur la presidencën ishte tepër i kritikueshëm dhe jo shumë u pikëlluan kur la Shtëpinë e Bardhë. Por sot amerikanët dhe sidomos kandidatët e ardhshëm nga të cilët do dalë Presidenti, e kanë atë idhull.
    Shkurt, nuk gjej asnjë arsye për t'ia zbehur vlerat këtij takimi dhe për mos parë shqiptarët të gjithë në shesh për të përshëndetur aleatin më të fuqishëm që kanë ata sot, e që ndodhi të jetë një nga njerëzit më të fuqishëm në botë.

    3. Arsyet e afeksionit shqiptaro-amerikan, janë shumë, janë faktorë historikë, por dhe afeksion për një vend demokratik të zhvilluar që është shembull në botë. Por më e rëndësishmja, ne shqiptarët e kemi ende të freskët 1998-ën, kur të gozhduar para ekraneve tek lotonim duke parë krimet makabre të Millosheviçit ndaj kosovarëve, patëm një moment çlirimi, kur NATO vendosi të ndërhynte në Serbi. Për sot dhe përgjithmonë, ne do t'i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara, që po shërojnë një nga plagët më të mëdha dhe zgjidhën një dilemë po kaq të madhe, jo vetëm të ne shqiptarëve, por të Ballkanit në tërësi. Po të vazhdojmë më tej, ditët dhe muajt e fundit kemi parë një përkujdesje dhe impenjim total të Amerikës për pavarësinë e Kosovës dhe kjo sigurisht na afron edhe më, shpirtërisht dhe moralisht. Këto mendoj se janë arsyet e mëdha. Arsye të tjera pastaj ka plot, që lidhen qysh me emigracionin e parë të shqiptarëve rreth 1900-ës e që vazhdon akoma. Sot janë afro 1 milion emigrantë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe megjithëse kjo shifër mund të duket pak, krahasuar me kombet e tjera, por për një komb si yni me pak miliona, është një shifër e madhe. Që siguron një lidhje akoma më të ngushtë fizike, shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve me Amerikën.

    .............................

    Arben Muka
    Korrespondent i radios "Deutsche Welle"


    1. Është vërtet një vizitë që do të mbahet mend gjatë. Njeriu më i fuqishëm i planetit do të kalojë disa orë në tokën shqiptare. Shqipëria ka një popull me frymë proamerikane dhe të dielën e dytë të qershorit nuk besoj se do të ketë njeri nga cdo cep i vendit që të mos jetë kurreshtar për mbërritjen dhe fjalët që do të thotë Bush në Tiranë. Bashkë me presidentin priten të jenë dhe shumë zyrtarë dhe ekipe mediatike nga e gjithë bota, e kjo sërish është mirë një për një vend në tranzicion, për një vend që ka nevojë për mbështetje, për një vend ku ende pas 16 vjetësh tranzicion të stërgjatur fjala e të huajve është si e arbitrit për t'i dhënë drejtim punëve të brendshme.

    2. Shikoni, megjithëse Shqipëria është një vend problematik, sërish për çdo drejtues të shtetit amerikan ka vend për t'i bërë asaj falenderime për njërin prej angazhimeve më të guximshme dhe të sinqerta që ajo ka bërë dhe po bën në luftën kundër terrorizmit me pjesëmarrjen e saj me një njësi modeste në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe në Irak. Ju e keni parasysh se çdo të thotë për një politikan, republikan a demokrat, lufta kundër terrorizmit që pas 11 Shtatorit. Për këtë mendoj se Bushi ka një rast shumë të mirë t'u thotë dis fjalë në shtëpinë e tyre shqiptarëve që i janë bashkuar forcave aleate në dy vendet nga më problematike në rruzull. Këtë e shikoj si mision kryesor të presidentit Bush në 10 qershor në Tiranë. Por si kreu i shtetit më të fuqishëm të botës, Bushi do të artikulojë dhe ekstraktet që i kanë shkruar këshilltarët e tij të rajonit Ballkanik, për nxitje në reformat gjithëplanëshe, për nxitjen e procesit të anëtarësimit në NATO, për luftën ndaj krimit të organizuar, për liberalizimin ekonomik etj., etj., fjalë të cilat politikanët kryesorë të këtij vendi janë të detyruar t'i mbajnë mend mirë.

    3. Proamerikanizimi i shqiptarëve është fakt. Kronistët që do të përcjellin vizitën e Bushit në Shqipëri nuk do të kenë rast të shikojnë në terren grupime njerëzish të nevrikosur dhe agresivë ndaj kësaj vizite, ashtu siç mund t'i shikojnë lirisht dhe në vende të zhvilluara dhe me demokraci disa herë më të konsoliduar se kjo e jona. Edhe deklarata e ndonjë komunisti refraktar që ka folur këto ditë mbi këtë ngjarje, ka zënë vend për bukuri në programet humoristike në televizionet shqiptare. Por nga ana tjetër realisht nuk e kam kuptuar një sjellje të fundit të Komisionit të Politikës së Jashtme në parlament, ku është hartuar dhe miratuar një rezolutë për vizitën e Bushit në Tiranë!!! Kjo më duket një ekzagjerim alla shqiptar, një mënyrë rurale e të bërit politikë, përdorim i metodave servilosëse ndaj ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Në një vend ku mbisundon proamerikanizmi këto energji performance të deputetëve janë të panevojshme dhe nuk tingëllojnë mirë.

    .............................

    Bledar Zaganjori
    Kryeredaktor i gazetEs "Shqip"


    1. Nuk ka se si të përcaktohet ndryshe, përveçse si historike. Është e vërtetë që kjo është vizita e parë e një Presidenti amerikan në Shqipëri dhe do të thotë shumë që Presidenti i superfuqisë së vetme të mbetur, të vizitojë një shtet me 3 milionë banorë, pa ndonjë peshë politike të madhe në botë dhe ku nuk sheh ndonjë interes po kaq të madh ekonomik për Shtetet e Bashkuara.

    2. Në deklaratën zyrtare të Shteteve të Bashkuara vizita cilësohet e tillë për të gjithë shqiptarët, pra në një farë mënyre, sfumohen komentet se Bushi vjen në Shqipëri i mahnitur nga ecuria e reformave dhe progresi në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe gjithë të këqijave të tjera. Administrata amerikane e presidentit Bush vlerëson në këtë mënyrë përpjekjet e përbashkëta në fushën e sigurisë, që nuk kanë lindur me këtë qeveri dhe nuk do të ndërpriten pas saj, siç është rasti i kontributit të vendit tonë në misionet paqeruajtëse në Bosnje, Afganistan dhe në misionin më të fundit në Irak. Në këtë kuadër ardhja e Bushit është një sinjal i fortë i mbështetjes amerikane për anëtarësimin e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në NATO, ose siç njihen ndryshe vendet e Kartës së Adriatikut. Dhe së fundi, arsyeja që nuk shkruhet askund është Kosova. Bushi mund të kishte vizituar Zagrebin ose Shkupin, nëse do të kishim të bënin thjesht me mbështetjen për anëtarësimin e këtyre tre vendeve në NATO. Fakti që zgjodhi Tiranën është njëkohësisht edhe një sinjal i fortë për të ardhmen e Kosovës, statusin e saj sipas këndvështrimit amerikan.
    Të mos harrojmë edhe një detaj që i jep ngjyrë kësaj vizite të Presidentit amerikan në Shqipëri, fakti që ai po viziton një shtet me ku shumica e popullsisë është myslimane, në qendër të Evropës. Një detaj që do t'i japë ngjyrë kronikave dhe raportimeve të gazetarëve atë ditë.

    3. Shqipëria është një vend i vogël. Një vend i vogël që gjithmonë është dashur të mbështetet diku për të mbijetuar, si ekonomikisht edhe për të fituar atë çka dikur fuqitë e mëdha i kishin hequr nga territori i saj. E tillë ka qenë historia e shtetit shqiptar që me Italinë gjatë kohës së Zogut, me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën gjatë regjimit të Enver Hoxhës dhe së fundmi me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me ndryshimin e vetëm se Shtetet e Bashkuara kanë treguar qëndrime më të prera në dobi të shqiptarëve se sa Evropa e ndarë, në çastet më të rëndësishme të historisë tonë të këtyre 17 viteve. Kështu ndodhi më 1990-ën, më 1997-ën, dhe së fundi me Kosovën më 1999-ën.

    .............................

    Ermal Hasimja
    Universiteti Europian i TiranEs


    1. Kjo vizitë ka rëndësi për shqiptarët dhe për rajonin. Për shqiptarët në Shqipëri sepse konfirmon qëndrimin mbështetës të SHBA-së dhe për rajonin sepse konfirmon praninë dhe angazhimin e SHBA-së në prag të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Natyrisht janë mesazhe të deduktuara.
    Gjithsesi është një vizitë shumë e rëndësishme. Duhet shpresuar që shqiptarët të kuptojnë mesazhin e saj të sinqertë dhe jo të bien pre e përpjekjeve për të shitur politikisht fotot që do të dalin prej saj.

    2. Kjo vizitë mund të shihet më tepër si një shenjë mirënjohjeje për angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Natyrisht, bota do të kishte të njëjtin nivel sigurie edhe pa komandot shqiptarë, por këtu ajo që ka më tepër rëndësi është mbështetja si simbol. Shqipëria numërohet mes vendeve që mbështesin SHBA-të në Afganistan dhe sidomos në Irak dhe kjo është plotësisht e respektueshme dhe besoj se ka motivuar edhe vizitën e Presidentit të parë amerikan që vjen në Shqipëri. Në një pikëvështrim më të gjerë, vizita mund të synojë mirëmbajtjen e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve, si dhe paraqitjen e dëshmisë së një roli aktiv të SHBA-së në rajon, duke patur parasysh zhvillimet në Kosovë dhe rolin eventual që Shqipëria dhe SHBA-ja mund të luajnë në lidhje me këtë.

    3. Në përgjithësi fuqitë evropiane kanë qenë më të ndjeshme ndaj konjukturave dhe raporteve të forcës në kontinentin e vjetër sesa SHBA-ja. Simbol i këtij qëndrimi janë 14 pikat e famshme të presidentit Uillson që shprehnin pak a shumë krijimin e një distance parimore me kontekstet evropiane. SHBA-ja nuk ka patur interesa të drejtpërdrejtë në Ballkan, ose të paktën nuk kanë patur interesa aq të rëndësishme sa në shumë vende të tjera të botës. Ky fakt mund të ketë qenë në favor të Shqipërisë si një vend i pafuqishëm që ka vuajtur pasojat e marrëdhënieve mes fuqive evropiane, meqenëse pikërisht SHBA-ja e ka futur Shqipërinë në kategorinë e vendeve për të cilat, në mungesë të interesave të qartë, ka qenë e mundshme të zbatohen parimet e lirisë apo demokracisë. Besoj se kjo është ndjerë dhe reflektuar edhe tek qëndrimi që kanë shqiptarët ndaj SHBA-së. Në rastin e Kosovës, ky qëndrim është akoma më i dukshëm. Kosovarët përgjithësisht ia atribojnë çlirimin e tyre SHBA-së dhe jo Evropës. Nuk besoj se afeksioni ynë lidhet me nivelin e demokracisë në Amerikë. Nëse do të ishte kështu, do të donim po aq shumë edhe Zvicrën apo Suedinë. SHBA-ja është objekt i adhurimit shqiptar pikërisht sepse Shqipëria ka gjetur tek ajo një mbështetje parimore dhe në disa raste, p.sh. në çastin e shembjes së komunizmit, edhe mbështetje konkrete.

    .............................

    Arben Vata
    Kryeredaktor i "Top-Channel"


    1. Ështe një vizitë e nivelit më të lartë botëror që në kushte normale dhe nisur nga interesat e marrëdhënieve dypalëshe SHBA-Shqipëri ndodh si i thonë "njëherë në 100 vjet". Eshtë padyshim një vlerësim i madh për Shqipërinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen herë modeste dhe herë të rëndësishme që i kanë dhënë qysh në fillimet e demokracisë administratrës amerikane, luftës së Kosovës dhe koalicionit antiterror në Afganistan dhe Irak. Fakti që kjo vizitë bëhet në kohën e qeverisjes aktuale do të thotë se ajo është planifikuar jo më herët se 2 vjet më parë. Fakti që takimi realizohet në Shqipëri e jo në një vend tjetër të rajonit, padyshim që është një mbështetje si për qeverinë ashtu edhe për shqiptarët në përgjithësi. Sidomos ato të Kosovës që presin të fitojnë më në fund pavarësinë.

    2. Arsyet e vërteta të administratës amerikane në përgjithësi nuk thuhen kurrë dhe mësohen me vonesë, pasi të shihen pasojat. Ballkani mbetet gjithnjë një rajon i trazuar dhe nuk mund të qetësohet plotësisht deri në një integrim në bllok të këtyre vendeve në Bashkimin Europian. Një nga arsyet kryesore të vizitës së presidentit Bush në Shqipëri besoj se është çështja e Kosovës, mbështetja për këtë vend dhe shtimi i interesit politiko-ekonomik amerikan në të gjitha vendet e Ballkanit.

    3. Fatkeqësisht, ne jemi popull që kemi simpati të menjëhershme për çdo të huaj. Aq më tepër për amerikanët, të cilën e kemi shprehur në mënyra të ndryshme gjatë 17 viteve të fundit. Kjo vjen nga një lloj inferioriteti i theksuar, por edhe nga mbështetja që shpeshherë sidomos vitet e fundit politika amerikane ka shprehur për kombin shqiptar. Sa për model lirie dhe demokracie, ka edhe shumë shembuj të tjerë në Europë, por "dashuria" shqiptare për amerikanët i kalon caqet normale të afeksioni ndaj një vendi model.

    .............................

    Henri Çili
    Pedagog, Universiteti Europian i TiranEs


    1. "Historike" është pak të thuash për vizitën e një presidenti amerikan në Shqipëri. Ajo që sot duket një kronikë diplomatike, në të vërtetë është një kusht i domosdoshëm që zhvillimet shqiptare janë në këtë drejtim dhe jo në një drejtim tjetër. Fati i Shqipërisë që nga krijimi i shtetit dhe i identitetit shqiptar ka qenë patjetërsueshmërisht i lidhur me zhvillimet e mëdha gjeopolitike. Rreth fatit tonë, shumëçka është vendosur prej nesh vetë dhe këtu brenda. Ne kemi pasur fatalitete në historinë tonë kombëtare duke u vendosur apo duke qenë të detyruar t'i nënshtrohemi një paradigmë apo një tjetre në gjeopolitikë, si për shembull, pushtimi otoman apo mbetja këtej "perdes së hekurt" pas Luftës së Dytë Botërore më 1945-ën.
    Është gjithaq një fat i madh që Shqipëria u rikthye në gjirin e komunitetit euroatlantik pas Luftës së Ftohtë. Paqja, demokracia, prosperiteti dhe liritë e të drejtat e njeriut në Shqipëri në të ardhmen varen nga përkatësia jonë, në zhvillimet euroatlantike. Ja pse vizita e presidentit Bush është ngjarja diplomatike në historinë e Shqipërisë. Pa harruar gjithaq se fati i pjesës tjetër të kombit shqiptar, Kosovës, është po aq i varur nga kjo aleancë e jona me Perëndimin, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye.

    2. Të kërkojmë një "qëllim të vërtetë" në vizitën e presidentit Bush në Shqipëri, më duket malinje. Presidenti Bush vjen dhe Shqipëri dhe kjo është e rëndësishme. Detajet e vizitës së tij janë thjesht inkuadrimi në një tur evropian dhe në Ballkan. Presidenti amerikan zakonisht kur del jashtë SHBA-së lëviz në formën e tureve diplomatike në disa vende dhe për disa ngjarje. Thelbi i rëndësisë së vizitës së tij nuk ndryshon aspak.

    3. Amerika në fillim të shekullit të XX-të, u bë për kombet e vegjël me parimin e vetëvendosjes, një mike e madhe e të gjithë kombeve të vogla që kërkonin liri dhe pavarësi, që kërkonin të zhvillonin një identitet të ri kombëtar, post kolonial apo post pushtimit. Me parimin e vetëvendosjes, doktrina e presidentit Uillson në vitet 20-të, shqiptarët siguruan shtetin e tyre kombëtar.
    SHBA-ja po ashtu, qe fuqia kryesore e Aleatëve që i dha fund Luftës së Dytë Botërore dhe mposhtjes së nazizmit, për lirinë e Evropës dhe paqen e saj.
    Po ashtu gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA-ja ishte shtylla kryesore për mbijetesën dhe fitoren e botës demokratike ndaj komunizmit. Si të gjithë vendet nën komunizëm edhe shqiptarët gjetën tek SHBA-ja shpresën për rikthimin e lirisë dhe demokracisë në vendin e tyre. SHBA-ja ishte faktori kryesor në shkatërrimin e komunizmit, fenomen nga i cili shqiptarët dolën të fituar, duke lënë pas të shkuarën totalitariste. Po ashtu SHBA-ja është vendi që udhëhoqi luftën e Perëndimit në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e saj.
    Nga ana tjetër SHBA-ja është sot garanti i qytetërimit perëndimor, të cilit i përkasim dhe ne, ndaj rreziqeve të reja që i kanosen atij, ndaj terrorizmit, fondamentalizmit islamik dhe të gjitha vullneteve totalitare e regresive që vërtiten nëpër glob.
    Nga një kujtesë e shkurtër historike del se shqiptarët në fatin e tyre në shekullin e XX-të kanë qenë të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me atë që ka bërë Amerika për ta, për të tjerët dhe për veten. Ne jemi me Amerikën me ndjenjë sepse kemi shumë arsye të jemi të tillë me Amerikën.

    .............................

    Edmond Haxhinasto
    sekretar nderkombetar i LSI-se


    1. Jam dakord me këtë cilësimin, se vizita është historike. Unë mendoj se kjo vizitë është edhe e pritshme, për një numër arsyesh. Marrëdhëniet Shqipëri-USA kanë njohur një zgjerim e konsolidim të vazhdueshëm, që nga rivendosja e tyre në 1991-shin. Shqipëria e ka trajtuar SHBA-në në politikën e jashtme si aleatin e saj strategjik dhe mund t'i përcaktojmë marrëdhëniet tona si solide dhe të qëndrueshme, të cilat kanë njohur rritje e zgjerim të vazhdueshëm pas 11 shtatorit, kur Shqipëria u rreshtua në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit dhe rreziqeve të tjera globale, duke dhënë një kontribut më të madh sa ai që mund të jepte proporcionalisht me mundësitë dhe fuqinë e saj. Kështu që kjo vizitë është një vlerësim për këtë rol të Shqipërisë për paqen dhe sigurinë në botë, në Afganistan, Irak, Bosnjë, etj.
    Është e rëndësishme të thuhet gjithashtu, se një vizitë e tillë është një mundësi e jashtëzakonshme për të nxjerrë në prominencë dhe për përmirësuar imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

    2. Mendoj se nuk ka asgjë të fshehtë në qëllimin e kësaj vizite përderisa ajo është e pritshme, për vetë nivelin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Mund të them se ajo duhej të kishte ndodhur edhe më parë, që në Presidencën "Klinton". Sigurisht janë edhe dy faktorë konkretë që mendoj se ndikojnë në realizimin e kësaj vizite pikërisht në këtë kohë. Së pari, do të veçoja agjendën e zgjerimit të NATO-s, në mënyrë të veçantë me tre vendet e Ballkanit, Shqipëri, Maqedoni e Kroaci, me të cilët SHBA ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi para 4 vitesh, agjendë për të cilën SHBA është kujdestare dhe shumë e vëmendshme.
    Një arsye madhore do të përcaktoja e fazën në të cilën ndodhet përcaktimi i statusit të Kosovës, për të cilën SHBA, NATO dhe BE kanë bërë një investim të jashtëzakonshëm. Siç dihet, SHBA mbështet fuqishëm planin e Ahtisarit, pra pavarësinë e Kosovës, dhe një vizitë e tillë është treguese se SHBA e ka zgjidhjen e kësaj çështjeje si prioritare në agjendën e saj diplomatike.

    3. Mendoj se janë të dyja arsyet. SHBA, si për shumë popuj të tjerë, ka qenë personifikimi i një ëndrre për një jetë më të mirë, simbol i lirisë dhe i suksesit. Emigracioni shqiptar i fillimit të shekullit të kaluar u vendos pikërisht atje, duke ruajtur lidhje të forta e nostalgjike me dheun mëmë, dhe duke rrezatuar pikërisht vlerat më të mira të botës së lirë e demokratike. SHBA ka ofruar shkollim e kualifikim edhe në kohët e demokracisë së re shqiptare, siç është edhe rasti i shkruesit të këtyre radhëve, por ka qenë edhe destinacion i rëndësishëm i emigracionit të viteve '90.
    Më tej, fatmirësisht, Shqipëria ka qenë në të njëjtën rrymë të zhvillimeve të rëndësishme historike të popullit tonë me atë të SHBA-së. Shqipëria ishte përfituese e planit amerikan për paqen në botë në vitin 1918, ose siç njihen ndryshe, 14 pikat e Presidentit Woodrow Wilson, në bazë të të cilit u konsolidua zhvillimi i pavarur i Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit. Ajo ishte në të njëjtin koalicion gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër forcave të Aksit nazifashist. SHBA gjithashtu ishte në mbrojtje të vlerave të humanizmit e të të drejtave të njeriut, të dinjitetit njerëzor e lirive kur u gjend në krah të luftës së popullit shqiptar të Kosovës, dhe e mbrojti atë nga gjenocidi i përgjakshëm i Millosheviçit. Dhe natyrshëm, Shqipëria ishte ndër vendet e para që u rreshtua pa rezerva në krah të SHBA-së pas 11 shtatorit, në koalicionin botëror kundër terrorizmit.
    Mendoj se gjithë këto kanë vendosur një lidhje historike të pacënueshme midis dy popujve e vendeve tona.

    .............................

    Plator Nesturi
    Analist


    1. Vizita e presidentit Xhorxh Bush, merr një rëndësi historike për vendin tonë, jo vetëm pse është vizita e parë e një presidenti amerikan në Shqipëri. Si përfaqësuesi i vendit simbol të demokracisë në botë, mesazhi kryesor që përcjell ardhja e Bushit, është padyshim nxitja për të vijuar në rrugën e demokracisë, në thellimin e reformave në vend dhe forcimit të institucioneve që e garantojnë rendin demokratik. Shqipëria edhe pse ka 17 vjet që ka përqafuar sistemin pluralist dhe idetë e botës së përparuar perëndimore, ende vërtitet duke mos mundur të dalë nga procesi i tranzicionit, ndaj kjo vizitë duhet të shërbejë si një motiv i mirë për politikën vendase për t'u shkëputur përfundimisht nga reminishencat e vjetra e t'u përkushtohet denjësisht interesave të vendit dhe të popullit. Nga shtetarët e politikanët tanë, ndërsa thurin ditirambe mbi demokracinë, harrohet se ky term vjen nga fjala "demos"- që do të thotë popull.

    2. Ka një sërë arsyesh që mund ta motivojnë vizitën e presidentit Bush në Tiranë. Jo thjesht pse është vizita e parë e një Presidenti amerikan në një vend aleat e të rreshtuar në koalicionin e luftës kundër terrorizmit dhe natyrshëm një vizitë e këtij rangu do të zhvillohej një ditë. Duhet ta kuptojmë që Shqipëria megjithëse vendi më proamerikan në rajon, është tepër periferike në dinamikën e zhvillimeve politike globale. Edhe nëse e lidhim me zhvillimet në Kosovë në një kohë kur së shpejti do të vendoset për statusin e saj, duhet thënë se SHBA-ja e ka shprehur qartë qëndrimin e tyre dhe nuk mund të jetë motiv i fortë që presidenti Bush të vinte në Tiranë për shprehur opsionin amerikan. Vizita e kreut të Shtëpisë së Bardhë është në vazhdën e një turi në vendet evropiane ku në thelb janë rakordimet e qëndrimeve midis SHBA-së dhe BE-së për çështjet më të nxehta të politikës botërore, si çështja e Irakut, Iranit etj. Në një moment paksa delikat të administratës Bush, kur ka debate të shumta për politikën e ndjekur në Gjirin Persik, ndoshta vizita në Shqipëri merr një vlerë simbolike për faktin se si vend mysliman është aktiv në koalicionin kundër terrorizmit dhe me ndjenja të qarta proamerikane. Ndoshta mund të mos na vijë mirë nga imazhi i krijuar i një vendi islamik, por mesa duket nëse nuk do e kishim një nam të tillë kushedi se kur do të vinte radha për një vizitë të një Presidenti amerikan në Shqipëri.

    3. SHBA-ja ka luajtur një rol vendimtar për çështjen shqiptare që nga fillesat e shtetit tonë në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë. Presidenti Willson ndikoi fuqimisht në ruajtjen e integritetit tokësor të Shqipërisë së sotme dhe moscopëtimit të tij. Në fund të shekullit të kaluar, gjatë presidencës së Klintonit, SHBA-ja bëhet sërish protagoniste në çështjen shqiptare kur NATO ndërhyn në Kosovë për të ndaluar masakrat serbe. Po nga SHBA-ja pritet edhe mbështetja dhe përkrahja më e madhe për zgjidhjen e statusit të saj. Ndaj është e natyrshme që në një klimë të tillë të ketë një afeksion të fuqishëm ndaj SHBA-së. Si një vend i vogël dhe që gjen mbështetje nga një aleat kaq potencial si SHBA-ja gjatë momenteve kyçe të historisë së tij, kjo nuk është gjë e vogël për Shqipërinë.

    .............................

    Erion Veliaj
    Drejtues i lEvizjes Mjaft


    1. "Historike", ndoshta është një fjalë shumë e gjetur. Sepse ky është një vend i vogël që gjithmonë mundohet të fabrikojë histori apo heronj të paqenë. Në rastin në fjalë, për një vend të vogël si Shqipëria, kjo vizitë është një ngjarje jashtë rutinore. Në Shqipëri vjen një President amerikan dhe kjo ka mundësi të ndodhë aq sa herë mund të bie një meteor. Me këtë lloj metafore, dua të them se kjo është një nga gjërat që s'ndodh shpesh. Duke parë dhe përgatitjet që po bëhen, mendoj se Tirana në ato ditë do t'i përngjajë një cirku të vërtetë. Zakonisht për çdo vizitë të një Presidenti amerikan, angazhohen të paktën një mijë persona të stafit që përgatisin vizitën. Kështu që i gjithë ky fluks i stafit të Shtëpisë së Bardhë, apo Sigurisë, sigurisht do ta trazojë Tiranën. Tirana s'ka pasur asnjëherë kaq shumë vizitorë njëherësh. Plus që rajoni ballkanik në vetvete, nuk ka marrë një vëmendje kaq të madhe amerikane që nga lufta e Kosovës. Besoj se pas kësaj kohe, viti 2007 do të mbahet mend nga fakti se Presidenti amerikan erdhi në Shqipëri.

    2. Shqipëria ka disa specifika. Është dhe një vend shumë proamerikan, por është edhe një vend mysliman. Dhe një ngjarje e tillë në median amerikane, shet shumë mirë. Sepse janë të pakta vendet myslimane sot, që janë në "dashuri" me Amerikën. Kështu që nga një çështje pragmatiste, në kushtet aktuale të rënies së popullaritetit të Presidentit amerikan, kjo është një nga ato ngjarje që shet shumë mirë tek një publik skeptik dhe i lodhur nga lufta në Irak. Ndërkohë që janë disa arsye që janë më shumë parimore dhe po aq të vlefshme, siç është nevoja për stabilitet në Ballkan, sidomos pas pavarësisë së afërt të Kosovës. Nga ana tjetër, them se ka një çështje mirënjohje ndaj politikës proamerikane të Shqipërisë. Mos harrojmë që Shqipëria gjatë ish-qeverisjes socialiste, u bëri përjashtim shtetasve amerikanë, në ratifikimin e marrëveshjes së Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës. Shqipëria ka bërë disa zgjedhje politike që kanë qenë ndoshta kundër politikave evropiane, por qartazi pro amerikane. Gjithë kësaj, i shtojmë edhe ushtarët shqiptarë në Irak dhe Afganistan. Shqipëria është pothuaj vendi i parë proamerikan për futjen e trupave, kështu që më duket normale që të ketë një mirënjohje diplomatike të këtij niveli.

    3. Mendoj se janë të dyja. Që nga koha e precedentit Uillson e gjer në luftën e Kosovës, Shqipëria ka përjetuar këtë lloj pëlqimi ndaj amerikanëve. Gjatë kohës së komunizmit, Amerika përfaqësonte atë që rëndom quhej "jashtë shtetit". Sigurisht ky ishte edhe përkthimi banal i një aspirate që shqiptarët kishin për hapjen dhe zhvillimin. Bashkoji historisë edhe ndjenjën njerëzore për të qenë i lirë, dhe Amerika rezulton se ka qenë përfaqësimi më i denjë i këtyre aspiratave. Mes efektit të CNN-it dhe Hollivudit, shqiptarët s'kishin si të mendonin ndryshe.

    .............................

    ÇERÇIZ LOLOÇI
    Analist


    1. Duke qenë vizita e parë e një Presidenti amerikan, natyrisht që është historike në radhë të parë dhe jo vetëm e tillë. Ndoshta këtë shans mund ta kishim edhe disa vite më parë, por përkundër vullnetit të administratës amerikane ajo është shtyrë për shkak të politikës shqiptare, një politikë relativisht e vjetër, me shumë konflikte, me shumë ngjarje dhe pa shumë efikasitet. Tirana vazhdon të jetë streha e e vetme në Ballkan ku kryetarët e partive nuk kanë mandat të përcaktuar, pra nuk ndryshojnë dhe largohen prej lidershipit vetëm me vdekjen.

    2. Pavarësisht se si e portretizuam klasën politike shqiptare, duhet thënë se pas viteve nëntëdhjetë, Shqipëria dhe veçanërisht Kosova është një investim amerikan. Natyrisht nuk mund të thuhet se ka një kapitull të shkëlqyer të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane gjatë gjithë kohërave, madje në vend të dritës ka shumë hije disavjeçare. (Kapitulli më i vështirë dhe më problematik ka qenë ai i periudhës së diktaturës, por hije ka pasur edhe në regjimet dhe qeverisjet e mëparshme). Pas viteve nëntëdhjetë, ky raport ka ndryshuar tërësisht sepse intuita shqiptare, jo vetëm brenda kufijve shtetërorë, është orientuar nga SHBA-ja si një partner i së sotmes dhe së ardhmes. Ndërhyrja amerikane në Beograd për çlirimin e Kosovës, që finalizon edhe ndërhyrjen më të paprecedentë në krejt historinë e shtetit amerikan dhe në funksionimin e NATO-s, e ka hequr përfundimisht Shqipërinë nga kampi përcaktimi i Jalës. Unë nuk u besoj shumë të dhënave që jepen për përkatësitë fetare në Shqipëri, por dua të nënvizoj se edhe popullsia muslimane e shqiptarëve është euroatlantiste e radhëve të para. Ashtu si Polonia, Rumania, vendet balltike, edhe Shqipëria është tashmë pjesë e Europës së re që kërkon të ketë një raport preferencial me SHBA-në dhe kjo vizitë e Presidentit është edhe në këtë funksion. Vizita ka gjithashtu një domethënie të madhe për statusin e Kosovës, ku SHBA-ja është përkrahësja më e madhe e pavarësisë së saj.

    3. Afeksioni promaerikan i shqiptarëve është sa historik, aq edhe i ditëve të sotme. Natyrisht edhe mirënjohja për moscopëtimin e mëtutjeshëm të Shqipërisë, i përket në radhë të parë administratës amerikane që nga presidenti Wilson e deri te presidenti amerikan i radhës. Unë mendoj se ardhja e presidentit Bush në Tiranë do të shoqërohet me një pritje të jashtëzakonshme, ndoshta pritja me e madhe që mund t'i jetë rezervuar ndonjë personaliteti tjetër botëror ku rreshtat e njerëzve mund të fillojnë nga Rinasi dhe të përfundojnë në selinë e Presidencës.

    .............................

    Aleksander ÇIPA
    Kryeredaktor i gazetEs "Albania"


    1. Sipas axhendës kalendarike të Presidencës amerikane, vizita e Xhorxh W.Bush në Tiranë është një event historik për diplomacinë shqiptare dhe për atë rajonale. Në kontekst me momentin gjeopolitik ajo ka rëndësi dhe merr kuptim më tepër. Ballkani konsiderohet aktualisht rajoni me pikun e vet gjeopolitik, që do të thotë po përgatitet për një kohë të re, me shfaqje dhe ekuilibra të dimensionuar diplomatikë dhe politikë. Në raport me drejtpeshimin europianizues, Ballkani është rajoni që ka për të qenë ende në syrin e diplomacisë ndërkombëtare. Prezenca dhe influenca amerikane veçanërisht në hapësirën shqiptare të Ballkanit lidhet me vetë procesin historik që përjetojmë. Për këtë arsye dhe për kontributin real amerikan, kjo vizitë në këtë moment është më shumë se historike.

    2. Qëllimi i vizitës së Presidentit amerikan në Tiranë është i drejtëpërdrejtë, politik dhe diplomatik. Prej këtij stacionimi Shtëpia e Bardhë rikonfirmon vijueshmërinë e përkrahjes për procesin gjeopolitik, për pjekurimin e demokracisë ballkanike në tërësi dhe veçanërisht për rritjen e kapaciteteve administruese të këtyre shteteve. Shqipëria është klasifikuar si vend me tendencë rritjeje, me synim për shtim të kapaciteteve dhe me premisa për ndikime politike edhe matanë shtatit të vet administrativ. Kjo tashmë është evidente. Diplomacia amerikane, prej natyre priret të realizojë itinerare të frytshme dhe e përjashton rutinën, aq më tepër për rajone të interesit të vet strategjik siç është i afishuar prej tyre ndërkombëtarisht Ballkani. Prej Ballkani, diplomacia dhe interesat e SHBA-ve njohin më mirë Europën dhe procesin natyral të saj,europianizimin.

    3. Nuk është çështje afeksionesh, është logjika e përcjellë prej njohjes së historisë. Shqiptarët sot ndiejnë dhe shijojnë partneritetin më të frytshëm historik me SHBA-në. Protagonizmi i ndryshimit të fatit gjeopolitik të shqiptarëve, i përket SHBA-së dhe veçanërisht Shtëpisë së Bardhë. Bëhet fjalë për një proces historik të mbajtur në bllokim për një shekull, bëhet fjalë për një organizëm etnik të ndarë dhe për një proces kombiar, siç do ta quante Branko Merxhani, të cilin e vuajti dhe e mbarti si dhimbje të pashembëllt në harkun kohor të një shekulli. Ndërhyrja fondamentale që u bë në Kosovë, falë vendimmarrjes amerikane në vitin 1999, riktheu frymën në organizmin e ndarë, dha shpresën e paheqshme për një proces që po bëhet real. Për këtë arsye madhore, shqiptarët kanë detyrim dhe janë bukurisht në momentin e natyrshëm të mirënjohjes. Kjo e vërtetë nuk është arsye për klasifikimin: Proamerikan. Memoria historike e shqiptarëve nuk ka pasur asnjë rast për ta vënë në dyshim apo për ta diskutuar mirëorientimin apo qendrimin pro interesave shqiptare të SHBA-së. Distanca ndër të tjera e ka bërë atë superfuqi, aleate më të besueshme për një vend dhe një popull si yni, ku ndukja dhe egërsia u mbartën si marrëdhënie jo vetëm me fqinjët, por dhe me fuqi të tjera të kontinetit. Arsye tjetër është edhe bindja jonë e unifikuar aktualisht, për rendin dhe sistemin demokratik të cilin e morëm si model dhe synojmë ta afirmojmë prej këtij aleati që kryeson proceset dhe deri diku edhe fatin global.

    TIRANA OBSERVER
    Ndryshuar për herë të fundit nga Davius : 10-05-2007 më 20:04
    My silence doesn't mean I am gone!

  6. #26
    Promete (i lidhur) Maska e Kryeplaku
    Anëtarësuar
    12-09-2002
    Vendndodhja
    në realitetin e hidhur
    Postime
    2,218
    Nese Bushi vjen ne Shqiperi per te falenderuar Tiranen per angazhimin ndaj terrorizmit atehere Amerika e paska humbur luften me terrorizmin (eshte sikur te mbledhi Binaledni nja 2 cera ne Ramale qe te pushtojne Tel Avivin ).

    Megjithate nuk ka dyshim qe eshte vizita e pare ne Historine e Shqiperise e keij rangu te ralle (po te kemi parasysh se dhe fqinjet tane italiane e greke dergojne vetem zevendes ministrash ne Shqiperi!).

    Saper shkakun e ardhjes nuhas dicka me te mire: kreu i Shtepise se Bardhe nuk po e shikon me sy te mire hapjen e energjise ruse ne Europe.... as dy muaj nuk kane kaluar nga venja ne fuqi e marreveshjes Burgas-Aleksnadrupoli midis Putinit, Karmanlisit dhe kryeministrit bullgar. Sic e kam theksuar here tjeter ekziston plan serioz qe do te lidhi Kaspikun me Europen midis Balkanit Qendror (Bullgari, IRJM, Shqiperi) uroj qe presioni rus ne fushen energjitike te shtyej Amerikanet ne realizimin sa me te shpejt te ketij plani. Nese Shqiperia kthehet ne kyc energjitik do na shikojne edhe fqinjet me sy tjeter, fundja fundit gjeografia jone e favorizon kete gje... pamavrsisht se politikanet tone flejne gjum.

    Na qofte per hajer inshALLAH

  7. #27
    ish- Ballisti_Tetove Maska e Cimo
    Anëtarësuar
    11-12-2004
    Postime
    2,441
    Vizita e Bush dhe mesazhet e koduara të saj



    Skënder Minxhozi

    Sapo është njoftuar ardhja e presidentit amerikan, Xhorxh W.Bush në Shqipëri, të gjitha palët kanë shpejtuar të vënë syzet politike, për të parë sipas interesit të tyre një vizitë që në fakt është një mesazh që tejkalon çdo llogari meskine të klasës politike në Tiranë dhe që ka një rezonancë jo vetëm shqiptare, jo vetëm rajonale, por globale.
    Në vitin 2000, ish-presidenti Klinton erdhi fare pranë nesh, në Shkup. Lidershipi i atëhershëm në Tiranë u detyrua të shkojë ta takojë në kryeqytetin maqedonas, ashtu siç do të bëjnë disa prej krerëve ballkanikë gjatë vizitës së z.Bush në Tiranë. Vizita e munguar e Klinton u përjetua në fakt si një shans i munguar për shqiptarët, që të përsërisnin atë që kishin bërë nëntë vjet më parë me sekretarin e Shtetit, Bejker, në sheshin qendror të Tiranës. Mesa duket, në Uashington gjykojnë aktualisht se ekzistojnë kushtet që të jetë Tirana në rolin e pikës fokale, që do të mbledhë liderët e rajonit rreth tryezës së presidentit amerikan. Por nëse shtatë vjet më parë presidentin amerikan e solli në rajon një luftë e nxehtë dhe e përgjakshme, si ajo e Kosovës, sot duket se po e sjell një përplasje e heshtur dhe e ftohtë, e cila ka të bëjë më shumë me lojën e zonave të influencës dhe të tregjeve globale, sesa me pastrimin etnik dhe shpërbërjen e Jugosllavisë.
    Ballkani i sotëm është skena e një rivaliteti të vjetër dhe të ri. Rusia dhe SHBA po evokojnë diçka nga Lufta e Ftohtë, kur po mundohen të konkurrojnë jo vetëm në funksion të krizave klasike si Kosova apo miqësive tradicionale, por edhe në raport me zhvillimet e natyrës globale, ku futen energjia dhe telekomunikacioni. Nyje nevralgjike mes lindjes dhe perëndimit, Ballkani po sheh interesimin në rritje të Moskës, e cila e bazon më së shumti gjeopolitikën e saj te nafta dhe gazi, por edhe të Uashingtonit, i cili ka nevojë të sigurojë një rrugë të sigurt kalimi për të tregtuar naftësjellësit e tij që nisen nga vendet e Kaspikut. Ky skenar sugjestiv duket se po sjell në momente të afërta me njëri-tjetrin në rajon si presidentin amerikan Bush, ashtu edhe atë rus Putin. Dy liderë të cilët janë gjithnjë e më pak miq dhe gjithnjë e më shumë rivalë.
    Mjaft motive janë ofruar deri tani për ardhjen e presidentit amerikan në Ballkan, e pikërisht në Shqipëri. Le t’i shtojmë kësaj liste edhe një spekulim, i cili, nëse s’është i vërtetë, duket gjithsesi i gjetur mirë. Burime të ndryshme njoftojnë se njëri ndër motivet e zbritjes së Bush në Ballkan është kërkesa e tij ndaj qeverive të Evropës Lindore e Juglindore, për të rritur kontributet e tyre njerëzore në kontingjentet ushtarake në Irak dhe Afganistan. Dhe diçka e tillë duket më se e arsyeshme për një numër arsyesh.
    Bush e viziton Evropën në një moment kur lufta në Irak ndodhet në një pikë të vdekur, çka po sjell një presion gjithnjë e më të madh të opinionit publik evropian mbi qeveritë respektive, për të tërhequr trupat e tyre. Doktrina ushtarake e presidentit amerikan ndodhet në krizë si brenda SHBA, ashtu edhe në kontinentin e vjetër. Ndërkaq, ikja e Toni Bler dhe ardhja në vendin e tij e Gordon Braun, një kritik i ashpër i luftës në Irak, e cenon boshtin anglo-amerikan të ndërtuar rreth luftës kundër terrorit. Njëkohësisht, ngjitja e Sarkozi në Elize mund të mos sjellë efektin teorik të afrimit mes Francës dhe SHBA-ve. Dje agjencitë njoftonin se presidenti i ri francez po i ofron postin e ministrit të Jashtëm socialistit Hubert Vedrine, një antiamerikan i njohur botërisht. Në këtë sfond qëndron kërcënues edhe rivaliteti gjithnjë e më i artikuluar i Rusisë së Putin, e cila nuk i fsheh më synimet për të rimarrë poltronin bosh të superfuqisë së dytë botërore. Ky skenar evropian po bën ndoshta që administrata amerikane t’i hedhë sytë gradualisht tek aleatët e rinj të lindjes evropiane, ndër të cilët Shqipëria e vogël është ndoshta më entuziastja. Natyrisht që një vizitë si ajo e numrit një të Shtëpisë së Bardhë shënon një kulm historik për një vend si Shqipëria. Ne nuk kemi pse mos të marrim pjesën tonë të mesazhit amerikan, si një shtet dhe komb që e reklamojmë prej vitesh proamerikanizmin tonë në një rajon dhe kontinent gjithmonë e më skeptik ndaj politikës amerikane. E ky gjest i qëndrueshëm afërsie me shtetin më të fuqishëm të madh të globit mesa duket ka rënë më në fund në sy dhe po shpërblehet.
    Panorama

  8. #28
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,315
    Postimet në Bllog
    22
    Vizita e presidentit Bush ne Shqiperi eshte nje vizite historike pasi asnje president amerikan nuk e ka shkelur ate vend ne vizite zyrtare. Krahas euforise qe do te ngjalle ne popull, kjo nuk duhet te anashkaloje edhe thelbin e vizites se presidentit Bush ne Tirane. Shume me lart jane shprehur se thelbi i vizites se tij eshte nje afirmim i miqesise dhe nje mirenjohje e rolit te madh qe nje popull i vogel ka luajtur ne luften kunder terrorizmit. Ku rol mund te jete i vogel krahasuar me popujt e tjeter por eshte i madh dhe tejet i sinqerte po te mbash parasysh resurset e kufizuara dhe problematiken shqiptare. Edhe pse kjo eshte nje nga arsyet, kjo nuk eshte arsyeja kryesore.

    Bush vjen ne Tirane per te mbeshtetur demokracine shqiptare ne rrugen e reformave, per te investuar ne suksesin e demokracise shqiptare. SHBA dhe mbare bota ka nevoje me shume se kurre per shembuj te gjalle te harmonise fetare dhe perqafimit te lirise e demokracise edhe nga shoqerite islamike. Dhe Shqiperia eshte vendi i vetem ne bote me nje shumice popullsie myslimane qe jeton ne harmoni te plote me komunitetet e krishtera. Shqiperia eshte edhe shteti i vetem me popullsi myslimane ne bote qe i afron SHBA nje miqesi te mbarsur me sinqeritet dhe euforizem. Kete populli dhe shteti shqiptar e ka deshmuar me vepra dhe jo me fjale ne keto 2 dekadat e fundit.

    Vizita e Bush ne Tirane nuk duhet te shihet vetem si nje kurorezim i maredhenieve Shqiperi-SHBA, por duhet te shihet edhe si nje rol madhor qe Shqiperia mund te luaje ne ndermjetesimin dhe lehtesimin e dialogut midis lindjes dhe perendimit.

    Albo

  9. #29
    echo Maska e Dara
    Anëtarësuar
    30-11-2005
    Vendndodhja
    New York
    Postime
    694
    I vihet shume me teper rendesi sec duhet ne te vertete kesaj vizite. Te ishte Bush-i ndonje mall i sakte, eh...bente dhe kuptim.
    Sa per rolin e Shqipetareve ne luften kunder terrorrizmit e vertetuam para nje jave ne New Jersey kur na kapen me presh ne dore ne bashkepunim me disa terrorriste Islamike.
    My whores left me no time to get married.

  10. #30
    ish- Ballisti_Tetove Maska e Cimo
    Anëtarësuar
    11-12-2004
    Postime
    2,441
    Citim Postuar më parë nga Pilivesa
    I vihet shume me teper rendesi sec duhet ne te vertete kesaj vizite. Te ishte Bush-i ndonje mall i sakte, eh...bente dhe kuptim.
    Sa per rolin e Shqipetareve ne luften kunder terrorrizmit e vertetuam para nje jave ne New Jersey kur na kapen me presh ne dore ne bashkepunim me disa terrorriste Islamike.
    E mirepresim KRYETARIN E SHBA-ve, besoj se me kupton se cka them.

Faqja 3 prej 54 FillimFillim 123451353 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Fatmir Sejdiu
    Nga YlliRiaN në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 24
    Postimi i Fundit: 18-05-2010, 18:47
  2. Kushtetuta e Republikës së Kosovës
    Nga YlliRiaN në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 01-04-2009, 19:17
  3. Presidenti Moisiu viziton familjet e dëshmorëve të Luftës Antifashiste.
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-11-2005, 15:09

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •