Sondazhi: Rreth 74% mendojnë se ardhja e Bush ndikon për në NATO
“SHBA, avokate e Shqipërisë”
1/3 e shqiptarëve do e ndjekin nga rruga vizitën e Bush
Shumica e shqiptarëve mendojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë avokati më i mirë i interesave të vendit tonë.
Në të njëjtën kohë shqiptarët mendojnë se vizita e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, në Tiranë më 10 qershor, do të ndikojë fuqishëm në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në prag të vizitës së shefit të Shtëpisë së Bardhë në kryeqytetin shqiptar, zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve bën publike rezultatet e një sondazhi të kryer në katër qytete të vendit. Kështu, 1300 qytetarë nga Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Vlora kanë dhënë vlerësimet e tyre në lidhje me vizitën e Bush në Tiranë. Nëpërmjet këtij sondazhi, zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ka mundur të grupojë dhe analizojë një sërë perceptimesh dhe opinionesh të ndryshme, të cilat hedhin dritë mbi frymën politike apo tendencat kombëtare të shqiptarëve për disa nga çështjet më të rëndësishme politike, por në veçanti mbi qëndrimin popullor mbi marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. 61% e qytetarëve të intervistuar mendojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë avokati më i mirë interesave tona, ndërsa pas tyre vjen Italia me 10%. Për sa i përket synimeve të Shqipërisë dhe mundësisë për të marrë ftesën në samitin e ardhshëm të Bukureshtit për anëtarësim në NATO, 74% e qytetarëve vlerësojnë se vizita e presidentit Bush do të ndikojë fuqimisht që Shqipëria të anëtarësohet në këtë aleancë dhe 8.8% nuk besojnë që kjo vizitë do ndikojë. Të pyetur se ku do të preferonin ta ndiqnin vizitën e presidentit të SHBA-ve në Tiranë, 30% e qytetarëve, ose 1/3 e atyre të intervistuar, do të dëshironin ta ndiqnin atë në rrugë apo në sheshe, ndërkohë që 56% e tyre thonë se do ta ndjekin nga mediat.
Kosova
Në të njëjtën kohë, shumë qytetarë të intervistuar në këtë vëzhgim mendojnë se vizita e Bush në Tiranë do të ketë një rëndësi të madhe edhe për Kosovën. Kështu, sipas kreut të ZMQ-së, Kreshnik Spahiu, “vihet re se shqiptarët në mënyrë masive shpresojnë në një mbështetje të fuqishme të diplomacisë amerikane për të fituar statusin e Kosovës. 61.7% e të intervistuarve gjykojnë se vizita e Presidentit Bush do të ndikojë shumë në zgjidhjen e statusit të Kosovës, 24% gjykojnë se kjo do të ndikojë disi, 7.8% pak dhe vetëm 6.2 aspak”. Të pyetur nëse do ta njohë SHBA-ja pavarësinë e Kosovës në rast vetoje të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, 67% mendojnë se një gjë e tillë do të ndodhë dhe vetëm 11.6% mendojnë se SHBA nuk do ta njohë një gjë të tillë.
sondazhi
Ndikimi i vizitës së Bush në statusin e Kosovës
61.7% - do ndikojë shumë
24% - do ndikojë disi
7.8% - do ndikojë pak
6.2% - nuk do ndikojë aspak
Vizita e Bush do ndikojë në anëtarësimin në NATO
74% - do ndikojë fuqishëm
8.8% - nuk do të ndikojë
16.9 - nuk janë të sigurt
Kush është avokati më i mirë i interesave tona?
61% - SHBA
10% - Italia
8.5% - Turqia
8.5% - NATO
Ku do ta ndjekin vizitën e Bush shqiptarët
30% në sheshe dhe rrugë
56% nëpërmjet medias
13.8% nuk do ta ndjekin fare
Panorama
Krijoni Kontakt