Projekti i botuesit Shpëtim Nazarko, botimi i 100 klasikëve dhe nobelistëve të botës
“Nobelistët që kushtojnë një euro” -Në treg Markez, Mopasan, Balzak, Kuprin, Bël
Fillimisht e ka nisur me Markezin, Balzak, Mopasan, Kuptin, Hajnrih Bël. I ka hedhur në treg në seri, me vetëm një euro. Dhe natyrisht, projekti ka funksionuar. Pas tyre, iniciatori, botuesi, drejtuesi i gazetës "ABC" dhe njohësi i mirë i librit, Shpëtim Nazarko, po përgatit të tjera vepra klasikësh dhe nobelistësh të njohur në botë dhe së shpejti do t'i hedhë në treg. Sipas tij, projekti do të shkoj deri në 100 botime, tregimesh, novelash, romanesh të Turgejevit, Mahfuz, Dostojevskit, Kavabatës, Heminguejit, Tomas Manit, Ivo Andriç, Prosper Merimesë, etj.
Ç'është ky projekt, një libër një euro?
Përveç shtëpisë botuese, unë posedoj dhe një gazetë dhe një shtypshkronjë. Hyj në radhën e pronarëve që në përgjithësi njoh më mirë librat, se sa biznesin. Në kohën e persekucionit dhe të varfërisë, sepse unë vij prej tyre, i vetmi shpëtim imi kanë qenë librat. Në të vërtetë Shqipëria ka traditën më të shkëlqyer të librit në Evropë, bashkë me Evropën lindore. Kjo, sepse tek ne ka qenë televizori i kufizuar, magnetofoni, makina ku mund të gjeje radion e kufizuar, etj. Në këtë pikëpamje u zhvillua tradita e librit, që duket sikur është harruar sot. Unë jam i mendimit se kjo traditë është prapë e klasit të parë për Shqipërinë. Por ndërrimi i sistemit solli vështirësi të mëdha në menaxhim. P.sh. nëse në kohën e Enver Hoxhës, në një shtypshkronjë të vetme shtypej i gjithë libri shkollor dhe ai artistik i tirazheve 10-20 mijë kopje, sot në Tiranë ka mbi 120 shtypshkronja e megjithatë, 70 për qind e librit shkollor shtypet jashtë shtetit dhe tirazhi i librave artistikë është reduktuar në 500-1000 kopje. Pra, duke rikapituluar, dashuria ime për librin dhe studimi i mekanizmit të tregut më çoi tek ideja e botimit të librit me një euro.
Ç'është ky libër?
Duke vazhduar përsëri në kombinimin e ideve, librat e botuar prej gazetës "ABC" janë nobelistë ose klasikë. Pra, shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ato shoqërohen me përkthyesit më të mirë të Shqipërisë, të gjeneratës së vjetër, të sprovuar dhe nga brezi i përkthyesve të rinj të talentuar, Robert Shvarc, Donika Omari, Aurel Plasari, Jorgji Toksani, Lili Bare, etj.
A mjafton çmimi një euro për të nxjerr koston e prodhimit?
Meqenëse unë hyj tek personat që e njoh të shkruarit dhe të marrit me veprimtari gazete, nuk kam qejf të hyj në tendera qeveritarësh apo të llojeve të ndryshme. Kështu që mekanizmi i krijuar, nëpërmjet biznesit tim, është jo e fituar në tendera, por e prodhuar vetë. Pra, në shtypshkronjat ku unë shtyp gazetën gjendet kohë për të shtypur edhe librin. Eshtë një punë, kostoja e së cilës është më e vogël se sa të tjerët. Sepse punëtorët, gjatë tetorëshit të punës shtypin produkte të llojeve të ndryshme. E dyta, mekanizmi i ndërtuar nga ana ime, më lejon që të shtyp librin, revistën, gazetën. Siç e thashë më sipër, megjithëse Tirana ka 120 shtypshkronja, ato nuk janë në gjendje të rakordojnë punën. Ata që shtypin gazeta nuk shtypin libra dhe anasjelltas. Unë i bazohem formulës, që fitimi nuk bëhet nëpërmjet çmimit të madh, që i vendoset një libri apo një produkti, po nëpërmjet sasive që hedh në treg. Me një fjali, fitimi është sasia e produktit në njësinë e kohës, që i jepet klientit. Në një kuptim figurativ, nëse dikur portat e kalasë hapeshin me top, sot me pistoletë me rreze lazer, ne bëjmë të njëjtin efekt. Në këtë pikëpamje fitimi im është i mjaftueshëm. Veç kësaj dua të shpjegoj kostoja e librit tim lehtësohet shumë, pasi firma të ndryshme duke filluar nga bankat, shoqëritë e sigurimeve, ndërmarrjet prodhuese, bëjnë reklamat në libër. Dhe është normale, pasi reklama në libër është përjetësisht e qëndrueshme.
Sa do të zgjasë ky projekt?
Do të botojë 100 tituj, nobelistët dhe klasikët, të cilët do jenë dhurata më të mira, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të rritur që mund të ketë çdokush në bibliotekën e vetë. Po lexoja Arbën Xhaferin që thoshte se sasia e librit është shtuar shumë, sa të çon në konfuzion që t'i nuk di kë të zgjedhësh.
Gazeta Panorama
Krijoni Kontakt