Është rreth 35 vjeç, dhe tashmë personi më i kërkuar nga blutë e kryeqytetit. Maniak apo vrasës i çekuilibruar, për policinë pritet që të bëjë lëvizjen e gabuar
Tirane - Policia vihet në kërkim të maniakut të rrugës “Don Bosko”. Është rreth 35 vjeç, dhe tashmë personi më i kërkuar nga blutë e kryeqytetit. Një përshkrim i tipareve të tij u ka kaluar të gjitha shërbimeve të policisë, ndërsa inspektorët e policisë së rendit dhe ata të krimeve janë duke punuar me informatorët për gjetjen e një vendndodhjeje të mundshme të tij. Maniak apo vrasës i çekuilibruar, për policinë pritet që të bëjë lëvizjen e gabuar dhe të bjerë në rrjetën e uniformave. Sallat operative të policisë janë vënë në gjendje gatishmërie për të raportuar të gjitha rastet e ngjashme me dy sulmet e maniakut. Zona e “Don Bosko-s”, ku janë regjistruar dy rastet e femrave 22 dhe 27 vjeçe të sulmuara prej tij, mbahen në mbikëqyrje 24 orë nga policia. Gjithashtu, në gjendje gatishmërie janë edhe shërbimet e tjera të policisë. Burime të rezervuara shprehen se policia kriminale e komisariatit numër 3, është duke punuar në verifikimin e një të dyshuari si autor të këtyre ngjarjeve. Policia ka kryer disa kontrolle në ambiente ku dyshohej se qëndronte autori, si dhe janë shoqëruar mjaft kontigjent për krime të tilla, por që janë lënë të gjithë të lirë, pasi nuk ka pasur prova të mjaftueshme për t’i akuzuar për ngjarjet. Sipas të njëjtit burim, hetimet konsiderohen të vështira, për shkak se autori dyshohet të jetë kontingjent i ardhur nga rrethe të tjera dhe nuk ka precedentë në Tiranë. Dy femrat, respektivisht 22 dhe 27 vjeçe, janë sulmuar pranë blloqeve të pallateve arabe, në afërsi të rrugës “Don Bosko”. Të dyja janë sulmuar gati në të njëjtin vend dhe në të njëjtin orar. Fatmirësisht, dy femrat nuk kanë pasur dëmtime të rënda, ndërsa kanë përshkruar me aq sa kanë mundur agresorin në polici. ge.xha.
Gazeta Shqiptare.
Krijoni Kontakt