Zgjatja e procesit të votimeve
Opozita e bashkuar ka kundërshtuar dje vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përsëritjen e zgjedhjeve në Elbasan, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin. Pas një takimi të zhvilluar në selinë e PS-së, drejtuesit e pesë partive të majta u shprehen se opozita do të ndërmarrë të gjitha nismat ligjore dhe se nuk do të njohë zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki. Kryetari i PS-së, Edi Rama tha se po të shihet me kujdes e gjithë periudha e qeverisjes së djathtë, veçanërisht pas 18 shkurtit, ka një përshkallëzim të frymës antidemokratike dhe antiligjore në vend. Rama tha se opozita do të ndërmarrë hapa konkretë që anëtarët e KQZ-së që votuan pro përsëritjes së zgjedhjeve në Elbasan të mbajnë përgjegjësitë ligjore. Ndërkohë kreu i LSI-së, Ilir Meta e cilësoi vendimin e KQZ-së një veprim të hapur puçist. Sipas Metës ai tregon më së miri veprimin politik të pesë anëtarëve të KQZ, që nuk njohin vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe të cilët synojnë të nëpërkëmbin vullnetit e qytetarëve të Elbasanit. Meta tha se ky nuk është një veprim krejt i papritur, pasi KQZ edhe më parë ka treguar një anësi politike. Skendër Gjinushi i PSD-së ka shkuar më tej duke e cilësuar vendimin në fjalë, të pazbatueshëm. Sipas tij vendimi i KQZ-së është një dhunë e hapur ndaj votës së lirë. “Opozita nuk do të njohë asnjë rezultat tjetër përveç atij që është i certifikuar nga Kolegji Zgjedhor, që është instanca më e lartë ankimore për zgjedhjet”, tha Gjinushi. Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe Milo e Ceka, të cilët janë shprehur se vendime të tilla politike të KQZ-së janë të vazhdën e zhurmës që bëhet për të hequr vëmendjen ndaj problemeve reale që ekzistojnë në vend. Ata kanë kundërshtuar dhe qëndrimin për ligjin e auditimit të brendshëm, i cili pritet të kalojë së shpejti për miratim.
Gazeta Metropol
Krijoni Kontakt