Korce
Digjen disa nga ikonat e shekullit XIX
Bie nën flakë kisha e Shën Konstandinit në Korçë. Objekti i kultit, i cili ndodhet në mal mbi fshatin Drenovë është përfshirë nga flakët, pasi një besimtar kishte ndezur një qiri. Ka qenë pikërisht qiriu që është lënë i ndezur në mbajtësen me rërë, që ka shkaktuar edhe rënien e zjarrit. Sipas priftit të kësaj kishe, at Vangjush Terezi, i cili shërben në fshatin Drenovë, zjarri ka rënë aksidentalisht. Ka qenë një besimtar që është ngjitur në mal gjatë pasdites që e kishte lënë qiririn e ndezur, ndërsa pasi është larguar nga kisha ka parë se prej andej po dilte tym. Prifti i fshatit tregon se qiriri kishte rrëshqitur nga rëra dhe ashtu i ndezur kishte rënë në tapetin e shtruar në dysheme. Flakët që kanë filluar të përhapen me shpejtësi nga djegia e tapetit, kanë bërë që të digjen shtrojat, ndërsa disa besimtarë të tjerë që po ngjiteshin në pjesën e malit për te kjo kishë kanë lajmëruar edhe për rënien e zjarrit në Shën Konstandin. Dy besimtarë nga fshati Morravë kanë qenë të parët të cilët kanë mbërritur në vend dhe kanë ndërhyrë për të shuar zjarrin. Robert Rrota, bashkë me gruan e tij, sapo kanë hapur derën e kishës dhe kanë parë flakët që kanë pushtuar ambientet e brendshme, kanë marrë ujë nga burimi që ndodhet aty afër dhe kanë ndihmuar për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Në vendin e rënies së zjarrit nuk mund të shkojnë mjetet zjarrfikëse. Ai është shuar nga dy bashkëshortët, ndërsa një grup hetimor që ka parë nga afër objektin e djegur ka dalë në përfundimin se në kishë nuk mungonte asnjë objekt dhe nuk është konstatuar asnjë grabitje. Sipas të dhënave nga ana e policisë, zjarri ka qenë aksidental. Përveç shtrojave në kishë nuk janë djegur ikonat dhe objektet e tjera fetare. Kisha e Shën Konstandinit në fshatin Drenovë është ndërtuar në fillim të shekullit XIX, gati në majë të malit që lartohet mbi Drenovë.
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt