Jezusi na bën të njejtën pyetje: “A më do ti mua?”


Ja përsëri në takimin tonë me Fjalën e Zotit që kremtohet e kumtohet në Meshën Shenjte të së dieles.

Mendimi që mbizotëron liturgjinë e kohës së Pashkëve është prezenca e Jezusit të Ngjallur. Kjo është e vetmja gjë që na intereson e që ka rëndësi, sepse kemi nevojë për Të. Vetëm për Të. ]

Krishti i Ngjallur është i pranishëm në histori, ndërhyn realisht në ngjarjet njerëzore e sidomos atëherë kur “peshkimi” është i pafrytshëm, atëherë kur punët nuk ecin për së mbari, atëherë kur gjendemi me duarë thatë pas mundimeve që kemi bërë për të arritur diçka, atëherë kur mbyllemi në vetmitë tona absurde, duke harruar premtimin e Tij, se është me ne gjithmonë.

Sikur do të vërejmë më vonë, edhe në këtë diele të III-të të Pashkëve, pjesët biblike që kumtohen në Meshën Shenjte, vazhdojnë të na paraqesin përjetimin dhe eksperiencës e Pashkëve, duke e zgjatur në mënyrë të këndëshme takimin shpirtëror në fe me Krishtin e Ngjallur, i cili na bën të gjithëve protagonist, secilin prej nesh në kushte e rrethana të veta e të ndryshme. Jezusi e ripërtërinë thirrjen e tij bërë apostujve dhe thirrja e Tij i bind që të bëhen peshkatarë njerëzish.

Kështu pra, rezultati përfundimtar i takimit tonë me të Ngjallurin është shkëndija që e ndez dhe bën të rritet e të shtohet e mira e përbashkët.

Pjesa ungjillore e kësaj së diele nga Gjon Ungjilltar (Gjn 21,1-19), na tregon për dëftimin e tretë të Jezusit ë Ngjallur në liqe, në vendin e gjatë punës së zakonshme të nxënësve të vet, derisa po peshkonin. Me gjeste të thjeshta e të përditshëm Krishti Gjallë u mundëson të vetëve ta njohin se kush është Ai dhe i bën protagonistë, në role të ndryshme: kështu grupi i apostujve përjeton një peshkim papritur, të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm, e nxënësi i dashur (shën Gjoni) e percepton, e kupton se Njeriu në bregun e liqenit është Zotëria JEZUS, shën Pjetri do të arrijë i pari përmes notimit tek Ai, e të gjithë përfitojnë nga shoqërimi – prezenca e Tij e ëmbël dhe e këndshëm gjatë drekës.

Të përforcuar nga përjetimi i ngjalljes së Mësuesit e të frymëzuar nga Shpriti Shenjt, Pjetri e apostujt tjerë nuk sprapsen para kërcënimeve që merrnin prej autoriteteve të larta civile e politiko-fetare judaike. Njerëz të thjeshtë e në dukje të parë jo të përgatitur, i bëjnë ballë dhe qendërojnë trimërisht para autoriteve supreme Judaike.

Kështu, Leximet Biblike të kësaj së diele na paraqesin dëshminë apsotolike për Krishtin e Ngjallur, na tregojnë për predikimin e tyre guximtar para autoriteteve civile të kohës duke ripohuar fenë në Hyjin e Gjallë e Veprues, që u ka besuar misionin e tij Hyjnor për të ruajtur grigjën, për kullotjen e udhëheqjen e grigjes (popullit). Apostujt e çonin para planin e shpëtimit për mbarë njerëzimin që Krishti i Gjallë u kishte besuar.

Sikur Pjetrit atë kohë, edhe neve sot, Jezusi na bën të njejtën pyetje: “A më do ti mua?” E sikur nga Pjetri mori përgjigje dashurie, dhe atë e bëri bari e udhëheqës shpirtëror të të gjithë besimtarëve, poashtu sot Jezusi pret përgjigjen tonë personale: “ A më do ti mua?”

Kjo do të thotë se dashuria është gjithçka, se është çdo gjë në jetë: dashuria është fillimi, është forca, ështrë mënyra, është sekreti i suksesit, është arsyeja e vetme për të cilën ia vlenë të jetosh, të vuajsh, të veprosh, të pësosh, të qendërosh, të shpenzosh të gjitha fuqitë shpitërore e njerëzore.

Dashuria na sjell drejt e në zemër të Zotit dhe në zemër të të afërmit tonë.
Gjithmonë e në çdo çast, duhet ta duam Zotin e të afërmin: Zotin “me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë mendje”, e të “afërmin porsi vetveten”. (Mt 22,37.39).

“Këte – thotë shën Augustini – duhet gjithmonë ta mendoni, ta meditoni, ta zbatoni e mishëroni.” “Ti, zbatoje dashurinë duke filluar nga i afërmi, me të cilin udhëton; kështu do të mbërrijsh tek Ai (Jezusi) me të cilin dëshiron të jesh përgjithmonë”.

Kështu, të jesh apostull, të jesh i krishterë do të thotë të jesh dëshmitar i gjallë, veprues e pohues jo vetëm i asaj që ka ndodhur në kohën e Jezusit, por edhe të asaj që sot Zoti bën dhe don të bëjë përmes nesh, përmes veprave të tona të përditshme, ta përçojë dashurinë e ofroi shëlbimin çdo njeriu.

Na jep o Zot driten e Krishtit te Ngjallur dhe ne veshtiresite e jetes te mos terhiqemi kurre pas por te shpallim pa frike Fjalen tende.