Grupe të armatosura në brezin kufitar Kosovë - Maqedoni
Shkruar: 21/04/2008 - 14:04
• Pamjet e personave të armatosur në rajonin e Debëlldesë i publikoi RTK. Banorët thonë se nuk i njohin personat e armatosur dhe se nuk janë nga fshati i tyre.
Policia kosovare ka filluar hetim lidhur me informatat e publikuara në media se në brezin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë, në fshatin Debëllde, të Komunës së Vitisë, ka persona të armatosur, ndërsa zëdhënësi i KFOR-it Herve Kozete, shprehet se forcat paqësore kanë marrë informata nga mediumet për persona të armatosur në kufi, porse forcat e NATO-s nuk i kanë vërejtur në terren.
Pamjet e personave të armatosur në rajonin e Debëllses i publikoi RTK. Banorët thonë se nuk I njohin personat e armatosur dhe se nuk janë nga fshati i tyre.
“Jo, unë këta njerëz nuk i njoh. Janë disa grupe siç i keni pa edhe ju vetë përmes televizorit edhe nuk e di se kush është përfaqësues i tyre. Unë mendoj se këto grupe nuk janë për destabilizim. I kanë qëndrimet e veta dhe nuk është mirë që të reagohet menjëherë as me deklarata se na jemi në proces. Çdo bisedime që hyjnë në proces do të pritet përfundimi”, tha kryetar i BL-së të fshatit Debëllde Zymri Iljazi.
“Nuk e di se çka mendojnë dhe çka kërkojnë ata njerëz por ne si banorë të fshatit Debëllde ne kemi kërkesat e qarta”, theksoi Ismet Iljazi, banor i fshatit Debëllde.
Pas publikimit të pamjeve nga personat e armatosur, përfaqësues të SHPK-së kanë vizituar Debëlldenë dhe kanë deklaruar se do të veprojnë në bazë të ligjit dhe do të reagojnë nëse hasin në grupe ilegale të armatosura të cilët veprojnë në territorin e Kosovës.
“Ne sikur të hasim, atëherë ne duhet të punojmë në bazë të ligjit. Ne jemi zbatues të ligjit dhe gjithçka që është ilegale atëherë është në kundërshtim me ligjin atëherë ne duhet të marrim veprime ti parandalojmë gjërat e këtilla”, deklaroi komandanti i SHPK-së në zonën e Gjilanit, Shaban Azizi.
Ministri i Brendshëm i Kosovës tha se askush nuk duhet të shqetësohet dhe se banorët e Debëlldesë duhet të kenë mirëkuptim për procesin e negociatave midis Maqedonisë dhe Kosovës për këtë çështje.
“Vazhdimisht të komunikojnë me ne. Ata duhet të kenë besim te ne jemi të përkushtuar t’i mbrojmë interesat e tyre askush nuk do të jetë që nuk do të ketë qasje në tokat e tyre. Kjo është një punë tash e kryer”, nënvizoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka njoftuar se është duke përcjellë zhvillimet në brezin kufitarë me Kosovën dhe se deri tani nuk është regjistruar asnjë incident e as që ka indice se diçka po ndodhë në këtë pjesë të kufirit.
************************************************** ***************
KFOR-i dhe SHPK nuk konfirmojnë ekzistimin e personave të armatosur në kufi me Maqedoninë
Pas njoftimeve se “banorë të fshatrave kufitare janë armatosur me qëllim të mbrojtjes së pronave të tyre”, SHPK thotë se është duke zhvilluar hetime nëse vërtet ka prani të personave të armatosur në fshatrat kufitare. Ndërsa zëdhënësi i KFOR-it, Herve Kozete, tha se forcat paqeruajtëse në Kosovë kanë marrë informata se persona të armatosur gjenden në kufi, por nuk ka hasur ende në ta. As policia maqedonase nuk ka regjistruar incidente në kufi me Kosovën.
Shërbimi Policor i Kosovës thotë se është duke zhvilluar hetime nëse vërtet ka prani të personave të armatosur në fshatrat në kufi me Maqedoninë.
Mediat kanë njoftuar se në Tanushë të Maqedonisë dhe Mjak, fshat ky që gjendet në territorin e Kosovës, janë parë persona të armatosur, të cilët thonë se synojnë ruajtjen e pronave të tyre, që mund të pësojnë nga demarkacioni i kufirit.
“Nuk mund të themi se kush janë këta persona dhe nga cila anë janë, mirëpo, në përgjithësi, ne do t’i porosisim se brengat e tyre po kuptohen nga populli i Kosovës dhe nga institucionet, sikurse edhe nga SHPK-ja, duke marrë parasysh se në grupin e demarkacionit kemi gjeneralin Behar Selimi, përgjegjës për shtyllën e kufirit. Por, nëse ne i takojmë ata, ne do të veprojmë në bazë të ligjit, do t’i arrestojë ata”, tha zëdhënësi i SHPK-së,
Në anën tjetër, zyrtari për informim në KFOR, Herve Kozete, thotë se KFOR-i ka marrë informata se persona të armatosur gjenden në kufi, por nuk ka hasur ende në ta.
”Ajo që mund te them është se ne ende po patrullojmë në atë zonë dhe sapo të hasim në atë grup, do të reagojmë në bashkëpunim me UNMIK-un dhe SHPK-në. Por, deri tani, KFOR-i nuk i ka takuar këta njerëz”, thotë Kozete.
Policia e Maqedonisë thotë se nuk ka regjistruar incidente në kufi me Kosovën
Policia kufitare e Maqedonisë është duke përcjellë situatën përgjatë kufirit me Kosovën dhe deri tani nuk kanë regjistruar incidente dhe indikacione më serioze se atje diçka po ndodh, ka deklaruar për agjencinë maqedonase të lajmeve (MIA) zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, Ivo Kotevski.
Ai këto komente i ka bërë pas lajmeve për paraqitjen e disa personave të armatosur në disa media kosovare, të cilët kanë thënë se kanë kapur armët me qëllim të mbrojtjes së pronave të tyre, që mbeten të kontestuara në kufirin me Maqedoninë.
Para 2 – 3 ditësh KosovaLive ka raportuar se disa banorë të fshatrave shqiptare në të dy anët e kufirit Kosovë - Maqedoni, të cilët patrullonin të armatosur në fshatin Mjak, në kufi me Tanushën dhe fshatrat tjera përreth, i i kanë thënë se ata do të rezistojnë me armë për të kundërshtuar që tokat e Kosovës t'i falen shtetit fqinj.
Krijoni Kontakt