Djali më tha se policët grekë e kishin rrahur për vdekje. Nuk ka asnjë mundësi që një i ri të vetëvaret me një rrip çante në një hekur që nuk mban peshën e tij”. Margarita Kalca nuk përmban dot veten nga ngashërimi. Teksa lotët i derdhen poshtë faqeve, ajo thotë se Leonardin e vranë në qeli. Askush nuk mund të ngushëllojë prindërit e 19- vjeçarit nga qyteti i Përmetit. E ndërsa njerëzit hyjnë e dalin pa pushim tek banesa e Kalcëve, morti sa nuk çan muret e themelet e shtëpisë nga dhimbja. Vetëm pak kohë, pasi rreth 3 mijë veta përcollën në banesën e fundit të riun e pafat, të afërmit e tij tregojnë me detaje për “Gazeta Shqiptare” ngjarjen e rëndë. Pas çdo rrëfimi, bashkëshortët Jorgo e Margarita Kalca deklarojnë se shteti grek nëse është vërtet demokratik, duhet të ndëshkojë vrasësit e djalit të tyre. Dy prindërit e viktimës pohojnë se Leonardi nuk ishte hajdut. Ata thonë se është absurde të deklarosh se i biri i tyre ishte vetëvarur në qeli pa asnjë shkak dhe në një kohë kur biruca ishte pa derë e policët e shërbimit ishin afër saj. Ndërkohë, prindërit e adoleshentit që u gjet i vdekur mbrëmjen e së dielës në qelinë e tij, në një nga rajonet e policisë së Athinës, shprehin keqardhjen e tyre për mosinteresimin për ngjarjen nga ana e Ambasadës shqiptare në vendin fqinj. FAMILJARËT Pas 12 vjetësh emigrim në Greqi, kanë humbur dritën e syve. Gjithkush në Përmet ka respekt për familjen Kalca. Në shenjë solidarizimi, mijëra vetë dje i kanë dhënë lamtumirën e fundit Loenardit, djalit 19-vjeçar të kësaj familjeje. Përveçse humbjes të të birit, bashkëshortët Jorgo e Margarita Kalca nuk durojnë fjalët që thuhen për djalin e tyre. “Nuk jemi familje hajdutësh. Në Greqi kemi jetuar me ndershmëri dhe me djersën e ballit. Policia greke shpif. Leonardi ishte djalë i shkathët dhe nuk duronte padrejtësinë, por jo vjedhës”, - thotë nëna e viktimës, Margarita. Sipas saj, Leonardi i kishte kërkuar 2 euro për të blerë një paketë dhe nuk u kthye më i gjallë. “Ai më telefonoi të dielën dhe më kërkoi që t’i dërgoja rroba në qeli. Pasditen e së dielës, policia greke më la të takoja Leonardin. Im bir më tha se nuk kishte bërë asgjë dhe se policët e kishin rrahur për vdekje”, - tregon Margarita. Ndërkaq, kryefamiljarja thotë se e gjeti të birin të shtrirë pa jetë në dysheme dhe se në trup kishte shenja dhune. “Pashë dhe qelinë. Ajo ishte pa derë, ndërsa aty pranë ndodheshin policët. Është absurde të mendosh dhe jo më të thuash se ai u vetëvra, kur çdo veprim që mund të bënte Leonardi vihej re nga policët, - shprehet e irrituar nëna e viktimës.
APELI
Prindërit e Leonard Kalcës u bëjnë apel autoriteteve greke që të zbardhin të vërtetën e vdekjes së djalit të tyre. Ata kërkojnë që organet e drejtësisë të këtij vendi të ndëshkojnë policët që i morën jetën 19-vjeçarit. “Ka shumë mundësi që im bir gjatë torturave t’i ketë sharë policët grekë dhe ata janë hakmarrë ndaj tij. Jemi të bindur se djalin tonë e vranë policët, të cilët duhet të përgjigjen për këtë krim makabër”, - pohon Margarita Kalci. Dy kryefamiljarët janë të indinjuar me indiferencën e qeverisë shqiptare në lidhje me këtë ngjarje dhe sidomos me ambasadën tonë në Athinë. “Të paktën përfaqësuesit e ambasadës tonë të na ishin bërë një telefonatë ngushëllimi, por nuk e morën mundimin”, - thonë me lot në sy prindërit e të riut fatkeq.
Ballkanweb
Krijoni Kontakt