Sulmohen të krishterët, në një shtëpi botuese në Turqi
Gjatë një sulmi ndaj një shtëpie botuese të krishterë në Turqi, të mërkurën, më 18 prill, gjetën vdekjen një punonjës gjerman dhe dy turq. Atentatori i kishte lidhur viktimat e tij nga duart dhe këmbët dhe iu kishte prerë gurmazin
Ndonëse policia në Malatja ka arrestuar ndërkohë pesë të pandehur, të gjithë djem në moshën 20 vjeç dhe ka sekuestruar armët me të cilat dyshohet të jetë kryer krimi, motivet janë ende të paqarta. Duket se zbardhja e motivit do të jetë e vështirë. Ministri i Brendshëm turk, Abdulkadir Aksu, deklaroi: "Kemi të bëjmë me një rast për drejtësinë, ndaj ne i mbajmë të fshehta hetimet. Nuk dua të jap asnjë informacion tjetër, në mënyrë që garantohen hetime të patrazuara dhe të detajuara."
Tre persona, dy turq dhe një gjerman, ishin lidhur dhe iu ishte prerë gurmazi në ambientet e shtëpisë botuese të krishterë. Kjo sipërmarrje është një bashkëpunim turko-amerikan, e cila qysh nga viti 2001 është vendosur në Malatja dhe shet atje edhe bibla e kryqe.
Sipas të dhënave të shtypit lokal si dhe të pronarit të shtëpisë botuese ka pasur herë pas here kërcënime ndaj ndërmarrjes, e cila megjithatë nuk kishte kërkuar mbrojtjen e personave.
I pyetur nëse të krishterët kanë pasur edhe rolin e misionarëve, gjë që është e ndaluar, guvernatori i Malatjasë, Ibrahim Dashëz tha: “Ne këtu në Malatja nuk kemi ndonjë reagim apo revoltë kundër punës misionare, por kanë qarkulluar fjalë për një gjë të tillë, njerëzit flasin për këtë, ashtu si kudo në Turqi.".
Megjithatë është e qartë se, me këtë atentat në qytetin lindor të Anadollit, dhuna kundër të krishterëve në Turqi ka arritur kulmin.
Gazeta Tema
Krijoni Kontakt