Letër sigurimsash në Këshillin e Sigurimit
Basir Çollaku
Nëse ka surprizë të pas viteve '90, është pikërisht letra që dërgon Partia Socialiste në Këshillin e Sigurimit dhe institucione të tjera ndërkombëtare, duke denoncuar qeverinë. Pas pretendimeve të vazhdueshme e të pafundme të serbëve ndaj shqiptarëve në Këshillin e Sigurimit, kjo mund të jetë befasia e re që ka prodhuar politika rajonale në gadishullin ballkanik. Në përzgjedhjen e tyre, zyrtarët e OKB nuk mund të mos nënqeshin kur marrin ankesat e Beogradit ndaj shqiptarëve, por marrin dijeni dhe për ankesat e një pjese të Tiranës kundër pjesës tjetër të Tiranës.
Në institucione ndërkombëtare, drejtues socialistë kanë vendosur të shkruajnë letra duke tentuar të jenë më të besueshmit për atë që bëhet në mënyrë transparente dhe për të cilën kanë dijeni thuaj gjithë shqiptarët. Opozita tashmë ka kapërcyer kufijtë duke menduar se integrimi në NATO dhe në BE, një perspektivë e realizuar tashmë, duhet patjetër të kalojë nga duart e tyre edhe nëse mbetet përjetësisht e pabërë. Kjo iniciativë në tërësi ka politikë të importuar, por mbart dhe një fshehje tjetër, atë që arratia opozitare nuk di të ndalet.
PS vë në dijeni Këshillin e Sigurimit se qenka bërë tregti (trafik thonë ata) armësh dhe Shqipëria ka dëmtuar SHBA. Largqoftë të mendojmë dhe besojmë se Amerika e ka sigurinë të bazuar në citatet e Erion Braçes apo letrat e një partie opozitare në Shqipëri, që ka gjetur argument për të mbuluar pafuqinë e saj. Ajo që vjen bindëse me këtë letër, në fakt janë shumë letra, është fakti i filozofisë së mbetur ende qosheve. Arma e Sigurimit të Shtetit, kjo fabrikë gjeniale e të keqes, është në gjendje të prodhojë pa fund surpriza. E akumuluar në shtëpinë e saj në PS, ajo është këshillimorja më e çmuar e trukeve që kanë efekte negative dhe po luan aktualisht tezën e armikut, ku këtë herë letërshkruesit mundohen të shpëtojnë Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare nga puna e qeverisë "Berisha".
Madje dhe fakti që një këshilltar ka deklaruar apo jo një kontratë të shumënjohur prej dy vitesh në Shqipëri, është një faj i qeverisë dhe socialistët kanë vrapuar t'ia thonë OKB-së. Këta sigurimsa shqiptarë marrin përsipër të dëmtojnë dhe PS-në, por në fakt duan të sigurojnë planetin nga komplotet që vijnë nga qeveria "Berisha". Kjo është një lakmi për Hollivudin dhe skenaristë të përtej oqeanit, që duhet ta marrin në konsideratë fabulën e opozitës shqiptare, që gjithsesi nuk ka shumë moral brenda. Po përse kjo letër, kjo fushatë spiunazhi pikërisht tani? Dyshoj se ky shekull ka si target global më të përhapur spiunazhin ekonomik dhe këtu ka nuanca të shumta të kësaj loje socialiste, pasi përgatitja e tyre është më shumë elektorale.
Mban era dëshirë për pushtet, për ta marrë atë e për të përgatitur rrëzimin e një tjetri, paçka se mënyra nuk është krejt e fisme. PS po kërkon të fitojë aksione, të rrisë nivelin e besueshmërisë së saj të dëmtuar më shumë se rëndë, e t'i marrë sa më teper terren kryeministrit, që është partneri shqiptar më i besueshëm i ndërkombëtarëve në këto tre vjet. PS po bën lojën e imazhit, këtë marketing që Departamenti i Sigurimit të Shtetit, në selinë e tij, e bën jo keq, ka nisur realisht fushatën kundër socialistëve e demokratëve. Ka shkuar Edi Rama me këtë letër përtej të majtës e të djathtës, ka shkuar përtej shqiptarëve, të cilët pretendon t'i qeverisë me një formulë aspak dashamirëse.
Ky ritual i "transparencës së opozitës" vjen në momente kur bonuset shqiptare që i jepnin dhe i japin evropianët kryeministrit dhe ekipit të tij janë vërtet për t'u mbajtur mend. Të bësh rrugë aq sa kanë bërë gjithë qeverisjet socialiste nga themeli, të marrësh besimin se do të lëvizësh lirshëm në BE, liberalizim vizash, vetëm pas gjashtë apo shtatë muajsh, kjo është një frikë që PS-në e bën të ndjehet keq, pasi nuk llogaritet në sukseset e saj të pushtetit. Ky është problemi që ka Berisha me letërshkruesit, që kanë mbushur selitë e kancelaritë evropiane duke përmendur Konicën, që "... e keqja e shqiptarëve janë shqiptarët...".
Duke e parë veten ngushtë në Shqipëri, ku përballja me premtimet, investimet, realizimet dhe lehtësirat e shumëfishuara që janë prodhuar nga ekzekutivi nuk u krijon fort elektorat, pokeri i të majtës në fushën jashtë kufijve është mundësi për të ruajtur atë pjesë të pahumbur. Teza është e njëjtë dhe kontributi nuk ndryshon veshje, kur pritshmëria e Shqipërisë është marrja e anëtarësimit të plotë në NATO. Tentuan dhe uruan "politika e vjetër e kohës së re" në PS që të mos nënshkruante Sali Berisha më 3 prill, kërkojnë sërish mjegull për datën 9 korrik, kur Shqipëria do të nënshkruajë protokollin e integrimit në Aleancën Euroatlantike, duke zgjatur vend e pa vend Gërdecin.
Bashkimi Evropian thotë shkoqur, nëpërmjet komisionerit për Drejtësinë, zëvendëspresidentit Franko Fratini, që në 2009-ën liberalizohen vizat. Dhe do të ishte mirë që shkruesit socialistë të prisnin të merrnin vizat dhe të shkonin e të flisnin gojarisht në institucione të rëndësishme, ku ata shpresojnë të shpëtojnë kombin. Jo fort ngutem në këtë dëshirë, se këtë herë kanë dhe një tjetër detyrë shtëpie, qoftë PD e qoftë PS. Të zbatojnë rezolutën e Asamblesë së BE-së që të dënohen krimet e komunizmit, ai krim që ka pjellë politikë prapë e shndërrohet në informues të gjëmave të sotme. Këtë letër sa spiunë, ish-sigurimsa ka në politikë në të dyja partitë e mëdha, mirë është ta shkruajë Shqipëria, këtë detyrim e ka mazhoranca dhe ta përcjellë në të gjitha institucionet europiane e atlantike, sigurisht pa harruar Këshillin e Sigurimit.
RD
Krijoni Kontakt