Hetimet po përqendrohen në abuzimet e 230 milionëve euro
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar dokumentet e tenderave të rrugëve në Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve.
Dyshohet se me veprimin dhe mosveprimin e ligjit i është shkaktuar shtetit shqiptar miliona euro humbje. Denoncimi erdhi nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit të Territorit, Arben Meçe, i cili akuzoi si shkaktar kryesor ministrin e Punëve Publike,
Lulzim Basha. Për këtë të fundit, grupi hetimor tha se po shikohet mundësia për ta marrë në pyetje, ndërsa
ende nuk është vendosur nëse do të fillojë procedimi penal. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë dosja do të hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi ministri Basha gëzon statusin e deputetit. Mësohet se materialet që janë sekuestruar në Ministrinë Publike do të shërbejnë si prova për prokurorinë në hetimin e akuzave për shpërdorimin e dhjetëra milionë eurove për punë publike të pakryera. Janë sekuestruar dokumente për planifikimin e nvestimeve, financimin e tyre dhe shkallën e realizimit. Disa ditë më parë, Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimin ndaj ministrisë, pa ndonjë emër konkret. Fillimisht është pyetur në cilësinë e dëshmitarit Arben Meçe, i cili ka konfirmuar shpërdorimet e shumta. Janë sekuestruar dokumente ku përfshihen tendera të ndryshme të bëra nga kjo ministri. Prokuroria e Tiranës do të merret me shqyrtimin e të gjitha këtyre dokumenteve, ku edhe do të shihet nëse ka apo jo abuzime. Ndërkohë që vendimi i hapjes së ndonjë procedimi penal do të vendoset në sajë të përfundimeve të këtyre dosjeve. Ndërkohë që vetë
ish-drejtori i Ministrisë Transportit, Arben Meçe, ka deklaruar si dëshmitar i thirrur disa ditë më parë në prokurori, se kemi të bëjmë me abuzime të mëdha, të cilat arrijnë në disa miliarda lekë shpërdorime.
Ish-drejtori Meçe ka akuzuar ministrin
Lulzim Basha si përgjegjësin kryesor të abuzimeve. Bëhet fjalë me fondin prej 230 milionë eurosh të dhëna për vitin 2006. Sipas tij, janë dhënë fonde për punë që nuk janë bërë. Ish-drejtori Meçe i bëri thirrje prokurorisë të hetonte abuzimet në MPPTT.
Meçe, nëpërmjet medias, i bëri thirrje prokurorisë të hetojë përmasat e abuzimit dhe të vendosë përpara ligjit përgjegjësit, ku kryesori, sipas tij, është ministri Basha. Ndërkohë, ai kërkoi edhe ndërhyrjen e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkaq, prokuroria tha se fillimisht është ngritur akuza e "shpërdorimit të detyrës", por pa autor, pasi nuk është verifikuar vërtetësia e pretendimeve të ish-drejtorit Arben Meçe. Sipas akuzës, me të kryer hetimet paraprake dhe verifikimin e fakteve, hetuesit e prokurorisë së kryeqytetit do të nxjerrin përgjegjësit kryesorë të këtyre abuzimeve,
ose në të kundërtën, do ta pushojnë çështjen për mungesë të elementëve të veprës penale. Por nëse do të arrihet të vërtetohen akuzat e ngritura nga Meçe nëpërmjet prononcimeve, madje edhe në dëshminë e bërë në organin e akuzës, atëherë do të fillojë edhe procedimi penal mbi personat që i kanë kryer këto abuzime, ku në "shënjestër" është Lulëzim Basha.
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt