Data: 30/07/2006, ora
Mijëra dollarë, kostoja e barbarisë së majtë, asnjë pendesë nga Rama
Ndre Legisi, Ylli Manjani, Artan Lame dhe punonjës të Partisë Socialiste, kanë festuar së bashku dhunimin e Kuvendit, duke i treguar shoku-shokut bëmat e mëdha që kishin kryer dhe ishin përcjellë nga të gjitha ekranet televizive
Mijëra dollarë, kostoja e barbarisë së majtë, asnjë pendesë nga Rama
Ndre Legisi, Ylli Manjani, Artan Lame dhe punonjës të Partisë Socialiste, kanë festuar së bashku dhunimin e Kuvendit, duke i treguar shoku-shokut bëmat e mëdha që kishin kryer dhe ishin përcjellë nga të gjitha ekranet televizive. Jozefina Topalli bën thirrje për rikthimin e arsyes dhe rivendosjen e bashkëpunimit
Kur sheh të rrëzuara karriket, tavolinat, podiumin ku ulej qeveria, si dhe dhunimin e vendit të kryetarit të Parlamentit, të hip gjaku në kokë dhe e ndjen se në atë sallë që të gjithë e kanë si përfaqësim të sistemit dhe elitës së vendit, nuk ka më shenja të tilla. Të gjithë ata burra e gra që, duke qenë në opozitë, nuk kanë ndjerë kurrë mungesën e rojeve personale e shoferëve, të pasaportave diplomatike, të bizneseve dhe rrjedhjes së parasë, nuk dihet përse kërkojnë të përdhunojnë në mënyrë masive atë sallë që u ka dhënë të gjitha privilegjet. Vite e vite me radhë, disa prej tyre, sido që ka ndërruar situata politike, nuk janë shkulur prej sallës së seancave plenare dhe kjo, jo për faktin se kanë qenë të dashuruar me të, por vetëm sepse prej atij kolltuku apo asaj karrikeje, ata kanë marrë gjithçka e nuk kanë dhënë asgjë, apo më keq akoma, kanë prodhuar vetëm rrëmujë e kanibalizëm, për të cilën, dikush duhet të mbajë edhe përgjegjësi. Ndjenja e turpit nuk mund të shfaqet më në surratin e cilitdo prej vandalëve të majtë që përdhosën atë që, vetë dikur, e kishin për zemër. Mirëpo, duket se tani që nuk munden më të mbrojnë krimin dhe as të vjedhin nëpërmjet mandateve, u është pështirosur ai vend që, papritmas, është kthyer në një të mallkuar për ta e që duhet shkulur nga rrënjët, ndoshta pasi vetëm shkatërrimi i infrastrukturës parlamentare nuk mund të jetë i mjaftueshëm. Për zonjat e PS-së, sulmi pushtues mbi Kuvendin dhe thyerja e gjithçkaje nuk është ndonjë zhvillim i madh, madje i mundshëm për të përfituar prej tij, duke ia hedhur fajin mazhorancës.
Kamera televizive tradhton Legisin
Por nuk kanë mundur t’i fshehin shumë veprat e tyre socialistët, pasi dje paradite, në ambientet e hotel “Tiranës”, Ndre Legisi, në një tavolinë me ish-sekretarin e përgjithshëm të PS-së, Ylli Manjani, me ish-zëvendësministrin socialist të Turizmit, Artan Lame dhe me përkrahës të tjerë të dhunës, ka filluar të tregojë me zell se si kishte shkulur nga vendi vazot, si kishte kërkuar me sy ndonjë ministër të mundshëm të Berishës dhe si më pas, mes të sharave banale, kishte vërvitur vazon e luleve mbi kokën e një gardisti, i cili, për të mbajtur fëmijët me bukë, ishte përmbajtur duke mos e bërë Ndreun të tillë, sa të mos e njihnin edhe vetë njerëzit e tij të afërt. Kamera e “Shijak TV”, në bashkëpunim me dashamirës të paqes, ka mundur të sigurojë pamje reale që tregojnë fytyrën e vërtetë të PS-së “pacifiste”.
Barbarizmi mbi Kuvendin dhe vizita e znj.Topalli
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vizitoi sallën e seancës plenare, të dëmtuar e të kthyer përmbys, në gjithë kuptimin e fjalës, nga e majta, duke u përpjekur të vetëpërmbahet në të folur para kamerave. Ajo hyri në sallën e seancave plenare, duke ecur e heshtur mes fletëve, karrikeve, tavolinave dhe mikrofonëve të hedhur sa andej-këtej, si një kryeparlamentare që ndodhej mbi gërmadhat e asaj që dikur quhej sallë e parlamentit. Vetëm turp ndjehej në çastet e vizitës së saj, duke bërë edhe një herë thirrje për qetësi të shpirtrave të trazuar e të zinj që, meqenëse kanë mandatet në dorë, menduan se mund të pushtonin pa ndonjë vështirësi institucionin.
Re.Po.
g55
Krijoni Kontakt