Rruga Durrës-Kukës, sekuestrohen dokumentet
Prokuroria: Firmat konkurruese nuk kanë paraqitur ofertë monetare
Prokuroria e Përgjithshme ka zbardhur shkelje të tjera në tenderin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Krahas 19 problemeve themelore që janë hasur gjatë verifikimit të kontratës mes qeverisë shqiptare dhe firmës fituese të tenderit, "Bechtel International" nga Prokuroria e Tiranës, janë konstatuar se firmat që pretendonin të fitonin ndërtimin e rrugës nuk kanë paraqitur një vlerë financiare, por vetëm projektet që kanë zbatuar në vendet e tjera. Kjo ka sjellë çudinë e hetuesve të çështjes, teksa një problem tjetër mbetet gjuha e përdorur gjatë procesit të tenderit. Dy hetues të çështjes kanë vizituar Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, ku kanë sekuestruar projektet e tri firmave që konkurronin, krahas firmës fituese "Bechtel International". Në dokumente bie në sy mënyra sesi firmat pretendonin të fitonin tenderin. Mësohet se materialet kanë mbërritur në organin qendror të akuzës dhe pritet që të fillojë një hetim i hollësishëm. Shkelja e radhës është vazhdimi i "serisë" së parregullsive të konstatuara gjatë procedurave të tenderit të rrugës Durrës-Kukës. Abuzimi më i butë i kontratës për tenderin është leja mjedisore dhe ajo minerare që duhet të lëshohet nga ministritë përkatëse. Ndërkohë, vijnë me radhë shkeljet e tjera: Kontrata është lidhur dhe më pas është miratuar, pa pasur një projekt përfundimtar për ndërtimin e rrugës. Ligji parashikon që objektet të ndërtohen në bazë të projekteve të zbatimit të hartuar nga organe të pajisura me licencën përkatëse. Gjithashtu, ligji thotë që oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve do të bëhet për të gjitha llojet e ndërtimeve. Në rastin konkret, nuk ka asnjë oponencë teknike. Po kështu, kontrata mes palëve është lidhur, miratuar më pas me VKM dhe ka filluar përmbushja e detyrimeve të kontratës
pa pasur mbikëqyrësin e punimeve (supervizorin), gjë që është detyrim ligjor. Nga ana tjetër, gjithmonë kur bëhet një tender ka një fond limit. Në rastin konkret vërehet se nuk ka një fond limit për lëvrimin e fondeve nga buxheti i shtetit. Një tjetër shkelje vërehet te paradhënia, e cila nuk mund të kalojë më shumë se 10% të vlerës së kontratës (në rastin konkret vlera fillestare e çmimit të synuar të kontratës ishte 418.333.986 euro), pasi në
rastin konkret i janë dhënë sipërmarrësit mbi 100 milionë euro. Nga ana tjetër, në kontratë parashikohet se do të zbatohet ligji anglez. Në asnjë rast nuk mund të kenë efekt mbi territorin shqiptar, ligjet e një vendi të huaj. Shkelje tjetër është dhe fakti se një pjesë e dokumenteve të paraqitura për pagesë, si dhe të dokumentacionit në përgjithësi janë në gjuhën angleze çka përbën shkelje të ligjit. Të gjitha këto shkelje gjenden në duart e hetuesve të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët pritet të japin verdiktin e tyre. Për këto parregullsi, Prokuroria e Tiranës ka njoftuar Armand Telitin dhe Andi Tomën për veprën penale shpërdorim detyre. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Lulzim Bashën, por ministri aktual i Jashtëm nuk u është përgjigjur thirrjeve të njëpasnjëshme të organit hetimor. "Si persona të dyshuar si përgjegjës për këtë vepër penale janë shtetasit Andi Toma, Armand Teliti dhe Lulzim Basha, të cilët kanë përgatitur të gjithë dokumentacionin dhe kanë iniciuar procedurat e VKM nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006", thanë burimet nga akuza qendrore.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt