Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 20
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955

    Fjalimet që ndryshuan Botën!

    S’mund t'i urresh rrënjët e pemës e të mos urresh pemën

    Mbajtur më 14 shkurt, 1965, Detroit

    Malcolm X

    Unë nuk jam racist në asnjë lloje mënyre. Nuk besoj asnjë lloj forme racizmi. Nuk besoj në asnjë lloje forme diskriminimi apo izolimi. Unë besoj në islamin.

    Elijah Muhammad na ka mësuar se njeriu i bardhë nuk mund të hyjë në Mekën e Arabisë dhe të gjithë ne që ndjekim atë, ne e besojmë këtë ... Kur unë shkova atje dhe në Mekë, pashë njerëz biondë dhe me sy të kaltër, me lëkurë të zbehtë dhe gjëra të tilla, dhe thashë, "Mirë", por i pashë ata me vëmendje. Vura re se edhe pse ishin të bardhë dhe e quanin veten të bardhë, kishin një ndryshim mes tyre dhe të bardhëve këtu. Ndryshimi thelbësor ishte ky: "Në botën aziatike apo arabe, apo në Afrikë, kudo ku janë myslimanët, nëse gjeni një që thotë se është i bardhë, gjithçka që po përdor është një mbiemër për të përshkruar diçka që është e rastësishme tek ai, një nga karakteristikat e rastësishme; nuk ka asgjë tjetër, ai është thjesht i bardhë.

    Po kur e sjell të bardhin këtu në Amerikë dhe ai thotë se është i bardhë, ai do të thotë diçka tjetër. Mund të dëgjosh tingullin e zërit të tij, kur thotë se është i bardhë, fjalia do të thotë se ai është bosi. Kjo është e saktë. Këtë do të thotë "i bardhë" në këtë gjuhë. E dini shprehjen "i lirë, i bardhë dhe njëzet e një". Ai e krijoi. Do që ju të kuptoni se "i bardhë" do të thotë "i lirë, bosi". Ai është atje, prandaj kur thotë se është i bardhë, zëri i tij ka një tingull të ndryshëm. Unë e di se ju po më kuptoni se çfarë po flas.

    Përveç faktit se pashë një islami është një fe vëllazërie, gjithashtu duhet të përballem me realitetin. Dhe kur u ktheva në shoqërinë amerikane, pashë që nuk ishte një shoqëri që praktikon vëllazërinë. Jam në një shoqëri që mund ta predikojë të dielën, por nuk e praktikojnë një asnjë ditë tjetër. Amerika është një shoqëri ku nuk ka vëllazëri. Kjo shoqëri kontrollohet fillimisht nga racistët dhe të izoluarit, të cilët janë në Uashingon D.C., në një pozitë pushteti.

    Çfarë efekti ka lufta për Afrikën mbi ne? Pse duhet që njerëzit me ngjyrë në Amerikë ta shqetësojë veten kur ka treqind apo katërqind vite që është larg Afrikës? Pse nuk duhet ta shqetësojmë veten? Çfarë ndikimi ka tek ne ajo që i ndodh atyre? Numër një, duhet të kuptoni se deri në vitin 1959, Afrika ishte e dominuar nga forcat koloniale. Duke patur kontroll të plotë mbi Afrikën, forcat koloniale të Evropës e projektuan imazhin e Afrikës në mënyrë negative. Ata gjithmonë e projektojnë Afrikën në një imazh negativ: xhungla, kanibalë, asgjë të civilizuar. Atëherë pse ishte kaq negative dhe ju dhe unë filluam ta urrenim? Nuk donim që askush të na tregonte asgjë për Afrikën, dhe aq më pak të na thërrisnin afrikanë. Duke urryer Afrikën dhe duke urryer afrikanët, përfunduam duke urryer vetveten, pa e kuptuar. Nuk mund të urresh rrënjët e një peme dhe të mos e urresh pemën. Nuk mund të urresh origjinën tënde dhe si përfundim të mos urresh veten tënde. Nuk mund të urresh Afrikën dhe të mos urresh veten.

    Më tregoni një nga këta persona këtu të cilit nuk janë ndërruar pikëpamjet dhe nuk ka një qëndrim negativ për veten e tij. Nuk mund të kesh një qëndrim pozitiv për vetveten dhe një qëndrim negativ për Afrikën në të njëjtën kohë. Ashtu si kuptimi juaj dhe qëndrimi për Afrikën do të bëhet pozitiv, në të njëjtën mënyrë dhe kuptimi juaj dhe qëndrimi i vetes do të bëhet pozitiv. Këtë di njeriu i bardhë. Kështu që ata me shumë mjeshtëri bëjnë që ju dhe unë të urrejmë identitetin tonë afrikan, karakteristikat tona afrikane.

    Një nga gjërat që bëri që lëvizja e myslimanëve me ngjyrë të rrite ishte theksi i tij mbi gjërat afrikane. Ky ishte sekreti i rritjes të lëvizjes së myslimanëve të zinj. Gjaku afrikan, origjina afrikane, kultura afrikane, lidhjet afrikane. Do të habiteshit, ne zbuluam se thellë brenda nënndërgjegjes të njeriut me ngjyrë në këtë vend, ai beson se është më shumë afrikan se amerikan. Ai kujton se është më shumë amerikan se afrikan, për shkak se njeriu po ia shpëlan trurin çdo ditë.

    Vetëm për shkak se jeton në një vend kjo nuk të bën amerikan. Jo, duhet të shkosh më thellë para se të bëhesh amerikan. Duhet të shijosh frytet e amerikanizmit. Ju nuk i keni shijuar këto fryte. Ju keni shijuar gjembat. Ju keni shijuar gjembat.

    Po e them përsëri se nuk jam racist. Nuk besoj në asnjë formë ndarjeje apo asgjë të tillë. Jam për vëllazërinë e të gjithëe, por nuk besoj se forcimi i vëllazërisë tek njerëzit që s'e duan do të kishte vlerë. Le të praktikojmë vëllazërinë mes nesh, dhe nëse më vonë të tjerët duan ta praktikojnë vëllazërinë me ne, ne do të pranojmë ta praktikojmë me ta. Por nuk mendoj se duhet të vazhdojmë të përpiqemi të duam dikë që nuk na do.

    *Malcolm Little ishte lideri i nacionalistëve amerikanë me ngjyrë. Një javë pas fjalimit u vra nga një anëtar i "Kombit të Islamit", një grup në të cilën ishte figurë e rëndësishme.
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955

    Fjalimet qe ndryshuan boten

    Unë kam një ëndërr

    Mbajtur më 28 gusht, 1963

    Martin Luther King Jr.

    Njëqind vjet më parë, një amerikan i madh, nën hijen e të cilit qëndrojmë sot, nënshkroi Shpalljen e Emancipimit. Ky dekret i momentit erdhi si drita e një feneri të madh për miliona skllevër negro, të cilët ishin përcëlluar në flakët e padrejtësisë përvëluese. Erdhi si një agim në fund të një nate të gjatë të robërimit.

    Por një qind vite më vonë, negrot ende nuk janë të lirë. Një qind vite më vonë, jeta e një zezaku është ende e sakatuar nga prangat e izolimit dhe zinxhirët e diskriminimit. Një qind vite më vonë, negrot jetojnë në një ishull varfërie në mes të një oqeani të gjerë me prosperitet material. Një qind vite më vonë, negrot ende brengosen në qoshe të shoqërisë amerikane dhe e ndjejnë veten në ekzil në tokën e tyre. Prandaj ne kemi ardhur këtu të dramatizojmë një kusht të turpshëm.

    Në një farë kuptimi, ne kemi ardhur në kryeqytetin e kombit tonë për të marrë një çek. Kur arkitektët e republikës sonë shkruan fjalët e mrekullueshme të Kushtetutës dhe Shpalljes së Pavarësisë, ata po nënshkruanin një shënim premtues, sipas së cilit, çdo amerikan duhet të ishte trashëgimtar. Ky shënim ishte një premtim se të gjithë njerëzit, po, njerëz të zinj dhe të bardhë, do t’i garantoheshin të drejtat e patjetërsueshme të jetës, liria dhe kërkimi i lumturisë. Është fare e qartë sot se Amerika nuk i ka plotësuar zotimet e premtuara, për sa i përket qytetarëve me ngjyrë. Në vend që të nderojnë këtë detyrim të shenjtë, Amerika u ka dhënë popullit zezak një çek të keq, një çek në të cilin shënohen “fonde të pamjaftueshme”.

    Por ne refuzojmë të besojmë se banka e drejtësisë ka falimentuar. Ne refuzojmë të besojmë se nuk ka fonde të mjaftueshme në kupën e madhe të mundësive të këtij kombi. Prandaj ne kemi ardhur ta marrim këtë çek, një çek që do të na japë mbi kërkesën e pasurisë, lirinë dhe drejtësinë.
    Tani është koha t’i bëjmë të vërteta premtimet e demokracisë. Tani është koha ta bëjmë drejtësinë një realitet për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Do të ishte fatale sikur ky komb të tejkalonte urgjencën e momentit. Njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e treshi nuk është fundi, por fillimi. Vorbulla e revoltës do të vazhdojë të tundë themelin e kombit tonë deri në ditën e shndritshme që drejtësia do të lindë.

    Duhet t’i them diçka atyre që qëndrojnë në pragun e ngrohtë, që i drejton në pallatin e drejtësisë. Në procesin për të fituar vendin tonë të drejtë, ne nuk duhet të ndihemi fajtorë për veprimet tona të gabuara. Le të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e zemërimit dhe urrejtjes. Nuk duhet ta ngrijmë përpjekjen tonë në sferën e lartë të dinjitetit dhe disiplinës. Nuk duhet të lejojmë që protestat tona krijuese të degjenerojnë në dhunë fizike. Duhet të ngrihemi përsëri dhe përsëri në lartësinë madhore për të bashkuar forcën fizike me forcën shpirtërore.

    Jam i vetëdijshëm se disa prej jush kanë kaluar prova dhe vuajtje të mëdha. Disa prej jush vijnë direkt nga qelitë e burgjeve. Disa prej jush vijnë nga zona ku kërkimi për liri ju ka lënë të dërrmuar nga stuhia e persekutimeve dhe është tronditur nga era e brutalitetit të policisë. Ne jemi veteranët e vuajtjes krijuese. Vazhdoni të punoni me besimin se vuajtjet e pamerituara janë shpenguese. Shkoni në Misisipi, shkoni në Alabama, kthehuni në Karolinën e Jugut, shkoni në Xheorxhia, kthehuni në Luiziana, shkoni në lagjet e varfra dhe getot e qyteteve veriore, duke ditur se në një farë mënyre situata mund dhe do të ndryshojë. Le të mos zhytemi në lëndinën e dëshpërimit, ju them, miqtë e mi. Edhe pse po përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane.

    Unë kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne mendojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.
    Kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqe të Xheorxhias yjet e ish-skllevërve dhe bijve të të zotëve të ish-skllevërve do të ulen krah për krah në tavolinën e vëllazërisë.

    Kam një ëndërr se një ditë, madje dhe në shtetin e Misisipit, një shtet i djersitur me nxehtësinë e padrejtësisë, do të djersisë nxehtësinë e shtypjes, do të transformohet në një oas lirie dhe drejtësie.

    Kam një ëndërr se katër fëmijët e mi një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga përmbajtja e karakterit. Sot kam një ëndërr!

    Kam një ëndërr se poshtë në Alabama, ku sundon racizmi i ligë, ku nga buzët e guvernatorit dalin fjalë pa kuptim, djem dhe vajza të vogla me ngjyrë, do të mund të bashkojnë duart me djem dhe vajza të vogla të bardha, si motra dhe vëllezër. Sot kam një ëndërr!

    Kam një ëndërr se një ditë çdo luginë do të lartësohet dhe çdo kodër dhe mal do të ulet, vendet e ashpra do të sheshohen dhe vendet e lakuara do të bëhen të drejta, dhe lavdia e Perëndisë do të zbulohet dhe të gjithë do ta shohin së bashku.

    Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi me të cilin kthehemi në Jug. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta kthejmë malin e dëshpërimit në një gur shprese. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta transformojmë disharmoninë e kombit tonë në një simfoni të bukur të vëllazërisë. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, për të luftuar së bashku, për të mbrojtur lirinë së bashku, me dijen se një ditë do të jemi të lirë. Dhe kjo do të jetë dita kur fëmijët e Perëndisë të jenë në gjendje të këndojnë së bashku me një kuptim të ri “Vendi im është toka e ëmbël e lirisë. Toka ku stërgjyshërit kanë vdekur, toka e krenarisë së pilgrimëve, nga çdo majë mali le të këndojë liria”. Dhe nëse Amerika do të bëhet një komb i madh, kjo duhet të bëhet e vërtetë.
    Kështu lëreni lirinë të kumbojë nga majat e kodrave të Nju Hemshajërit.
    Lëreni lirinë të kumbojë nga malet e gjera të Nju Jorkut.
    Lëreni lirinë të kumbojë nga lartësitë e Pensilvanisë.
    Lëreni lirinë të kumbojë nga shkëmbinjtë me dëborë të Kolorados.
    Lëreni lirinë të kumbojë nga pjerrësirat e Kalifornisë.
    Por jo vetëm kaq. Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i gurit të Xheorxhisë.
    Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i Tenesit.
    Lëreni lirinë të kumbojë nga çdo kodër dhe pirg dheu i Misisipit, nga çdo krah mali, lëreni lirinë të kumbasë!
    Dhe kur kjo të ndodhë, kur ta lejojmë lirinë të kumbojë, kur ta lëmë të kumbojë nga çdo fshat dhe çdo katundth, nga çdo shtet dhe çdo qytet, do të jemi në gjendje të përshpejtojmë ditën kur fëmijët e Perëndisë, të bardhët dhe të zinjtë, hebrenj dhe paganë, protestantë dhe katolikë, do të bashkojnë duart dhe të këndojnë fjalët e ritmit shpirtëror të negrove “Më në fund të lirë, më në fund të lirë. Lavdi Zotit të Plotfuqishëm, jemi më në fund të lirë”.

    *Simbol i lëvizjes së të drejtave të njeriut dhe vetë Amerikës. Pastor baptist në Xheorxhi. Shpërblehet me çmimin “Nobel” më 14 tetor, 1964. U vra më 4 prill, 1968.
    My silence doesn't mean I am gone!

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Borix
    Anëtarësuar
    17-01-2003
    Postime
    2,316
    Ne Janar 1918, 9 muaj para perfundimit te Luftes se Pare Boterore, Presidenti W. Wilson mbajti nje fjalim perpara Kongresit, ku ekspozoi planin e tij me 14 pika te mundshme per rikthimin e paqes ne bote. Te Katermbedhjete Pikat e planit te tij sherbyen si baze solide per paqen, dhe me qellim suprem "mbylljen e kapitullit te luftrave te kesaj permase per njerezimin."

    Fjalimi mund te lexohet (ne anglisht) ne adresen http://usinfo.state.gov/usa/infousa/...emocrac/51.htm .
    "The rule is perfect: in all matters of opinion our adversaries are insane." (M. Twain)

  4. #4
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Urrejtje, injorancë dhe djallëzi

    Mbajtur më 10 dhjetor 1975 - Chaim Herzog

    Zoti President! Është simbolike se ky debat, i cili mund të jetë një pikë kthesë në fatin e Kombeve të Bashkuara dhe një faktor vendimtar në ekzistencën e mëtejshme të kësaj organizate, do të organizohet më 10 nëntor. Sonte, tridhjetë e shtatë vite më parë, njihet në histori si Kristallnacht, nata e kristaleve. Kjo ishte nata e vitit 1938, kur trupat naziste të Hitlerit nisën një sulm të koordinuar mbi komunitetin hebre në Gjermani, dogjën sinagogat në të gjitha qytetet e saj dhe ndezën zjarre në rrugë me librat e shenjtë dhe skrollet e Ligjit të Shenjtë dhe Biblës. Ishte nata kur shtëpitë e hebrenjve u sulmuan dhe krerët e familjeve u rrëmbyen, shumë prej të cilëve kurrë nuk u kthyen. Ishte nata kur dritaret e të gjitha bizneseve dhe dyqaneve të hebrenjve u thyen, mbuluan rrugët e qyteteve të Gjermanisë me xhama të thyera, të cilat u thërrmuan në miliona kristale që i dhanë asaj nate këtë emër. Ishte nata që çoi në kremator dhe në dhomat e gazit, Aushvic, Birkenau, Dachau, Buchenwald, Theresienstadt dhe të tjera. Ishte nata që çoi në holokaustin më të tmerrshëm të historisë së njerëzimit.

    Nuk ngrihem mbi këtë podium të mbroj vlerat morale dhe historike të popullit hebre. Ata nuk kanë nevojë të mbrohen. Ata flasin vetë. Ata i kanë dhënë njerëzimit diçka të madhe dhe të përjetshme. Ata kanë bërë për njerëzimin më shumë nga sa mund të vlerësohet nga një forum i tillë.

    Unë vij këtu të dënoj dy djaj të mëdhenj që kërcënojnë shoqërinë në përgjithësi dhe një shoqëri kombesh në veçanti. Këto dy djaj janë urrejtja dhe injoranca. Këto dy djaj janë forca motivuese prapa ithtarëve të kësaj rezolute dhe mbështetësve të tyre. Këta dy djaj karakterizojnë ata që duan ta zvarrisin këtë organizatë botërore, idealet e së cilës janë ngjizur fillimisht nga profetët e Izraelit, në thellësinë në të cilën është thithur sot.

    Sot nuk po shohim gjë tjetër veç një manifestim të urrejtjes së hidhur anti-semitike dhe anti-hebraike, e cila gjallëron shoqërinë arabe. Kush do ta besonte se në këtë vit, në 1975, falsiteti ligdashës i "të vjetërve të Zionit" do të shpërndahej zyrtarisht nga qeveritë arabe? Kush do ta besonte se ne sot do të meditonim një shoqëri arabe që na mëson urrejtjen më të turpshme anti-hebraike që në kopësht? Po sulmohemi nga një shoqëri që motivohet nga forma më ekstreme e racizmit e njohur në botë sot. Ky është racizmi që u shpreh kaq ngjeshur me fjalët e liderit të PLO-së, Yassir Arafat, në fjalimin e hapjes në një simpozium në Tripoli, Libia: "Nuk do të ketë prezencë tjetër në këtë krahinë përveç prezencës arabe". Me fjalë të tjera, në Lindjen e Mesme nga Oqeani Atlantik në Gjirin Persik, vetëm një prezencë lejohet, dhe ajo është prezenca arabe. Asnjë person tjetër, pavarësisht se sa të thella janë rrënjët e tij në këtë krahinë, nuk do të lejohet të shijojë të drejtën për vetëvendosje.

    Ndërsa qëndroj mbi këtë podium, historia e gjatë dhe krenare e njerëzve të mi shpaloset para shpirtit tim. Po shoh shtypësit e njerëzve tanë nëpër epoka ndërsa ata kalojnë njëri tjetrin në varganin e ligë, në harresë. Qëndroj para jush këtu si përfaqësuesi i një populli të fortë që lulëzon, i cili ka mbijetuar dhe do të mbijetojë ndaj kësaj shfaqjeje të turpshme dhe ithtarëve të kësaj rezolute.

    Momentet e mëdha të historisë hebraike më vinë ndër mend ndërsa qëndroj para jush, edhe këtë herë përsëri viktimat e urrejtjes, injorancës dhe së ligës. Kthej sytë prapa këtyre momenteve. Kujtoj madhështinë e një kombi, të cilin kam nderin ta përfaqësojë në këtë forum. Jam i ndërgjegjshëm në këtë moment për të gjithë popullin hebre kudo në botë, qoftë në liri apo në skllavëri, lutjet dhe mendimet e të cilëve janë me mua në këtë moment.
    Qëndroj këtu jo si një lutës. Votoni ashtu siç ju thotë ndërgjegjja morale. Pasi çështja nuk është as Izraeli dhe as Zionizmi. Çështja është ekzistenca e vazhdueshme e kësaj organizate, e cila është tërhequr në pikën më të ulët të diskreditimit nga një koalicion despotësh dhe racistësh.

    *Nga viti 1975 deri në 1978, ambasadori i Izraelit në OKB.
    My silence doesn't mean I am gone!

  5. #5
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Fjalimet qe ndryshuan boten

    Arsimimi i grave, më i rëndësishëm se i meshkujve

    Nju Delhi, 23 nëntor 1974 - Indira Gandhi*


    Një thënie e vjetër në sanskrisht thotë se gruajaështë shtëpia dhe shtëpia është baza e shoqërisë. Është njësoj sikur ndërtojmë shtëpinë tona duke ndërtuar dhe vendin tonë. Nëse shtëpia jonë është e papërshtatshme, qoftë e papërshtatshme në të mira materiale dhe gjëra të nevojshme, atëherë ai vend nuk mund të ketë harmoni dhe asnjë vend që nuk ka harmoni nuk mund të rritet në asnjë drejtim.

    Ja përse arsimimi i gruas është më i rëndësishëm se arsimimi i burrave dhe djemve. Ne, dhe me fjalën "ne" nuk dua të them vetëm ne në Indi, por të gjithë botën, kemi neglizhuar arsimimin e gruas. Kur isha fëmijë, gratë sapo fillonin të arsimoheshin në Angli. Të gjithëve u kujtohej se çfarë kishte ndodhur gjatë ditëve të hershme.

    Tani, ne kemi arsimim dhe në të gjithë vendin po debatohet nëse ky arsimim është i përshtatshëm për nevojat e shoqërisë apo për nevojat e të rinjve tanë. Unë jam njëra prej tyre që gjithmonë beson se arsimimi duhet rishqyrtuar. Por në të njëjtën kohë, mendoj se jo gjithçka në arsimimin tonë është e gabuar, madje dhe arsimimi i tanishëm ka nxjerrë burra dhe gra të mira, veçanërisht shkencëtarë dhe ekspertë në fusha të ndryshme, të cilët kërkohen në të gjithë botën dhe madje dhe në vendet më të begata. Shumë prej të rinjve tanë na lënë dhe shkojnë jashtë për shkak të pagave më të mëdha, të kushteve më të mira në punë.

    Një nga përgjegjësitë më të mëdha të grave të arsimuara sot është mënyra si sintetizohet ajo që ka pasur vlerë dhe është e çmuar në traditat tona të lashta, me atë që është e mirë dhe e vlefshme në shoqërinë moderne. Jo gjithçka që është moderne është po kaq e mirë, dhe jo gjithçka që është e vjetër është ose e mirë ose e keqe. Duhet të vendosim, jo njëherë e mirë, por gati çdo javë, çdo muaj për të mirat dhe vlerat e vendit tonë, dhe se cilat janë disa nga gjërat e vjetra që mund të ruajmë për të pasuruar shoqërinë tonë. Për të qenë modernë, disa njerëz mendojnë se është një mënyrë e të veshuri apo një mënyrë e të foluri apo disa zakone apo tradita, por kjo nuk është ajo që fjala "modern" do të thotë. Ajo është një pjesë sipërfaqësore e modernizmit.

    Tani, që India të bëhet ajo që ne duam të bëhet, me një shoqëri moderne, të arsyeshme dhe një bazë të fortë në traditat tona të lashta dhe në tokën tonë, duhet të kemi një forum publik, me gra të reja të cilat nuk janë të kënaqura duke pranuar gjithçka që vjen nga çdo pjesë e botës, por janë të gatshme ta dëgjojnë atë, ta analizojnë dhe të vendosin nëse duhet pranuar apo duhet hedhur dhe ky është ai tip arsimimi që duam, i cili i aftëson të rinjtë të përshtaten me këtë botë gjithnjë e në rritje dhe të jenë në gjendje të kontribuojnë për të.

    Disa njerëz mendojnë se vetëm duke pasur punë të mira po bëjnë diçka të rëndësishme. Por ne të gjithë e dimë mirë se edhe makineria më komplekse do të ishte infektive nëse një kaçavidë e vogël nuk punon ashtu siç duhet të punojë dhe se ajo kaçavidë e vogël është po aq e rëndësishme sa dhe pjesa më e madhe. Po kështu ndodh edhe në jetën kombëtare. Nuk ka asnjë punë të vogël; nuk ka asnjë person të vogël. Gjithkush ka diçka për të bërë. Dhe nëse ai apo ajo e bën mirë, atëherë vendi do të shkojë në drejtimin e duhur.
    Kjo tregon se sa bukur është balancuar bota kur gjithkush ka diçka për të bërë. Gjithçka, qoftë e pisët apo e vogël ka një qëllim.

    *Udhëheqësja e parë femër në Indi. Vritet më 31 tetor 1984 në Nju Delhi.
    My silence doesn't mean I am gone!

  6. #6
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Askush nuk shfajësohet në Shtëpinë e Bardhë

    Mbajtur më 30 prill 1973 -Richard M. Nixon*

    Mirëmbrëma! Dua të flas me ju sonte nga zemra për një temë shqetësuese për çdo amerikan.

    Në muajt e fundit, anëtarë të administratës sime dhe zyrtarë të Komitetit për rizgjedhjet e Presidentit, përfshirë dhe disa nga miqtë e mi më të ngushtë dhe ndihmësit më të besuar, janë akuzuar me përfshirjen në atë që quhet çështja Uatergeit. Këto përfshijnë akuza për aktivitet ilegal gjatë dhe para zgjedhjeve presidenciale të vitit 1972 dhe akuza se zyrtarë përgjegjës morën pjesë në përpjekjen për të mbuluar këtë aktivitet ilegal.

    Rezultati i pashmangshëm i këtyre akuzave ka ngritur pyetje serioze për integritetin e vetë Shtëpisë së Bardhë. Sonte dua të merrem me këto pyetje.
    Qershorin e kaluar, ndërsa isha në Florida për disa ditë pushime pas vizitës sime në Moskë, mësova nga lajmet për grabitjen në Uotergeit. U trondita nga ky veprim pa kuptim dhe ilegal dhe u tmerrova kur mësova se punonjësit e Komitetit të rizgjedhjeve ishin mes fajtorëve. Menjëherë urdhërova një hetim nga autoritetet e qeverisë. Më 15 shtator, ashtu siç ju kujtohet, u dënuan shtatë të akuzuar në çështjen.

    Ndërsa hetimet vazhduan, unë i kërkova vazhdimisht atyre që kryenin hetimet nëse kishte arsye të besohej se anëtarë të administratës sime ishin përfshirë. Më siguruan shpesh se nuk kishte. Për shkak të kësaj sigurie, për shkak se i besoja raportimeve që merrja, për shkak se kisha besim tek personat prej të cilëve po i merrja, nuk i mora seriozisht historitë e shtypit, të cilat thonin se përfshiheshin dhe anëtarë të administratës sime apo zyrtarë të tjerë të komitetit të zgjedhjeve.

    Deri në mars të këtij viti kisha po të njëjtën bindje se mohimet ishin të vërteta dhe se akuzat e përfshirjes nga anëtarët e stafit të Shtëpisë së Bardhë ishin të rreme. Komentet që bëra gjatë kësaj periudhe dhe komentet e bëra nga zëdhënësja e shtypit në emrin tim, ishin të bazuara në informacionin e siguruar nga ne në kohën që bëmë këto komente. Megjithatë, atëherë më erdhi informacion i ri se kishte një mundësi që disa prej këtyre akuzave ishin të vërteta, dhe më sugjeronin se ishte bërë një përpjekje për të fshehur faktet, nga publiku, nga ju dhe unë.

    Si rezultat, më 21 mars, personalisht mora përgjegjësinë për koordinimin e hetimeve të reja intensive për këtë çështje dhe urdhërova personalisht kryerjen e hetimeve për të mbledhur të gjitha faktet dhe për të m’i raportuar mua ato menjëherë, pikërisht në këtë zyrë.

    Urdhërova përsëri që të gjithë personat e qeverisë dhe të Komitetit të rizgjedhjeve të bashkëvepronin plotësisht me FBI-në, me prokurorët dhe me jurinë e madhe. Gjithashtu urdhërova që kushdo që refuzonte të bashkëpunonte për të treguar të vërtetën do t’i kërkohej të jepte dorëheqjen nga shërbimi në qeveri. Dhe me rregulla të përshtatur që do të ruanin ndarjen kushtetuese të pushteteve mes Kongresit dhe Presidencës, i drejtova anëtarët e stafit të Shtëpisë së Bardhë të dëshmonin në mënyrë vullnetare duke u betuar para komitetit të Senatit që po hetonte Uotergeitin.
    Isha i vendosur se duhet t’i shkonim deri në fund kësaj çështjeje dhe se e vërteta duhet të dalë plotësisht, pavarësisht kush është i përfshirë.
    Në të njëjtën kohë, isha i vendosur të mos nxitohesha në veprime dhe të shmangia plotësisht nëse ishte e mundur, çdo veprim që kishte ndikim tek njerëzit e pafajshëm. Doja të isha i drejtë. Por e dija se në analizën përfundimtare, integriteti i kësaj zyre, besimi publik në integritetin e kësaj zyre, do të merrte prioritet mbi të gjitha konsideratat.

    Sot, në një nga vendimet më të rëndësishme të presidencës sime, pranova dorëheqjen e dy prej kolegëve të mi më të ngushtë në Shtëpinë e Bardhë, Bob Haldeman, John Ehrlichman, dy nga punonjësit më të mirë të shërbimit civil për të cilët jam krenar që i kam njohur.

    Dua të theksoj se në pranimin e kësaj dorëheqjeje, nuk dua të nënkuptoj se ata të dy janë të përfshirë dhe nuk dua të supozoj se edhe të tjerët janë përfshirë. Por në çështje të ndjeshme për ruajtjen e integritetit të procesit tonë demokratik, është thelbësore jo vetëm që standardet etike dhe ligjore të vëzhgohen, por gjithashtu dhe që publiku, ju, të keni besim të plotë se ato po vëzhgohen dhe po zbatohen nga persona në autoritet dhe veçanërisht nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ata ranë dakord me mua se kjo lëvizje ishte e nevojshme për të rifituar atë besim.

    Kur mendoj për këtë post, për atë që do të thotë, mendoj për të gjitha gjërat që dua të përmbush për këtë komb, për të gjitha gjërat që dua të përmbush për ju. Në prag të Krishtlindjes, gjatë torturës personale për bombardimet e reja të Vietnamit Verior, i cili pas 12 vitesh luftë më në fund ndihmoi t’i sillte Amerikës paqe me nder, u ula par mesnatës. Shkrova disa prej synimeve të mia për mandatin tim të dytë si President. Më lejoni t’ju lexoj disa:
    Të bëj të mundur që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, të jetojnë në një botë të paqme.

    Ta bëj këtë vend më shumë se kurrë një vend mundësish, mundësish të barabarta, mundësish të plota për çdo amerikan.
    Të siguroj punë për të gjithë ata që janë në gjendje të punojnë dhe t’i ndihmoj me bujari ata që s’mund të punojnë.
    Të bëj në vend në të cilin të gjithë do të guxonin të ëndërronin, të jetojnë ëndrrat, jo me frikë, por me shpresë, krenarë për këtë komunitet, krenarë për atë që Amerika përfaqëson në vetvete dhe për botën.
    Këto janë synime të mëdha. Unë besoj se mundemi dhe duhet të punojmë për to.

    *Presidenti i SHBA-së i zgjedhur më 1969.
    My silence doesn't mean I am gone!

  7. #7
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Kush janë viktimat e rrëmbimit?

    Mbajtur më 16 tetor, 1970 - Pierre Trudeau*

    Po ju flas në një moment krize, kur burra të dhunshëm dhe fanatikë po përpiqen të shkatërrojnë unitetin dhe lirinë e Kanadasë. Një aspekt i kësaj krize është rreziku mbi jetët e dy burrave të pafajshëm. Këto janë çështje të rëndësishme dhe unë dua t’ju tregoj se çfarë po bën qeveria me këtë çështje.
    Ajo që ka ndodhur në Montreal gjatë dy javëve të kaluara nuk është pa precedent. Ka ndodhur kudo në botë në disa raste; mund të ndodhë kudo brenda Kanadasë. Por kanadezët gjithmonë kanë supozuar se s’do të ndodhë këtu, dhe si rezultat, jemi mjaft të tronditur që ndodhi.
    Supozimi ynë mund të ketë qenë naiv, por ishte i kuptueshëm; i kuptueshëm për shkak se demokracia lulëzon në Kanada; i kuptueshëm për shkak se individi gëzon liri në Kanada.

    Pa i kuptuar këto kushte, pjesërisht për shkak të tyre, tani është treguar nga disa persona të keqdrejtuar se sa e brishtë mund të jetë një shoqëri demokratike, nëse demokracia nuk është e përgatitur ta mbrojë veten, dhe se sa të cënueshëm ndaj shantazheve janë njerëzit tolerantë dhe të dhembshur.
    Qeveritë e Kanadasë dhe Kebekut kanë dëgjuar grupe revolucionare se kanë ndër mend të vrasin me gjakftohtësi dy burra të pafajshëm nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre. Rrëmbyesit supozojnë se bëjnë atë që duan në mënyrë që të tërheqin vëmendjen e instancave të padrejtësisë shoqërore. Por unë i kërkoj atyre se vëmendjen e kujt po përpiqen të tërheqin? Të qeverisë së Kanadasë? Të qeverisë së Kebekut? Çdo qeveri në këtë vend është e vetëdijshme për ekzistencën e problemeve të thella dhe të rëndësishme. Dhe çdo qeveri me limitin e burimeve dhe aftësisë së saj është e angazhuar thellësisht në zgjidhjen e tyre. Por jo me rrëmbime dhe bombardime. Me shumë punë. Dhe nëse ekziston ndonjë dyshim për besimin e mirë apo aftësinë e qeverisë, ka parti opozitare gati dhe të vullnetshme të qeverisin. Me pak fjalë, në Kanada ekziston një mekanizëm efektiv për të ndryshuar qeveritë me mjete paqësore. Ai është vënë në punë nga votuesit gjithmonë.
    Kush janë viktimat e rrëmbimit? Për familjet e viktimave ata janë bashkëshortë dhe baballarë. Për rrëmbyesit identiteti i tyre është i parëndësishëm. Qëllimet e rrëmbyesve janë të na zënë për fyti ju dhe mua, apo ndoshta ndonjë fëmijë? Qëllimi i tyre është të shfrytëzojnë ndjenjat normale dhe njerëzore të kanadezëve dhe për t’i përkulur këto ndjenja simpatie në instrumente për qëllimet e tyre të dhunshme revolucionare.

    Çfarë kërkojnë rrëmbyesit në shkëmbim të jetëve të këtyre burrave? Disa gjëra. E para, ata duan ta shprehin fyerjen e tyre në publik me supozimin se të gjithë personat që mendojnë ashtu siç duhet do të tregohen nga bota për të zgjidhur problemet e tyre me slogane dhe ofendime.
    Ata duan më shumë, ata duan që policia të ofrojë një qengj sakrifice, një person për të cilin ata supozojnë se ndihmoi në arrestimin e ligjshëm dhe dënimin e duhur të disa miqve të tjerë kriminelë.
    Ata gjithashtu duan para. Paratë e shpërblesës.

    Ata duan edhe më shumë. Ata kërkuan lirimin e 17 kriminelëve dhe hedhjen e akuzave për gjashtë burra të tjerë, të gjithë referohen si “të burgosur politikë”. Kush janë këta burra të cilët konsiderohen si patriotë dhe martirë? Më lejoni t’jua përshkruaj.

    Tre janë vrasës të dënuar; pesë të tjerë janë burgosur për vrasje me paramendim; një është i dënuar me burg të përjetshëm pasi u shpall fajtor për disa akuza bombardimesh; një tjetër është dënuar, pasi ka kryer 17 grabitje me armë; dy janë liruar me kush një herë, por tani janë përsëri në burg dhe presin gjykimin për grabitje.

    Megjithatë, ne na kërkohet të besojmë se këto persona janë dënuar me të padrejtë, se janë burgosur si rezultat i opinioneve politike, dhe se e meritojnë të lirohen menjëherë, pa asnjë gjyq që ligji ta lejojë.
    Përgjegjësia për të vendosur nëse duhet të lirohet një apo dy nga këta kriminelë është e qeverisë federale. Është përgjegjësi e qeverisë të bëjë shfajësime sipas ligjit. Nëse do t’ju ulnim presioneve të rrëmbyesve, që kërkojnë lirimin e të burgosurve, jo vetëm që do të ishte abdikim i përgjegjësisë, por do të çonte në një rritje të aktiviteteve terroriste në Kubek. Do të ishte një ftesë e hapur për terrorizimin dhe rrëmbimet në të gjithë vendin. Mund ta gjejmë veten përballë një serie kërkesash për çlirimin e kriminelëve nga burgu, nga bregdeti në bregdet, dhe pengjet mund të jenë anëtarë të pafajshëm të familjes suaj apo simes.

    *Një nga udhëheqësit më popullorë në Kanada. Fjalimi është për rastin e krizës së tetorit, kur u grabit një diplomat dhe ministër kabineti.
    My silence doesn't mean I am gone!

  8. #8
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Këta ishin të gjithë burra të mirë

    Mbajtur më 10 prill, 1966 -Eamon de Valera

    Pashkët që po sjellim nëpër mend janë Pashkët e 50 viteve më parë. Po kërkojmë të nderojmë ata burra të cilët në atë kohë dhanë apo rrezikuan jetën në mënyrë që Irlanda të jetë e lirë. Do të donim të nderonim, në veçanti, shtatë burra trima, me gjithë pengesat, morën vendimin të mbrojnë, edhe një herë, me armë të drejtën e kombit tonë për pavarësi. Ishte një vendim fatal, për të cilin tani mendojmë se ishte një nga më të guximshmit dhe largpamësit në historinë tonë.

    Këta ishin të gjithë burra të mirë, të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë, dhe ishte vetëm bindja më e patundur, besimi më i plotë dhe dashuria për vendin, që i nxiti për veprimin e tyre. Sinqeriteti dhe bujaria, sakrifica e tyre dhe e të tjerëve, të cilët dhanë jetën në kryengritje të frymëzuar nga ringjallja kombëtare që pasoi. Perëndia i mirë t’i mbajë në prezencën e Tij.
    Koha ka treguar se këta burra kanë qenë profetë. Ata parashikuan atë që pak mund të kishin parashikuar, dhe në largpamësinë e tyre dhe mprehtësinë e zemrave të popullit tonë, nën hirin e Perëndisë, ne i detyrohemi privilegjet që gëzojmë sot këtu.

    Vetëm liria politike nuk ishte qëllimi përfundimtar. Por ishte krijimi i kushteve për të ndërtuar gradualisht një komunitet në të cilën numri gjithnjë e në rritje i anëtarëve së tij, të çliruar nga presionet e kërkimit të nevojave ekonomike, do të ishin të lirë t’ia përkushtonin veten gjithnjë e më shumë për kultivimin e gjërave të mendjes dhe shpirtit, dhe kështu, të kemi lumturinë e një jete të plotë. Kështu që kombi ynë të bëhet përsëri, ashtu siç ishte në shekujt e kaluar, një qendër e madhe intelektuale dhe misionare, për të përparuar dhe për të ruajtur të vërtetat e Zbulesës së Shenjtë, si dhe frytet e njohuri më të pjekur laike.

    Nuk mund të nderojmë ashtu siç duhet burrat e 1916-tës, nëse nuk punojmë dhe përpiqemi për të krijuar Irlandën e dëshirës së tyre. Secili prej nesh duhet të bëjë pjesën e tij dhe edhe pse detyrat që kemi përpara janë të ndryshme nga ato pesëdhjetë vite më parë, sot mund të kemi, nëse jemi mjaft të përkushtuar dhe do të tregohemi të qëndrueshëm, një rizgjim kombëtar, i ngjashëm me atë që pasoi vitin 1916: mund t’i bashkojmë njerëzit tanë së bashku si një familje, një komb vëllezërish, secili të punojë në harmoninë industriale, jo vetëm për veten e tij, por për të mirën e të gjithëve. Atëherë mund të marshojmë përpara me besimi për lartësimin e kombit tonë mes kombeve ndaj të cilëve burrat e 1916-ës u zotuan.

    Për realizimin e kësaj, gjuha jonë kombëtare ka luajtur një rol të rëndësishëm. Gjuha është karakteristika kryesore e një kombi, mishërimi i personalitetit të kombit dhe lidhja më e ngushtë mes njerëzve. Asnjë komb me një gjuhë të vetën nuk do ta braktiste atë. Populli i Danimarkës, Holandës, Norvegjisë, për shembull, mëson dhe di edhe një tjetër gjuhë, ashtu si dhe ne, natyrisht për hir të komunikimit me botën, tregtisë dhe për qëllime kulturore; por ata asnjëherë nuk do ta braktisnin gjuhën kombëtare, gjuhën e paraardhësve të tyre, gjuhën që mban të gjitha kujtimet e të kaluarës së tyre. Ata e dinë se pa të, ata do të zhyteshin në kozmopolitanizëm amorf, pa një të kaluar apo një të ardhme të dallueshme. Për të shmangur një fat të tillë, ne të kësaj gjenerate duhet të kujdesemi që gjuha jonë të jetojë. Ky do të ishte vendimi i burrave dhe grave të 1916-ës. A do të jetë vendimi i të rinjve të 1966-ës?

    *Organizues i “Kryengritjes së Pashkës”, në Dublin, më 24 prill, 1916. I shpëtoi ekzekutimit, pasi kishte lindur në Amerikë. Kryeministër i Irlandës deri më 1948. U ribë kryeministër më 1951 dhe 1957, kur ishte 74 vjeç. Nga viti 1959-73 ishte President i Republikës së Irlandës.
    My silence doesn't mean I am gone!

  9. #9
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Ushtari i vjetër i një balade

    Fjalimi i lamtumirës në Kongres, Uashington, 19 prill, 1951 -Douglas MacArthur

    Ju drejtohem pa zemërime dhe pa hidhërime në muzgun e jetës, por me një qëllim në mendje: t'i shërbej vendit tim.

    Edhe pse nuk isha konsultuar më parë me vendimin e Presidentit për të ndërhyrë në mbështetje të Republikës të Koresë, ai vendim nga një këndvështrim ushtarak ishte i arsyeshëm, pasi ne e sprapsëm pushtuesin dhe i ekzekutuam forcat e tij. Fitorja jonë ishte e kompletuar, dhe objektivat tona të arritshme, kur Kina e Kuqe ndërhyri me forca shumë më të mëdha në numër.

    Kjo krijoi një luftë tëre dhe një situatë krejt të re, një situatë jo të parashikuar kur forcat tona u sulën kundër forcave të pushtuesve të Koresë së Veriut; një situatë në të cilën duheshin marrë vendime të reja në sferën diplomatike, për të bërë ndryshime realiste të strategjisë ushtarake.
    Vendime të tilla nuk kanë qenë të disponueshme.

    Askush me mendje të kthjellët nuk do të këshillonte t'i dërgonim forcat tokësore në Kinën kontinentale, dhe diçka e tillë nuk ka qenë kurrë as ide, situata e re kërkonte urgjentisht një rishikim drastik të një plani strategjik nëse qëllimi ynë politik isht të mundnim këtë armik të ri, ashtu siç kemi mundur të vjetrin.

    Përveç nevojës ushtarake, për të neutralizuar mbrojtjen e shenjtë që armiku kishte në veri të Yalu, ndjeva se nevoja ushtarake në drejtimin e luftës ishte i nevojshëm: në fillim, intensifikimi i bllokadës ekonomike kundër Kinës; së dyti, imponimi i një bllokade detare kundër bregdetit kinez; së treti, heqja e kufizimeve të gjurmimeve detare për bregdetin e Kinës dhe Mançurisë; së katërti, heqja e kufizimeve të forcave të Republikës së Kinës për Formosën, me mbështetje logjike për të kontribuar në operacionet efektive kundër armikut të përbashkët.

    Meqë i kam mbështetur këto pikëpamje, të gjitha të hartuara me profesionalizëm për të mbështetur forcat tona në Kore dhe për t'i dhënë fund armiqësive pa vonesën më të vogël, gjithashtu dhe për të shpëtuar jetën e amerikanëve dhe të aleatëve, jam kritikuar ashpër, më shumë jashtë, me gjithë arsyetimin tim se nga një këndvështrim ushtarak pikëpamjet e mësipërme janë ndarë me çdo lider ushtarak në fushatën koreane, përfshirë dhe shefat e përbashkët të stafit.

    Kam kërkuar për përforcime, por më informuan se përforcimet nuk ishin të disponueshme. E bëra të qartë se nëse nuk më lejohej të shkatërroja bazat e armikut në veri të Yalu, nëse nuk më lejohej të përdorja forcat kineze me 600 mijë burra në Formosa, nëse nuk më lejohej të bllokoja bregun kinez për të parandaluar të kuqtë kinezë të përforcoheshin, pozicioni i komandës nga një pikëpamje ushtarake e pengonte fitoren.

    Janë bërë mjaft përpjekje për të shtrembëruar pozicioni tim. Është thënë se unë isha një shitës i luftës. Asgjë nuk është më larg së vërtetës. Unë e njoh luftën ashtu si shumë pak burra tani e njohin, dhe nuk ka gjë më të padurueshme. Unë kam përkrahur prej kohësh zhdukjen e saj, pasi shkatërrimi i saj për miqtë dhe armiqtë e ka bërë të panevojshme si mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

    Ka disa që, për arsye të ndryshme, do ta kënaqnin Kinën e Kuqe. Ata janë të verbër ndaj mësimeve të qarta të historisë, pasi historia na mëson duke vënë theks, se paqësimi lind një luftë të re dhe më gjakatare.
    I kam lënë bijtë tuaj duke luftuar në Kore. Ata janë përballur me të gjitha provat atje, dhe unë mund t'ju raportoj pa rezerva se ata janë të mrekullueshëm në çdo aspekt.

    Unë po i jap fund 52 viteve në shërbimin ushtarak. Kur hyja në ushtri, para fillimit të këtij shekulli, ndjeva plotësim të të gjitha shpresave dhe ëndrrave djaloshare. Bota është kthyer përmbys shumë herë që kur bëra premtimin në fushën e Uest Point, dhe shpresat dhe ëndrrat kanë avulluar që atëherë, por ende më kujtohet refreni i një prej baladave më popullore të asaj dite, e cila shpallte me krenari se ushtarët e vjetër kurrë nuk vdesin; ata thjesht meken.
    Dhe ashtu si ushtari i vjetër i asaj balade, tani jam pranë fundit të karrierës ushtarake dhe jam mekur, një ushtar i vjetër i cili u përpoq të bëjë detyrën e tij, ashtu siç Perëndia e ndriçoi ta shihte atë detyrë.
    Mirupafshim.

    *Komandant i forcave të Kombeve të Bashkuara, të dërguara për të mbrojtur Korenë e Jugut.
    My silence doesn't mean I am gone!

  10. #10
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Do ta godas tapicierin Hitler

    Fjalim për Ushtrinë e Tretë, 5 qershor, 1944 - George S. Patton*

    Jemi mbledhur këtu për tre arsye. Së pari, sepse jeni këtu për të mbrojtur shtëpitë tuaja dhe të dashurit tuaj. Së dyti, jeni këtu për respektin tuaj, sepse nuk doni të jetë dikush tjetër. Së treti, jeni këtu sepse jeni burra të vërtetë dhe burrave të vërtetë u pëlqen të luftojnë. Kur ju këtu, çdokush prej jush, ishit fëmijë, të gjithë admironit kampionin e mermerit, garuesin më të shpejtë, boksierin më të fortë, lojtarët e skuadrave më të mëdha, dhe të gjithë lojtarët e futbollit amerikan. Amerikanët e duan një fitimtar. Amerikanët nuk do ta tolerojnë një humbës. Amerikanët i përçmojnë frikacakët.

    Amerikanët luajnë për të fituar gjatë gjithë kohës. Nuk do ta vrisja mendjen fare për një njeri që humbi dhe qesh. Ja se pse amerikanët nuk kanë humbur asnjëherë dhe asnjëherë nuk do ta humbasin një luftë; sepse ideja e humbjes është e urryer për një amerikan.

    Nuk do të vdisni të gjithë. Vetëm dy për qind e juve që jeni këtu sot do të vdesin në një betejë të madhe. Nuk duhet të kini frikë nga vdekja. Vdekja, në kohë, i vjen të gjithë njerëzimit. Po, çdo burrë ka frikë në betejën e tij të parë. Nëse thotë se nuk ka, është gënjeshtar. Disa burra janë frikacakë, por luftojnë njësoj si trimat ose frikësohen edhe më shumë kur shohin se si luftojnë burrat që janë po aq frikacakë sa ata.

    Heroi i vërtetë është një burrë që lufton edhe pse është i frikësuar. Disa burra e kalojnë frikën e tyre në minutën e parë pasi hapin zjarr. Disa, e kalojnë orën e parë. Disave u duhen ditë. Por një burrë i vërtetë nuk do të lejojë që frika nga vdekja ta kalojë nderin e tij, ndjenjën e detyrës ndaj vendit të tij dhe forcën burrërore të lindur prej natyre.

    Beteja është gara më e rëndësishme në të cilin mund të përfshihet një njeri. Ajo nxjerr gjërat më të mira dhe heq ato të ulëtat. Mos harro se armiku është po kaq i frikësuar sa edhe ju, dhe ndoshta edhe më shumë. Ata nuk janë supermenë.

    Të gjithë heronjtë e vërtetë nuk janë luftëtarë të librave me histori. Çdo burrë në këtë ushtri luan një rol thelbësor. Mos u dorëzoni. Mos mendoni se puna juaj është e parëndësishme. Çdo burrë ka një punë për të bërë dhe duhet ta bëjë. Çdo burrë është një hallkë jetësore e zinxhirit të madh. Po sikur çdo shofer të vendosë se nuk i pëlqen rënkimi i plumbave mbi kokë, dhe të hidhet në kanal? Ai frikacaku mund të thotë: "Nuk do t'i marrë malli për mua, jam vetëm një person në një mijë". Po sikur të gjithë burrat të mendonin kështu? Ku do të ishim ne tani? Ku do të ishte vendi ynë, të dashurit tanë, shtëpinë tona, madje dhe bota? Jo, amerikanët nuk mendojnë kështu. Çdo burrë bën punën e tij. Çdo burrë i shërben tërësisë. Çdo departament, çdo njësi, është e rëndësishme në skemën e gjerë të kësaj lufte.

    Patjetër që duam të shkojmë në shtëpi. Duam ta përfundojmë këtë luftë. Mënyra më e shpejtë për t'i dhënë fund është t'i kapim ata bastardë që e nisën. Sa më shpejt të fshihen, aq më shpejt do të shkojmë në shtëpi. Rruga më e shkurtër është përmes Berlinit dhe Tokios. Dhe kur të shkojmë në Berlin, unë do ta godas personalisht atë tapicierin, Hitlerin. Njësoj sikur do të godisja një gjarpër.

    Vetëm diçka të madhe do të mund të thoni kur kjo luftë të ketë përfunduar dhe të jeni në shtëpi. Do të jini mirënjohës se njëzet vite më pas, kur të jeni ulur pranë oxhakut dhe nipërit në gjunjë dhe ata do t'ju pyesin se çfarë bëtë në Luftën e Dytë Botërore, nuk duhet të kolliteni, të ndërroni pozicion dhe të thoni: "Gjyshi juaj nuk bëri asgjë në Luizianë". Jo, zotëri, do ta shihni drejt e në sy dhe do t'i thoni: "Bir, gjyshi juaj u bashkua me Ushtrinë e Tretë dhe me një maskara me emrin Georgie Patton!

    *Udhëhoqi Ushtrinë e Tretë gjatë Luftës së Dytë Botërore
    My silence doesn't mean I am gone!

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Gjykata e Krimeve të Rënda: Dënimi burg përjetë për Aldo Baren
    Nga Iliriani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 202
    Postimi i Fundit: 20-07-2012, 18:52

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •