Artistja shqiptare, violina e parë e orkestrës simfonike të Ankarasë. “Në Shqipëri është vështirë të jetosh me artin, pasi pagesat janë qesharake”


Petrika GROSI Shkollën e ka përfunduar në Londër dhe është ndoshta e vetmja artiste femër shqiptare që shkruan tekstet për këngët e saj, i kompozon dhe i këndon. Alternativ rrok është rryma që Aida Hani parapëlqen më tepër. Albumin e parë të saj Aida e ka titulluar: “Një botë tjetër”. Parësore Aida ka pasur violinën dhe pasionin për të, por siç shpjegon vetë artistja, e provoi edhe me këngën, pasi fjalët e shprehin mesazhin më mirë, ashtu sikurse muzika prek shpirtin e atij që e dëgjon. Aktualisht Aida luan si violinë e parë në orkestrën më prestigjioze të Turqisë, siç është ajo simfonike e Ankarasë. Në qershor kontrata me këtë orkestër i skadon dhe Aida do të rikthehet në atdheun e saj të dytë, Londër. Para pak ditësh këngëtarja ka qenë në Tiranë, ku dhe pranoi të fliste për gazetën “Albania”. Ajo tregon se kishte ardhur në kryeqytet për Top-Festin dhe për të kënduar në protestën për lirinë e medias në sheshin “Skënderbej”. Teksa bisedojmë me Aidën ajo na tregon se veç violinës, i bie nga pak edhe pianos, madje ka provuar edhe baterinë në disa këngë të vetat. Artistja shpreh keqardhje për pamundësinë që jep vendi ynë për artistët të cilët nuk mund të jetojnë me artin dhe kanë paga qesharake. “Në Shqipëri është shumë vështirë të jetosh me artin, pasi pagesat janë qesharake. Kam parasysh këtu qoftë orkestrën e RTVSH-së, apo edhe Teatrin e Operas e Baletit. Pra të dyja nuk më interesojnë”.
Si shkruese e teksteve, Aida rrëfen se i pëlqejnë sigurisht këngët që frymëzohen nga vuajtja, pasi janë më të ndjeshme, megjithatë, edhe aty ajo di që të fusë optimizmin. Por kur flasim për vuajtje, nuk kuptojmë “brenga dashurie”.
Aida, të paktën, siç shprehet, nuk e ka në plan të parë t’i këndojë dashurisë. Kjo ndodh jo se Aida është kundër dashurisë, por për arsye se fjalët janë tepër të konsumuara e tematikat gjithashtu.
“Mundohem të kap problemet sociale, apo dhe ato me politikën, që asnjëherë nuk na mungojnë...”, - thotë ajo duke qeshur. Më tej Aida shton se “qëllimi im për këngën nuk është fama, por thjesht një pasion që unë e kam. Dua që të komunikoj nëpërmjet mundësive që ajo më jep me publikun”. Përgjithësisht, këngët e Aida Hanit janë regjistruar në Angli dhe Turqi. Ajo ka bashkëpunuar me autorë shqiptarë si Kristi, Genti Lako etj. Biseda jonë zhvendoset te videoklipet, ku natyrisht, nuk mund të mos trajtohej problemi i lakuriqësisë: “Ndonëse nuk jam kundër ekspozimit, në video-klipet e mia them që lakuriqësia nuk është qëllim në vetvete. E konceptoj një video si ndërthurje të të dyja arteve, e cila shërben për të përcjellë mesazhin më fuqishëm te publiku. Ndër filozofitë e teksteve të këngëve të saj, Aidës nuk i mungon as ajo e jetës dhe pritavdekjes, karakteristike për rrymat “rrok” dhe “metal”. “Jam munduar ta trajtoj këtë filozofi të jetës dhe vdekjes”, - thotë ajo. “Në një nga këngët e mia, mes të tjerash, them: Ti vetëm vjen në këtë botë dhe vetëm shkon...”.

Gazeta Albania