Ne vitin 1967, Kombinati i Tekstileve "Stalin" ne Tirane prodhoi 3000 bereta, kapele dimerore. 1000 prej tyre u hodhen ne tregun e brendshem dhe pjesa tjeter iu dhurua Republikes Popullore te Kubes. Duke qene se kapelet dimerore nuk hynin shume ne pune ne ishullin e nxehte te Kubes, shumica prej tyre u harrua ne nje magazine te vjeter, e cila njohu fatin e zjarrit ne vitin 1985. Nderkohe, nje pjese e vogel u shpernda ne forme dhuratash neper dashamire te kombesive te ndryshme Latino Amerikane. Te pushtuar nga deshira per revolucion, ata shkonin me delegacione per te takuar Fidel Kastron. Ne vitin 1968, njera prej kapeleve te prodhuara ne Kombinatin e Tekstileve ne Tirane perfundoi ne koken e delegatit nga Kili, Hugo Rocca.

Hugo Rocca ishte nje bukepjekes i moshuar nga Temuko. Pas kthimit te tij nga Kuba, ai vazhdoi aktivitetin e tij te bukepjekesit ne nje furre buke lokale ne Temuko, trashegimi nga i ati, e cila kishte fame te mire mes vendasve dhe turisteve. Nje vit me vone Hugo mbeti i ve. Pasi e kishte qare humbjen e se shoqes, nje dite me shi tropikal ne vitin 1971, kur po pergatitej qe furren e bukes t'ia linte trashegimi djalit te tij te madh, ne dyqanin e tij zuri strehe nje vizitor i rralle. Ne fakt poeti i madh nuk ishte edhe aq vizitor i rralle ne ato ane, pasi Temuko ishte qyteti i tij i femijerise dhe aty kthehej here pas here, por per Hugon e thjeshte, ajo dite me shi ishte e paharrueshme. Poeti i madh dhe bukepjekesi i thjeshte, te dy e ndjene shpirtin e tjetrit t'i trazonte shpirtin e vet, dhe aty per aty zune miqesi. Hugo e ftoi poetin brenda, i ofroi nje gote vere te kuqe dhe buke te ngrohte, biseduan gjate per jeten, koherat, atdheun, dhe kur poeti ishte i shtrenguar te ikte, edhe pse ne shi, Hugo i dha kapelen e tij.

Pablo Neruda nuk arriti t'a takonte me Hugo Roccen, por kapelen e tij nuk e hiqte nga koka sa here qe ftohej koha, apo sa here qe shkonte ne jug te Kilit, apo sa here qe vizitonte vise nordike. Ulur ne nje shkemb ne breg te detit, duke takuar nje udheheqes, ne kabinen e drunjte ne maje te malit, duke pranuar nje cmim, duke recituar nje poezi perpara nje grupi njerezish, deri edhe duke vdekur, poeti e kishte gjithmone prane kujtimin e bukepjekesit nga Temuko. Pas vdekjes se poetit ne vitin 1973, u ngrit nje fond ne emer te tij, dhe disa prej sendeve te tij personale u nxorren ne ankand. Kapelen qe ai e kishte mbajtur ne koke dy vitet e fundit te jetes, e bleu Hans Kemmel, nje koleksionist kapelesh nga Gjermania per nje shume prej 5000 markash.

Hans Kemmel, drejtor ekzekutiv i nje firme makinash gjermane, kishte ne koleksionin e tij 11739 kapele qe u perkisnin te gjitha vendeve te botes ne kohera te ndryshme, veshur nga personalitete apo njerez te paemert. Brenda nje kohe te shkurter pas blerjes se kapeles se poetit, koleksionisti mesoi krejt historine e saj, qe nga momenti qe kishte dale nga Kombinati i Tekstileve ne Tirane bashke me 2999 simotra, deri kur kapelja ndodhej ne duart e tij. Deri kur nje nate, ne vitin 1989, i veshur me petk te thjeshte poeti, per t'i shpetuar monotonise se zymte kapitaliste, Hans Kemmel, pasi hengri darke ne nje bistro te vogel ne Paris, zuri shoqeri me nje vajze nga Korsika. Ajo e shpuri ne nje dhome te vogel hoteli ne Rue de la Manutention, ku i rimesoi kenaqesite e te qenit burre, dhe ku Hans harroi kapelen pasi u largua ne mjegullen e mengjesit. Vajza nga Korsika e vuri re kapelen qe Hans kishte lene pas, por pervec parave qe ishin te domosdoshme po te doje te jetoje dhe qe ishin aq te qarkullueshme sa nuk perbenin asnje kujtim te qendrueshem, ajo nuk deshironte te mbante kujtime te dashnoreve te vet.

Keshtu qe kapelen e la ne dhome kur u largua nga hoteli, ku edhe e gjeti pastruesja e dhomes, Fatima, nje algjeriane, e cila kishte ardhur ne France me gjithe te shoqin, Ahmet Al Hazafi dhe tre femijet e tyre qe para 10 vjetesh. Fatima ia dha kapelen Ahmetit, pa i treguar se ku e kishte gjetur. Ahmet Al Hazafi punonte ne ndertim dhe qe atehere, me vullnet te forte dhe me ambicje arriti te krijonte kompanine e tij te ndertimit dhe te nxirrte te shoqen nga puna e rendomte. Kompania e tij fitoi tenderin per rikonstruksionin e nje stadiumi 78000 vendesh, qe po pergatitej per kampionatin e futbollit France 98, nga ku ndertuesi arab u rrezua dhe vdiq ne vitin 1997. Ahmeti e kishte ruajtur kapelen si kujtim i koherave te veshtira dhe pas vdekjes se tij, e veja Al Hazafi i coi rrobat e te ndjerit ne xhamine e tyre, e cila i nisi ne Tirane bashke me rroba te tjera te dhuruara nga besimtaret si ndihme humanitare gjate trazirave te vitit 1998, ku dhe kapelja perfundoi ne koken e Perparim Senes, baba i pastrehe i dy vajzave, ish banor i lagjes Kombinat.