SKANDALI/ Pas denoncimit të "Shqip" për sallamet me mish gomari, mushke dhe kali, ministri i Ushqimit përpiqet të qetësojë konsumatorët: Nuk janë të dëmshëm
Konsumatori fierak braktis sallamin dhe varietet e tij në të gjithë njësitë tregtare të rrethit, ndërsa ministri Jemin Gjana në një prononcim për "Shqip", pasi ka vlerësuar mediat për alarmin e dhënë, është shprehur se ka urdhëruar strukturat përkatëse të dikasterit të tij të verifikojnë në vend gjithë problematikën e ngritur. Ministri i Bujqësisë nuk e ka cilësuar të jashtëligjshëm konsumimin e mishit të kërriçit, apo dhe kafshëve të tjera njëthundrake. Duke përmendur edhe zona të veçanta ku mishi i kësaj kafshe një thundrake konsumohet masivisht, Gjana ka thënë se "do të merren masa për të gjithë ata abuzues që përdorin kafshë të lodhura, apo dhe të sëmura për produkte ushqimore". "Të gjitha llojet e proshutave dhe një pjesë e salsiçeve në Tiranë, kryesisht në restorante, kanë si lëndë të parë mishin e kalit apo të kërriçit. Ky është një fakt që dihet nga të gjithë tashmë prej shumë kohësh. Por, edhe zona të tëra në rrethin e Korçës përdorin mishin e kafshëve njëthundrake", ka deklaruar ministri Gjana. Kreu i Drejtorisë së Bujqësisë në Fier, Fatos Troka, nuk mohuar mundësinë e prodhimit të sallamit, duke përdorur mishin e gomarit, mushkës apo kërriçit, por ka thënë se do të bëhet analiza e të gjithë llojeve të sallameve në tregun e Fierit, analizë nga e cila do të përcaktohet lënda e parë e prodhimit të tyre si dhe cilësinë e saj.
Megjithatë, konsumatori fierak, që është i prekuri i parë i një sallami pa cilësi, apo në përbërje të të cilit është mishi i kafshëve të sëmura, ka reaguar në mënyrë të menjëhershme. Mësohet se tregtimi i sallamit është ulur në mënyrë drastike në njësitë e shitjes së mallrave ushqimore të Fierit. "Qysh në mëngjes fëmijët e mi konsumojnë sallam. Jam trembur ndërsa kam parë sot artikullin e gazetës. Për pak kohë them se nuk do të konsumoj më sallam", ka thënë për "Shqip", Elisabeta Ismaili, banore e Fierit.
Ndërkaq Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier, në një njoftim për shtyp të publikuar në orët e mbrëmjes së djeshme, ka hedhur poshtë nisjen e hetimeve nga ana e zyrës së krimit ekonomik për problemin e sallamit të prodhuar me mish të pakontrolluar. "Nga seksioni i Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar nuk ka nisur asnjë hetim në lidhje me skandalin e cituar nga gazeta "Shqip", për përdorimin e një thundrakëve si kuaj, gomarë dhe mushka të sëmura për prodhimin e sallamit, pasi nuk ka asnjë lloj informacioni për përdorimin të këtij mishi nga fabrika të ndryshme sallami", thuhet në komunikatën e shpërndarë dje nga policia e Fierit.
Krijoni Kontakt