Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Lazar Elenovski, gjatë një takimi paraditen e djeshme në Tiranë, shprehën bindjen se vendet e Kartës Adriatik 3, duke u integruar së bashku në NATO, rrisin stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Gjatë këtij takimi të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe ndanë të njëjtin vullnet për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën ushtarake, për realizimin e reformave në Forcat e Armatosura, në kuadër të integrimit të të dy vendeve në NATO. Karta e Adriatik 3, nënvizoi kryeministri, është një kuadër shumë i rëndësishëm për përgatitjen e vendeve tona për integrim në NATO. Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, zoti Elenovski, siguroi vullnetin e qeverisë së tij për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, veçanërisht në atë ushtarak, duke theksuar se muajt në vazhdim do të jenë shumë të rëndësishëm në përgatitjen tonë për përmbushjen e standardeve, për të merituar ftesën në Samitin e ardhshëm të NATO-s. "Qeveria shqiptare vlerëson përpjekjet konstruktive të qeverisë maqedonase dhe të të gjitha forcave politike në Maqedoni, për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një kuadër shumë i mirë që garanton paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë", vlerësoi z.Berisha. Më tej, ai bëri një prezantim të reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, për të realizuar projektin e madh të integrimit në NATO, duke përfshirë edhe rritjen me 2 përqind të GDP-së për Forcat e Armatosura Shqiptare.
Gazeta 55
Krijoni Kontakt