Drejtori i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve, Çumani, akuzon strukturat shtetërore për vonesa të qëllimta
Shkak, ulja e numrit të fëmijëve rrezikon zvogëlimin e personelit
Birësimi i fëmijëve jetimë pengohet ose ngadalësohet nga vetë përfaqësuesit e institucioneve shtetërore që merren me përkujdesjen e tyre. Është ky konstatimi që vjen nga drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani. "Institucionet e përkujdesjes sociale, hezitojnë të paraqesin listat pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit për ata fëmijë që i plotësojnë kriteret për të kaluar në këto procedura", shprehet Çumani. Sipas tij, kjo ndodh për faktin se këto institucione i tremben zvogëlimit të numrit të fëmijëve në këto qendra për shkak të tkurrjes së numrit të punonjësve. E ndërsa zgjidhja më e mirë për fatin e këtyre jetimëve është që të integrohen në jetën sociale brenda bërthamës së familjes, qoftë kjo edhe jo biologjike sërish, duket se kjo është në kundërshtim me vetë interesat e institucioneve. Thuajse në të njëjtin konstatim arrijnë edhe vetë përfaqësuesit e Shërbimit Social Shtetëror në Ministrinë e Punës. Nga inspektimet e kryera nga ky shërbim, gjatë periudhës janar-mars në qendrat e përkujdesjes shoqërore në disa qarqe të vendit është evidentuar nevoja për një punë më të mirë dhe të kualifikuar nga punonjësit e këtyre qendrave, të cilët duhet të punojnë me profesionalizëm për dokumentacionin e fëmijëve, si bazë për njohjen e procesit të rritjes dhe specifikave personale të tyre. Për më tepër, analiza e SHSSH ka konstatuar edhe ngadalësimin e proceseve të birësimit të fëmijëve, si pasojë e vështirësive procedurale, të cilat janë në funksion të largimit të fëmijës së braktisur nga institucioni dhe dërgimin e tij, në gjirin e një "familje alternative birësuese" në kushtet kur "familja biologjike" e tij nuk ekziston. Pikërisht për arsye të tilla, ka vijuar më tej Çumani në qëndrimin e tij kritik, edhe ligji i ri "Për organizimin, funksionimin dhe kompetencat e Komitetit Shqiptar të Birësimit", që është paraqitur në Parlament për t‘u ratifikuar, duhet të parashikoj edhe masat disiplinore në rastet e konstatimit të këtij fenomeni. Ai shton se ky ligj duhej të siguronte një konsensus më të gjerë e t‘i nënshtrohej një diskutimi më profesional përmes operatorëve shtetërorë dhe atyre joqeveritar, ku duhej të përfshihej edhe institucioni i Avokatit të Popullit, përfaqësues të shoqërisë civile, që merren me fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve të interesit. Ndërkohë që pranohet se ligji i ri sjell një risi në procedurat e birësimit, pasi, për herë të parë, Komiteti Shqiptar i Birësimit do të ketë një politikë më liberale në procedurat administrative, duke licencuar për një periudhë 2-vjeçare operatorë privatë që kanë kapacitetet e mjaftueshme profesionale për të luajtur një rol ndërmjetësues midis vendit tonë dhe vendeve të huaja që kanë ratifikuar marrëveshjen sipas ligjit 33 të Konventës së Hagës "Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit". Në procedurat e birësimit, kalojnë ata fëmijë që janë të mitur dhe që nuk e kanë mbushur moshën 18 vjeç, të cilët me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë u është hequr e drejta prindërore, dhe kujdestaria e tyre i ka kaluar shtetit ose të afërmve të fëmijës, si dhe ata fëmijë që kanë marrë pëlqimin e prindërve biologjikë për t‘u birësuar. Gjithashtu, birësohen ata fëmijë që janë lënë në kujdestari të institucioneve të përkujdesit social shtetëror, por që prindërit në mënyrë të dukshme nuk kanë treguar interes prindëror përgjatë 1 viti. Ata fëmijë që janë deklaruar qysh në lindje të braktisur, afati kufizohet nga 1 vit, në 3 muaj. Nga momenti që këta fëmijë janë regjistruar në listat e Komitetit të Birësimit, nëse për 6 muaj rresht nuk kanë pasur mundësi për t‘u birësuar nga adoptues vendas, kalojnë në procedurë për birësim nga të huajt.
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt