Gazeta Zeri i popullit
Autori i Lajmit:
Mo.Ro.
Ai vazhdon prej kohësh të përdorë termin mafioz ndaj entiteteve humane por edhe atyre institucionale. Shoqëria shqiptare nuk duhet ta tolerojë më faktin kur një kryeministër u jep titullin mafioz të gjithëve
Tiranë- Gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë të tjerë, në një takim të realizuar nga "Mjaft" kanë dalë në qëndrimin e përbashkët se kryeministri Berisha dhe qeveria e tij po luftojnë ashpër dhe në mënyrë të paligjshme mediat. Për këtë arsye ata do t'i dërgojnë Berishës një peticion, ku do t'i kërkojnë të ndalojë dhunën, presionin dhe kërcënimet ndaj medias por edhe institucione të tjera, të cilat, sipas tyre janë gjithashtu në rrezik. Pjesmarrësit në takim kanë akuzuar kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij se po luftojnë me gjithë mekanizmat ligjorë por më shumë me ato jo ligjorë median e lirë. Për analistin Mustafa Nano kjo klimë e krijuar është me të vërtetë shqetësuese dhe shkak është kryeministri që flet gjithë kohës për mafia. "Ai vazhdon prej kohësh të përdorë termin mafioz ndaj entiteteve humane por edhe atyre institucionale. Shoqëria shqiptare nuk duhet ta tolerojë më faktin kur një kryeministër u jep titullin mafioz të gjithëve". Në të njëjtën linjë janë shprehur edhe analistë të tjerë dhe përfaqësues të shoqërisë civile që merrnin pjesë në këtë takim. Tryeza e organizuar nga lëvizja "Mjaft" bëhet vetëm dy ditë përpara mitingut të paralajmëruar të protestës kundër dhunës dhe represionit që po përdor kryeministri Berisha ndaj medias dhe në mbrojtje të fjalës së lirë. Ky miting ka marrë mbështetjen edhe të përfaqësuesve të opozitës, të cilët kanë kërkuar nga qytetarët që t'i bashkohen protestuesve. Të gjithë së bashku do t'i kërkojnë kreut të qeverisë të ndalë njëherë e mirë metodat që po përdor jo vetëm ndaj medias por edhe institucioneve të tjera.
Ne shenjester te Berishes edhe institucione te tjera
Tiranë- Media nuk është e vetmja shenjëstër e sulmeve të kryeministrit Berisha. Që nga fillimi i qeverisjes së tij, edhe institucione të tjera janë vënë në qendër të sulmeve dhe dhunës. "Ky zotëri ka bërë beteja me biznesin, prokurorin e Përgjithshëm, presidentin Moisiu, Federatën Shqiptare e Futbollit dhe tani sulmon edhe median". Kështu është shprehur analisti Skënder Minxhozi, në tryezën e organizuar nga lëvizja "Mjaft", me pjesmarrjen e analistëve të tjerë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë. Sipas tyre jo vetëm media ka qenë dhe është nën kërcënimin e kryeministrit Berisha. Media i përket vetëm një prej listës së gjatë të shënjestrave që kreu i qeverisë ka goditur vazhdimisht në këto muaj të qeverisjes së tij, duke përdorur mjete nga më të paligjshmet për t'i dhunuar dhe mbajtur nën presion, në pamundësi të kapjes.
Shoqëria Civile:
Berisha të shkojë
në Gjykatë
Tiranë- Kryeministri Berisha duhet t'i provojë akuzat e tij në Gjykatë. Ky ka qenë qëndrimi i deklaruar nga shoqëria civile që merrte pjesë në tryezën e organizuar nga lëvizja "Mjaft". Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Pirro Misha është shprehur se "ligjet duhet të zbatohen, por Berisha me akuzat t'i drejtohet gjykatës". Gjuha e kryeministrit është bërë edhe më tepër kërcënuese se më parë, në një kohë kur asnjë prej akuzave të tij, që nga koha kur ishte lider i opozitës dhe akoma edhe tani që është në krye të qeverisë janë të gjitha të paprovuara dhe të pabazuara. Shoqëria Civile ka reaguar sidomos pas përsëritjes në mënyrë të vazhdueshme të akuzave për mafia dhe lidhje me mafian jo vetëm të presidentit, kryeprokurorit por së fundmi edhe të medias. Në tryezën e zhvilluar dje është kërkuar që kryeministri t'i drejtohet organit kompetent për vërtetimin e akuzave, për të cuar përpara drejtësisë ata që me të vërtetë janë të lidhur me krimin. Por nuk mund të vazhdojë të aludojë.
Sulmi ndaj ToP Media,kercenim
Tiranë- Sulmi i paturpshëm ndaj "Top Media" i kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij dëshmon se edhe media të tjera të lira dhe të pavarura janë gjithashtu të kërcënuar prej tij. Në seancën e dy ditëve më parë kur kreu i qeverisë ishte në interpelancë për sjelljen ndaj medias, deklaroi se do të vazhdojë të përdorë të njëjtat metoda të dhunshme dhe të jashtëligjshme për t'i kapur. Apo të paktën për t'u mbyllur gojën që të mos denoncojnë skandalet dhe keqqeverisjen e tij. Sulmi ndaj Top Media u dënua ashpër jo vetëm nga opozita dhe qytetarët, por edhe nga ndërkombëtarët të cilët kanë kërkuar nga kryeministri Berisha respektimin e lirisë së mediave si një prej standarteve që duhet të arrijë qeveria për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe të cilin Berisha po e vë në rrezik.
Krijoni Kontakt