Gazeta Zeri i popullit

Autori i Lajmit:
Neshat Tozaj
Kohët e fundit, në vazh
dim të mbrojtjes më
përkushtim të interesave të qytetarëve, kjo Zyrë ka filluar të tregohet aktive edhe për të servirur "modelin" e Presidentit të ardhshëm të Republikës të Shqipërisë.
Ne e kemi parë këtë Zyrë të jetë aktive dhe njëanshmërisht politike, kur duhej të ndodhej totalisht jashtë politikës. Kështu, nuk shkakton shumë çudi vendosja e "kritereve" të saj për Presidentin e Republikës. Shqipëria e sotme ështe një vend që ofron modelin e kryeministrit të vendit një kryepartiak të PD-së, të presidentit të Republikës një ishkomunist etj. Për ZMQ kjo çështje, deri tani, nuk ka përbërë problem as në të shkuarën e as në të sotmen, por, shohim që bën problem për të ardhmen (!!!). Dhe kjo nuk duket aspak e çuditshme.
Mesa dimë është hequr ligji dhe bashkë me të edhe institucioni i të ndjerit Bezhani që kufizonte pjesmarrjen e ishkomunistëve apo ishbashkëpunëtorëve të sigurimit në struktura shtetërore. Duke rënë veprimi i këtij ligji, përse ZMQ po e rimerr këtë çështje dhe përse po kërkon rivendosje të këtyre kritereve? Ne jemi njohur dhe e kemi kapërxyer, gjithashtu, vendosjen e ca pengesave të tilla ligjore në vitet 1992 - 1996, kritere që seleksiononin pamëshirshëm dhe turpërisht grupe të caktuara politike apo individë që të mos merrnin pjesë në poste të ndryshme. (Ligjet ishin formuluar në të tillë mënyrë që lexuesit të nënkuptonin menjëherë emrin e të përjashtuarit apo të të përjashtuarve). Këtë ne e kemi pas quajtur "grusht shteti i bardhë" sepse, pa çak pa bam, e përjetësonte pushtetin e njërës parti që kishte pushtetin. Kjo "teori" vinte kundër Kushtetutës, kundër të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Nëse ZMQ i ndan qytetarët shqiptarë, që i ka marrë në mbrojtje, (!!!) në qytetarë të nënës dhe qytetarë të njerkës, teoritë që po na servir do të na dukeshin normale. Në kushte të tjera, të ballafaquara me të drejtat dhe liritë e njeriut, këto teori do të na dukeshin segregative. Edhe me vetë misionin e ZMQ-së, po ndoshta jo me moralin e saj, nuk do të dukej normale të trazohej në politikë dhe as t'i jepte vetes të drejta që nuk i ka në Vendimin e Gjykatës për njohjen e saj në dobi të interesave të qytetarëve. Ajo duhet të qëndrojë në sferën e veprimtarisë së një OJF-je.
Duke ju drejtuar ekraneve të televizioneve me pikëpamje të tilla (tashmë këto pikëpamje janë kodifikuar prej kryetarit të saj), ZMQ harron që në Shqipëri veprojnë edhe dy forca politike të tjera: njëra Parita e Punës e Shqipërisë dhe tjetra Partia Komuniste. (Dikur ato kishin dalë jashtë ligjit). Përse ZMQ ua heq automatikisht të drejtën këtyre dy forcave politike të kenë kandidatin e tyre për postin e Presidentit të Republikës? Mos ndoshta ZMQ ndodhet disa vjet prapa në kohë kur këtyre dy forcave u ishte hequr me ligj e drejta e ekzistencës? A nuk është antikushtetuese veprimtaria e ZMQ-së në rastin kur shpall "kritere" të reja të Presidentit të Republikës? Kë duhet të respektojë ky vend, "kriteret" e ZMQ-së apo Kushtetutën e Republikës?
Duke guxuar të diskutojmë për këto gjëra, (për këto "kritere"), edhe pse e dimë që ZMQ e luan "në majë të gishtave" ligjin, do të donim ta citonim Kushtetutën për të vdekshmit, të cilët nuk mund të kenë gjuhë dhe as këmbë (Ata po tenton t'i marrë për dore ZMQ dhe t'i shëtit "të shohin botë me sy". ZMQ u mëson këtyre të vdekshmëve çfarë duhet të kërkojnë dhe mbi ç'kritere). Pra, po citojmë nenin 86 të Kushtetutës:
1. "Presidenti i Republikës është kryetari i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit"
Të bëjmë një koment modest lidhur me këtë: "Uniteti i popullit", guxojmë se do të thotë unitet i të majtëve, i të djathtëve, të qendrës, po edhe i 75-80% të qytetarëve, që duke u rënë bretku për të siguruar bukën e gojës, votojnë, por nuk kanë luksin të marrin pjesë nëpër parti politike. Pra, askush nuk mund të injorohet. Të majtët kanë qënë "armata" e një sistemi 50 vjeçar komunist, e djathta është një fakt juridik dhe objektiv, rezultante e luftës së klasave dhe e diktaturës së proletariatit të ushtruar nga partia e punës e Shqipërisë.
Unitetin e të gjitha këtyre forcave në Shqipëri duhet ta përfaqësojë një njeri, (edhe pse ZMQ do të na shtyjë me "argumente" drejt zotit Bamir Topi), që nuk duhet të jetë as një i majtë i thekur dhe as një i djathtë i djegur, (dhe asnjeri politikisht i "përcëlluar" apo i "përzhitur").
Unitetin e popullit shqiptar do ta përfaqësonte më mirë një njeri, mundësisht, jashtë politikës sepse, ata brenda politikës janë bërë aq pis sa do të mbanin shumë erë e do të na ndillnin të vjellat.
Të vazhdojmë me citimin e Kushtetutës:
2."President mund të zgjidhet vetëm, shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç."
Pra, nuk na thotë ndonjë gjë Kushtetuta nga ato që na thotë ZMQ dhe nuk na çudit fare ZMQ me "teoritë" e saj sepse ne ecim sipas principit "si të jetë kryetari është edhe ZMQ-ja" (Përse vallë u përfol aq shumë se kryetari i kësaj OJF-je ishte një nga kantidadët potent për postin vakant të Ministrit të Rendit?!)
Në nenin 89 marrim njoftim se Presidenti i Republikës, gjatë ushtrimit të funksionit, nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private.
Në nenin 90 të Kushtetutës tregohen rastet kur duhet hequr nga funksioni Presidenti i Republikës etj. (Për hir të së vërtetës aty nuk thuhet asgjë që ai mund të shkarkohet po të ketë qenë, fjala vjen, komunist apo "agjent" i ZMQ).
Duke i propozuar publikut të kthehemi te Kushtetuta për kriteret dhe cilësitë e Presidentit dhe "të shpëlajmë" alternativat, thuajse kategorike që kërkon të na imponojë ZMQ, thjesht do të donim të propozonim që të respektojmë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën.
Përsa i përket Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve (ZMQ) ne do të thoshnim se asaj do t'i bënte mirë të kthehej tek detyrat që ka marrë përsipër për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve. ZMQ nuk po vepron mirë duke u dhënë qytetarëve këshilla dhe moral për të nxitur amoralitetin dhe antikushtetueshmërinë. Ne jetojmë në një vend ku Kushtetuta dhe ligjet shkelen shumë nga administrata shtetërore dhe, duhet luftuar, duhet punuar shumë për të mbrojtur realisht, jashtë fiktiviteteve amorale, të drejtat dhe interesat e qytetarëve. Nëse ZMQ e ka të vështirë t'i mbrojë qytetarët nga ata që u shkelin të drejtat, se i dhemb shumë të presë "në mish të vet", kjo është një çështje tjetër. Kjo ndoshta do të tregonte se, ka ardhur koha, për të bërë një rrotacion në ZMQ.
Në Shqipëri, kemi me të vërtetë një model shumë të mirë që po i qëndron larg politikës dhe po radhitet dënjësisht në anën e interesave të qytetarëve dhe kjo është "Lëvizja Mjaft!" Nëse ZMQ do të kryente misionin që i ka caktuar vetes, (apo kush dreqin ia ka caktuar), do t'i duhej të ndiqte rrugë tashmë të shkelura dhe të mos na krijonte karikatura të modeleve servile ndaj pushteteve apo partive politike.