Gazeta Zeri i popullit

Autori i Lajmit:
"Korresp"
DURRËS- Moda e zëvendësimeve të drejtorëve të ndërmarrjeve të rëndësishme në Durrës vazhdon dhe këtë herë rradha i erdhi drejtorit të KESH-it Dëfrim Lakra i cili ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij. Lakra që kur mori detyrën, në kohën kur erdh në pushtet Berisha, e deri tani e shkatërroi sa mundi këtë ndërmarrje duke drejtuar si drejtor i PD-së dhe jo drejtor i KESH-it. Tashmë që kjo ndërmarrje është pothuajse e shkatërruar Lakra ikën dhe me siguri që Berisha do ta shpërblejë me ndonjë post tjetër për shkatërrimin që i solli ky njeri KESH-it.
Në vend të Lakrës do të vijë në krye të KESH-it një tjetër njeri njësoj si Lakra, Enjti Bajza, që deri tani kryente detyrën e drejtorit të KESH-it në Korçë. Berisha e mori këtë njeri nga Korça dhe e katapultoi drejt e në Durrës. Nuk i dimë aftësitë e këtij njeriu por me siguri që ai duhet të jetë si Lakra përderisa Berisha e dashka kaq shumë që e solli nga Korça në Durrës. Ky është një skandal i vërtetë sepse pak specialistë ka Durrësi që u dashka të merret një në Korçë?!
Por Berisha vazhdon mesa duket valën e shpërblimeve të njerëzve të tij duke i afruar në Durrës e Tiranë pavarësisht nëse këta janë të aftë apo jo, e rëndësishme për Berishën është që këta të jenë militantë dhe besnikë të tij të devotshëm. Por cilat ishin skandalet që shoqëruan Dëfrim Lakrën gjatë punës së tij si drejtor në KESH? Për fat të keq ato kanë qenë të shumta.
KESH-i i Durrësit po përjeton kohët e veta më të errëta për shkak të drejtuesve të cilët janë vetëm militantë dhe krejtësisht të paaftë. Ishte Lakra dhe këta drejtues të tjerë që e çuan KESH-in drejt shkatërrimit për shkak të spastrimeve politike që po kryhen në këtë ndërmarrje ku janë hequr nga puna specialistë, për shkak të emërimit aty të hajdutëve dhe pensionistëve dhe të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndikojnë në bllokimin e projekteve të nisura në kohën e qeverisjes socialiste dhe paralajmërojnë një krizë të vërtetë energjitike në Durrës për shkak se kjo ndërmarrje po keqmenaxhohet.
Tashmë kjo ndërmarrje është tërësisht politike pasi sado specialist të jesh nëse nuk je militant i PD-së nuk futesh në punë madje nëse ke punuar aty është e sigurt që do të shkarkohesh. Në KESH nuk ka vend për specialistët me bindje të majta megjithëse ajo është një ndërmarrje ku nuk kanë rëndësi bindjet. Në KESH kishte nevojë, sipas drejtorit Lakra dhe motrës së Bodes që kryejnë spastrimet, vetëm për hajdutë dhe pensionistë të paaftë, militantë të PD-së. KESH-i i shërben në mënyrë të veçantë të gjitha hallkave të kombit shqiptar dhe në këtë aspekt do të flasim se pse ka ardhur kjo situatë në KESH-in e Durrësit i cili po keqmenaxhohet si asnjëherë tjetër. Largimi nga puna i specialistëve dhe futja në punë e militantëve në mënyrë krejtësisht të pakontrolluar ka ndikuar në mënyrë të jashtëzakonshme në uljen e intensitetit të punës dhe keqmenaxhimit të tij. Do të pasqyrojmë një fakt që në vitin 2004 humbjet kanë qenë 36% ndërsa këtë vit humbjet janë më shumë se 52%. Pra shifrat tregojnë qartë që është ulur shumë intensiteti i punës sepse dikur njerëzit nuk shiheshin si të majtë apo të djathtë por si specialistë por tashmë specialistët u larguan nga puna si të majtë dhe KESH-i ndodhet në këtë situatë katastrofike. Në pikat kyçe të kontrollit të matësave të energjisë janë punësuar militantë të PD-së që kanë pikërisht njerëz të shquar dhe mjeshtra në ngacmimin e matësave dhe organizimin e vjedhjes së energjisë. PD-ja e Durrësit së bashku me Lakrën kryen emërimet në KESH ku kriteri i vetëm është militantizmi pa le të jesh edhe hajdut.
Spastrimet politike u bënë në KESH nga Lakra dhe nga motra e Bodes që është drejtoreshë personeli e divizionit të KESH-it të Durrësit.
Motra e Bodes banon prej pak kohësh në Durrës, a thua se Durrësi nuk kishte specialistë të aftë për ta bërë këtë detyrë.
Por natyrisht ky emërim është i qartë pse është bërë, nuk është pak të jesh motër ministri. Megjithatë problemi qëndron se kjo zonjë nuk e ka arsimin përkatës pasi ajo nuk ka depozituar ende ndonjë diplomë. Megjithëse kjo zonjë thotë që është mësuese përsëri ky emërim është i parregullt sepse çfarë lidhje ka mësuesia me KESH-in këtë vetëm Bode mund ta dijë.
260 punëtorët e KESH-it varen nga motra e Bodes që është arsimtare sipas thënieve të saj sepse diploma nuk është depozituar ende.
Për ti ndihmuar në spastrimet politike Lakra mori në punë një pensioniste që po bën në vend të detyrës së saj një detyrë më të lartë, atë të biografive politike të punonjësve në KESH, në mënyrë që të jetë më i plotë spastrimi politik. Në sektorin e motrës së Bodes është emëruar Liljana Koliqi, me detyrën e kryeinspektores së personelit. PS-ja ka fisnikërinë që krejt ndryshe nga PD-istët të mos merret me gratë por Koliqi e meriton të merresh me të. Kjo zonjë megjithëse është pensioniste është punësuar dhe ka vetëm një detyrë, të bëjë biografitë deri në detaje të punonjësve të KESH-it në mënyrë që edhe ata socialistë apo simpatizantë të PS-së që nuk janë hequr ende nga puna të largohen menjëherë. Koliqi po e kryen me zell këtë detyrë. Në fakt Koliqi nuk duhet të jetë fare në marrëdhënie pune sepse ka dalë në pension që në vitin 2004.
Ky pra është KESH-i i Durrësit ku janë pushuar nga puna njerëz të aftë për motive politike dhe ku punësohen militantë pensionistë si Koliqi, ku ka nepotizëm të hapur që vërtetohet nga motra e Bodes dhe ku merren në punë hajdutët.
Reforma politike e Berishës në KESH-in e Durrësit dha frytet e saj duke e çuar drejt shkatërrimit këtë ndërmarrje të rëndësishme dhe këto pasoja do ti vuajnë qytetarët e Durrësit.
Marrja në punë e abuzuesve dhe hajdutëve të djeshëm do të ndikojë direkt në xhepat e qytetarëve sepse tashmë këta hajdutë do të vjedhin zyrtarisht në emër të PD-së e cila i futi në punë duke e ditur fare mirë se cilët njerëz janë. Tashmë qytetari durrsak nuk di, a të ruhet nga hajduti apo nga shteti që do ta vjedhë këtej e tutje.
Shumë qytetarë durrsakë e kanë pritur me shumë shqetësim këtë që po ndodh në KESH-in e Durrësit sepse teksa kanë shkuar për ankesat e tyre të shumta në KESH, kanë parë atje këto figura të njohura që dikur abuzonin mbi kurrizin e tyre. Por në qoftë se dje kur gjërat funksiononin normalisht këta njerëz u pushuan nga puna sot ata kanë edhe mbrojtje shtetërore për abuzimet dhe vjedhjet që do të bëjnë. Por ajo që na shqetëson më tepër është apatia e KESH në Durrës lidhur me menaxhimin e investimeve të reja dhe mirëmbajtjes së rrjetit. Investimet janë nisur në kohën kur në pushtet ishte PS dhe tani ato duhej të ishin të përfunduara ose në prag të përfundimit. Por mesa shihet drejtuesit e KESH ishin të paaftë të manaxhojnë këto investime dhe t'i çojnë ato deri në fund brenda afateve kohore. Kjo natyrisht që do të ndikojë drejt për së drejti tek konsumatorët. Ja disa nga investimet e papërfunduara:

Shkallnuer
Sistemimi i rrjetit 20 KV. Është një investim i KESH. Vlefta 650 000 $. Është një investim i Janarit 2005 dhe duhej të përfundonte në Nëntor 2005. Nuk ka përfunduar

Sukth
Ndërtimi i rrjetit të ri 20 KV. Është investim i KESH i Janarit 2005. Vlefta 500 000 $. Duhej të përfundonte më 31/12/2005. Nuk ka përfunduar

Spitallë
Ndërtimi i n/stacionit të tensionit të lartë në Spitallë dhe rrjetit 20 kv. Investimi Bankës Botërore 3,8 milionë euro. Duhej të përfundonte më 31/03/2006. Me ritmin e punës që ka nuk përfundon deri në fund të vitit. Është investim i Janarit 2005. Nuk ka përfunduar

Kavajë
Ndërtimi i n/stacionit të ri dhe rrjetit 110/20 KV. Investim i Bankës Botërore me vleftën 5,6 milion euro. Duhej të përfundonte në 31/12/2005 dhe nuk ka përfunduar ende
Nuk janë investuar projektet e ndërtimit të rrjetit 20 KV faza e dytë për zonën e Shkozetit, nuk është parashikuar asnjë investim për rrjetin 20 KV për zonën e ish-kënetës, nuk është parashikuar asnjë investim për rehabilitimin e rrjetit shpërndarës për zonat rurale dhe ndërtimin e kabinave të reja etj. Pra kjo është situata në të cilën ka degraduar KESH-i i Durrësit dhe përgjegjësi kryesor i këtij degradimi nuk do të përgjigjet para askujt sepse ai dha urtë e butë dorëheqjen dhe kushedi se ku do të emërohet nga Berisha i cili të gjitha këta njerëz të dështuar dhe humbës i gradon me poste të larta në vende të tjera.

Korçë: Alarmi, shterojnë
burimet ujore, 30 mijë
banorë pa ujë të pijshëm

Korçë- Alarmi i mungesës së ujit të pijshëm ka përfshirë plot 30 mijë banorë në fushën e Korcës. Stina e verës rrezikon të jetë nga më të vështirat, ndërsa shterja e burimeve aktuale hidrike kërcënon 30 mijë banorë të Korçës prej një muaji vuajnë mungesën e gjatë të ujit të pijshëm. Uji nuk shkon rregullisht më në shtëpitë e tyre, por nga fillimi i muait mars është përgjysmuar duke përfunduar në vetëm disa orë ujë në ditë, nga furnizmi pa ndërprerje i tij. Situata alarmante ka përfshirë qytezën e Maliqit si dhe një pjesë të fshatrave të fushës së Korcës të cilat furnizohen me ujë nga burimet e Kolanecit. Ndërsa shqetësimi ka kohë që ka mbështjellë jetën e banorëve të një qyteti të vogël dhe mbi 15 fshatrave përreth tij, ai është present dhe në ndërmarjen e ujësjellesit fshat në Korçë. Numri një i saj jep alarmin SOS, por kërkon dhe zgjidhje të shpejta që të evitojë një situatë kritike në verë. Sipas Drejtorit të Ndërmarjes së Ujësjellësit Fshat Ëngjëll Hoxhalli kjo ndërmarje për të mirëadministruar sasinë e pakët të ujit ka vendosur orare ndërpreje të tij, për të mos krijuar problem me jetën e banorëve të Maliqit por dhe të fshatrave përreth. Sipas Hoxhallit në një prononcim për gazetën burimet hidrike janë duke shterruar dhe kjo për shkak të mungesës së gjatë të rreshjeve gjatë stinës së dimrit e cila këtë vit në juglindje ka qënë nga më të thatat e 15 viteve të fundit. “Për të parandaluar një situatë të veshtirë gjatë muajve të verës- pohon Hoxhalli- kemi marë këto masa për të menaxhuar gjëndjen hidrike të momentit, ndërkohë që kemi duke menduar dhe për një projekt madhor që do të sillte zgjidhjen e këtij problemi. Me këto orare kërkojmë të disiplinojmë shpenzimet e kota dhe të ruajmë një nivel të caktuar të buriemve aktuale që vijnë drejt zhdukjes së tyre”. Kështu bashkë me qytetin e Maliqit, mungesën e ujit me orar si asnjëherë më parë e vuajnë dhe banorët e fshatrave përreth tij si Kolanec, fshat Maliq, Vashtëmi, Libonik, Bulgarec etj,. Qyteti i Maliqit tani ka vetëm 12 orë ujë të pijshëm, ndërsa në fshatrat e fushës së Korcës kjo gjëndje është dhe më e vështirë pasi uji vjen pak orë në ditë. Sipas Hoxhallit kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme e momentit, ndërkohë që është duke u menduar për një projekt konkret investimi për ndërtimin e një ujësjellësi modern dhe po aq bashkëkohor sa ai i Korçës i ndërtuar nga gjermanët disa vjet më parë. Një investim serioz me ndërtimin e një ujësjellësi të ri mendohet të jetë dhe fundi i problemeve të shfaqura për mijra familjet në rrethin e Korcës që jetojnë në afërsi të zonës së ish kënetës së Maliqit. Sipas drejtorit Ëngjëll Hoxhalli specialistë të ndërmarjes që ai drejton por dhe specialistë të ardhur enkas nga Tirana dhe njohës të mirë të burimeve hidrike kanë mbritur ne juglindje për të gjetur vendburime te rejea alternative për furnizimin me ujë të pijshëm të rreth 30 mijë banorëve të një pjese të fushës së Korçës. Vendburimet po gjenedn në afërsi të atyre aktuale në zonën e Kolanecit dhe më pas do të kërkohet mbështetja financiare e Bankës Botërore për të zgjidhur njeherë e mirë cështjen e furnizimit me ujë të banorëve që tashmë janë në hall të madh. Në fakt afrimi i stinës së nxehtë mendohet të jetë shumë më i vështirë dhe oraret të jenë më drastike nëse do të vazhdojë e njëjta gjëndje pa rreshje. Banorët e fshatrave të lartpërmedur kanë vështirësi të mëdha, por arrijnë të sigurojnë ujin e duhur për kohën që ai mungon. Sipas drejtorit Hoxhalli po punohet për zgjidhjen më të mirë, ndërsa gjëndja aktuale në këtë rast nuk varet nga faktorët njerëzorë por ata natyrorë. Pavarsisht nga këto banorët paguajnë faturat e ujit të shpenzuar, ndonëse ai po bëhet çdo ditë dhe më i pakët, ndërkohë që nuk dihet se si do të jetë situata kur ai të mungojë gjatë në stinën e verës, kur dihet që juglindja shoqërohet nga një stinë e freskët dhe e thatë. Për më shumë se një muaj banorët po hasin vështirësi të shumta në këtë drejtim, ndërkohë që nuk mungojnë dhe rastet kur ata duhet të bëjnë dhe disa kilometra rrugë në këmbë për të gjetur ujë të pijshëm ndonëse nga burime të pakontrolluara. /Alba Filipi