Gjykata serbe dënon ekzekutorët e civilëve myslimanë të Bosnjës
Gjykata e Krimeve të Luftës në Serbi ka burgosur katër paraushtarakë serbë, që janë filmuar teksa ekzekutonin gjashtë të rinj myslimanë të Bosnjës. Liderit të njësisë elitë, të quajtur Scorpions, dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij, iu dha një dënim prej 20 vjetësh burg, ndërsa dy të tjerëve 13 dhe 5 vjet. Një person i pestë është nxjerrë i pafajshëm për vrasjen që ndodhi gjatë masakrës së Srebrenicës në Bosnjë, në korrik 1995. Ky ishte gjyqi i parë në Serbi në lidhje me masakrën e rreth 8000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë. Ai ishte gjithashtu edhe gjyqi më i madh për krime lufte i kryer nga serbët e ku të akuzuar ishin serbët. Prokurorët thanë se pesë të dyshuarit ishin anëtarë të një njësie paraushtarake të quajtur Scorpions. Në video, paraushtarakët dëgjoheshin gjithashtu teksa talleshin me të rinjtë për virgjërinë e tyre, para se t‘i qëllonin pas shpine. Kaseta është transmetuar për të parën herë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, në qershor 2005, në procesin kundër ish-presidentit të ndjerë të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviçit. Videoja, sipas korrespondentëve, është shoqëruar në Serbi me zërat se çdo krim lufte i bërë prej serbëve gjatë luftës ka qenë thjesht në kuadër të betejës. Kanë qenë vetë paraushtarakët ata që kanë regjistruar stilin e ekzekutimit dhe videoja ka qarkulluar mes tyre. E zbuluar nga një aktivist serb i të drejtave të njeriut, ajo është parë në Serbi në 2005-ën, duke shokuar opinionin publik që deri në atë kohë kishte hedhur poshtë akuzat për mizori serbe gjatë luftës, duke i quajtur thjesht propagandë. Ish-komandanti i njësisë Scorpions, Sllobodan Mediç, dhe bashkëpunëtori kryesor i tij, Branislav Mediç, u dënuan me nga 20 vjet burg, ndërsa Pera Petraseviç, i vetmi i akuzuar që kishte pranuar krimin, mori 13 vjet burg. Dënimi me 5 vjet burg iu dha Aleksandar Mediç, ndërsa një person i pestë, Aleksandar Vukov, u shpall i pafajshëm. "Sllobodan Mediç urdhëroi tre të akuzuarit, si edhe dy persona të tjerë, të ekzekutonin të burgosurit që u morën nga një burg dhe ekzekutimi duhej të ishte bërë në formën që të ngjasonte si një vrasje në luftime", tha gjykatësja Gordana Boziloviç Petroviç. "Duke kryer akte të tilla kundër civilëve të pambrojtur, nëpërmjet demonstrimit të forcës dhe pa shfaqur as më të voglën pendesë, të akuzuarit nuk i lënë gjykatës rrugë tjetër veçse t‘i dënojë ata", tha gjykatësja. Rasti u ndoq nga një gjykatë e posaçme për krimet e luftës në Serbi, e cila është ngritur në vitin 2003 me qëllim që të shqyrtojë çështjet që kanë të bëjnë me krime më të vogla, ku është i përfshirë Beogradi.
Trupat serbe të Bosnjës vranë 8000 meshkuj myslimanë, 150 kilometra larg qytetit të Srebrenicës, në atë që konsiderohet mizoria më e madhe në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt