Drejtorët e spitaleve, ikin mjekët, vijnë menaxherët
Eglantina Bardhi
11-04-2007
Ministri i Shendetesise, Nard Ndoka
Ministri i Shëndetësisë, Ndoka, deklaron se spitalet do t'i drejtojnë vetëm menaxherët e mirëfilltë
Drejtorët e spitaleve të cilët janë më profesion mjekë, duhet të lënë postin, pasi ata do të zëvendësohen vetëm nga menaxherë të mirëfilltë. Reforma e parë mbi sistemin shëndetësor e ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, duket se ka filluar të bjerë pikërisht mbi krerët e spitaleve. Kështu, Ndoka, gjatë takimit të djeshëm që pati me drejtues të lartë të Bankës Botërore në Tiranë, theksoi se kjo reformë do të shërbeje për të eliminuar konfliktet e interesit që mund të krijojnë mjekët, në qeverisjen e institucioneve shëndetësore.
Ikin drejtorët mjekë
Reforma e drejtorëve të spitaleve jo vetëm që do të zbatohet por, sipas Ndokës, kjo do të realizohet shumë shpejt, në të gjitha spitalet e vendit. Ideja për të përfshirë menaxherët në qeverisjen e strukturave të rëndësishme shëndetësore, sipas Ndokës, është konkretizuar tashmë me Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", më e rëndësishmja në vend, e pasuar nga drejtori i spitalit të Lezhës. "Sot, në krye të QSUT kemi një menaxher. Kemi hequr dorë nga menaxhimi i spitaleve nga mjekët, po krijojmë një mendësi të re në drejtimin e institucioneve shëndetësore, duke eliminuar konfliktet e mundshme të interesit që mund të krijojnë mjekët, në qeverisjen e institucioneve shëndetësore",- u shpreh Ndoka, duke shtuar se reformimi nga ky start i ri do të jetë i shpejtë. Duke e theksuar më tej idenë e këtij mentaliteti të ri në drejtimin e strukturave shëndetësore, ministri u shpreh se me të njëjtën logjikë u emërua në spitalin e Lezhës një tjetër drejtor, gjithashtu i profilit Ekonomik. Ndërkohë, ai pohon se drejtuesit e rinj kanë eksperiencën e duhur për të qenë të suksesshëm në menaxhimin e spitaleve, megjithëse këto ndërmarrje janë mjaft të ndërlikuara dhe problematike.
Gazeta Shekulli
Hera e pare qe nje minister nis te beje gjera me mend ne shendetesi!
Krijoni Kontakt