U MBAJT SEANCA E KUVENDIT TË KOMUNËS URBANE TË TUZIT 10.04.2007


Për herë të tretë aprovohet plani financiar



Tuz- Këshilltarët e Kuvendit të KU të Tuzit me 16 vota pro dhe 2 të përmbajtur në seancën e së hënës, pas katër muajsh e aprovuan për herë të tretë planin financiar për vitin 2007 me shumën prej 2.031.000 euro. Siç dihet dy herë më parë këtë plan e hedhi poshtë Kuvendi i Podgoricës.
Për kryetarin e KU të Tuzit, Smajl – Maliq Çunmulaj versioni i parë i planit financiar për vitin 2007 në masën prej 2.602.000 euro dhe versioni i dytë i muajit janar të këtij viti prej 2.504.000 mijë euro, nuk ishin “aventurizëm”, por ishte një tentativë reale për zhvillimin e trevës së Malësisë. “Dy herë tentuam që përmes këtij kuvendi të procesojmë planin financiar, mirëpo kreu i Podgoricës e refuzoi”, tha Çunmulaj, duke falënderuar të gjithë ata që e përkrahën planin financiar, në radhë të parë ata nga UDSH-ja, këshilltarin në Kuvendin e Podgoricës, Musa Pepiq, por në anën tjetër akuzoi disa këshilltarë të po këtij kuvendi (të Podgoricës), Gjelajn dhe Laleviqin, si dhe katër këshilltarë të Kuvendit të KU të Tuzit (Axhoviq, Dukoviq, Nikçeviq dhe Kalaj). Sipas tij, plani financiar i imponuar nga Kryeqyteti nuk është një zgjidhje e mirë politike e Koalicionit shumicë (IQ, LD në MZ dhe PSP). Fjala e Çunmulajt zgjoi mjaft debate dhe replika. I pari reagoi Fadil Kajoshaj (UDSH) i cili tha se përkrahjen e planit financiar nuk e dha për hir të pushtetit në Tuz, por për hirë të qytetarëve. “Duke pasur parasysh insistimin e kryetarit të Kuvendit të KU dhe sigurimin e tij personal se plani financiar do të kalojë në Kuvendin e Kryeqytetit, e përkraha atë”. Në diskutimin e kryetarit Çunmulaj reagoi edhe dr. Halil Dukoviq: “Ne e kemi ditur dhe dy herë ju kemi tërhequr vërejtje se plani financiar i aprovuar këtu nuk do të përkrahet nga Kryeqyteti. Tash katër muaj kemi humbur vetëm kohë. Asgjë nuk është punuar”. Lidhur me planet zhvillimore dhe përparimin e Tuzit dhe të Malësisë, Dukoviq tha: “Nëse dëshironi të punojmë së bashku, atëherë do ta keni përkrahjen tonë”. Marash Dedvukaj (LD në MZ) dhe Kolë Lulgjuraj (PSP), ndonëse kundër vullnetit të tyre, e përkrahën këtë plan financiar. I pari e përkrahi për hirë të qytetarëve të Malësisë, kurse i dytë për hirë të Koalicionit.
Këshilltarët e Kuvendit u njoftuan edhe mbi vizitën e krerëve të KU-së së Tuzit në SHBA, pastaj ata aprovuan vendimin mbi kompensimin e këshilltarëve të Kuvendit, u formuan trupat e punës dhe u aprovua Deklarata mbi bashkëjetesën dhe tolerancën, e propozuar nga Qendra Nansen Dialog. Koha Javore