Shtohen thërrimet, "rritet" kostoja për ushqimin e Forcave të Armatosura
Qeveria nuk është më në di etë. Bashkë me ta nuk mbajnë më "peris" as ushtarakët e Forcave të Armatosura. Një vit më parë, kosto e një vakti për ushtarakët ishte vetëm 100 lekë të reja. Tashmë kjo kosto do të jetë më e lartë,
si pasojë e një vendimi të Këshillit të Ministrave. Dje, qeveria ka miratuar të bëjë disa ndryshime në ligjin "për masën dhe mënyrën e kompensimit të qirasë së banesës dhe të ushqimit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës
së Shqipërisë". Sipas ndryshimeve, tanimë ushtarakët nuk do të kompensohen
apo ushqehen vetëm në masën e "shërbimit", por edhe për koston e gatimit. E thënë kjo në fjalë të thjeshta, ushtarakët do të kenë më shumë se 100 lekë të
reja për t‘u ushqyer dhe për të ngrënë vaktin. Sipas vendimit 524, datë 30.07.2004, ushtaraku aktiv i Forcave te Armatosura (oficer, nënoficer dhe ushtar profesionist), i emëruar jashtë vendbanimit, i cili nuk e ka ndryshuar vendbanimin familjar, pasi nuk ka pasur mundësi strehimi, dhe nuk përfiton kompensim për qira
banese, gëzon të drejtën e kompensimit në vlerë për ushqim, për tri vakte, për ditët efektive të punës. Sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, kjo pikë ndryshon si më poshtë: "Në pikën 3, fjalët "... e kompensimit në vlerë për ushqim, për tri vakte, sipas normës nr.4,..." të zëvendësohen me "... e trajtimit me
ushqim ose të kompensimit në vlerë të këtij ushqimi, për tri vakte, sipas normës nr.4, përfshirë shpenzimet e gatimit...".
Ndërkohë që, sipas vendimit të 2004, ushtarakët e tjerë të shërbimit aktiv gëzojnë të drejtën e kompensimit në vlerë për ushqim vetëm për vaktin e drekës, për ditët efektive të punës. Kjo pikë ka ndryshuar në këtë mënyrë: Në pikën 4,
fjalët "... e kompensimit në vlerë për ushqim vetëm për vaktin e drekës, sipas normës nr.4..." të zëvendësohen me "... e trajtimit me ushqim ose të kompensimit në vlerë për ushqim, vetëm për vaktin e drekës, sipas normës nr.4, përfshirë shpenzimet e gatimit...". Njëkohësisht bashkë me ndryshimet qeveria ka shtuar edhe një pikë tjetër, duke i lënë përgjegjësinë e përzgjedhjes ministrit të Mbrojtjes. "Përzgjedhja e formës së kompensimit për efektivat e reparteve ushtarake, sipas pikave 3 e 4, të këtij vendimi, përcaktohet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes", thuhet në vendim. Deri tani një ushtarak me vlerën që i kompensonte shteti, prej 100 lekë të reja brenda javës mund të alternonte ushqimin duke blerë herë pas here, një sufllaqe, një sanduiç, një tost apo një racion buke me 4 qofte. Gjithsecila prej këtyre ushqimeve kushton 100 lekë të reja. Ndërkaq, ushtarakët që hanë ushqim në mensë trajtohen me disa pjata. Kuzhinierët e reparteve të ushtarakëve përgatisin për ata pjata me mish, pilaf, makarona. Për ëmbëlsirë, në repartet ushtarake gatuhet sultiash. Dreka shoqërohet në fund me fruta.
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt