• Një ndërtim pranë Liceut Artistik, me një sipërfaqe prej më shumë se 7.000 metrash katrorë, që sipas çmimit të tregut duhet të ketë një vlerë mbi 7 milionë euro.
Ish-presidenti Ramiz Alia është bashkëpronari i një superpallati që po ndërtohet në një nga zonat më të preferuara të Tiranës. Edhe simboli i fundit i komunizmit mesa duket është konvertuar përfundimisht në kapitalizmin modern shqiptar. Emri i tij së bashku me ato të fëmijëve të tij (Besa, Zana e Arben) dhe familjes Xhuvani (Genc, Jolanda, Makbule, Dasmend e Aleksandër) figurojnë jo vetëm në certifikatat e pronësisë për një truall 900 metra/katrorë në rrugën "Themistokli Gërmenji", por edhe mes përfituesve të një leje për shesh ndërtimi të dhënë nga KRT e Tiranës për të ndërtuar një pallat shumëkatësh. Një ndërtim që ndodhet pranë Liceut Artistik, me një sipërfaqe prej më shumë se 7.000 metrash katrorë, që sipas çmimit aktual të tregut duhet të ketë një vlerë mbi 7 milionë euro. Natyrisht që Ramiz Alia dhe familja e tij bashkë me familjen Xhuvani nuk janë investitorët e drejtëpërdrejtë të pallatit, por falë pronësisë së truallit do të ndajnë mes tyre 20 përqind të ndërtimit.
Ish-pronarët
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dy ditëve më parë rrëzoi edhe ato pak shpresa të ish-pronarëve për të rimarrë shtëpitë e tyre. Edhe në 1 janar 2008, qiraxhinjtë nuk do t'u lëshojnë shtëpitë të zotërve, ashtu siç u ishte lënë afat nga qeveria. Një veprim që zhgënjeu plotësisht ish-pronarët, të cilët duhet të presin ndoshta shumë vite të tjera edhe për të përfituar nga skema e kompensimit.
Njëra prej këtyre familjeve të ish-pronarëve është edhe familja Gurashi, e cila pas një konflikti të gjatë gjyqësor, ka humbur të drejtën në vitin 2005 për të zotëruar një vilë dhe një sipërfaqe trualli në njërën prej zonave më të preferuara të Tiranës, pranë Liceut Artistik. Pala tjetër në këtë proces, që iu dha e drejta e pronësisë, është familja Xhuvani. Një prej familjeve të njohura, e cila pas vendimit të Gjykatës së Lartë, së bashku me familjen Alia, figurojnë të jenë pronare të truallit pranë të cilit ngrihej dikur vila. Familja Alia, është pikërisht familja e presidentit të fundit komunist të vendit, Ramiz Alisë. Por ndryshe nga fryma e sistemit të cilin transmetoi deri në fundin e vitit 1990, ish-presidenti komunist është tashmë jo vetëm pronar i një trualli, por edhe bashkëpronar në një pallat shumëkatësh në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës.
Lejet e KRT
Në verën e vitit 2005, ish-presidenti Alia dhe familjet Xhuvani e Klosi, kanë mundur të sigurojnë një leje për shesh ndërtimi nga Bashkia e Tiranës. Dhe një procedurë e tillë është kryer pikërisht një ditë pasi ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës së Lartë që i njihte pronësinë mbi vilën dhe truallin në rrugën "Themistokli Gërmenji" familjes Xhuvani. Në këtë përshpejtim procedurash ndoshta ka ndihmuar edhe personaliteti i ish-presidenti Alia dhe ndryshe nga çndodh rëndom nuk ka qënë e nevojshme pritja në rradhë për miratim nga KRT-ja.
Po brenda pak ditësh, ish-presidenti Ramiz Alia dhe pronarët e tjerë që kishin fituar gjyqin, kanë firmosur një kontratë bashkëpunimi për të marrë lejen e ndërtimit me një firmë private për të ndërtuar një pallat shumëkatësh mbi këtë truall tepër të lakmuar. Bëhet fjalë për pallatin 13 katësh që ndodhet sot ende duke u ndërtuar pranë Liceut Artistik, një nga ndërtimet më të larta të kësaj pjese të qytetit, që duket të jetë një investim disamilionë eurosh. Ish-presidenti komunist Alia, figuron zyrtarisht si njëri prej pronarëve të tokës që do të përfitojnë 20 përqind të sipërfaqes së ndërtimit 13 katësh. Ashtu siç ndodh rëndom, pronarët e truallit marrin një pjesë të dyqaneve dhe apartamenteve në varësi të përqindjes me të cilën kanë firmosur kontratat me firmën ndërtuese. Pikërisht sipas këtij rregulli, Ramiz Alia dhe familja tjetër Xhuvani do të kenë mundësinë që të bëhen pronare të disa apartamenteve në një nga zonat më të preferuara të kryeqytetit.
Gazeta Shqiptare.
Krijoni Kontakt