Ministria e Mbrojtjes dërgon me urgjencë projektin në Kuvend. Opozita kundër. Koçi: Iniciativë e dyshimtë
Liberalizohet tregtia e armëve
Mallrat ushtarake tani do t‘i blejnë dhe do t‘i shesin edhe privatët
Qeveria liberalizon tregtinë e armëve dhe mallrave të tjera ushtarake. Një projektligj i ri ka mbërritur në Kuvend, në të cilin sanksionohet se tani e tutje, me eksportin dhe importin e armëve do të merren edhe privatët. Deri tani këtë tregti e ka pasur monopol vetëm kompania shtetërore e Ministrisë së Mbrojtjes, "Meiko". Komisioni i Sigurisë Kombëtare është përfshirë dje nga debatet në lidhje me projektligjin e paraqitur nga qeveria "Për Kontrollin Shtetëror të Veprimtarisë së Import-Eksportit të Mallrave Ushtarake dhe Mallrave e Teknologjive me Përdorim të Dyfishtë". Ky projektligj ka kaluar pa debate në Komisionin e Ligjeve para pak ditësh, por nuk ka ndodhur e njëjta gjë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti socialist, Petro Koçi, është shprehur se në këtë projektligj ka një sërë paqartësish, në lidhje me trajtimin e mallrave me përdorim të dyfishtë që eksportohen, importohen apo tranzitohen në Shqipëri. Gjithashtu, është shprehur ai, ka paqartësi lidhur me marrëdhëniet e shtetit dhe operatorëve privat, në procesin e shitjes së mjeteve ushtarake. Nënkryetari i komisionit ka sqaruar se këto mallra, që cilësohen me përdorim të dyfishtë, janë mjete, teknologji apo veprimtari, të cilat kanë një destinacion civil, por që mund të shfrytëzohen edhe për qëllime ushtarake. Gjatë diskutimit të tij në komision, deputeti Koçi ka theksuar se këto mund të jenë lëndë kimike, e cila përdoret si lëndë e parë për një industri të caktuar në Shqipëri, por kjo lëndë kimike mund të përdoret edhe për prodhimin e municioneve. Sipas opozitës, këto pika janë të paqarta në projektligjin e hartuar nga qeveria, ndaj kanë kërkuar edhe saktësimin e tyre. Ky projektligj bën pjesë në ligjet të cilat duhet të njësohet me ato të BE-së dhe lista e mallrave, të cilat importohen dhe eksportohen me përdorim të dyfishtë janë të shumta, duke mos futur këtu edhe mallrat që mund të shtojë apo të heqë Shqipëria. Në listën e mallrave, të cilat shiten nga Shqipëria, deputeti i opozitës ka shprehur shqetësimin e tij për paqartësinë që haset në projektligj, pasi nuk jepen saktë se cilët janë këto mallra. Koçi është shprehur më tej se në listën e mallrave apo teknologjive që janë me përdorim të dyfishtë mund të ketë hapësirë për abuzim, sepse listën e këtyre mallrave e bën Këshilli i Ministrave, duke mbajtur për bazë listën e hartuar nga BE-ja. Por kjo listë, sipas opozitës, është vetëm baza se këta mund të fusin mallra, të cilat mund të përfshihen për qëllime të caktuara apo të bëhen monopole.
Sipas deputetëve, të cilët janë anëtarë të Komisionit parlamentar të Sigurisë ky është një ligj mjaft i rëndësishëm, sepse lidhet direkt me sigurinë në import-eksportin e mallrave ushtarake me përdorim të gjerë, por edhe në procesin e transitimit apo ndërmjetësimit. Kështu që deputetët e opozitës kanë kërkuar që ai të mos miratohet në një seancë të vetme, pasi ligji duhet analizuar dhe shqyrtuar me seriozitet duke i kushtuar më shumë se një seancë. Kjo kërkesë e opozitës është pranuar edhe nga parlamentarët e mazhorancës në komision, të cilët kanë vendosur ta vazhdojnë sërish sot debatin për këtë ligj, i cili hyn te ligjet e rëndësisë së veçantë. Ky ligj, që tashmë i është dorëzuar Kuvendit, përbëhet nga 40 nene të strukturuar në 6 krerë. Sipas qeverisë, ky projektligj synon rregullimin e fushës së kontrollit shtetëror për transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake e atyre me përdorim të dyfishtë, ku bëjnë dallim mallrat që përdoren gjatë stërvitjeve ushtarake nga forcat shqiptare, si dhe në stërvitjen në veprimtaritë e forcave të armatosura të huaja brenda vendit tonë.
gazeta-shqip
Krijoni Kontakt