(Nga Shekulli)
Gjenden në orët e para të mëngjesit shtatë emigrantët shqiptarë të zhdukur në kufirin shqiptaro- grek. Rreth orës 07.35 të mëngjesit të djeshëm, policia e Grebenatit ka mundur të gjejë shtatë banorët e fshatit Kallm i Vogël të rrethit të Fierit. Ata kishin arritur që të largoheshin nga zona ku ishin bllokuar nga dëbora dhe gjatë natës kishin zbritur në një zonë të banuar. Gjendja shëndetësore e shtatë shtetasve shqiptarë nuk ka qenë shumë e mirë dhe ata janë dërguar në spital ku kanë marrë edhe ndihmën e parë mjekësore. Rreth orës 19.00 të ditës së djeshme, ata janë kthyer nga policia greke në pikëkalimin kufitar të Kapshticës dhe i janë dorëzuar policisë shqiptare. Në orët e mbrëmjes shtatë të rinjtë janë rithyer në familjet e tyre në fshatin Kallm i Vogël të rrethit të Fierit.
Shtatë të rinjtë nga rrethi i Fierit për pak sa nuk e kanë paguar me jete ëndrrën për një të ardhme më të mirë në Greqi. Ata janë nisur mëngjesin e së dielës për të shkuar në tokën helene por kanë mbetur të bllokuar në dëborë. Pas dhënies së alarmit nga të afërmit e tyre në fshatin Kallm i Vogël të rrethit të Fierit, janë vënë në lëvizje policitë e të dyja shteteve. Gjatë natës së djeshme, ata kanë dhënë alarmin se gjendja shëndetësore ishte rënduar nga i ftohti dhe bora i kishte izoluar nga gjithçka. Fatmirësisht ata kanë mundur që të lëvizin nga vendi ku ishin bllokuar dhe pasi kanë zbritur malin, kanë dalë në një zonë të banuar. Shtatë emigrantët shqiptarë janë gjetur nga policia greke rreth orë 07 e 35 minuta të ditës së djeshme në një rrugë rurale ndërmjet fshatrave Ardhela dhe Mikrolivadho. "Kërkimet kanë vazhduar pothuajse gjithë natën. Ishte tepër e vështirë të përcaktonim zonën ku ndodheshin. Edhe celulari i tyre nuk na ndihmonte pasi nga të ftohtit ata ishin vazhdimisht në lëvizje",- tha për "Shekullin" një oficer policie i rajonit të Grebenatit.
Menjëherë shtatë të rinjtë shqiptarë janë dërguar në spitalin e Grebenatit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Burimet e policisë greke pohuan se në momentin e gjetjes të gjithë gëzonin shëndet të plotë por i ftohti kishte ndikuar tek ta. Pas marrjes së ndihmës së parë dhe pasi janë qetësuar për disa orë, ka filluar menjherë procesi i riatdhesimit të tyre. Ambasadori shqiptar në Athinë, Vili Minarolli, i tha "Shekullit" se në orët e pasdites së djeshme të shtatë janë nisur në drejtim të pikës kufitare të Kapshticës. "Forcat policore greke kanë treguar një impenjim maksimal dhe për gjatë gjithë natës të së enjtes nuk i kanë ndërprerë kërkimet. Por edhe më pas iu është ofruar kujdesi i duhur mjekësor dhe gjithçka që ata kishin nevojë. Në shenjë respekti unë i dërgova një letër falenderimi edhe ministrit të Rendit, Polidhora",- tha dje pasdite Minarolli.
Nishani, takim me palën greke
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Kryekomisar Ahmet Prençi, zhvilluan paraditen e djeshme një takim të veçantë me oficerin ndërlidhës të policisë greke, Efthimios Marantidis, në lidhje me operacionin e shpëtimit të emigrantëve. Ministri Nishani gjatë këtij takimi vlerësoi si shumë të rëndësishëm kontributin e Policisë Greke për shpëtimin e këtyre jetëve. Ai siguroi oficerin e Policisë Greke se policia shqiptare do të marrë të gjitha masat për hetimin se si u bë i mundur kalimi i këtyre shtetasve. Nga ana e tij, oficeri grek, Efthimios Marantidis, duke vlerësuar faktin që Ministri i Brendshëm e thirri në këtë takim të posaçëm për t'i shprehur falenderimet, evidentoi impenjimin maksimal të Ministrisë së Rendit Publik e të Policisë Greke, të cilët e vlerësuan shumë këtë situatë pasi bëhej fjalë për të shpëtuar jetë njerëzish.
Krijoni Kontakt