Emërimi nga maxhoranca për kuorumin në komision
ARTEMIDA ÇOLLAKU
Maxhoranca ka bërë surprizën e radhës në seancën e djeshme parlamentare. Nën ulërimat e deputetëve të opozitës kartonët e maxhoranës ka çuar në 17 numrin e anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Medias dhe Arsimit, çka i jep Partisë Demokratike shumicën në këtë komision. Ky vendim është parë si një lëvizje e qëllimshme nga ana e opozitës nisur nga fakti se në këtë komision është duke u diskutuar projektligji për “Transmetime Numerike”, i cili është propozuar nga një grup deputetësh të PD pa u diskutuar më parë me grupet e interesit. Sipas kryetari të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Ben Blushi një vendim i tillë është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. “Në fillim të kësaj legjislature ka një vendim të Kuvendit i cili parashikon që numri i anëtarëve të Komisionit të
Medias do të jetë 14, por me vendimin e marrë ditën e sotme nga maxhoranca numri shkon në 17. Kuvendi nuk mund të marrë një vendim të dytë pa marrë një vendim për pezullimin e vendimit të parë”, - shprehet Blushi gjatë një interviste të dhënë në “News 24”. Sipas tij, kjo çështje do të jetë objekt debati në seancën e ditës së hënë.
VOTIMI
“Me 48 vota pro, 34 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi miraton Luan Skuqin si anëtarin më të ri”, - tha Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Duke “triumfuar”
mbi zërat e kundërshtimeve të deputetëve opozitarë për marrjen e këtij vendimi,
kryetarja Topalli nuk e ka zgjatur me tej seancën duke bërë të ditur vetëm kalendarin e punimeve për seancën e radhës që do të zhvillohet ditën e hënë dhe më pas deklarimin e mbylljes së seancës pa i lënë mundësi opozitës për t’u shprehur.
TËRHEQJA
U duk disi e çuditshme për opozitën deklarimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina
Topalli se në seancë nuk do të diskutohej projektligji “për Transmetimet numerike”. Ky projekt është cilësuar “pirat” nga opozita sepse nuk rruga që është ndjekur për hartimin dhe diskutimin e tij nuk ka qenë në rrjedhë normale. Maxhoranca ka kërkuar që ky projekt të kalojë me procedurë të përshpejtuar çka është kundërshtuar jo vetëm nga deputetë e opozitës, por edhe nga aleati i demokratëve Nikollë Lesi. Por “çudia” e tërheqjes për diskutimin e projektit nga ana e kryetares nuk zgjati shumë. Menjëherë kryetarja hodhi për votim propozimin e bërë nga maxhoranca për emërimin e një anëtari të ri në këtë komision, Luan Skuqi i cili deri më sot ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë. Ndërkohë që nga komisioni i Medias është larguar vetëm nënkryetari i saj, Ylli Pango i cili u emëruar ministër në kabinetin e ri, në këtë komision janë bërë tre emërime duke i shtuar Osman Metalla, Astrit Patozi si dhe Luan Skuqi. Ndërkohë, nga ky komision është larguar deputeti demokrat Spartak Ngjela, i cili nuk është fare në dijeni të këtij vendimi të marrë nga partia që e ka zgjedhur kohë më parë. I kontaktuar nga “Gazeta”, Ngjela shprehet se “nuk jam në dijeni të këtyre lëvizjeve të bëra”. Ndërkohë që mazhoranca e ka justifikuar largimin e Ngjelës nga ky komision me mospjesëmarrjen e tij të vazhdueshme në aktivitetin e këtij komisioni.
Rregullorja e Kuvendit
NENI 21
Pika 2
Kuvendi mund të ndryshojë përbërjen e komisioneve të përhershme dhe të nënkomisioneve, duke ruajtur përpjesëtimin që zënë grupet parlamentare në
Kuvend. Për ndryshimin e numrit dhe të përbërjes së komisioneve dhe të nënkomisioneve synohet arritja e mirëkuptimit mes grupeve parlamentare.
Pika 3
Kuvendi, në seancë plenare, me votim të hapur, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, pas këshillimit me kryetarët e grupeve parlamentare, cakton emrat e
zëvendësuesve të anëtarëve të komisionit ose të nënkomisionit për secilin grup parlamentar. Anëtari i një komisioni ose nënkomisioni, në rast mungese ose pamundësie për të marrë pjesë në mbledhje, zëvendësohet nga një prej anëtarëve të caktuar në vendimin e Kuvendit. Zëvendësimi autorizohet me shkrim nga kryetari i çdo grupi parlamentar, duke përcaktuar edhe datat e zëvendësimit dhe i dorëzohet kryetarit të komisionit. Zëvendësimi i një anëtari të komisionit të përhershëm ose nënkomisioni nuk mund të ndodhë më shumë se 4 herë gjatë një sesioni të Kuvendit.
Ballkanweb
Krijoni Kontakt