Komisioni i Medias miraton me votat e vetëm 9 deputetëve të PD-së projektin për transmetimet numerike. Mungon Nikoll Lesi
Komisioni i Medias ka miratuar nen për nen dhe në tërësi projektligjin për platformën numerike të propozuar nga disa deputetë të PD-së. Projektligji është miratuar vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita dhe deputeti i PDK-së, Nikoll Lesi, nuk kanë marrë pjesë në mbledhje. Me gjithë diskutimet nen për nen nga anëtarët e mazhorancës në komision, të cilët shpeshherë kanë bërë edhe rolin e opozitës, duke kundërshtuar për nene të caktuara, por më pas kanë miratuar me ca ndryshime të vogla, projektligjin e paraqitura nga qeveria. Deputetët e mazhorancës anëtarë të Komisionit të Medias kanë vendosur të heqin fjalën "eksperimentale", që është e vendosur në titullin e projektligjit, me argumentin e bërë nga deputeti Patozi që Kuvendi po përpiqet të bëjë një ligj që mundësisht t‘i rezistojë kohës sa më gjatë. Në nenin tre të projektligjit, pika 4 (a), ku thuhet se licencat për rrjetet numerike janë kombëtare kur mbulohet me sinjal mbi 70% e territorit të vendit. Me propozim të deputetit Patozi, kjo pikë u ndryshua dhe, sipas tij, një operator nuk mund të detyrohet të mbulojë mbi 70% të territorit të vendit, kur dihet se në zona të thella nuk ka banorë. Ai propozoi që operatori të mbulojë 80% të zonave të banuara dhe kjo duke iu bazuar statistikave që ka KKRT-ja, për zonat e banuara, e cila më pas do të bëjë edhe verifikimin e shtrirjes së rrjetit. Në nenin 4, pika 2, u bë një tjetër ndryshim, RTSH, e cila kishte të drejtë të ndërtonte vetëm një rrjet numerik tokësor, anëtarët e komisionit vendosën që ky operator të ketë të drejtën e ndërtimit të 2 rrjeteve numerike tokësore. Në nenin, 6 pika 1, u vendos që mbajtësit e licencave të rrjeteve dhe të licencuarit për platforma, janë të detyruar të sigurojnë të paktën 50% të shërbimeve të tyre transmetuese numerike do t‘ua ofrojnë përdoruesve pa pagesë. Për nenin 10, ku flitet për kohëzgjatjen e licencës, komisioni vendosi që licencat për transmetimet numerike do të kenë një kohëzgjatje, 8 vjet për licencat kombëtare, 6 vjet për licencat rajonale dhe 5 vjet për licencat lokale. Në nenin 11 u vendos që programet pa pagesë të licencuara për të transmetuar në territorin e Shqipërisë, duhet të transmetojnë të paktën 50% të të gjitha programeve audiovizuale evropiane, nga të cilat të paktën 20% të programit të jetë prodhuar në Shqipëri, ose me bashkëprodhim shqiptar. Të gjitha transmetimet duhet të jenë të dubluara ose të subtitruara në shqip. Nga ky nen përjashtohen ritransmetimet e programeve të huaja, nga të cilat jepet leja nga KKRT-ja. Neni 13, i cili flet për pluralizmin në median audiovizuale, u vendos që një person juridik nuk mund të ketë më shumë se një licencë për një rrjet numerik tokësor. Një person fizik që ka interesa ekonomike, ose është në pozitë vendimmarrëse në një person juridik që ka licencë për transmetim numerik tokësor, nuk mund të ketë interesa ekonomike ose të jetë në pozitë vendimmarrëse në një person tjetër juridik, që ka një licencë tjetër numerike tokësore. Nga ky rregull bën përjashtim vetëm TVSH, e cila gëzon me ligj shfrytëzimin e dy rrjeteve numerike kombëtare. Në pikën dy të këtij neni, thuhet se një operator ka të drejtën e pajisjes më licencë për transmetimin e një prodhimi radioteleviziv dhe anasjelltas. Po në pikën 4 të këtij neni thuhet se asnjë operator i licencuar në bazë të ligjit 8410 për Radio Televizionin Publik dhe privat, ose në bazë të këtij ligji nuk mund të zotërojë më shumë se 30% të tregut të reklamave në tregun audiovizual. Në nenin 14, iu la e drejta KKRT-së që të përdorë sanksionet që i lejon ligji për të gjithë ata operatorë të cilët nuk respektojnë këtë ligj. Si shtesë për këtë nen, deputetët e mazhorancës anëtarë të Komisionit të Medias propozuan një amendament, ku ngarkojnë që KKRT-ja që në akordimin e licencave për transmetimet numerike të vendosë rregulla për të respektuar interesat e abonentëve të transmetuesit ekzistues numerik për një periudhë tranzitore deri në 12 muaj. Në nenin 2 theksohet se KKRT-ja përcakton frekuencat, fuqinë, vendodhjen dhe zonën për të cilat jepen licencat për ndërtimin e rrjeteve numerike, në përputhje me Planin e Frekuencave të adoptuar nga Konferenca Rajonale e Radiokomunikacioneve.
Opozita dhe Lesi nuk marrin pjesë: Mbledhja është lënë për të hënën
Ashtu siç ishte paralajmëruar, opozita nuk ka marrë pjesë as në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Medias, ku u miratua projektligji për transmetimet numerike. Deputetëve të opozitës i është bashkuar edhe kryetari Grupit parlamentar të PDK-së, Nikoll Lesi, anëtar i këtij komisioni. Sipas deputetëve të opozitës, mbledhja ishte lënë për ditën e hënë dhe jo për të shtunën, siç e bëri mazhoranca, qëndrim i cili është mbështetur edhe nga deputeti Lesi, i cili, i pyetur nga gazeta "Shqip" përse nuk ishte prezent në mbledhjen e Komisionit të Medias, është shprehur se në planin e miratuar nga komisioni, mbledhja e tij është lënë për ditën e hënë, paradite. Ndërsa vetë deputetët e mazhorancës nuk kanë pranuar këtë variant, duke u shprehur se parlamenti po punon intensivisht, pasi aktualisht për diskutime dhe miratime në komisione janë një sërë projektligjesh të rëndësishme, të cilat duhet të diskutohen, pasi axhenda e Kuvendit është e ngjeshur dhe shumë prej tyre mund të mbeten edhe pa diskutuar, për shkak të debatit për zgjedhjen e Presidentit që do të fillojë së shpejti.
Mbledhja e Komisionit të Medias ishte lënë për paraditen e djeshme, por, me gjithë pritjen e gjatë prej gati katër orësh, deputetët e mazhorancës nuk mundën të bënin kuorumin e duhur për të nisur punën. Pas pritjes së gjatë për deputetin Bylykbashi, i cili është detyruar që i sëmurë të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit, është zhvilluar pasdite, ku kanë qenë vetëm 9 deputetët e mazhorancës. Tashmë ky projektligj i miratuar nga Komisioni i medias do të kalojë për miratim në sallën e parlamentit në seancës e së hënë ku plotësohen dhe 48 orët e miratimit të tij, ashtu siç e parashikon rregullorja. Duke shpjeguar kështu fare qartë edhe ngutjen e deputetëve të djathtë për ta miratuar sa më shpjet në komisionin këtë projektligj.
Prapaskenat
Telefonatat misterioze që ndërprenë mbledhjen
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Medias, e cila ka zgjatur për gati tre orë, përveç ndërprerjeve të shpeshta për pushime të herëpashershme nuk kanë munguar as telefonatat misterioze, të cilat kanë vënë në lëvizje deputetët e komisionit. Të shumta kanë qenë telefonatat dje tek anëtari i komisionit, Astrit Patozi, Gjok Vuksani dhe te nënkryetari i këtij komisioni, Gëzim Karapici. Telefonatat kanë qenë pikërisht në momentin kur po diskutohej neni 13 për dhënin e licencave. Pas këtyre telefonatave, sytë e anëtarëve të tjerë të Komisionit të Medias ishin të drejtuara nga personi, i cili sapo kishte mbaruar telefonatat, duke miratuar me shumicë votash qëndrimin që ai kishte për nenin në fjalë, i cili u la me një licencë për një rrjet numerik. Gjithashtu, mbledhja është ndërprerë sërish në fund të projektligjit, ku më pas anëtarët e komisionit erdhën me një amendament shtesë për nenin 14, ku vendosnin që operatori ekzistues numerik duhet të respektonte interesat e abonentëve për një periudhë deri në 12 muaj. Propozim i cili ashtu si edhe të gjitha propozimet e bëra deri në ato momente u miratuan me shumicë votash, duke e shtuar në fund të nenit 14 të projektligjit të paraqitur nga qeveria por të modifikuar deri- diku edhe nga ekspertët e KKRT-së.
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt