Kryetarja e komisionit parlamentar, Leskaj: është shkelur Kushtetuta dhe sugjerimet e Këshillit të Evropës. Drafti kundër medias u hartua në fshehtësi
Në kulmin e përplasjeve mes qeverisë dhe mediave, publikohet një tjetër skandal i mazhorancës. Në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe sugjerimet e Këshillit të Evropës, qeveria shqiptare harton një projektligj për mediat elektronike dhe transmetimet dixhitale, pa u konsultuar më parë me grupet e interesit dhe opozitën. Skandali është publikuar fillimisht nga gazeta "Albania" dhe më pas është konfirmuar në Kuvend nga kryetarja e Komisionit të Mediave, Valentina Leskaj. Çuditërisht vetëm një ditë më parë kalendari i punimeve të Kuvendit për javën që vjen është ndryshuar në mënyrë të papritur. Deputetët janë njoftuar se në datën 19 të këtij muaji në Kuvend do të diskutohet dhe më pas do të votohet projektligji mbi transmetimet numerike eksperimentale në Republikën e Shqipërisë. Komisioni i Medias nuk ka asnjë dijeni mbi ekzistencën e një projektligji të tillë. "Se me kë është diskutuar dhe se si është hartuar unë si kryetare e këtij komisioni nuk di asgjë", tha Leskaj. Edhe pse ende nuk është kaluar në Komisionin e Ligjeve, mësohet se deputetët që e kanë nënshkruar do ta paraqesin të martën që vjen në Komisionin e Medias, me procedurë të përshpejtuar, për të përmbushur kështu një kërkesë themelore të Kushtetutës. Zonja Leskaj ka theksuar se në rrugë informale është mësuar për ekzistencën e një projektligji dhe për procedurat e përshpejtuara që janë ndërmarrë për miratimin e tij, që sipas Leskajt, mund të ketë lidhje me sulmet më të fundit të qeverisë ndaj medias.
Reagimi
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, kryetarja e Komisionit parlamentar të Medias, Valentina Leskaj, ka sjellë në vëmendjen e gjithë deputetëve dhe opinionit publik, një tjetër skandal të qeverisë në luftën e nisur ndaj medias. Sipas Leskajt, në kalendarin e datës 11 prill është futur "Projektligji mbi transmetimet numerike eksperimentale në Republikën e Shqipërisë". "Nuk e di, tha Leskaj, se ku është diskutuar dhe si është diskutuar ky projektligj". Por ka shtuar, ajo në Komisionin e Medias, nuk ka asnjë informacion për këtë të ashtuquajtur projektligj. Në fakt, theksoi më tej, Leskaj në rrugë informale ka disa informacione. "Ka një projekt, i cili kurrë nuk ka ardhur në Komisionin e Medias, por që ka qarkulluar nëpër zyrat e Kuvendit edhe me shënimin e Kryetares së Kuvendit, e cila i adresohet Drejtorisë Juridike, Drejtorisë së Seancave, për veprim, ky projekt është me titull për transmetimet dixhitale dhe i firmosur nga disa deputetë si: Fatos Hoxha, Safet Sula, Rrahim Kaleci, Gjovalin Prenga, Besnik Jaelli", është shprehur Leskaj. Sipas saj, ky draft nuk ka ardhur kurrë në Komisionin e Medias. Gjithashtu, ajo ka kujtuar se po në rrugë informative është mësuar se ka edhe një draft tjetër i firmosur nga deputeti Sali Shehu, i cili qarkullon nëpër zyrat e Kuvendit, por që sërish nuk është paraqitur në komisionin përkatës. Gjithashtu, deputetja Leskaj i ka kujtuar Kryetares së Kuvendit se pak kohë më parë ajo ka firmosur një shkresë që ia ka dërguar Bashkimit Evropian, ku Topalli ka rënë dakord që të bëhet një reformë, një paketë ligjore përfshirë transmetimet dixhitale me asistencën e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës dhe pas kësaj, tha Leskaj, është një plan veprimi, të cilin na e keni dërguar ju me shkresë, duke iu drejtuar Topallit dhe kemi rënë dakord në komision duke e miratuar. Unë, tha Leskaj, dua të di, në datën 19 prill cili projektligj është planifikuar të futet në seancë dhe pse është bërë me procedurë të përshpejtuar? Sipas Leskajt, mos lidhet kjo me gjithë situatën dhe sulmet ndaj medias apo ka ndonjë motiv tjetër prapa? Pyetje këto që nuk morën asnjë përgjigje nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e mbylli seancën parlamentare.
Shkelet pakti me Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për televizionet
Edhe pse ende nuk është kaluar në Komisionin e Ligjeve, mësohet se deputetët që e kanë nënshkruar do ta paraqesin të martën që vjen në Komisionin e Medias, me procedurë të përshpejtuar, për të përmbushur kështu një kërkesë themelore të Kushtetutës. Pak javë më parë, dy nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian i kanë dërguar Komisionit Kuvendor të Medias një plan ku përcaktohen në mënyrë të detajuar të gjithë hapat që duhen ndjekur për hartimin e këtij ligji. Në këtë plan jepen dhe rekomandimet e qarta për hartimin e tij sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Të gjitha fazat e hartimit të projektligjit duhet të ishin nën vëzhgimin e rreptë të Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, institucione të cilat kishin marrë përsipër edhe financimin e tryezave të debatit me të gjitha grupet e interesit. Qeveria nuk ka respektuar asnjë pikë nga plani i veprimit të paraqitur nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian. Sipas këtij plani, puna për hartimin e projektligjit për transmetimet dixhitale duhet të fillonte që në ditët e para të muajit mars, kohë në të cilën Komisioni parlamentar i Medias duhet të krijonte një grup pune të përbërë nga tre ekspertë të pavarur vendas dhe përfaqësues të mazhorancës e opozitës. Në prill të vitit 2007, ky grup pune duhet të diskutonte mbi procedurat se si mund të amendohej ligji i transmetimeve dhe do të formulonte variantin e tij për këtë pikë. Më pas, Komisioni i Medias do të organizonte takime debati me grupet e interesave, nga të cilët do të kërkonte amendamentet përkatëse. Drafti i parë i ligjit duhet të përgatitej vetëm në fillim të muajit korrik të vitit 2007, pasi të ishin marrë më parë mendimet e grupeve të interesit. Për të gjithë këto hapa, grupi i punës ishte i detyruar të informonte Këshillin e Evropës. Drafti përfundimtar, sipas planit të veprimit të Këshillit të Evropës duhet të ishte gati jo më parë se fundi i muajit shtator. Ky draft do t‘i çohej sërish Këshillit të Evropës për të marrë sugjerimet përfundimtare dhe vetëm më pas në tetor ose në nëntor të vitit 2007 duhet të kalonte në Komisionin e Medias për diskutim e votim. Në këtë kuadër, këshilli i Evropës ka kërkuar në janar të këtij viti konfirmimin e Kryetares së Kuvendit për planin e veprimit për hartimin dhe miratimin e ligjit për transmetimet dixhitale. Por nxitimi i grupit të deputetëve iniciatorë të projektit ka anashkaluar të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian.
Neni 12 sanksionon se asnjë operator nuk duhet të zotërojë më shumë se 30 për qind të tregut të reklamave
Projektligji për dixhitalin frenon konkurrencën
Projektligji për transmetimet dixhitale është iniciuar nga një grup deputetësh të mazhorancës dhe është dorëzuar në Kuvend për votim. Në relacionin bashkangjitur projektligjit deputetët nismëtarë shpjegojnë edhe arsyet se pse kanë ndërmarrë hartimin e një projektligji të tillë. Sipas tyre, ky ligj do të jetë i përkohshëm derisa Kuvendi të miratojë legjislacionin e ri për radion dhe televizionin në Republikën e Shqipërisë. Projektligji parashikon që licencat e dhëna nga Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit janë të vlefshme vetëm për një periudhë kohore 6-mujore. Por në nenin 12 të tij thuhet se asnjë operator i licencuar në bazë të ligjit për Radion dhe Televizionin Publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë nuk mund të zotërojë më shumë se 30 për qind të reklamave në tregun audiovizual. Megjithëse deputetët nismëtarë në relacionin bashkangjitur projektligjit pretendojnë se u janë referuar praktikave dhe standardeve më të mira evropiane për miratimin e tij. Italia ka aktualisht një ligj për platformat dixhitale, i cili përcakton se çdo operator nuk duhet të ketë më shumë se 45 për qind të tregut të reklamave dhe kjo ka qenë pika më e debatuar e këtij ligji në vendin fqinj. Vetëm dy muaj më parë kreu i antitrustit italian, Catricala, kërkoi shfuqizimin e kësaj pike, e cila, sipas tij, kufizon konkurrencën e lirë dhe frenon zhvillimin e ndërmarrjeve. Neni 6 i këtij projektligji thotë se mbajtësit e licencave për transmetimet satelitore i përballojnë vetë financimet për platformat numerike dhe rrjetet e transmetimit për shpërndarjen e transmetimeve numerike. Nëse ata nuk i përmbushin këto detyrime në afatet kohore të përcaktuara në kushtet e licencës, Këshilli Kombëtar i Radio-Televizioneve ka të drejtë t‘u heqë atyre licencën. Sipas këtij neni, shoqëritë e licencuara për platforma satelitore, janë të detyruar të sigurojnë 50 për qind të shërbimeve të tyre transmetuese pa pagesë për publikun.
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt