• Katër të arrestuar dhe dy nën hetim në gjendje të lirë si dhe sekuestrimi i rreth 893 steka cigaresh “Malboro” e “Carrela Slims”, 430 kg duhan, 160 pakove me filtra për cigare
Dy operacione të një pasnjëshme në Tiranë dhe Durrës, kanë ndaluar katër korrierë të kontrabandës së cigareve malazeze që vinin nga Shkodra në drejtim të tregut të zi në Durrës dhe Elbasan. Katër të arrestuar dhe dy nën hetim në gjendje të lirë si dhe sekuestrimi i rreth 893 steka cigaresh “Malboro” e “Carrela Slims”, 430 kg duhan, 160 pakove me filtra për cigare, 100 stekave me filtër të markës “King Star:; 30 makina për përgatitje të cigareve si dhe bllokimi i 4 automjeteve, ishte rezultati i operacionit i cili përfundoi në orët e drekës së djeshme. Sipas policisë, të arrestuarit janë në Durrës, transportuesi nga Shkodra, Rauf Juliqi, 50 vjeç, si dhe dy pronarë lokalesh, Nuri Rama, 44 vjeç e Kujtim Kasa 52 vjeç, që tregtonin në qytet dhe në Plazh. Kurse në Tiranë është arrestuar Skënder Bajrami dhe janë lënë për ndjekje penale në gjendje të lirë, Ernest Matia 42 vjeç dhe Ndue Cini, 41 vjeç, që të tre nga Shkodra. Burime policore thanë për Gazetën, se cigaret kishin hyrë kontrabandë nga Mali i Zi me tankera nëpërmjet Liqenit të Shkodrës, dhe janë dërguar për t’u tregtuar në Durrës dhe Elbasan.
Tirane
I pari ishte operacioni i koduar “Rruga e Natës 2”, i shërbimeve të Rendit dhe Antikrimit Ekonomiko-Financiar të policisë së kryeqytetit, i cili startoi në orën 02:00 në të gdhirë të ditës së djeshme, ku u ndalua në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, 48-vjeçari Skënder Bajrami. Në Benzin e tij me targa SH 4140 D u gjetën 750 steka cigaresh «Carrelia Slims» pa pullë fiskale. Kjo i kushtoi arrestimin dhe sekuestrimin e mallit dhe makinës. Në segmentin Tiranë-Elbasan, në afërsi të Saukut bllokohet Benzi me targë SH 3546 D, me 320 kilogramë duhan dhe 80 pako me filtra për cigare. Ndalohet dhe më pas lihet për ndjekje në gjendje të lirë poseduesi Ernest Matia.
Po në dalje të Tiranës dhe duke shkuar në drejtim të Elbasanit, policia bllokoi fuoristradën SH 6483 D, të 41-vjeçarit Ndue Cini, ku u gjetën dhe u sekuestruan 110 kg duhan, 80 pako me filtra për cigare, 100 steka me filtër të markës «King Star», si dhe 30 makina për përgatitje të cigareve. Edhe për Cinin u vendos të hetohej në gjendje të lirë, ndërsa u bllokua malli dhe makina.
Durres
I pari që ka rënë në rrjetën e Antikrimit të Organizuar në Durrës, ishte korrieri i kontrabandistëve, Juliqi, ndërsa policia zbuloi dhe arrestoi edhe pronarët e pikave të shitjes me të cilët ishte lidhur 50-vjeçari shkodran. Gjithsej u bllokuan 137 steka «Malboro», si dhe automjeti i Juniqit, me të cilin ai kryente transportin.
Gazeta Shqiptare.
Krijoni Kontakt